Takimi me Berishën Biznesmenët e huaj kundër taksës progresive: është shkatërruese për ne

0
140

Ina Jano

berishaNdërmarrim reforma për të nxitur punësimin si një premtim madhor të qeverisë. Gjithçka për të nxitur sipërmarrjen e lirë

Kryeministri: Këto ditë ne bëhemi një ndër më të paktat vende, i cili nuk do të ketë asnjë lloj takse mbi kapitalin, qoftë ai financiar apo çdo lloj tjetër

 

Kryeministri i vendit, Berisha, ka zgjedhur të gjithë biznesmenët e huaj për të bashkëbiseduar me ta, në mënyrë që të përfshijë në programin e ri qeverisës të gjitha propozimet e tyre në funksion të një tregu më të lirë dhe të një mjedisi sa më pozitiv. Në parashtrimin e tij përpara rreth 150 investitorëve të huaj, kreu i mazhorancës u premtoi atyre se qeveria do të vijojë të mbetet për politikën e taksave të ulëta. Ai u shprehu investitorëve edhe synimin, sipas tij realist, për të kapur shifrën e 6 miliardëve investime të huaja në përfundim të mandatit katërvjeçar të ardhshëm. “Qëllimi ynë për 4 vitet që vijnë është realisht objektiv. Ne duam që në krye të 4 viteve Shqipëria të ketë marrë 6 miliardë investime të huaja. Ne e bazojmë këtë objektiv në një paketë të re fiskale që kemi ndërmarrë kohët e fundit dhe që do të ndërmarrim gjatë muajve që vijnë. Investimet e huaja kanë dhënë një kontribut të madh në punësimin e shqiptarëve. Katër vitet e fundit Shqipëria ka arritur të ketë çdo vit mbi 1 miliard dollarë investime të huaja. Ekspertët çmojnë se potenciali i saj është deri në 2 miliardë në vit”, – vijoi më tej kreu i qeverisë. Po ashtu lideri i mazhorancës nënvizoi se PD-ja mbetet një forcë politike që është në mbrojtje të taksave të ulëta. “Për sa i përket problemit të dytë të taksës, qeveria shqiptare ka qenë, është dhe do të mbetet qeveri e taksave të ulëta. Unë kam bindjen më të thellë se paratë në konton e biznesmenëve janë shumë më të vlefshme për shoqërinë sesa paratë në konton publike. Bazuar në këtë parim nuk do të ketë në mënyrë absolute rritje të taksave. Ju jeni dëshmitar se unë i kam rezistuar çdo lloj presioni në këtë drejtim nga kushdo qoftë. Unë mendoj se Shqipëria ka pasur avantazhin e saj më të madh në vendosjen e taksës së sheshtë dhe uljen e taksave. Ju siguroj se asnjëherë ose në mënyrë të përditshme mendoj se çfarë të ulim më shumë dhe asnjëherë se çfarë të rrisim më shumë. Kjo politikë ka pasur rezultate të shkëlqyera për ne”, – tha Berisha, i bindur se investitorët e huaj e mbështesin një politikë të tillë.

Ai gjithashtu u ndal edhe në problemin e taksës progresive dhe tha se ky është një problem për të gjithë investitorët, të cilët janë të lumtur që ajo nuk aplikohet më. “Taksa progresive do të kulmonte informalitetin, për të cilët ju ngritët shqetësimin dhe taksa progresive do të ishte mesazhi më i gabuar që ne ju jepnim investitorëve të huaj nga mbarë bota. Por do të ishte dhe një akt pabesie ndaj jush, sepse ju erdhët me mendimin se do të kishte një kuadër ligjor miqësor ndaj jush. Ju e dinit që në Shqipëri do të përballeshit me vështirësi të shumëllojta, por ju kishit një avantazh që ishte taksa e sheshtë. Pra, të gjithë këto dhe taksa progresive do të ishte një goditje shkatërrimtare për procesin e punësimit të qytetarëve shqiptarë”, – vlerësoi zoti Berisha.

Reformat

Kryeministri nuk mund të linte mënjanë edhe të gjitha reformat që qeveria e tij ka ndërmarrë dhe, sipas gjykimit të tij, janë të veçanta dhe që kanë ardhur si pasojë e një konsultimi me specialistët më të mirë, për një periudhë dyvjeçare. “Këto ditë ne bëhemi një ndër më të paktat vende, i cili nuk do të ketë asnjë lloj takse mbi kapitalin, qoftë ai financiar apo çdo lloj tjetër. Ne po bëjmë gjithçka për të nxitur sipërmarrjen e lirë. Ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale 10%, për të gjithë punëtorët që kanë një rrogë nën 30 mijë lekë, në Shqipëri. Ne hoqëm çdo detyrim fiskal për çdo të ri që ju mund të punësoni në ndërmarrjet tuaja, përfshi këtu edhe detyrimin e shtetit për trajnimin e tij. Ne jemi të gatshëm të vendosim në këtë vend standardet dhe praktikat më të mira që ekzistojnë. Këto reforma të ndërmarra deri më sot janë faktuar reforma të suksesshme. Reformat që qeveria mori gjatë 4-5 viteve të fundit janë reformat të cilat mbrojtën Shqipërinë në momentet më të vështira nga kriza e thellë evropiane dhe më gjerë. Dy partnerët tanë më kryesorë ranë në vështirësi nga më seriozet, por ekonomia shqiptare nuk ra në recension. Ekonomia shqiptare vazhdoi rritjen, ndonëse një rritje më modeste, nga ajo që mund të ndodhte, po të mos influenconin faktorët e krizës”, – deklaroi Kryeministri.

Punësimi

Për numrin një të qeverisë të gjitha reformat, hapat dhe nismat deri më tani janë ndërmarrë me një synim të caktuar, atë të hapjes së vendeve të reja të punës. Ky është prioriteti më i madh i PD-së që do të mbetet i tillë, gjatë mandatit të ardhshëm që ata do të përfitojnë. “Shqipëria ka nevojë jo të ecë, por të vrapojë dhe të fluturojë për të kapur kohën e humbur dhe në këtë kontekst investimet e huaja janë vendimtare për arritjen e këtij qëllimi. Për ne investimet e huaja do të thonë punësim dhe unë dua tu siguroj ju se qëllimi më madhor i të gjitha reformave që ndërmerr kjo qeveri është punësimi, sepse për njeriun, për qytetarin nuk ka arritje më të madhe, se sa të garantojë në kushte lirie, një vend pune të përshtatshëm, me një rrogë të përshtatshme”, – pohoi kreu i qeverisë. Duke u ndalur tek punësimi i të rinjve, nisur edhe nga pyetjet e përfaqësuesve të bizneseve, numri një i qeverisë, nënvizoi se janë duke u marrë masa që edhe të rinjtë të kenë kontrata të rregullta pune, sigurimet dhe taksat e të cilëve do të paguhen nga qeveria. Gjithashtu shqetësim që u ngrit nga të huajt, ishin edhe problemet me energjinë elektrike, disbursimin në kohë nga ana e ekzekutivit për projektet e tyre, por edhe trajnimin e punonjësve.

 

 

Bogdani: Rama s’ka plan për punësim në fushën e IT-së

Deputeti demokrat Gerti Bogdani ka reaguar dje nga selia e Parlamentit në lidhje me takimin e dy ditëve më parë të Kryeministrit Berisha dhe deklaratave të kryesocialistit Rama. Ligjvënësi i selisë blu u shpreh se numri lideri i selisë rozë nuk ka asnjë plan për të punësuar njerëzit në fushën e teknologjisë. “Kryeministri Berisha u takua me programues kompjuterësh dhe programesh për të diskutuar planin e tij të ri që shqiptarët të kenë aftësitë, mundësitë dhe infrastrukturën e nevojshme që u duhet për të siguruar vende pune me paga të mira në fushën e teknologjive të reja. Nga ana tjetër, Edi Rama nuk ka asnjë plan për të krijuar vende pune në fushën e teknologjive të reja. Ai është një mace e zezë për bizneset dhe skemat e tij për rritjen e taksave i trembin investuesit e huaj, e për pasojë humbin me mijëra vende pune në fushën e teknologjive të reja që ata sjellin në Shqipëri”, – tha Bogdani. Kreu i FRPD-së tha se për çdo investim të qeverisë në teknologji të reja, Edi Rama i ka detyruar deputetët e tij të votojnë kundër. “Edi Rama i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër financimit të internetit me bandë të gjerë për çdo shkollë. Ai i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër financimit të 27.000 kompjuterëve në shkolla. Edi Rama i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër përmirësimeve moderne në teknologji për industritë e agropërpunimit dhe të ndërtimit. Gjithashtu, Edi Rama i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër shtrirjes së 5.800 kilometra kabëll fibre optike për qasjen në internet – edhe pse e ka mbështetur në fushatën e tij!”, – pohoi deputeti demokrat. Më tej ai nënvizoi se Rama i ka detyruar deputetët e tij të votojnë kundër këtyre teknologjive të reja, ama nëse i prekin Facebook-un dhe Twitter-in, kalon në kolaps të plotë. “Pa ato, nuk i poston dot parullat e tij të thata e boshe të ngjizura në dhomën e tij të gjumit ngjyrë pink, të cilat nuk thonë asgjë për krijimin e vendeve të punës. Në fakt, i vetmi i ashtuquajtur plan i Edi Ramës është të rrisë taksat, të cilat do të shkaktojnë papunësi, duke na bërë më të varfër dhe më pak konkurrues në rajon. Sot, 50.000 shqiptarë – shumë prej tyre të rinj – punojnë në teknologji të reja dhe të larta si inxhinierë, menaxherë IT, ekspertë financiarë…dhe ky sektor, në skemën e rritjes së taksave të Ramës, do të pësonte një goditje të vdekjeprurëse. Partia Demokratike do të vazhdojë të marrë masa derisa të gjithë shqiptarët të kenë aftësitë, mundësitë dhe infrastrukturën që u duhet për të konkurruar në tregun dixhital”, – përfundoi deklaratën e tij deputeti Bogdani.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency