Ekonomia që sfidoi krizën

0
129

Nga Laert Islami

ekonomia“Ekonomia shqiptare ecën më shpejt dhe më mirë se ekonomitë e tjera”, – deklaroi dy ditë më parë Ellen Goldstein, drejtorja e Bankës Botërore për Evropën Lindore e Qendrore. Në kushtet e krizës, Shqipëria ka mundur të shënojë rritje ekonomike, si dhe të garantojë rritjen e pagave dhe pensioneve për katër vite rresht, që përkojnë me periudhën më të vështirë të krizës dhe pikërisht vitet 2009, 2010, 2011 dhe 2012. E jona është e vetmja ekonomi në Evropë që në 4 vitet e fundit të marra së bashku ka pasur 18 për qind rritje ekonomike dhe kjo rritje ekonomike është e certifikuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Në 4 vite të marra së bashku, kjo ekonomi ka bërë të mundur në katër vjet të dyfishohen rrogat e mësuesve, të infermierëve, të mjekëve, ndërkohë që në vendet e tjera rreth nesh, shkurtimi i rrogave ka qenë nga 25 në 40 për qind. Kjo ekonomi është e vetmja ekonomi që krijoi, edhe në kulmin e krizës, vende të reja pune. Kriza globale sigurisht ka një impakt dhe tek ne, sepse në këtë periudhë të shkëmbimeve dhe të lidhjeve shumë të fuqishme ekonomike të ekonomisë shqiptare me ekonominë botërore, kanalet e transmetimit të krizës globale dhe zhvillimeve ekonomike në nivel rajonal dhe më gjerë janë të shumta. Lidhen me ndryshimin e bankave që operojnë në Shqipëri, strategjitë e tyre për të investuar, për të dhënë kredi për ekonominë dhe biznesin. Ulja e nivelit të ekspozimit të tyre në ekonominë shqiptare sigurisht do ulë, do të dëmtojë nivelin e kreditimit për ekonominë shqiptare. Viti i kaluar po ashtu ka qenë viti me nivelin gati më të ulët të kursimeve të popullatës. Megjithatë, ekonomia shqiptari mundi të ngelej një ekonomi eksportuese përgjatë kësaj periudhe krize. Nëse eksportet në rajon kanë rënë me 3-4 herë, eksportet në Shqipëri janë rritur. Nga ana tjetër, kemi një zëvendësim shumë të madh të mallrave të konsumit të brendshëm, ku bujqësia ka dhënë ndihmesën më të madhe. Mallrat ushqimore kanë zëvendësuar mallrat e importit dhe kjo na ka mundësuar që të mbajmë një nivel më të ulët çmimesh përballë një presioni shumë të madh të rritjes globale të ushqimeve. Ekonomia shqiptare nuk ka rënë në krizë. Në të kundërt, e sfidoi atë me kurajë dhe fitoi. Kuraja ishte e gjitha qeveritare, sepse në kulmin e krizës qeveria guxoi të rriste çdo vit rrogat dhe pensionet. Kjo ekonomi ka qenë në rritje ekonomike më pozitive në gjithë rajonin dhe këto të dhëna tashmë janë të konfirmuara nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare, deri tek edhe Eurostati. Politika e qeverisë ka qenë e përshtatshme dhe mbështetëse ndaj ekonomisë. Ne patëm një bllok reformash të filluar në periudhën para krizës, e cila synonte të vinte në epiqendër rritjen e shpejtë ekonomike të vendit. Patëm një sistem financiar, i cili nuk ishte problematik për të përballuar ambientin e krizës globale. Faktikisht, edhe sot pas 4-5 vjetësh të veprimit të krizës, Shqipëria vazhdon të ketë rritje ekonomike, edhe pse të ngadalësuar. Ndryshe nga sa pretendon opozita, sipërmarrja tek ne ka gjetur terren të lirë dhe fertil për investime. Të mbështesësh biznesin do të thotë të mbështesësh mekanizmin që prodhon punë dhe mirëqenie në treg, sepse pa një klimë biznesi të përshtatshme dhe prodhues dhe investues nuk mund të pretendosh që të kesh punësim. Punësimet nuk i bën qeveria, pasi bahçja e qeverisë është shumë e vogël për të kënaqur ekonominë. Biznesi do taksa të ulëta, jo ndërhyrje të shtetit në ekonomi. Dhe taksat në 7 vitet e fundit janë ulur 2 herë e gjysmë, të gjitha llojet e taksave. Shqipëria ka barrën fiskale më të ulëtën në rajon dhe ndër më të ulëtat në Evropë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency