Shëndeti publik Gripi në qarkullim edhe tri javë, shënohen 16 mijë raste

0
149

 

GRIPITashmë jemi futur në një nivel me qarkullim të mesëm të virusit të gripit dhe të infeksioneve respiratore të sipërme në përgjithësi

 

Gripi arrin pikun me 15.800 raste vetëm këtë javë. Pjesën më të madhe të pacientëve të prekur e zënë fëmijët, të cilët ndryshe nga tre vjet më parë, nuk kanë pasur komplikacione. Epidemiologët në Institutin e Shëndetit Publik thonë se kjo është një rritje e pritshme, por që krahasuar me vitet e tjera, llogaritet si nivel mesatar. “Pjesa dërrmuese janë fëmijë nga 0 deri në 2 vjeç. Tashmë jemi futur në një nivel me qarkullim të mesëm të virusit të gripit dhe të infeksioneve respiratore të sipërme në përgjithësi”, – shprehet epidemiologu, Dritan Ulqinaku. Specialistët thonë se gripi i tipit B është më i shpeshti dhe ndryshe nga tre vjet më parë ai është shfaqur pa komplikacione. Mesatarisht ka pasur nga 15 raste të rënda që kanë pasur të nevojshëm shtrimin në spital. Mjekët këshillojnë që të tregohet kujdes pasi viruset që qarkullojnë këtë periudhë nëse nuk trajtohen mirë, lënë pasoja në rrugët e frymëmarrjes. Për të shmangur komplikacionet ata thonë se pacientët nuk duhet të vetëmjekohen, por të konsultohen me specialistët.

Sëmundja

Gripi është një infeksion akut viral, i cili shpërhapet në mënyrë të lehtë nga një person në tjetrin. Viroza qarkullon dhe mund të prek cilindo pavarësisht moshës apo grupit social. Gripi shkakton epidemi e cila arrin kulmin në dimër, në zonat e buta. Gripi është një problem i shëndetit publik, i cili shkakton sëmundje dhe vdekje për një pjesë të mirë të popullatës.

Shenjat dhe simptomat

Gripi sezonal karakterizohet nga temperatura e lartë, kolla, zakonisht e thatë, dhembje koke, muskujsh, artikulacionesh, dobësi, rrjedhje të hundëve. Shpeshherë personat e prekur nga gripi kanë ethe, dhe brenda një jave kanë probleme në rast se nuk marrin mjekimin e nevojshëm. Koha e inkubacionit të virusit të gripit të zakonshëm është dy ditë. Gripi i zakonshëm mund të prekë të gjithë popullatën për nga ana tjetër mund të sjellë komplikacione për një pjesë të popullatës me risk si fëmijët, të moshuarit dhe pacientët kronikë apo me gjendje të vështirësuar shëndetësore. Ata që preken më shumë nga gripi janë personat me probleme të zemrës, mushkri, veshka, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike si diabeti ose ata me sistem imunitar të dobët.

OBSH

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë tre tipa të gripit të zakonshëm. A, B, C. Tipi i gripit A ka disa nëntipa të tjera dhe kombinime të viruseve. Disa nga nëntipat janë A(H1N1), A(H3N2), të cilat po qarkullojnë edhe te njerëzit në të gjithë botën. Tipi C i gripit është më pak i zakonshëm se A dhe B. Për këtë arsye në vaksinën e gripit sezonal përfshihet mbrojtja për tipin A dhe B.

Epidemia sezonale

Gripi i zakonshëm, përsëritet çdo vit në vjeshtë dhe në dimër kryesisht në zonat e buta. Shumica e vdekjeve nga gripi ndodhin te moshat mbi 65 vjeç dhe kryesisht në vendet e industrializuara. Sipas OBSH-së, mënyra më e mirë e parandalimit nga virozat dhe gripi i zakonshëm është vaksinimi, traditë kjo 60-vjeçare. Përveç gripit të zakonshëm, vaksina parandalon në 60-90 për qind të rasteve edhe viroza, sëmundje të tjera. Kategoritë që duhet të vaksinohen çdo vit dhe duhet të trajtohen me prioritet janë personeli shëndetësor, personat afër pleqërie, pacientët kronikë, gratë shtatzëna, personat në detyrë të rëndësishme për shoqërinë, fëmijët nga 6 muaj deri në 2 vjeç.

 

Ndërhyrja

Operacioni gastrik mund të zbraps diabetin e tipit 2

Dy studime mjekësore po hedhin dritë mbi operacionet për humbjen e peshës. Njëri tregon se ndërhyrjet gastrike për zvogëlimin e stomakut janë bërë edhe më të sigurta, ndërkohë që tjetri ofron të dhënat e para se si ndërhyrja kirurgjikale mund të kurojë diabetin e tipit 2, një sëmundje serioze që prek më shumë se 300 milion njerëz në mbarë botën. Operacioni për humbje peshe filloi të bëhet popullor në Amerikë rreth 10 vjet më parë. Kjo ndihmon njerëzit me mbipeshë të rimarrin nën kontroll jetën e tyre. Madje, disa pacientë me diabet kanë zbuluar se pas operacionit nuk kanë qënë më të prekur nga sëmundja. Por sa e sigurtë është procedura? Disa pacientë të hershëm janë prekur nga infeksione të rrezikshme për jetën dhe trompoza të rrezikshme gjaku. Dikur, operacionet mund të bëheshin vetëm në disa spitale të specializuara për pacientë të një programi të subvencionuar nga qeveria. Spitali duhej të ishte akredituar për operacione të tilla dhe duhej të kryente 125 procedura gastrike në vit. Një studim i ri tregon nëse kryerja e operacionit në një qendër të tillë ka avantazhe. Mjeku Justin Dimick nga Universiteti i Miçiganit udhëhoqi kërkimet. “Kur krahasuam përfundimet e këtyre spitaleve të specializuar me të tjerët, rezultatet ishin të njëjta. Qendrat e specializuara nuk kishin arritje më të mira”. Mjeku Dimick, autori i studimit të botuar në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë, thotë se rezultatet e operacioneve filluan të përmirësohen madje para fillimit të studimit sepse kirurgët po fitonin eksperiencë të vyer nga procedurat gastrike në shkollë dhe kurse trajnimi.

 

Reagon ministria

“Qumështi i sigurtë”

Qumështi që tregtohet në tregun shqiptar është i sigurtë dhe nuk përbën asnjë lloj rreziku për konsumatorët. Garancia vjen nga Drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë, të cilët ende pa mbërritur përfundimet e analizave nga laboratori i Breshias në Itali, deklarojnë se qumështi që është në treg aktualisht ka siguri të lartë. Ndërsa ai që dyshohej se përmbante nivele të larta të aflatoksinës është bllokuar. “Analizat paraprake na tregojnë që niveli i aflatoksinës është pak a shumë i njëjtë në të gjithë llojet e qumështit të prodhuar në të gjithë shtetet e Ballkanit. Shkaqet e pranisë në qumësht janë të një karakteri sezonal. Në pritje të analizave nga një laborator i garantuar në Brescia të Italisë, garantojmë konsumatorët shqiptarë se shëndeti i tyre nuk është aspak i rrezikuar. Nivelet e dyshuara janë shumë larg normave të rrezikut për shëndetin e tyre. U bëjmë thirrje fermerëve shqiptarë dhe kompanive që ushtrojnë aktivitetin në veprimtarinë e tyre në fushën e përpunimit të qumështit që të vazhdojnë aktivitet e tyre”, tha Gani Moka, Drejtor i Sigurisë Ushqimore, MBUMK. Të pyetur për pasigurinë që kanë qytetarët për të konsumuar qumësht, pas lajmit për praninë e toksinës kancerogjene, mesazhi që drejtuesit e Ministrisë japin për konsumatorët është “të pinë qumësht”. “Ne flasim me garancinë më të plotë shkencore, që siguria ushqimore është e garantuar. Nuk ka asnjë lloj rreziku për shëndetin e qytetarëve nga konsumi i produktit qumësht”, thotë Artan Gjergji, Drejtor i AKU-së. “Mesazhi jonë është i prerë, të konsumohet qumështi shqiptar pa asnjë lloj problemi”, vijon Moka. Pak ditë më parë AKU bëri të ditur se produktet e qumështit në dy fabrika në vend, rezultonin me aflatoksinë. Në vendet e BE-së, norma e aflatokësinës në qumësht duhet të jetë 0.005 përqind. Priten analizat nga Italia, për të parë normën e aflatoksinës që përmban qumështi shqiptar. Alfatoksina është një lëndë kancerogjene që gjendet në qumësht, e cila merret nga lopët nëpërmjet ushqimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency