Miqësorja me Lituaninë, De Biazi kolaudon ekipin

0
148

Altin Vorpsi

shqipwri-lituaniSot në mbrëmje Shqipëria do të luajë me Lituaninë një takim miqësor

Komisari teknik italian pritet të zgjidhë disa dilema që lidhen me sfidën e kthimit me Norvegjinë

 

 

Xhani de Biazi do ta shfrytëzojë miqësoren kundër Lituanisë për të bërë prova para sfidës së radhës me norvegjezët. Trajneri i Shqipërisë do përballet me tri mungesa të rëndësishme si Roshi, Lila dhe Cana. Në fakt, ai do fokusohet më tepër te qendra e mbrojtjes, duke provuar dyshen Curri-Mavraj. Sa i përket kapitenit kuqezi, mund të aktivizohet një pjesë loje, ose në pozicion tjetër. Ndërkohë do të ketë eksperimente edhe për krahët e lojës, duke qenë se edhe Roshi e Lila janë përdorur si mesfushorë në ndeshjen e fundit. Gjithsesi ndaj Lituanisë De Biazi pritet të aktivizojë thuajse të gjithë lojtarët që nuk gjetën hapësira në ndeshjen e së premtes kundër Norvegjisë.

 

Salihi nuk është

Hamdi Salihi e kreu me sukses misionin e tij në kombëtare, duke vulosur fitoren në një ndeshje historike. Mirëpo, ai nuk do jetë në dispozicion të De Biazit për miqësoren e ardhshme, pasi është nisur menjëherë drejt Kinës. Sulmuesi shkodran nuk udhëtoi me ekipin përfaqësues nga Oslo për në Shqipëri, por vendosi të rikthehet në Kinë. Në fakt, për hir të rrugës së gjatë dhe kalendarit, ai e kishte të pamundur që të ishte në dispozicion për këtë sfidë, çka trajneri De Biazi e cilëson si më se të justifikueshme.

 

Përgatitjet

Kombëtarja zhvilloi dje përgatitjet e fundit në Durrës në prag të ndeshjes miqësore kundër Lituanisë. Futbollistët kuqezinj shprehen se duhet të fitojnë për të ruajtur klimën optimiste pas fitores ndaj Norvegjisë. Çani dhe Curri bëjnë të ditur se skuadra nuk mund të bëj hapa pas. “Nuk mund të bëjmë ca hapa mbrapsht. Ne kemi një ëndërr që duam ta arrijmë të gjithë dhe do bëjmë të mundur të arrijmë tani. Nesër do e përfaqësojmë shumë seriozisht ndeshjen dhe do mundojmë të fitojmë dhe nesër dhe të bëjmë ca përmirësime”, – tha sulmuesi i Katanias, Edgar Çani. Ndërkohë që Debatik Curri fton të tërë që të harrojnë atë që ndodhi në Oslo për të punuar të qetë: “Duhet të kënaqemi me këtë rezultat se gjithmonë kemi pasur probleme pas ndeshjeve të tilla, dhe pastaj kemi rënë pak. Unë mendoj që duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, të harrojmë Norvegjinë dhe do të konsiderohemi qysh ndeshjen e nesërme me Lituaninë”.

 

 

Precedentët

Janë vetëm tri ndeshje kundër Lituanisë, qysh kur shtetit baltik u shkëput nga trungu i ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1990. Dy janë ndeshje zyrtare, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “SHBA 1994” dhe një miqësore (2006). Bilanci është negativ: 1 fitore dhe 2 humbje (3-5 golavarezhi). Takimi i parë daton, më 3 qershor 1992, kur Shqipëria e drejtuar nga Bejkush Birçe fitoi 1-0 në “Qemal Stafa”, me golin e realizuar nga Eduard Abazi (78’). Edhe ballafaqimi i dytë (14 prill 1993) përkon me një humbje të hidhur: 3-1 në Vilnius, teksa golin e vetëm e shënoi Sulejman Demollari (86’), por takimin e mbyllëm me dhjetë lojtarë pas të kuqit të Gjergj Dëmës (39’). Miqësorja e vetme daton, më 1 mars 2006, me gjermanin Hans-Peter Brigel në bankinë, teksa golin e vetëm të Shqipërisë e shënoi ish-mbrojtësi i njohur, Adrian Aliaj.

 

 

Mali i Zi – Angli

Tekniku malazez “ndërsen” luanët e Hoxhsonit: Anglezët janë frikacakë

Për Uejn Runin do të jetë një “deja vu” jo e këndshme. Sulmuesi i Mançester Junajtidit do të rikthehet në vendin e krimit, skuadra luan vendin e parë, dhe në Podgoricë do të luajnë në një stadium ku i pret ferri. Por trajneri i Malit të Zi, Branko Brnoviç, i ka bërë një sulm frontal rivalit të tij Roi Hoxhson se po kërkon alibi për të justifikuar një rezultat negativ që mund të marrë sot. “Po lexoj deklarata të lojtarëve anglezë për cilësinë e fushës. Mesa di unë, anglezët pëlqejnë lojën me topa të gjatë dhe nuk kanë përse të ankohen për terrenin. Mund të ankohemi ne që kemi lojtarë si Jovetiç dhe Vuçiniç, por jo Anglia. Por këto alibira mbështesin faktin që ata janë më të trembur se ne. Kanë frikë edhe nga tifozët tanë, por unë nuk shoh arsye përse”, – deklaroi 44-vjeçari. Ballkanasit kryesojnë Grupin H me 2 pikë më shumë se ishullorët kur janë zhvilluar 5 ndeshjet e para. Një humbje sot në Podgoricë do të ishte fatale për ekipin e Hoxhsonit. Por deklaratën e fortë të homologut të tij, menaxheri i Anglisë nuk e quan gjë tjetër veçse lojëra mendjesh në prag të një ndeshjeje të rëndësishme. “Unë nuk dua të bëj komente të zgjeruara. Thjesht deklaratat e Brnoviçit janë lojëra mendjeje. Jam i surpizuar vetëm që thotë se një humbje nuk do e penalizojë Malin e Zi. Shumica e trajnerëve besojnë se një humbje i dhemb atyre, në të gjitha nivelet e futbollit. Nëse ai kërkon të na thotë se Anglia është favorite ndaj Malit të Zi për presion, atëherë ne e pranojmë me kënaqësi këtë sfidë. Nuk është aspak problem për ne”, – tha Hoxhson, i cili inspektoi terrenin bashkë me kapitenin Xherard pas reshjeve të shumta që ranë dje në Podgoricë. Sa i përket statistikave që të dyja takimet e mëparshme mes Malit të Zi dhe Anglisë kanë përfunduar në barazime (0-0 në ‘Uembli’ tetorin e 2010-ës dhe 2-2 në Podgoricë kur Runi u ndëshkua me karton të kuq pas goditjes së Miodrag Xhudoviç). Mali i Zi ka 4 ndeshje radhazi që nuk pëson gol, ndërsa Anglia ka sulmin më të mirë të këtyre kualifikueseve (20 gola, 13 prej të cilëve i ka shënuar në dy ndeshjet me San Marinon).

 

Prishtinë

Më 15 qershor do të mblidhen yjet

Klubi i Prishtinës po planifikon të zhvillojë një ndeshje miqësore me yjet e futbollit shqiptar për të festuar 15 qershorin, që përkon me 14 vjetorin e çlirimit të kryeqytetit të Kosovës. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili ka zbuluar se ka filluar kontaktet dhe ka marrë përgjigje pozitive nga shumë futbollistë të njohur kosovarë. Sipas asaj që raportohet në mediat kosovare, Ejupi ka deklaruar se konfirmimin për pjesëmarrjen deri tani e kanë dhënë emrat më të njohur të futbollit si Lorik Cana, Granit Xhaka, Debatik Curri, Armend Dallku, Etrit Berisha, Alban Meha, Migjen Basha, Samir Ujkani, Besart Berisha, Valdet Rama, Mërgim Mavraj, Valon Behrami, Blerim Xhemalji dhe shumë lojtarë të tjerë që militojnë në kampionatet e njohur evropiane. Ndërkohë, mbeten ende në pritje të përgjigjes pozitive nga Xherdan Shaqiri, i cili duhet të marrë leje nga klubi i Bajern Mynihut për të marrë pjesë në këtë aktivitet. Ejupi ka kontaktuar personalisht me lojtarët, ndërsa ka marrë miratimin prej futbollistëve kosovarë që luajnë me përfaqësuesen shqiptare pasi ka takuar këta të fundit në Oslo, ku ka qenë për të parë ndeshjen kundër Norvegjisë.

 

Vendimi

Rejnxhërsat janë gati për Premier Ligën

Shefi ekzekutiv i Rejnxhërsave, Çarls Grin, ka parashikuar se skuadra e famshme e qytetit të Glasgout do të bëhet pjesë e kampionatit anglez të futbollit brenda 5 viteve të ardhshme. Klubi më i suksesshëm i Skocisë është gati që të fillojë rrugën që nga nivelet e futbollit amator, ndërsa drejtuesit e klubit kanë bërë të qartë se do të kërkojnë me ngulm ta realizojnë një ëndërr të tillë. “Të jeni të sigurt se Rejnxhërs, por edhe Sëlltik, do të largohen nga Skocia, por nuk di të them nëse kjo do të ndodhë që nesër nëse autoritetet angleze ndërrojnë mendje, apo në 5-10 vitet e ardhshme”, – tha Grin për “Daily Mirror”. “Unë mendoj se do të ndodhë brenda 5 viteve të ardhshme. U them klubeve angleze që të mos frikësohen nga e panjohura. Shumë shpejt do të ekzistojnë kampionatet e përbashkëta të futbollit mes vendeve të ndryshme dhe kjo do të ndërrojë fytyrën e futbollit evropian. Përse klubet apo autoriteti që drejton futbollin anglez nuk duhet të dëshirojnë një afrim të Rejnxhërs dhe Sëlltik? Gënjejnë nëse thonë se këto klube nuk i shtojnë asgjë lojës. Unë pashë Sauthempton kundër Uigan dhe stadiumi nuk ishte i mbushur. Por nuk ka shanse që një skuadër që luan kundër Rejnxhërs të ketë qoftë edhe një karrige bosh në stadium”, – shtoi ai. “Kjo është ajo që futbolli dëshiron aktualisht, të fitojë para. Nuk bëhet fjalë vetëm për të trokitur në derën e Rupert Murdok për të kërkuar më shumë para nga e drejta televizive. Nga rreth 20 klube angleze me të cilat kam folur, vetëm 2 prej tyre janë kundër idesë që ne të kalojmë në kampionatin anglez”, – shpjegoi drejtuesi i Rejnxhërsave.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency