Elton Qyno
Artistja akuzon Ylli Drishtin për cilësi të dobët, i kërkon shumën e parave prej 750 mijë lekësh
Një sherr i lindur mes një skulptoreje dhe një punonjësi të Galerisë së Arteve, i cili ka qenë edhe anëtar në komisionin e përzgjedhjes së logos “100 Vjet Shtet Shqiptar”, ka përfunduar në dyert e Prokurorisë dhe Gjykatës së Tiranës. Konflikti ka lindur për një shumë prej 750 mijë lekësh të vjetra të dhëna nga skulptorja Afërdita Shijaku, në adresë të punonjësit të Galerisë së Arteve, shtetasit Ylli Drishti. Dhënia e kësaj shume parash është bërë me qëllim për krijimin e një maketi album, me të gjitha punimet që skulptorja ka krijuar përgjatë gjithë karrierës së saj. Në parim dy artistët kanë rënë dakord, duke firmosur së bashku dhe një kontratë, ku nënvizoheshin me pika konkrete, kushtet e punës dhe të pagesës. Mirëpo pas përfundimit të punimit nga artisti Ylli Drishti, skulptorja Afërdita Shijaku ka refuzuar të marrë punimin, me pretendimin se nga ana e artistit Drishti ishte bërë një punim i një cilësie tepër të dobët, dhe për pasojë ajo menjëherë i ka kërkuar rikthimin e shumës së parave të dhëna. Mirëpo një kërkesë e tillë nuk është miratuar nga Ylli Drishti dhe më pas konflikti mes dy artistëve ka degjeneruar, duke shkuar në dyert e Prokurorisë së Tiranës. Pas hetimeve të kryera ka qenë prokurorja Suela Salavaçi ajo që ka marrë vendimin për mbylljen e hetimit. Duke mos qenë dakord me këtë vendim, skulptorja e ka kundërshtuar atë në Gjykatën e Tiranës, e cila një javë më parë ka rrëzuar kërkesën e saj, duke mos i dhënë të drejtë.
Kallëzimi në prokurori
Kallëzuesja Afërdita Shijaku më datë 4 korrik 2012, ka bërë një kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë kundër shtetasit Ylli Drishti. Sipas këtij kallëzimi, shtetasja Afërdita Shijaku kishte porositur tek shtetasi Ylli Drishti një album me të gjitha punimet që ajo kishte realizuar gjatë jetës së saj, pasi kjo shtetase është me profesion skulptore dhe të gjitha punimet i kishte të fotografuara dhe donte që të realizonte një album. Për këtë gjë ajo ka rënë dakord me shtetasin Ylli Drishti, i cili ishte i punësuar në Galerinë e Arteve. Gjithashtu, në kallëzimin e saj shtetasja Afërdita Shijaku sqaron se shtetasi Ylli Drishti për realizimin e këtij albumi i kishte kërkuar shumën prej 1.5 milionë lekësh, shumë të cilën do ta likuidonte në dy këste. Për realizimin e këtij albumi, shtetasi Ylli Drishti i ka kërkuar fotografitë që të realizonte maketin dhe për këtë gjë i ka ofruar edhe një kontratë, të cilën ai e kishte përpiluar vetë dhe të dy së bashku e kanë nënshkruar. Në momentin e nënshkrimit të kësaj kontrate, shtetasja Afërdita Shijaku i ka paguar shtetasit Ylli Drishti shumën prej 75 000 lekësh të reja dhe pjesën tjetër do ta paguante kur të mbarohej albumi.
Konflikti për cilësinë
Pas nënshkrimit të kontratës dhe marrjes së gjysmës së lekëve, Drishti i është përveshur punës për përfundimin sa më parë të porosisë artistike të marrë nga kolegia e tij Afërdita Shijaku. Mbas disa ditësh, shtetasi Ylli Drishti i ka treguar Afërditës maketin e albumit që kishte përgatitur, por Afërditës nuk i ka pëlqyer, pasi, sipas saj, ai ishte një album i një cilësie shumë të dobët dhe i ka kërkuar shtetasit Ylli Drishti që të ndërpriste punën për këtë album dhe t’i kthente paratë që ajo i kishte paguar. Por shtetasi Ylli Drishti nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Në kallëzimin e saj, shtetasja Afërdita Shijaku sqaron se Ylli e ka gënjyer dhe e ka mashtruar dhe kontrata që i ka paraqitur nuk është e noterizuar dhe nuk e ka lexuar këtë kontratë dhe ndihet e mashtruar, pasi sipas saj Ylli Drishti kërkon nëpërmjet kësaj kontrate të marrë autorësinë e botimeve të punimeve të saj, në rast se ai do t’i botonte.
Marrëveshja
Shkëmbim informacioni Shqipëri-Angli
Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar e Anglisë nënshkruan marrëveshjen për shkëmbimin e informacionit për çështjet emigracionit. Kjo marrëveshje u firmos nga ministri i Brendshëm Noka dhe ambasadori Cannon. Të dy funksionarët e lartë e vlerësuan nënshkrimin e marrëveshjes si një tjetër hap në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, e cila shërben si një barrierë e fortë për parandalimin e migracionit të paligjshëm, frenimin e krimeve ndërkufitare, trafikimit të qenieve njerëzore dhe në luftën kundër krimit në tërësi, duke forcuar administratën civile që kontrollon migracionin. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje kaq të rëndësishme bën të mundur, që për herë të parë, të kryhet shkëmbim i ndërsjellë i të dhënave personale për mbrojtjen e interesave të përbashkëta mes dy vendeve, duke e ngritur në nivelet më të larta bashkëpunimin për sundimin e ligjit, veprimin e shpejtë dhe të mirëkoordinuar të agjencive të zbatimit të ligjit. Njëkohësisht, rritet në maksimum edhe efikasiteti për zbatimin e Marrëveshjes së Ripranimit, të nënshkruar mes dy shteteve. Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, nënvizoi faktin se Shqipëria është e vendosur që në rrugën e saj të integrimit në BE të mos njohë pengesa apo ngadalësim. Shqipëria është një ndër vendet e rajonit që ka respektuar me shumë korrektësi regjimin e lëvizjes pa viza. “Jemi i vetmi vend i rajonit, i cili që ka marrë përsipër kthimin në atdhe, me shpenzimet e shtetit shqiptar të të gjithë qytetarëve të vet, që shkelin rregullat e qëndrimit në hapësirën Shengen”, – tha Noka.
U dënua me 7 vjet
Prostitucioni, kapet në Rubik 37-vjeçari
Policia e Lezhës ka arrestuar një person shumë të kërkuar nga drejtësia Italiane. Gjovalin Kola, 37 vjeç, ishte i dënuar nga Gjykata e Milanos me 7 vjet burg për veprat penale: “Skllavërim”, “Trafik qeniesh njerëzore” dhe ”Shfrytëzim prostitucioni ndaj të miturve”. Kola u arrestua në qytetin e Rubikut dhe sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë së Lezhës, ai nuk ka bërë rezistencë forcave gjatë aksionit. Mësohet se arrestimi i tij është bërë për llogari të palës italiane, ku pritet që brenda tri ditësh, Kola të dalë para Gjykatës së Lezhës, për t’u njohur me masën e sigurisë të arrestit 40 ditur në burg. Sipas autoriteteve italiane, pak kohë më parë Gjykata e Milanos ka dënuar me një vendim të formës së prerë me 7 vite burg 37-vjeçarin, i cili rezulton të jetë përfshirë në aktivitete kriminale, kryesisht në atë të trafikut të prostitucionit. Veç kësaj, ndaj Kolës janë ngritur edhe akuza të tjera, për shkak se këtë vepër ai e ka kryer duke ushtruar dhunë fizike, veprime këto që janë cilësuar me terma juridikë skllavërim. Pritet që tashmë, autoritetet italiane të dërgojnë në drejtim të Shqipërisë kërkesën për ekstradimin e Kolës, me qëllim shlyerjen e dënimit prej 7 vite burg në shtetin Italian.
Ngjarja në Elbasan, pranga babait të pronarit të llotos
Dyshonin se i kishin grabitur pikën e basteve
marrin peng dy persona, arrestohen nga policia
Dyshimet e ngritura ndaj dy personave se ata mund të ishin grabitësit e një pike bastesh sportive kanë detyruar babain e pronarit të një pike llotoje dhe dy të njohurit e tij të marrin peng dy shtetasit me inicialet E. H. dhe O. B., përkatësisht 31 dhe 33 vjeç. Dy pengjet janë mbajtur peng të mbyllur brenda në makinë për disa orë resht, ndërkohë që zbulimi i tyre është bërë vetëm pas denoncimit të familjarëve të tyre në policinë e Elbasanit. Pas këtij denoncimi, në lëvizje është vënë policia e Elbasanit, e cila ka arritur të lokalizojë vendndodhjen e dy personave të shpallur si të zhdukur dhe menjëherë të shkojë në vendngjarje. Pas lirimit të tyre, shumë shpejt është bërë dhe arrestimi i personave përgjegjës të kësaj pengmarrjeje, që sipas burimeve të policisë, ata janë babai i pronarit të pikës së llotos, Shpëtim Çereneçi, 57 vjeç, Sokol Gula, 35 vjeç, dhe L. V., 17 vjeç. “Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur për rreth disa orë në mjetin e tyre tip “Renault” me targë AA 770 CR, dy shtetas me iniciale E. H. dhe O. B., përkatësisht të moshave 31 dhe 33 vjeç, duke pretenduar nga autorët se këta dy shtetas janë autorë të vjedhjes dhe thyerje të lokalit “Lloto Sporti” në pronësi të Ervin Çereneçit, ngjarje kjo e ndodhur më datën 3 mars 2013 në lagjen “Dyli Haxhire”, Elbasan”, – thuhet në njoftimin e policisë së Elbasanit. Pas arrestimit të tyre, të tre personat kanë pranuar autorësinë e krimit, duke pohuar në polici se s’kanë pasur asnjë qëllim që t’u bëjnë keq dy personave, por kanë dashur vetëm t’i trembin me qëllimin e vetëm për të mësuar lidhur me identitetin e personave që pak ditë më parë grabitën pikën e lloto-sportit. Pavarësisht këtyre deklarimeve Prokuroria e Elbasanit ka ngritur ndaj tyre akuzën e “Heqjes së padrejtë të lirisë” dhe pritet që shumë shpejt tre të ndaluarit të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.