Gëzim Saliu
Takimi, me dyer të mbyllura, Rama kërkon të qetësojë situatën, anëtarësia e revoltuar
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, është pritur me protesta në takimin e djeshëm elektoral në qytetin e Kukësit. Një pjesë e mirë e anëtarësisë së PS-së në këtë qytet kanë protestuar para pallatit të kulturës “Hasan Prishtina”, ku u zhvillua takimi i kryesocialistit me strukturat e kësaj dege socialiste, duke deklaruar se janë kundër vendimeve të marrë së fundmi nga Rama. Sipas tyre, emërimet e lidershipit të opozitës në kryesinë e PS-së së Kukësit kanë qenë preferenciale dhe në kundërshtim me statutin e forcës më të madhe opozitare në vend.
Takimi
Në kuadër të turit elektoral për prezantimin e programit “Për një rilindje shqiptare”, i shoqëruar edhe nga anëtarë të kryesisë së PS-së, kreu socialist Edi Rama ka zhvilluar një takim me socialistët e Kukësit. Por sapo ka mbërritur në ambientet e pallatit të sportit, kryesocialisti është pritur me protesta nga anëtarët socialistë të PS-së së Kukësit. Këta të fundit, me pankarta në duar kanë kundërshtuar emërimet e shefit të selisë rozë për strukturat drejtuese të PS-së në këtë qark. “Jemi për votën e lirë. Ne do ta votojmë PS me në krye Ramën, por jemi kundër emërimeve që ai ka bërë me kryesinë e Kukësit. Çdo kandidat duhet të përballet me votën e lirë”, – pohuan ata. Sipas socialistëve të Kukësit, përfaqësuesit e tyre duhet të zgjidhen në bazë vote dhe jo në bazë të emërimeve personale të lidershipit të PS-së. Po ashtu, situata e tensionuar mes palëve është përçuar më tej edhe në takimin elektoral, ku mediat nuk u lejuan të futeshin brenda ambienteve. Mësohet se Rama është munduar të qetësojë ujërat e trazuara mes bazës socialiste të Kukësit dhe kryesisë drejtuese në Tiranë, duke nënvizuar në të njëjtën kohë se zgjedhjet e tij do të japin rezultatin maksimal në kuadër të parlamentareve të 23 qershorit. Ndërkohë që në takim, kreu socialist tha se PS do të ulë 95% taksat për qytetarët. “Do të ulim taksat për biznesin e vogël, do të ulim taksat për të gjithë rrogëtarët në shtet apo tek privati që marrin një rrogë që sot është vetëm për të mbijetuar. Do të ulim taksat për mësuesit, do ulim taksat për infermierët, për policët, do ulim taksat për nëpunësit dhe sigurisht do të rrisim taksat për deputetët”, – deklaroi kryesocialisti. Reagimi i djeshëm kundërshtues i anëtarëve të Partisë Socialiste në Kukës vjen pas kritikave që deputeti Asllan Dogjani i ka bërë kreut të partisë Edi Rama si dhe pas prezantimit të juristit Vexhi Muçmata si kandidat për deputet për Qarkun e Kukësit. Po ashtu, anëtarët socialistë kundërshtojnë edhe vendimin e mëparshëm të Ramës lidhur me shkarkimin e kreut të këtij qarku Ylber Duraku dhe zëvendësimin e tij me ish-kreun e PS-së së Kukësit Skënder Ahmeti. Rreth 250 anëtarë të bazës socialistë, të mbështetur nga deputeti aktual i qarkut të Kukësit Asllan Dogjani, kanë kërkuar nëpërmjet një letre drejtuar kreut socialist dhe kryesisë së PS-së që të anulohet ky vendim pasi sipas tyre kjo bie ndesh me demokracinë e brendshme të partisë, me statutin e saj dhe përbën një shkelje. “Ne Anëtarët e Partisë Socialiste të rrethit Kukës kërkojmë që të rishikohet edhe njëherë vendimi për emërimin e Skënder Ahmetit në krye të partisë Socialiste të rrethit Kukës. Ne nuk kërkojmë më shumë sesa na takon me statutin e Partisë Socialiste dhe rregullat e demokracisë: Kushdo që ka dëshirë të jetë Kryetar i Partisë në Kukës të futet në zgjedhje dhe të dalë nga votat e socialistëve. Kjo është një gjë themelore që na çon tek bashkimi i fuqishëm i të gjithë socialistëve, na bashkon dhe na sjell fitore”, – theksonin ata në letrën e tyre.
Debati Rama-Dogjani
Para pak kohësh, deputeti socialist i qarkut të Kukësit, Asllan Dogjani, bëri publik shqetësimin e tij dhe anëtarësisë së PS-së së këtij qarku lidhur me emërimin e bërë nga kryesocialisti Rama për kreun e degës. Nëpërmjet një letre të firmosur nga 250 anëtarë socialistë të PS-së së Kukësit, iu kërkua liderit socialist Rama dhe kryesisë së PS-së anulimi i këtij vendimi që sipas tyre binte ndesh me demokracinë e brendshme të partisë dhe me statutin e saj. Por me mosmarrjen parasysh të kësaj kërkese, debati mes Ramës dhe Dogjani u zhvillua edhe më tej, ku arriti kulmin në prezantimin e Vexhi Muçmatës si kandidat për deputet në qarkun e Kukësit. Në këtë prezantim, kryesocialisti nuk nguroi të ironizonte deputetin Dogjani,duke deklaruar se individët që sot përfaqësojnë Kukësin nuk janë në nivelin e duhur për të përballuar sfidat e këtij qyteti. “Sot Kukësi përfaqësohet nga individë që nuk janë në nivel të duhur për tu përballur me sfidat e Kukësit. Sot jem krenar për PS që do ti japë Kukësit mundësinë si një forcë për rilindjen të votojë për një burrë të urtë dhe fisnik dhe djalë i atij komuniteti. Jo një politikan llafesh për Kukësin po një kuksian i mirë për politikën. Jurist Vexhi Muçmata do të udhëheqë skuadrën tonë drejt fitores në Kukës”, – theksoi Rama. Nga ana tjetër reagoi edhe deputeti Dogjani, i cili e ka krahasoi kreun socialist me ish-diktatorin Hoxha. “Nuk pyeti dhe hodhi në kosh kërkesën e mbi 250 anëtarëve të Partisë Socialiste që kërkuan të drejtën për të zgjedhur kryetarin e tyre me votë duke treguar se rregullat janë bërë formalisht dhe jo për t’u respektuar. Ky njeri që nesër pretendon të bëhet Kryeministër u tregoi shqiptarëve se po kërkon ta identifikojë Partinë me kryetarin, tamam si në kohën e diktaturës, ku partia identifikohej me Enverin”, – tha ai.
Arvizu: Nder që përfaqësoj SHBA-në në Shqipëri, një prej aleateve më mbështetëse të saj
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu ka përshkruar edhe historinë e tij në Shqipëri duke theksuar se ndihet krenar që përfaqëson SHBA-në në një prej vendeve aleate të saj. “Historia ime në Shqipëri është e mbushur me miq të shkëlqyer, sfida frikësuese dhe me një shpresë të fortë për përparimin e vazhdueshëm të Shqipërisë. Kam pasur nderin të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpara një prej aleateve më mbështetëse. I vlerësoj mundësitë që kam pasur për të ndihmuar në promovimin e demokracisë në këtë vend. Pjesa më e bukur e historisë sime në Shqipëri është se nuk ka mbaruar akoma!”, – tha Arvizu. Në intervistën për portalin historia-ime.com, ambasadori amerikan theksoi se shoqërisë shqiptare i nevojiten dy elementë thelbësorë për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut. “Shoqëria ka nevojë për dy elemente thelbësore për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut: duhet të ketë vizionin për të parë të drejtat e njeriut si përparësi dhe duhet të ketë një mekanizëm për të mbrojtur individët. Qeveria nuk mund të vendosë përparësi në kundërshtim me popullin që ajo qeveris. Nëse populli shqiptar nuk punon për të mbrojtur pakicat, nëse familjet nuk përpiqen të mbrojnë gratë dhe fëmijët, do të ishte joreale të mendohej se qeveria do të hynte e të vepronte në emër të tyre. Shqiptarët kanë emër të mirë për mikpritjen dhe mirësinë e tyre. Kur këto cilësi të drejtohen drejt komuniteteve dhe vendit të tyre, potenciali për ndryshim do të jetë tejet i madh. Kjo është arsyeja pse e ndërmora nismën ACT Now! (Vepro Tani): ajo është përpjekje për të bërë njerëzit të veprojnë mbi bazat e vlerave të komunitetit të tyre; të punojnë me udhëheqësit e zgjedhur; dhe të përmirësojnë komunitetet e tyre, përfshirë edhe fushën e të drejtave të njeriut. Elementi i dytë, mekanizmi për mbrojtjen, gjendet në një sistem gjyqësor transparent dhe të drejtë”, – tha Arvizu. Ndërkohë i pyetur në lidhje me dënimin maksimal për ata që kryejnë krime kundër grave dhe kundër kujtdo që dhunon gratë, kryediplomati amerikan ka pohuar: “Shqipëria ka ligje për të dënuar dhunën në familje dhe mendoj se ka pasur përparim të mirë në këtë front. Parlamenti dhe shoqëria civile kanë bashkëpunuar në këtë çështje në të kaluarën dhe mendoj se kemi parë rezultate pozitive. Mendoj se ka pasur përparim por mund të bëhet akoma më shumë. Mendoj se mund t’i përmirësojmë mekanizmat që inkurajojnë gratë të dalin hapur e të paraqesin ankesa te autoritetet. Fatmirësisht shoqëria po bëhet më e ndërgjegjshme ndaj dhunës në familje, sepse gjithmonë e më shumë njerëz flasin për të”.