Udhëtim në përballjen me dy diktatura

0
151

Lindita Arapi

 

diktatureNë një udhëtim dhjetëditor nëpër Gjermani, punonjësit e Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit njihen nga afër me përvojën gjermane në rishikimin e dy diktaturave, atë naziste e diktaturën e Gjermanisë Lindore.

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri në bashkëpunim me zyrën në Tiranë të fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”, një seminar dhjetëditor për të konsultuar, për të parë nga afër përvojën gjermane, por edhe për të diskutuar mbi shembujt e modelit gjerman në përballjen me dy diktaturat, atë naziste dhe diktaturën e Gjermanisë Lindore, RDGJ. Përvoja gjermane i sillet grupit shqiptar të punës në një spektër shumë të gjerë që nga vizitat konkrete në muzeun e Stasit deri tek metodat se si sistemohet dhe ruhet e shkuara në kartelat e dosjeve të dikurshme.

Për drejtorin e Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit, Agron Tufa, ky qëndrim dhjetëditor është një përvojë shumë e rëndësishme për të parë se si ka reflektuar Gjermania ndaj diktaturave: “Na ra në sy një vetëdije shumë e lartë në të kuptuarit e asaj që kanë qenë burim dhe riprodhim i së keqes dhe krimeve, diktatura, por edhe një vetëdije shumë e lartë intelektuale e reflektuar në disa lloje qasjesh për ta filtruar përvojën e dy diktaturave gjermane, për të përforcuar kujtesën, ngritjen e memorialeve, muzeve, librave studimorë deri tek përshtatjet në sistemin didaktik arsimor për t’ia përcjellë këtë temë brezave të rinj”.

Dr. Anna Kaminsky drejton Fondacionin Gjerman për Rishikimin e Diktaturës së RDGJ-së

Kujtesa historike gjermane larg ndikimit partiak

Vizitat e takimet e grupit të ftuar nga Shqipëria kanë qenë nga më të ndryshmet, – nga bisedat me deputetë gjermanë, si kryetarin e grupit parlamentar për Evropën Juglindore në Bundestag, Peter Weiß, për të prezantuar problematikën shqiptare, – deri tek vizitat në memorialet e ndryshme për kohën e diktaturës. Përshtypje të fortë tek seminaristët nga Tirana ka lënë guximi dhe qëndresa qytetare e intelektuale gjermane menjëherë pas rrëzimit të Murit të Berlinit, për të cilën ata shprehen me admirim. Pas informacionit se Stazi po shkatërronte arkivat dhe dokumentet ku gjendeshin dokumentet e krimeve të bëra ndaj qytetarëve, shumë aktivistë për të drejtat e njeriut dhe intelektualë u mblodhën për të mos lejuar shkatërrimin e tyre. “Një gjë e tillë nuk u bë dot në asnjë vend tjetër nga vendet e Lindjes, e as që mund të përfytyrohej në Shqipëri”, – thotë Agron Tufa.

Gjermania e ka krijuar kujtesën e saj historike, të pavarur nga politikat koniunkturale, dhe larg instrumentalizimit politik partiak të rishikimit të diktaturës. Shqipëria ka ende shumë rrugë për të bërë në këtë drejtim. Pas vizitës së grupit të ardhur nga Shqipëria në Fondacionin Gjerman për rishikimin e diktaturës së RDGj-së, drejtorja dr. Anna Kaminsky, shprehet se Gjermania ia ka dalë shumë mirë një gjëje: Që përballimin me diktaturën ta ketë një temë mbipartiake. Po ashtu aspekti i studimit shkencor të kësaj periudhe mbi bazën e fakteve historike të sigurta mbi diktaturën krijon mundësinë që edhe njerëzit që vuajtën të gjejnë vendin e tyre.

 

Përvojë e papraktikueshme në Shqipëri?

Por çfarë mund të marrin me vete seminaristët nga Shqipëria dhe çfarë mund të praktikojnë ata pas kthimit në Tiranë? Drejtoresha e fondacionit gjerman, Anna Kaminsky shprehet: “Ajo që mund të merret nga Gjermania është një shtysë për të parë se sa shumë forma, mjete dhe metoda të ndryshme janë zhvilluar në Gjermani për ta sjellë temën kudo në shkolla, për të bërë që të interesohen të rinjtë, që tema të jetë prezente në forma të ndryshme në media, të jetë pjesë e studimit historik, por që të organizohen ekspozita, të përgatiten libra shkollorë, filma, përballimi me të shkuarën të futet në universitete. Pra mbi këtë bazë të rritet pranueshmëria e kësaj teme në shoqëri”.

Drejtori i Institutit të Studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit, Agron Tufa kërkon që procesi i përballimit dhe rishikimit të diktaturës të mos pengohet nga politika shqiptare, por të mundësohet prej saj duke krijuar ligjet e nevojshme. Po qe se kjo nuk bëhet “kujtesa jonë kolektive nën diktaturë do të jetë thjesht një burim falsifikimi. Nëse ne nuk marrim shembujt gjermanë në përballjen me krimet e dy diktaturave, ne rrezikojmë kthimin e një diktature të tretë, diktaturën e pushtetit të pakufizuar”, kritikon ai.

Krahasuar me vendet e tjera të Lindjes, Shqipëria ka qenë gjithmonë një hap prapa në rishikimin e diktaturës. Këtë e tregon fakti që edhe Instituti i Studimeve të krimeve të komunizmit u krijua ndër të fundit në vendet e Lindjes, vëren Agron Tufa. Megjithatë ditët e kaluara në Gjermani e kanë bërë atë optimist. “Modeli gjerman na qartëson dhe na bind për detyrën që kemi përpara”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency