Kategoria Superiore, Skënderbeu, me hap kampioni

0
126

Altin Vorpsi

 

skenderbeuKryesuesit e Skënderbeut kanë arritur të fundosin Tomorin në fushën e tyre me rezultatin 4-2 në javën e 18 të Superligës. Të besuarit e Josës kanë qenë në sulm gjatë gjithë kohës dhe jo rastësisht shënuan katër gola

 

 

Skënderbeu është i përkryer. Përballë Tomorit në shtëpi nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ekipi i Josës mori të tria pikët, duke zhytur në terr beratasit që tashmë rrezikojnë seriozisht rënien nga kategoria. Po të njëjtin fat duket se do të ketë edhe Apolonia e Fierit, që dje u mund në Gjirokastër nga Luftëtari.

 

Në Korçë

Kryesuesit e Skënderbeut luajtën në fushën e tyre, para tifozëve të vet, ku prisnin beratasit e parafundit dhe të pashpresë për mbijetesë. Plot katër gola kanë realizuar të besuarit e Mirel Josës në katërkëndorin e mbrojtur nga Llani, ndërkohë që miqtë kanë arritur të kundërpërgjigjen dy herë në portën e Shehit. Të parët kanë kaluar në epërsi beratasit, me anë të Elmazit, por kuqebardhët kanë arritur të përmbysin gjithçka shumë shpejt e të kompletojnë në total pokerin e tyre, që shton 3 pikë të tjera në llogarinë e kryesuesve. Ka realizuar një dopietë Sebino Plaku, në formë të shkëlqyer sportive, ndërsa ka munguar në këtë ndeshje kroati Pero Pejiç. Numri një i pankinës korçare kishte theksuar se ekipi i tij duhej të ishte i përqendruar vetëm te kjo sfidë, pa menduar ato të radhës, në mënyrë që të përfitojë nga përballja direkte mes Flamurtarit dhe Teutës. Tomori, kundërshtari i korçarëve, ishte vlerësuar në maksimum në kampin bardhekuq. Fakti që në fazën e parë beratasit i patën ndalur korçarët, kishte bërë që impenjimi të ishte i madh tek të gjithë.

 

Në Fier

Apolonia e vendit të fundit udhëtoi drejt Gjirokastrës, ku u mund me rezultatin 3-2, për t’u ndeshur me bluzinjtë vendas. Edhe këta të fundit e shohin veten në pozita mjaft delikate, seriozisht të rrezikuar për të rënë nga kategoria, ndaj ky trepikësh ka ardhur në momentin e duhur dhe u jep moral për pjesën e mbetur të garës. Edhe pse kanë luajtur për minuta të tëra me një lojtar më pak, pas nxjerrjes me të kuqe të mbrojtësit Boçi, gjirokastritët kanë arritur të kalojnë barazimin e përkohshëm të miqve me anë të Dushkut, falë rrjetave të Fonsekës, Beqirit dhe Llukës. Ndoni (për fierakët) ka vulosur rezultatin përfundimtar 3-2 në favor të bluzinjve, që u japin goditjen fatale bardhejeshilëve të Demirajt dhe parakalojnë në klasifikim Shkumbinin.

 

Në Krujë

Transferta e Shkumbinit në Krujë nuk ka qenë e suksesshme. Goli i bukur i Kalarit në pjesën e dytë, shënuar nga një goditje dënimi, u ka mundësuar vendësve marrjen e tri pikëve të radhës. Peqinasit janë munduar shumë por kanë dështuar që të shënonin gol. për Kastriotin fitorja e djeshme nuk është shumë e papritur pasi kishin mposhtur bardhekaltrit e Miles edhe në mesjavë (takim i vlefshëm për Kupën e Shqipërisë).

 

 

Flamurtari sfidon Teutën për herë të dytë

Brenda pak ditësh sfidojnë njëra-tjetrën në kompeticione të ndryshme. Pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë (vlonjatët fituan 3-0), pritet që Teuta sot të luajë si duhet ndaj Flamurtarit. Tani në lojë është vendi i dytë në kampionat. Duke qenë se mbetën jashtë gjysmëfinaleve të kupës, të gjitha energjitë do t’i shpenzojnë në kampionat, për të zënë vendin e dytë, i cili vlen Kupat e Evropës. Për momentin janë “djemtë e detit” në këtë pozitë, me kuqezinjtë që i ndjekin një shkallë më poshtë, me dy pikë më pak.

 

Rezultatet

Dje

LUFTËTARI-APOLONIA 3-2

Golat: Fonseka 5′, Beqiri 75′, Lluka 85′ / Dushku 37′, Ndoni 89′

 

KASTRIOTI-SHKUMBINI 1-0

Golat: Kalari 67′

 

SKËNDERBEU-TOMORI 4-2

Golat: Lilaj 34′, Caushaj 37′, Plaku 45′ , 49′/ Elmazi 32′, Mitraj 63′

 

Sot

14:00 KUKËSI-LAÇI

14:00 BESA-TIRANA

17:00 VLLAZNIA-BYLISI

17:00 FLAMURTARI-TEUTA

 

Renditja         Nd.      Pikë

1 Skënderbeu           18        45

2 Teuta           17        33

3 Flamurtari   17        31

4 Tirana         17        29

5 Kastrioti      18        28

6 Kukësi        17        27

7 Vllaznia      17        26

8 Laçi             17        24

9 Bylisi                       17        22

10 Besa         17        17

11 Luftëtari    18        17

12 Shkumbini           18        16

13 Tomori      18        9

14 Apolonia 18        8

 

 

 

Kryetari i bashkisë

Në Gramsh rrëzojnë portat

Pasi ka përfunduar takimi midis Gramshit e Mamurrasit, kryebashkiaku Dritan Bici i nervozuar nga rezultati i takimit si dhe nga gjykimi i arbitrave, ka ndërhyrë me makinën e tij tip “Mitsubishi” duke hedhur në tokë portën kryesore të stadiumit. Burime nga policia bëjnë të ditur se kryebashkiaku Bici kishte për qëllim të ndërhynte drejt dhomës në të cilën ndodheshin arbitrat. Por, sipas rregullores, disa prej policëve gjendeshin para portë së dhomës, në të cilën ishin arbitrat. Ndërkaq, në këto momente është rrezikuar edhe jeta e disa punonjësve të rendit, të cilët gjendeshin përballë makinës së kryebashkiakut. Duhet thënë se ka qenë e menjëhershme ndërhyrja e policisë, duke marrë në zotërim makinën e Bicit dhe duke e shoqëruar atë në komisariat. Për këtë veprim tepër të pahijshëm, e cila konsiderohet si vepër penale, do të nis edhe një procedim penal nga ana e policisë ndaj kryebashkiakut Bici.

 

Kategoria e Parë

Partizani rikthehet tek fitorja

Hasan Lika mori dje fitoren e parë si trajner i Partizanit. Në sfidën e luajtur në Yrshek, në fushën e Olimpikut, ekipi “i kuq” mposhti me rezultatin e 2-1, Burrelin. Sa i përket kronikës “të kuqtë” janë më kërkues për të shënuar golin e avantazhit. Minuta e gjashtë e takimit dhe Abazaj nuk gjuan saktë me kokë pas një krosimi në zonë. Topi shkon te Fatjon Tafaji, i cili edhe pse me portën gjysmë të boshatisur nuk arrin ta dërgojë sferën në rrjetë. Ndërkohë, në minutën e 20-të, Lala i cili është mjaft aktiv në krahun e djathtë kroson në zonë dhe Malo gjuan saktë me kokë, por është i pafat pasi topi përplaset në traversë. Nga ana tjetër, miqtë mbrohen dhe të shfrytëzojnë kundërsulmin, por hapësirat në mbrojtjen kryeqytetase janë shumë të pakta. Minuta e 33-të dhe Malo brenda zonës matjane tenton të driblojë një kundërshtar, por rrëzohet nga ky i fundit. Gjyqtari kryesor, nuk ka dyshime dhe tregon pikën e bardhë të penalltisë. Do të jetë vetë Malo i cili nuk do të gabojë dhe do të nisë festën në kampin “e kuq”. Minutat e mbetura të kësaj pjese do të kenë të njëjtën panoramë, ku Partizani sulmon, ndërsa miqtë mbrohen.

Fraksioni i dytë i lojës e gjen sërish Partizanin në sulm. Tashmë të kuqtë duan edhe golin i sigurisë, i cili do të vonojë disi. Kjo i jep mundësi kundërshtarit që të fitojë terren dhe të afrohet më shumë në portën e mbrojtur nga Adroviç, por ky i fundit në momentet kur i është kërkuar ka bërë më të mirën e tij. Ndërkohë trajneri Lika bën edhe disa zëvendësime, duke hedhur në fushë Devollin, Agastrën dhe Petron në vend të Ishkës, Malos dhe Abazajt. Nuk do të kalojë shumë dhe do të vijë goli i dytë për Partizanin. Petro rikuperon një top të bukur në sulm dhe jep një asist për Lalën, i cili më shpejtësinë e tij arrin ta kontrollojë atë. Lojtari nuk mendohet dy herë dhe gjuan shpejt, duke e ndalur sferën në rrjetë. Pas shënimit të këtij goli Partizani duket më i sigurt dhe lëshon terren. Në minutën e katërt shtesë, pas një rrëmuje në zonën e Partizanit, topi përplaset në traversë dhe më pas shkon në këmbët e Rehovës i cili gjuan saktë dhe shkurton diferencën në 2-1. Në fund të sfidës trajneri i Partizanit, Lika tha: “Kemi bërë një lojë të mirë, duke marrë tre pikë me vlera të cilat erdhën pas një jave jo shumë të qetë. Skuadra përmirësoi lojën e saj dhe kërkoi golin me shumë ngulm, duke shënuar dy herë. U ndëshkuam nga një goditje standarde e cila është e pafalshme, pasi në zonë ishin shumë futbollistë tanët, megjithatë edhe kjo erdhi për meritë të kundërshtarit i cili luajti mirë”.

 

Renditja         Nd.      Pikë

1 Lushnja      20        49

2 Mamurrasi  20        39

3 Partizani     20        37

4 Pogradeci   20        35

5 Tërbuni       20        34

6 Iliria             20        29

7 Dinamo       20        27

8 Butrinti        20        27

9 Burreli         20        26

10 Gramshi   20        24

11 Himara      20        20

12 Ada                       20        19

13 Besëlidhja            20        19

14 Elbasani   20        19

15 Kamza      20        19

16 Naftëtari   20        14

 

Rezultatet e Javës 20

BESËLIDHJA-BUTRINTI    1-1

ADA-ELBASANI                  1-0

LUSHNJA-TËRBUNI           3-1

PARTIZANI-BURRELI        2-1

KAMZA-DINAMO     2-1

NAFTËTARI-ILIRIA  1-0

HIMARA-POGRADECI        1-0

GRAMSHI-MAMURRASI   0-0

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency