Romeo Çollaku
Një përsiatje mbi poezinë e Ferik Ferrës; me shkas botimin në greqisht të përmbledhjes së tij “Perënditë e heshtjes”
Po bëhen, tashmë, disa dhjetëvjeçarë, që botimi i një romani shqiptar në gjuhë tjetër përbën, për ne, për shtypin tonë, për mjedisin tonë letrar, ngjarje gjithnjë e më pak të bujshme. Romani, proza jonë në përgjithësi, ngaqë e ka, krahasimisht, më të thjeshtë të depërtojë në tregun e librit, por edhe ngaqë, si gjini, i përballon, deri diku, me sukses vështirësitë e përkthimit, vështirësitë e kapërcimit të kufijve gjuhësorë, mund të themi se është njohur, deri tani, kënaqshëm prej lexuesit të huaj. Kënaqshëm, po të kemi parasysh se tradita e romanit tonë e ka fillesën jo edhe aq të largët në kohë.
Mirëpo, përkthimi, botimi i poezisë shqipe në një gjuhë tjetër është, edhe sot e kësaj dite, ngjarje me shumë rëndësi. Ndaj edhe u gëzova së tepërmi, kur, para pak kohësh, më ra në dorë një përzgjedhje, në gjuhën greke, e poezive të Ferik Ferrës, një poet, të cilin, duke qenë se pata jetuar, prej shumë vitesh, larg mjedisit letrar shqiptar, e njoha me vonesë. Libri – bëhet fjalë për një përzgjedhje nga gjithë krijimtaria e deritanishme e poetit – titullohet «Οι θεοί της σιωπής» («Perënditë e heshtjes»), botim gjithë shije i njërit prej enteve mjaft cilësorë të Athinës, Foinikas. Njerëzit që e duan, me të vërtetë, poezinë, ata që, edhe në mos paçin të gjithë nga një peshore të saktë për vlerësimin e aksh gjuhe dhe aksh qytetërimi, të paktën nuk dinë të paragjykojnë, e marrin me mend se, të flasin vargjet e tu në po atë gjuhë, me të cilën, që nga Homeri e deri tek Elitis, kanë folur disa nga zërat më të thellë e më të fuqishëm të historisë së njerëzimit, të zërë puna jote, librarive të Athinës (Athinës do ta nënvizoja), një vend nëpër raftet e gjatë të poezisë së përkthyer, diku mes Ferlingetti-t, Foscolo-s apo Frost-it, nuk është gjë e pakët. Tejet shpresëdhënës, pra, ky kumt: me sa duket, jo vetëm proza, por edhe poezia e mirë e një gjuhe «të vogël» e gjen, një ditë, shtegun, për t’u vendosur aty ku e meriton. Libri nuk ka shumë ditë që është hedhur në treg, ndaj dhe shtypi grek, ende, të paktën me sa e kemi ndjekur, nuk është shprehur rreth tij, mirëpo, pasi t’u bjerë në dorë njerëzve të duhur, jam i bindur se nuk do të kursehen vlerësimet e denjë, qoftë kundrejt Ferrës, qoftë kundrejt poezisë shqipe në përgjithësi.
Përkthimi i shkëlqyer i poezive është nënshkruar prej dy miqve të mi të vjetër dhe të përjetshëm: poetit dygjuhësh, shumë të njohur në Shqipëri e Greqi, Niko Kacalidha dhe birit të tij, Arit. Për sa i përket zgjedhjes së lëndës, kjo, përveç atij kriterit që respektohet rëndom në raste të këtilla, atij që dikton përcjelljen e pjesës më përfaqësuese të veprës së një poeti, ndjek, këtu, për arsye të vetëkuptueshme, edhe një tjetër kriter: në libër paraqiten rreth dymbëdhjetë poezi, pothuajse një cikël i plotë (i ngërthyer mes poezive të tjera), që mbështetet, tërësisht, në mitologjinë greke ose në qytetërimin grek. Tek njëra syresh qëndrova më gjatë; «Varri i Agamemnonit» më solli ndërmend atë poemën e jashtëzakonshme, me të njëjtin titull, të Julius Slowacki-t, poetit polak që, njëqind e gjashtëdhjetë vjet para Ferrës, ishte ndalur në të njëjtin vend, në Mikenë, tek varri i kryekomandantit të lavdishëm.
Jo më kot është thënë se, pas Homerit, nuk mund të ketë më asgjë tërësisht origjinale në letërsi. Mirëpo, tek poezia e Ferik Ferrës, ndryshe nga ç’ndodh me shumicën e poetëve të kohëve të vona, ndikimi prej letërsisë klasike, si dhe prej gjithë kulturës helene, ky ndikim i frytshëm dhe, sikurse theksuam, i pashmangshëm për këdo që shkruan, duket se nuk mbërrin nëpërmjet filtrash të ndërmjetëm, por vjen drejtpërdrejt nga burimi. Nuk është çudi që, në këtë pikë, të luajë rol, jo thjesht fqinjësia gjeografike, por, pikërisht, prejardhja e përbashkët e të parëve tanë, e gjuhëve dhe kulturave, dy degë të të njëjtit trung. Pak a shumë, të njëjtën gjë, kam përshtypjen, vendos në dukje edhe Niko Kacalidha, kur, në parathënien e librit, shënon se Ferra «shfleton menjëherë motivet e lashtë dhe të përjetshëm të poezisë botërore, që janë frymëzuar prej zanafillës së botës, që rrënjët i kanë helene, perënditë, Olimpin dhe Parnasin, qëndresën e Prometeut, hyjneshat Atenë dhe Afërditë, varrin e Agamemnonit dhe Mikenën, Salaminën dhe Trojën; pastaj i shtjellon të gjitha këto poetikisht, si t’i kishte të vetat, duke u dhënë nga fryma dhe shpirti i tij».
E lexova poezinë e Ferik Ferrës edhe në shqip, ashtu siç e ka shkruar ai vetë – ashtu siç është më mirë, pra, të lexohet poezia –, tek dy përmbledhjet e tij më të reja, «Pellgje dielli» (botimet Ombra GVG, 2010) dhe «Katër shekuj para Krishtit» (botimet Naimi, 2011). Pashë se ka edhe shumë poezi të tjera, më të spikatura se ato që përfaqësohen në botimin greqisht, por që janë, për fat të keq, prej atyre poezish që nuk reshtin s’u treguari «kokëforta» ndaj përkthimit. E kam fjalën, kryesisht, për poezitë e tij të ndërtuara sipas parametrave të vjershërimit klasik; për sonetet, sidomos. Vura re se Ferik Ferra është një nga zejtarët më të mirë të vjershërimit klasik, që ka sot shqipja. Për ta përligjur këtë gjykim timin, dëshiroj të përcjell, këtu, gjithë sonetin e parë nga cikli prej tri pjesësh «Hamleti» (përmbledhja «Pellgje dielli»): «Buzët e krimit zgjojnë gjumin e mortit, / braktisin vorrin hire e gjymtyrë, / vetëtimat behin mbretin në pasqyrë / era shtyn hanën n’ mjergullina t’ lotit. // Lakmi e helm n’ vesh të Elsinorit, / kopshti fsheh gjarprin maska gjen fytyrë, / “Betohu bir në Zot’ e kët’, mënxyrë / t’ia zbehim bukurinë dasmës s’ Oborrit. // Ledina e vdekjes prek rrugën e kthimit / ku vdekja kputë e ka selvinë e re / e princi ka lanë rrugën e mërgimit. // Prej grope dalin eshtna myk e dhe / “Kjo kafkë naltësi kishte në gri Jorikun”, / “Që bante horë e gaz kohën e fikun”». E citova të plotë këtë poezi, ngaqë, këtu, ma ha mendja, del, më se qartë, në dritë njëri prej tipareve themelorë të gjithë poezisë së Ferrës, që është ndërthurja e mëkimit klasik me atë modern: Ferra, rregullave të sonetit u qëndron besnik deri në njëfarë mase, e shkruan atë në njëmbëdhjetërrokësh, me të njëjtën rimë të kryqëzuar në të dyja strofat e para dhe, nga ana tjetër, këtë rimë, për hir të bashkëkohësisë, e përfton përmes asonancash, si dhe nuk respekton shenjat e pikësimit. Një gjë të ngjashme bën edhe në poezitë hajku të tij, të cilat janë të çliruara nga metrika e hajkut klasik.
Vërtet, këto poezi zënë pak vend në përmbledhjen «Pellgje dielli», edhe më pak tek «Katër shekuj para Krishtit», por, ndoshta, pikërisht pse janë të pakta në numër, prandaj dhe përbëjnë tregues për gjithë krijimtarinë e Ferrës, që mbizotërohet nga vargu i lirë. Nga një varg, ama, i lirë vetëm në dukje, pasi, mrekullisht, ai e ruan një muzikalitet të caktuar, në mënyrë që të arrijë të përcjellë, edhe nëpërmjet tingullit, atmosferën e përmbajtjes së poezisë (le të kujtojmë ç’thotë Eliot-i, në njërën prej eseve të tij për Pound-in: «Vargu i lirë i Pound-it është i tillë, që mund ta shkruajë vetëm një poet, i cili ka punuar së tepërmi me trajta të vështira dhe me sisteme të ndryshëm metrikë»). Me fjalë të tjera, secila prej poezive të tij ka atë muzikalitetin e vet përkatës, një muzikalitet të përkorë, të matur, por, sidoqoftë, të ndjeshëm. Tejet i kujdesshëm për efektin fonetik të poezisë, edhe vargun e lirë Ferik Ferra e punon fort: «Lëmojnë gjumin gurët / urës me tre harqe, / vaun e ngushtuar / në qindra gushë bilbilash / vonuar në rrjedhë». («Ura me tre harqe» nga përmbledhja «Katër shekuj para Krishtit»).
E këtyre notave është poezia e Ferik Ferrës, e këtij rrafshi. Nëse klasifikimi i poetëve në breza do të bëhej sipas vitit të lindjes dhe jo atij të debutimit në skenën letrare (në Shqipëri debutimi i poetëve varej, shpesh, prej kushtesh krejtësisht jashtëletrarë), atëherë, pa ngurrim, do të thoshim se Ferra është një nga poetët më të mirë shqiptarë të brezit të vet.