Kontrabandë me ilaçet, arrestohet babai i deputetit Saimir Tahiri

0
190

Elton Qyno

sajmirBashkim Tahiri është arrestuar në mesditë në farmacinë pranë spitaleve

Medikamentet, me vlerë 10 mijë euro, vidheshin në një spital të Italisë

 

Bie në prangat e policisë Bashkim Tahiri, babai i deputetit të Partisë Socialiste Saimir Tahiri. 63-vjeçari është arrestuar së bashku me dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se i dërgonin medikamente mjekësorë nga Italia, ndërsa Bashkim Tahiri i tregtonte në farmacinë e tij “Sat-Farm” që ndodhet shumë afër Spitalit Pediatrik, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndalimi i Tahirit është bërë pikërisht në orën 13:00, kur ai kishte marrë një sasi të ndryshme medikamentesh nga shtetasi Dritan Gjiza, person ky që ia sillte 63-vjeçarit medikamentet, pikërisht në farmacinë që ndodhet në zonën e qendrës spitalore. Të gjitha ilaçet, sipas burimeve të policisë, vidheshin në një spital në Itali, nga vjehrra e 27-vjeçarit Dritan Gjiza, me inicialet N. P., e cila ishte punësuar në këtë spital. Ndërkohë, pasi arrinin në Shqipëri, medikamentet bliheshin nga babai i Saimir Tahirit, shtetasi Bashkim Tahiri, i cili arrinte t’i blinte me një çmim të lirë, ndërkohë që më pas i tregtonte me çmim më të lartë. E gjithë kjo praktikë e kundërligjshme kryhej nën hundën e organizmave të Ministrisë së Financave, duke shmangur çdo detyrim doganor dhe tatim-taksat për mallrat e tregtuara. Hetimet ndaj këtij rasti janë kryer nga Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim edhe me policinë, të cilët arritën të organizojnë operacionin e koduar “Rispedal”, duke vënë në pranga tre persona, mes tyre dhe 63-vjeçarin Bashkim Tahiri, babain e deputetit të PS-së, Saimir Tahiri.

Malli 10 mijë euro

Gjatë operacionit policor të kryer në mesditën e djeshme, policia e Tiranës arriti jo vetëm të verë në pranga tre personat Bashkim Tahiri, Dritan Gjiza dhe shtetasen Nadire Taga, por të sekuestrojë edhe një sasi të madhe medikamentesh farmaceutike. Sipas burimeve, bëhet fjalë për një sasi që kap shifrën prej 10 mijë euro dhe se e gjitha kjo ishte sjellë nga Italia, nëpërmjet trageteve dhe makinave, e fshehur në çantat e dorës. Kjo skemë nuk është arritur të zbulohet në terren nga inspektorët në Doganën e Durrësit dhe ata të Tatim-Taksave, ndërkohë që kanë qenë disa inspektorë të tjerë ata që kanë pikasur që në disa farmaci në Tiranë, tregtohen medikamente të futura në treg në mënyrë kontrabandë. Pjesa më e madhe e këtyre medikamenteve është për kurimin e sëmundjeve të rënda, ku edhe kostoja financiare e tyre është tepër e madhe. Nisur nga kjo situatë, Drejtoria e Tatim-Taksave në Tiranë ka vendosur të bëjë kallëzim penal ndaj disa prej subjekteve tregtare që tregtonin medikamentet farmaceutike pa pullën përkatëse fiskale. Kallëzimi është bërë në Prokurorinë e Tiranës, ku pas disa muajsh hetime është arritur të mblidhen prova bindëse se babai i deputetit të PS-së, Saimir Tahiri, në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë kryenin futjen e medikamenteve farmaceutikë në Shqipëri, duke i tregtuar më pas ato në farmacinë “Sat-Farm”, që posedohet nga nëna e deputetit Tahiri, Luiza Tahiri.

Përgjime dhe faturat

Për dokumentimin e plotë të këtij rasti Prokuroria e Tiranës ka arritur të sigurojë përgjime dhe faturat e munguara të shitjes. Sipas këtyre burimeve, Bashkim Tahiri del qartë në disa biseda telefonike dhe ambientale, duke porositur mallin e medikamenteve spitalore. Ndërkohë, në dosje janë administruar dhe disa filmime ku Bashkim Tahiri ka paguar lekët tek shtetasi 27-vjeçar Dritan Gjiza. Kaq ka mjaftuar që në këtë moment të ndërhyjnë efektivat e policisë së Tiranës, të cilët të bëjnë arrestimin në kushtet e flagrancës të shtetasit Bashkim Tahiri dhe dy personave të tjerë, të cilët mendohet se kanë bashkëpunuar së bashku. Sipas policisë së Tiranës, aktualisht ndaj tyre është marrë masa e arrestit në flagrancës, ndërkohë që tre personat e arrestuar do të hetohen për veprën penale të “Kontrabandës së mallrave që paguhet në akcizë”, “Kontrabanda e mallrave të licencuar”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” si dhe “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”. Pritet që në ditët në vijim, tre personat e arrestuar të dalin para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesi i prokurorisë.

 

Paraqitja në policinë e Tiranës

Tahiri dhe avokati Ndreca

s’lejohen të takojnë babain

 

Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, pas arrestimit të babait të tij Bashkim Tahiri nga strukturat e policisë së Tiranës për kontrabandë ilaçesh ka shkuar në mbrëmje në Drejtorinë e Policisë. Tahiri i shoqëruar edhe nga avokati Plarent Ndreca nuk u lejuan të takoheshin me të arrestuarin, i cili po mbahet brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë. Në një prononcim për mediat, deputeti Tahiri theksoi se inkurajon këdo që të hetojë qoftë dhe babain e tij, teksa tha se askush nuk guxon t’i mbyllë gojën. Tahiri akuzoi ministrin e Brendshëm Flamur Noka, zv.drejtorin e Policisë së Shtetit Agron Kuliçaj dhe Kryeministrin Sali Berisha, se kishin inskenuar një operacion të tillë policor me qëllimin e vetëm arrestimin e babait të tij.

 

 

Reagimi i kryesocialistit

Rama: Hetim deri në fund, edhe

pse është babai i deputetit

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me arrestimin e babait të Saimir Tahirit, me anë të një deklarate në të cilën thuhet: “Asnjë shtetas i Republikës së Shqipërisë nuk është mbi ligjin. Bashkim Tahiri duhet të hetohet deri në fund dhe të gjykohet deri në fund, në mënyrë të drejtë e të pavarur, për akuzën që ka ngritur policia. Fakti që bëhet fjalë për të atin e deputetit Saimir Tahiri, sigurisht nuk e bën të akuzuarin vetvetiu më të pafajshëm. Por, pa asnjë dyshim i bën akuzuesit vetvetiu më të dyshuar! Sepse dihet botërisht që nuk është goditja e parë e shtetit ndaj familjes së Saimir Tahirit apo ndaj vetë deputetit socialist, i cili është i mirënjohur nga opinioni publik për kurajën dhe këmbënguljen me të cilën ka denoncuar në vijimësi korrupsionin qeveritar, krimin e organizuar, si edhe vetë kupolën drejtuese të policisë. Dihen edhe gjyqet e orkestruara në dëm të Saimir Tahirit për akuzat e tij ndaj fëmijëve të Kryeministrit. Prandaj natyrshëm lind edhe dyshimi se ky ndalim i orkestruar mediatikisht, në kohë reale, me një bujë të pazakontë, i babait të një deputeti opozitar, mund të jetë hakmarrja politike e babait kryeministër. Por, sidoqoftë, edhe historia ende shumë e freskët e ndalimit po kaq të bujshëm dhe po për hakmarrje politike të kryebashkiakut të Kavajës, tregon se e vërteta nuk vonon shumë të dalë.

 

 

 
 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency