Mazhoranca miraton heqjen e taksave për pagat deri në 30 mijë lekë, PS voton kundër

Florenc Drizari

parlamentiTopalli, PS-së: Votuat kundër heqjes së taksave, kundër punësimit, të tjerat janë parole, parole të kryetarit tuaj të dështuar

 

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 69 votat e mazhorancës heqjen e tatimit mbi të ardhurat për të gjithë pagat e punonjësve deri në 30 mijë lekë. Ndërsa deputetët e opozitës, edhe pse votuan në parim pro nismës së qeverisë, pasi iu rrëzuan propozimet e bëra për taksimin progresiv, u tërhoqën nga vendimi i mëparshëm dhe votuan me 51 vota kundër modelit të propozuar nga Këshilli i Ministrave për heqjen e tatimit mbi pagat. Pas votimit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se e priste një qëndrim të tillë nga radhët e socialistëve, ndërkohë që akuzoi lidershipin e majtë për hipokrizi në sallën e Kuvendit. “Edhe kësaj radhe keni votuar kundra rritjes së rrogave, kundra punësimit. Keni votuar për të rritur taksat. Keni bërë hipokrizi katër orë rresht. Këtë votim prisja. Ju votuar kundra çdo rroge shtesë që marrin qytetarët me rrogën më të ulët që është sot në Shqipëri 300 USD. Kjo është e vërteta, ky është veprimi dhe të tjerat janë parole, parole të kryetarit tuaj të dështuar”, – u shpreh Jozefina Topalli. Më herët gjatë diskutimit në parim të draftit të qeverisë, deputeti socialist Arben Ahmetaj u shpreh se heqja e tatimit mbi pagat bëhet nga mazhoranca për efekt elektoral. “Ju jeni duke bërë fushatë elektorale. Këta tallen me ju të dashur qytetar. Me llogari një i punësuar që përfiton nga ky nivel, do të shpëtojnë nga 4 mijë lekë të reja. Këta duan në dy muaj t’ju blejnë votën me 40 mijë lekë të vjetra. Këta ju konsiderojnë njerëz që shiteni me 4 mijë lekë të reja. Nuk ka qytetarë të punësuar që të shesë votën për katër mijë lekë të reja”, – deklaroi deputeti i Partisë Socialiste Arben Ahmetaj.

BERISHA – RUÇI

Shqyrtimi i ligjeve për kontratat në hidrocentrale dhe heqjen e tatimit mbi pagat deri në 30 mijë lekë në sallën e Kuvendit, u shoqëruan debate dhe akuza mes kreut të qeverisë Sali Berisha me kryetarin e Grupit parlamentar opozitar, Gramoz Ruçi. Përplasja mes tyre kaloi nga ligjet specifike që ishin në axhendën e Kuvendet në atë programore mes dy partive, sidomos me modelin e taksimit, atij progresiv të propozuar nga PS-ja dhe taksës së sheshtë të ndjekur nga të djathtët. Kryeministri i vendit tha se gjatë një takimi që kishte pasur me grupe të biznesit, shqetësimi i tyre ishte aplikimi i taksës progresive nga socialistët. “Po vij këtu direkt nga një takim me biznesin e huaj. Shqetësimi i parë dhe më kapital që ngritën ishte taksa progresive. Unë e mirëkuptoj këtë, por unë i garantova, fola në emër të qytetarëve, se ajo nuk do të kthehet kurrë më dhe këtë e garantoj në faktin se vendet e punës, nuk janë të majta, apo të djathta, se investimet nuk janë të majta apo të djathta, se hidrocentralet nuk janë të majta apo të djathta, se fabrikat nuk janë të majta apo të djathta, se fermat nuk janë të majta apo të djathta, por janë vende pune, qendra punësimi ndaj dhe kam bindjen më të madhe se shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë të cilitdo spektër politik, që të jenë ata, të djathë, të majtë, të qendrës, rikthimin të një taksë famëkeqe, e cila ka inspiracion të vjetër klasor. Unë i garantova investitorët e huaj se kjo nuk mund të ndodhë”, – deklaroi Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë vijoi më tej duke thënë se objektivi i mazhorancës për katër vitet e ardhshme është integrimi në Bashkimin Evropian. “Cili është projekti i dytë më i madh, më pyetën biznesmenët e huaj. Projekti i parë, i dytë dhe i tretë, ishte përgjigja ime, është integrimi evropian. Ajo është pasaporta, të cilin për fat të keq, opozita shqiptare nuk pranoi ta firmosë, por do ta firmosë qytetari shqiptarë me 23 qershor”, – tha Kryeministri Berisha.

GRAMOZ RUÇI

Në replikë me Kryeministrin Berisha, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, mbrojti modelin e taksës që propozon opozita duke thënë se modeli është testuar më parë në shumë vende të Evropës. “Taksa progresive është një taksë e ekonomisë së tregut, e aplikuar në të gjithë Evropën dhe matanë oqeanit edhe në Amerikë. Kështu që ju nuk keni pse të përdorni frazeologjitë tuaja për të bërë debatin për taksën progresive. Nëse ke argumente për taksën progresive bujkun. Kreu i opozitës Edi Rama të ka ftuar më shumë se njëherë në debat publik, në studiot dhe gazetarët që të dëshirosh ti, në kohën dhe momentin që të dëshirosh ti. Dil dhe debato për taksën progresive. Mos kërko që me demagogji të sulmosh alternativën, ofertën që ka opozita shqiptare për elektoratin shqiptar”, – deklaroi Gramoz Ruçi.

 

Rrëzohet projektligji i opozitës, Topalli: Dorëzoni propozime kushtetuese

Partia Socialiste kërkoi shqyrtimin e kërkesës së saj për një projektligj të propozuar dy ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me ndjekjen e modelit të taksimit progresiv në vend, ndërkohë që krerët e mazhorancës e quajtën iniciativën e saj të paplotë dhe antikushtetuese. Kryeparlamentarja Topalli tha se është dorëzuar një iniciativë, por që sipas saj nuk është e shoqëruar me faturën financiare dhe për këtë nuk mund të shqyrtohej nga Kuvendi. Por kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kërkoi të zbatohej rregullorja e Kuvendit. “24 orë para jua kemi depozituar në sekretarinë tuaj. Ju ju detyron rregullorja që t’ua shpërndari deputetëve që s’jua keni shpërndarë. Nëse s’ka faturë financiare, rregullorja ju detyron që t’ia çoni Këshillit të Ministrave, që do të thotë se ligji pezullohet deri sa të kthejë përgjigje Këshilli i Ministrave. Propozimin tonë hidheni në votë”, – u shpreh Ruçi. Në përgjigje të deputetit socialist, zonja Topalli tha: “Keni sjellë një projektligj 24 orë para, pasi Komisioni i Ekonomisë kishte kryer të gjitha diskutimet dhe kishte votuar. Lidhur me propozimin e paraqitur, ju bëj me dije se duhet të plotësojë së pari kushtet juridiko formale dhe kushtetuese. Ky propozim nuk respekton nenin 82 pika dy e kushtetutës, pasi ndikon në buxhetin e shtetit dhe duhet marrë më parë me mendimin e Këshillit të Ministrave”.

 

KKRT sqaron komentet e bëra nga mediat për raportin e këtij institucioni

KKRT nëpërmjet një deklarate sqaroi dje në lidhje me disa komente të bëra nga disa subjekte televizive, në emisionin e lajmeve të datës 27 mars 2013 për raportin e punës të KKRT-së për vitin 2012. “Për sa u përket komenteve në lajme në lidhje me “uljen e autoritetit të KKRT-së, për shkak të mosveprimit të këtij institucioni” dhe referimeve mbi mosvjeljen e gjobave nga drejtoritë tatimore, sqarojmë se kryetarja e KKRT-së gjatë fjalës së saj, ka theksuar boshllëqet ligjore që penguan ushtrimin e plotë të kompetencave të autoritetit rregullator dhe në vazhdim ka sqaruar se me miratimin e ligjit të ri, ky institucion do të ketë të gjitha kompetencat e nevojshme për kryerjen e funksioneve të tij si autoritet rregullator”, – theksohet në deklaratë. “Lidhur me akuzën e bërë nga një deputet i opozitës për mosveprim të KKRT-së në lidhje me një çështje gjyqësore të një subjekti televiziv kombëtar, KKRT-ja sqaron se marrëdhënia juridiko-civile për godinën ku ushtronte veprimtarinë e tij ky subjekt, është tërësisht jashtë sferës së kompetencës së KKRT-së si autoritet rregullator në fushën e mediave audiovizive”, – sqarohet më tej në deklaratën e KKRT-së.

 

 

Kërko