Tokat bujqësore, procedurat dhe kriteret që duhet të plotësojnë përfituesit

0
160

 

Gëzim Saliu

 

tokaVendimi i qeverisë për kalimin e tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve

 

 

 

Me një vendim të qeverisë u vendosën dje procedurat të cilat duhet të plotësohen për kryerjen e procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve të administruara më parë nga komuna apo bashkia në pronësi të përfituesit. Në vendimin e marrë në mbledhjen e qeverisë, bëhen të ditura të gjithë hapat që duhet të ndërmerren si nga ana e krerëve të institucioneve vendore ashtu edhe nga përfituesit.

 

 

 

Për përfituesit

 

Përdoruesit faktik të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilët nuk janë pajisur me AMTP, paraqesin në komunë/bashki, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi:
a) kërkesën, sipas së cilës kërkojnë të pajisen me AMTP;
b) planvendosjen e secilës ngastër që kanë në përdorim, të përgatitur nga një subjekt i licencuar, ku të pasqyrohen sipërfaqja, kufijtë e saj dhe kufitarët;
c) certifikatën e gjendjes familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile, e komunës dhe/ose bashkisë, ku të pasqyrohet numri i frymëve të familjes përfituese ose individit, në favor të të cilit do të lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, sipas gjendjes më 1 gusht 1991, me ndryshimet deri më 1 tetor 1992, dhe që prej kësaj date nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre;
ç) dokumentacionin që vërteton se është përfitues si rezultat i lëvizjes nga qendrat e tyre të banimit, me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave;
d) aktin e marrjes së tokës bujqësore në përdorim, nëse e disponojnë.

 

 

 

Dosja e përfituesit

 

Kryetari i komunës/bashkisë, pas realizimit të procedurave ligjore për miratimin e vendimit të këshillit të komunës nga prefekti i qarkut, formon dosjen e secilit përfitues, e cila përmban:

 

a) certifikatën e gjendjes familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e komunës dhe/ose bashkisë, ku të pasqyrohet numri i frymëve të familjes përfituese ose individit, në favor të të cilit do të lëshohet AMTP-ja, sipas gjendjes më 1 gusht 1991, me ndryshimet deri më 1 tetor 1992 dhe që prej kësaj date nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre;

 

b) dokumentacionin që vërteton se është përfitues i tokës bujqësore në pronësi, si rezultat i lëvizjes nga qendrat e tyre të banimit, me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave;

 

c) dokumentacionin kadastral, hipotekor, arkivor apo gjyqësor që provon pronësinë mbi tokën bujqësore para reformës agrare, i cili vërteton se është përfitues i tokës bujqësore në pronësi, si bashkëthemelues i ish-ndërmarrjes bujqësore, si dhe certifikatën e gjendjes familjare në kohën e dorëzimit të tokës bujqësore.

 

ç) planvendosjen e ngastrës/ave, që subjekti përfitues përdor për qëllime bujqësore, me nënshkrimin e kryetarit të komunës/bashkisë dhe e vulosur me vulën e komunës/bashkisë

 

 

 

Subjektet bashkëthemeluese të ish-ndërmarrjeve bujqësore

 

Subjektet e përcaktuara si bashkëthemeluese të ish-ndërmarrjes bujqësore, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”, të ndryshuar, të cilat nuk janë pajisur me AMTP, për tokën bujqësore që kanë në përdorim faktik, paraqesin në komunë/bashki, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi:

 

a) kërkesën, sipas së cilës kërkojnë të pajisen me AMTP;

 

b) dokumentacionin kadastral, hipotekor, arkivor apo gjyqësor që provon pronësinë mbi tokën bujqësore apo rrënjët e ullinjve para reformës agrare dhe qenien e tyre si themelues të ish – kooperativës apo ish – ndërmarrjes bujqësore;

 

c) planvendosjen e ngastrës/ave, që subjekti përdor për qëllime bujqësore, të përgatitur nga një subjekt i licencuar;

 

ç) certifikatën e trungut të familjes (përbërja e familjes) në momentin e dorëzimit të tokës bujqësore dhe çdo dokument tjetër në përputhje me përcaktimet e vendimit nr. 452, datë 17.10.1992, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.

 

d) aktin e marrjes së tokës bujqësore në përdorim, nëse e disponojnë

 

 

 

Komuna dhe bashkia

 

Kryetari i komunës apo bashkisë, menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë duhet të:

 

a) afishojë në vendet publike të komunës/bashkisë, si dhe botojë në gazetën e pushtetit vendor apo në njërën nga gazetat e përditshme vendore ose kombëtare lajmërimin publik të paraqitjes së dokumentacionit, sipas pikave 2 dhe 3, të këtij vendimi, për të gjithë përdoruesit faktikë të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilët nuk janë pajisur me aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi (AMTP), sipas përcaktimeve të nenit 2, të ligjit nr. 57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”;

 

b) për zonat kadastrale (fshat apo qytet), që kanë qenë territor i ish – ndërmarrjes bujqësore, nën juridiksionin territorial të komunës/bashkisë, ku familjet bujqësore apo individët janë subjekte përfituese të tokës bujqësore sipas nenit 2, të ligjit nr. 57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, dhe e përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë, të kërkojë zyrtarisht Zyrës Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) kopje të hartave kadastrale, të cilat kjo zyrë ia dërgon komunës/bashkisë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve. Në rast se ZVRPP-ja nuk i disponon harta kadastrale, për të cilën shprehet zyrtarisht brenda afatit të përcaktuar, atëherë kryetari i komunës/bashkisë kërkon nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (DAMT), pranë Këshillit të Qarkut, hartat kadastrale përkatëse, në bazë të të cilave është realizuar ndarja e tokës bujqësore. DAMT-ja ia dërgon hartat kadastrale komunës/bashkisë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve.

 

Po ashtu Komuna/bashkia, në bazë të dokumentacionit që disponon,: a) kontrollon nëse për ngastrat e tokës bujqësore, për të cilat është paraqitur kërkesë sipas pikës 2 apo 3, të këtij vendimi, është lëshuar më parë AMTP për përfitues të tjerë, individë apo familje bujqësore, b) verifikikon qenien përfitues i tokës bujqësore në pronësi, sipas përcaktimeve të nenit 2, të ligjit nr. 57/2012. Kryetari i komunës/bashkisë u kthen përgjigje për refuzim të kërkesës kërkuesve, të cilët nuk plotësojnë këtë kusht dhe c) refuzon pranimin e kërkesës, në çdo rast kur është vënë në dijeni zyrtarisht nga gjykata se për ngastrat e tokës bujqësore të paraqitura në kërkesë ka një konflikt gjyqësor. Ndërkohë që brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, komuna apo bashkia evidenton në hartat kadastrale ngastrat e tokës në përdorim faktik, sipas kërkesave të paraqitura, vetëm për përdoruesit që plotësojnë kushtin e subjektit përfitues, sipas nenit 2, të ligjit nr. 57/2012. Harta kadastrale përmbledhëse përgatitet në dy kopje origjinale, nga të cilat njëra kopje mbetet në arkivin e komunës/bashkisë dhe tjetra i përcillet zyrtarisht kryesisë së secilit fshat, që ndodhet nën juridiksionin territorial të komunës/bashkisë. Në përfundim të këtij procesi komuna/bashkia afishon për konsultim publik, për 30 (tridhjetë) ditë, në vendet publike të fshatit dhe të komunës apo bashkisë, listën e përdoruesve në fakt të tokës bujqësore, vendndodhjen e saj, sipërfaqen dhe kufitarët për çdo ngastër. Gjatë periudhës së afishimit, çdo pretendues që nuk e gjen emrin në listë, paraqet ankesë me shkrim pranë kryetarit të komunës/bashkisë, i cili pas shqyrtimit bën korrektimet përkatëse.

 

Më pas komunat apo bashkitë, brenda 10 (dhjetë) ditëve pas marrjes së përgjigjeve nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia Vendore për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Zonave Informale, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Drejtoria e Urbanistikës, pranë Këshillit të Qarkut përgatisin dhe ia përcjellin këshillit të komunës/bashkisë relacionin përfundimtar me:
a) listën e përdoruesve faktikë të tokës bujqësore;
b)listën e subjekteve përfituese, të cilat plotësojnë kushtet ligjore për t’u pajisur me AMTP;
c) sipërfaqen e tokës të përllogaritur për çdo subjekt përfitues, sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 4, dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr. 57/2012.
Pas këtij procesi, Këshilli i komunës/bashkisë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, përcakton me vendim emrat e përdoruesve faktikë të tokës bujqësore për çdo fshat në komunë/bashki, si dhe emrat e subjekteve përfituese që plotësojnë kushtet ligjore për t’u pajisur me AMTP, vendndodhjen e tokës, sipërfaqen dhe kufitarët për çdo ngastër, dhe vendim i cili është i shoqëruar me hartën kadastrale, si pjesë përbërëse e tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency