Banka e Shqipërisë detyrohet të marrë masa pas kërkesave për kreditim

0
159

Ervin Kaduku

bankaProtestojnë bizneset: Cilat janë arsyet pse na është kufizuar kredia?

 

Pas kërkesave të përsëritura të biznesit, Banka Qendrore ka hartuar për herë të parë një paketë masash, që mendohet se do t’i japë një stimul të ri gjallërimit të kreditimit të ekonomisë dhe stabilitet afatgjatë makroekonomik. Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, i pranishëm në forumin me temë “Kreditimi i ekonomisë dhe shëndeti afatgjatë i sistemit bankar” që zhvilloi punimet në Tiranë me përfaqësues të bankave tregtare dhe të biznesit, tha dje se “kjo paketë e re ka tri shtylla kryesore: anën ligjore të fokusuar kryesisht në ekzekutimin e kolateralit, në masat që duhen marrë që bankat të kenë mundësi të ekzekutojnë në kohë kolateralin dhe të zhvillojmë tregun e shitblerjes së tij, ta bëjmë këtë treg sa më efektiv, ta zgjerojmë dhe thellojmë. Së dyti, masa të rëndësishme të politikës monetare për ta bërë atë sa më efektive. Kjo do t’i japë mundësi mekanizmit të transmisionit të jetë sa më efektiv. Dhe e treta që është më e rëndësishmja, është shtylla e makro-prudencës”.

Duke sjellë në vëmendje zhvillimet ekonomike gjatë vitit 2012, Fullani tha se viti që lamë pas ishte një vit sfide për ekonominë tonë, e cila në kushtet e krizës shënoi rritje pozitive dhe rritje të ekuilibrave makroekonomik, ndonëse trendi rritës ka qenë i ngadaltë, favorizuar kjo nga shtrëngimi i kreditimit.
Gjithsesi tha Fullani, sistemi bankar ka qenë i qëndrueshëm dhe likuid. Politika monetare ka ndërmarrë vendime të qarta stimuluese ndaj aktivitetit ekonomik, duke ulur 6 herë radhazi normën bazë të interesit të lekut duke e pozicionuar atë në nivelin me ulët historik 3.75%. “Masat që do të ndërmarrë BSH-ja synojnë forcimin e bashkëpunimit mes bankave dhe biznesit, ndërkohë që miratimi i ndryshimeve ligjore për ekzekutimin e kolateralit do të çlirojë kreditimin për biznesin, faktor i zhvillimit ekonomik”, – tha Fullani.

 

Kërkesat e biznesit

 

“Vërehet me keqardhje që në këto 2-3 vitet e fundit që kur kriza globale është shfaqur, ka një ngadalësim dhe mungesë kreditimi të ekonomisë dhe projekteve të biznesit nga ana e bankave”, – pohuan në të njëjtin forum përfaqësuesit e biznesit. Sipas tyre, bankat kanë larguar nga sportelet e tyre jo vetëm entuziazmin e sipërmarrësve private, por edhe projektet të nevojshme për ekonominë e vendit. Rritja e standardeve të kreditimit është një e mire që mund të na e kishte kursyer situatën aktuale të kredive me problem, megjithatë dhe banka është biznes dhe si e tillë duhet të bëjë më shumë përpjekje për të shitur produktet e saj.

Disa nga shkaqet e mungesës së kreditimit të ekonomisë janë:

1) Mungesa e projekteve zhvillimore me rentabilitet të mirë financiar nga ana e vetë sipërmarrjes.

2) Përqendrimi i biznesit, në menaxhimin më të mirë të ndërmarrjeve ekzistuese, të cilat janë kredituar nga bankat dhe kanë përgjegjësinë e kthimit të kredisë.

3) Kostot e larta të financimit të projekteve nga ana e bankave, përbën për sipërmarrjen një shkak tjetër për tkurrjen e kreditimit. Informacioni që percepton biznesi paraqet një situatë trendi të vazhdueshme të rritjes së depozitave të publikut, të cilat po ashtu vijojnë të mbartin kosto të lartë financimi për bankat. Nga ana tjetër përkeqësimi i kredive të pakthyeshme, sugjeron se barrën për mbulimin e këtyre kostove vijojnë ta mbajnë kredimarrësit e shëndetshëm të ekonomisë, përkthyer kjo në interesa të niveleve tejet të larta.

4) Po kështu edhe rritja e kërkesave nga ana e qeverisë për të hedhur në treg instrumente borxhi (në formën e bonove të thesarit), ka orientuar në mënyrë konsekuente bankat drejt këtij investimi duke dhënë një kontribut më shumë për përkeqësimin e rënies së kredisë ndaj biznesit. Megjithatë në rast se shteti një pjesë të mire të fondeve që çliron nga shitja e bonove të thesarit, i kalon për shlyerje të një pjese të detyrimeve që ajo i ka biznesit (llogariten 200 milionë euro), do të gjykonim si një veprim të mire të bankave blerjen e bonove të thesarit dhe çlirim të likujditeteve për biznesin. E ndihmon këtë edhe direktiva 7 e Komisionit Europian që detyron autoritetet publike që brenda 30 ditëve të paguajnë faturat e biznesit, në raste të jashtëzakonshme brenda 60 ditëve. Në rast vonese i detyron të paguajnë faturat 8% interes më shumë mbi normën bazë dhe me kërcënimin se nuk janë të autorizuara të bëjnë axhustime në këtë direktiv.

5) Një shkak tjetër që ka frenuar dhe ulur kreditimin e biznesit nga banka është dhe rritja e kredive të këqija. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që shumë projekte të biznesit u goditën nga kriza, shumë parashikime të planeve të biznesit u ngadalësuan. Sigurisht që bankat kanë përgjegjësinë e madhe të menaxhimit të depozitave të publikut, dhe biznesi përgjegjësin e madhe të suksesit dhe rrezikun që të humbin kontributin 20 vjeçar që është vendosur si kolateral për kreditë e marra, të cilat duhen thënë se janë disa here më shumë se kreditë e marra nga biznesi. Kjo gjë duhet ti bëjë bankat të jenë më të qeta dhe më të sigurta. Një problem që duhet të trajtoj lidhur me kreditë e këqija është kërkesa për një këndvështrim të kujdesshëm dhe tërheqës në trajtimin e tyre nga ana e bankave.

 

Bizneset që dëmtohen

 

Po të shohim me kujdes bizneset që vuajnë nga kreditë me problem, do të vërejmë dy grupime të mëdha,

–   Biznese që vuajnë për shkaqe menaxhimi dhe administrimi nga drejtuesit dhe pronarët e tyre dhe,

–   Biznese që vuajnë për shkak të goditjes nga kriza të planeve të biznesit.

Këto 2 grupe biznesesh duhet të njihen nga banka dhe të trajtohen në mënyrë të diferencuar. Pra bankat duhet të dallojnë qartë bizneset që vuajnë për shkak të menaxhimit të keq dhe bizneseve që vuajnë për shkak të krizës. Këto të fundit duhen njohur, trajtuar dhe ndihmuar nga ana e bankave, duke shtyrë afatet e shlyerjes, ristrukturime të mundshme të tyre, ulje të interesave etj. Biznesi në këto vite të vështira, i ka ulur fitimet, ndërsa bankat na rezultojnë të kenë fitime të mira. Mjaft biznese punojnë vetëm për të shlyer kreditë, për të mos thënë që ka raste që nuk mjaftojnë të shlyejnë as kreditë.

Me gjithë vështirësitë, biznesi është në punë. Ky grup i madh sipërmarrësish duhet të mbështetet nga bankat, të asistohen e ndihmohen për vënien në punë dhe sigurimin e suksesit të ndërmarrjeve të tyre.

 

 

 Tatimorët analizojnë deklarimet e xhiros, ja kush abuzon

Ervin Kaduku

 

Administrata Tatimore, njofton se nëpërmjet teknikave bashkëkohore të analizave të riskut, ka analizuar në mënyrë të detajuar deklarimet e xhiros të tatimpaguesve që operojnë aktivitete në sektorët ekonomikë të Hoteleri-Turizmit, shërbimeve shëndetësore private dhe ndërtimit me fonde publike. Nga kjo analizë janë konstatuar grupe tatimpaguesish, të cilët kanë diferenca midis xhiros së deklaruar dhe aktivitetit të tyre. Në zbatim të Planit të saj Strategjik, Strategjisë së Përmbushjes, por dhe Planit Operacional 2013, Administrata Tatimore i ka përcaktuar këta sektorë me risk për vitin 2013.

Duke përfituar nga ky komunikim, Administrata Tatimore, i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve, që brenda datës 31 Mars 2013, të korrigjojnë deklarimet e tyre për të gjitha periudhat e vitit ushtrimor 2012, në mënyrë që të mos klasifikohen si tatimpagues me risk dhe që të mos penalizohen në të ardhmen e afërt. Të gjithë tatimpaguesit, që do të ushtrojnë të drejtën e tyre të vetë korrigjimit dhe të pagimit të tatimit të munguar, mund të kërkojnë informacion dhe asistence pranë Drejtorive Rajonale Tatimore, ku janë të regjistruar.

Administrata Tatimore deklaron se është e vendosur në mënyrë rigoroze të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë dhe korrekte për të gjithë tatimpaguesit. Ajo do të vazhdojë përpjekjet e saj për të rritur nivelin e përmbushjes vullnetare duke ndihmuar të gjithë tatimpaguesit, që orientohen drejt një qëndrimi korrekt me ligjin dhe për të goditur atë grup tatimpaguesish që me dashje përpiqen ti shmangen detyrimit të tyre ligjor për të deklaruar dhe paguar tatimet në mënyrë të drejtë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency