Altin Vorpsi
Nevil Dede e ka nisur me një barazim 1-1 aventurën e tij në krye të Tiranës. Bardheblutë barazuan në kryeqytet në ndeshjen kundër Teutës.
Java e 16-të e Kategorisë Superiore ka qenë mjaft e frytshme për Flamurtarin. Skuadra vlonjate ka gëzuar dyfish pasi përveç goleadës që bëri me Tomorin, pa teksa Tirana dhe Teuta, rivalet e veta më të mëdha për vendin në turet eliminatore të Ligës së Evropës, barazuan në kryeqytet.
Në Vlorë
Flamurtari nuk ndalet më. Vlonjatët nuk kursyen as Tomorin e parafundit në renditje. Dy dopieta janë realizuar në Vlorë, me autorë Migen Memellin, që kryeson listën e golashënuesve me 14 rrjeta, dhe Muzakën, ndërsa ballafaqimin e ka zhbllokuar që në minutën e 7-të Zeqiri. Golat e nderit për miqtë kanë autorësinë e Mitrajt dhe Muxhajt, por nuk e kanë cenuar dot aspak “manitën” e kuqezinjve të Gjokës. Bregdetarët e kapën vendin e tretë javën e shkuar dhe tani janë afruar edhe më shumë me vendin e dytë. Duke shfrytëzuar barazimin e Teutës në kryeqytet, vlonjatët janë tashmë dy pikë më pak se durrsakët. Tomori, nga ana e vet, është së bashku me Apoloninë në mbyllje të renditjes. Beratasit rrëmbyen në ndeshjen pararendëse fitoren e parë në kampionat, duke mundur minimalisht Besën, çka përbënte të vetmen shtysë morale për të bërë qëndresë në qytetin bregdetar, aty ku elementët cilësorë vendës, në një tapet të ri dëshmuan tërë potencialin për të dalë triumfatorë.
Në Tiranë
Kjo javë përmbante në vetvete sfida tejet interesante, mes të cilave natyrisht spikaste ajo që u zhvillua në “Qemal Stafa”, mes Tiranës, 24 herë kampione e vendit, dhe Teutës së dytë në renditje, e vetmja që po rivalizon deri diku për titullin me kuqebardhët e Mirel Josës. Loja e fortë, me sulme dhe kundërsulme të dyanshme, me raste të krijuara e të shpërdoruara pa kriter, ka përshkuar këtë 90-minutësh rivalësh të vërtetë. Diferencën u duk se do ta bënte ai gol shumë i bukur i Hyshmerit, shënuar në minutën e 62-të, por ai nuk i ka mbajtur plotësisht në ritmin që kishin “djemtë e detit”. Zëvendësimet e kryera nga Nevil Dede, që debutonte në këtë rikthim të radhës në stolin bardheblu, e kanë dhënë shpejt efektin e vet. Futja e Abilaliajt dhe Limanit në lojë i ka dhënë tjetër ritëm manovrës ofensive të kryeqytetasve, të cilët kanë reaguar me forcë pas golit të kundërshtarit dhe kanë arritur të barazojnë shifrat përmes vlonjatit në minutën e 70-të. Dede, që prej së hënës ka zënë vendin e Alban Tafajit. Në krahasim me skuadrën që paraqiste Tafaj në fushën e blertë u panë ndryshime jo të vogla në emra dhe vendosje taktike, por kjo nuk e dha maksimalisht efektin e duhur, sepse mungoi fitorja.
JAVA E 16-të
Dje
LUFTËTARI – VLLAZNIA 2-1
Golat: Fonseka 20′, Boci 64′ / Gjini 31′
KUKËSI – APOLONIA 1-0
Golat: Popoviç 13′
KASTRIOTI – LAÇI 2-1
Golat: Shehaj 4′, Turdiu 67′ (pen) / Nimani 7′
FLAMURTARI – TOMORI 5-2
Golat: Zeqiri 9′, Memelli 30′, 62′, Muzaka 37′, 73′ / Mitraj 60′, Muzhai 90+2′
TIRANA – TEUTA 1-1
Golat: Abilaliaj 70′ / Hyshmeri 62′
Sot
BESA – SHKUMBINI (14:00)
SKËNDERBEU – BYLISI (17:00)
Renditja Nd. Pikë
1 Skënderbeu 15 36
2 Teuta 16 30
3 Flamurtari 16 28
4 Kukësi 16 27
5 Tirana 16 26
6 Laçi 16 24
7 Vllaznia 16 23
8 Bylisi 15 22
9 Kastrioti 16 22
10 Besa 15 16
11 Shkumbini 15 15
12 Luftëtari 16 14
13 Tomori 16 9
14 Apolonia 16 8
Merkato
Partizani vazhdon të “përforcohet”
Merkatoja e janarit mund të ketë javë që është mbyllur por tek Partizani vazhdojnë që të shfaqen fytyra të reja. “Të kuqtë” mund të kenë bërë goditjen e parë, duke afruar mesfushorin nigerian Oladele Oshobe i cili është bashkuar dje në stërvitje me të kuqtë. 20-vjeçari ka ardhur në vendin tonë në ditën e fundit të mbylljes së merkatos së transferimeve dhe është stërvitur me skuadrën e Vllaznisë ku ka qëndruar deri ditën e djeshme.Oladele do të jetë nigeriani i dytë në kampin e kuq, pasi më herët me Partizanin është bashkuar edhe Feliks Udo, i cili luan në rolin e mbrojtësit të majtë dhe që është aktivizuar në formacion nga trajneri Duro. Pas mbërritjes së Oladeles në kampin e kuq ka ardhur edhe reagimi i zyrës së shtypit pranë klubit të kuq. Burime pranë këtij klubi ka bërë me dije se: “Lojtari është federuar me Partizanin përpara 31 janarit kur ka qenë edhe afati i fundit zyrtar për ta bërë një gjë të tillë. Fakti që nuk është bashkuar më parë me skuadrën ka ardhur si pasojë e një dëmtimi, që lojtari kishte pësuar dhe ne kemi pritur deri në momentin që ai është rikuperuar plotësisht”.
Ndeshja
Elbasani dhe Partizani përgatisin sfidën
Nën drejtimin e trajnerit Duro të kuqtë do të zhvillojnë sot stërvitjen e fundit në kuadër të ndeshjes ndaj Elbasanit, që do të luhet ditën e hënë në orën 18:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Procesi stërvitor është caktuar të zhvillohet në orën 11:00 paradite ashtu si dhe dje dhe më pas lojtarët do të lihen të lirë për t’u ribashkuar pasdreke, për t’u grumbulluar në një nga hotelet e periferisë së kryeqytetit. Sfida ndaj Elbasanit është mjaft e rëndësishme për të kuqtë ndaj edhe drejtuesit kanë menduar për sa më shumë qetësi për skuadrën e tyre. Qendërmbrojtësi Fatjon Tafaji mund të mungojë në ndeshje ndaj Elbasanit. Titullari prej tre ditësh nuk ka qenë i pranishëm në stërvitjet e skuadrës për shkaqe shëndetësore, ndërkohë që nuk dihet nëse gjendja e tij është përmirësuar dhe ai do të jetë i grumbulluar nga trajneri Duro. Në stërvitjen e djeshme ka munguar edhe mbrojtësi tjetër Alert Alcani për arsye personale. Ndërkohë që mungesa të konfirmuara për ndeshjen e radhës, janë mbrojtësi Andrelis Pashaj dhe mesfushori Salvador Sulçe të dy për shkaqe dëmtimesh. Ndërkohë që verdheblutë janë duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve, në kuadër të sfidës që do të kenë me Partizanin të hënën, ku do të kërkohet të mos dalin me një rezultat negativ nga kjo përballje. Lojtarët pritet të jenë të gjithë të gatshëm, me përjashtim të Roshit i cili në sfidën e një jave më parë është ndëshkuar me karton të kuq.
Kategoria e Parë
Lushnja nuk ndalet
Lushnja luajti dhe mundi pastër 3-0 Butrintin në fushën e Peqinit (stadiumi i vet është në rikonstruksion e sipër), me një dopietë të Mikel Cankës dhe golin e Koreshit. Mamurrasi priste në fushën e vet Pogradecin, në një 90-minutësh që premtonte dhe dhuroi luftë të fortë sportive e përmbysje rezultative. Formacioni i Sinan Bardhit vinte nga humbja në derbin me fqinjët e Ilirisë në javën e shkuar, si një “pit stop” në rrugën e tij të suksesshme në këtë kampionat, ndërsa miqtë pasi mundën Besëlidhjen në Pogradec. Dinamo kishte udhëtuar drejt Himarës për të synuar maksimumin në një transfertë të vështirë. Goli i Djarmatit nuk ka vulosur gjithçka në këtë 90-minutësh, sepse vendësit kanë barazuar duke i hequr mundësinë për të shtuar tri pikë të tjera me shumë vlera në llogarinë e bluve kryeqytetas, të cilët nën drejtimin e Dalipit duket se janë futur në “rrugën” e duhur.
Java e 18-të
BESËLIDHJA-ADA 1-0
Golat: Lleshi 20′
LUSHNJA-BUTRINTI 3-0
Golat: Canka 13′ (pen), Canka 30′, Koreshi 85’
NAFTËTARI-BURRELI 2-0
Golat: Llenga 45+1′ (pen), Kopaci 67′
HIMARA-DINAMO 1-1
Golat: Skënderaj 74′ / Djarmati 45+1′
GRAMSHI-ILIRIA 2-1
Golat: L.Koci 8′ (pen), Trashi 39′ / Basha 48′
MAMURRASI-POGRADECI 4-3
Golat: Gjoka 32′, 67′, Batusha 48′, Baci 84′ / Bufasi 2′, Zguro 32′, A.Cekici 35′
Sot
KAMZA-TERBUNI (14:30)
Nesër
PARTIZANI-ELBASANI (18:00)
Renditja Nd. Pikë
1 Lushnja 18 43
2 Mamurrasi 18 35
3 Pogradeci 18 32
4 Partizani 17 31
5 Tërbuni Pukë 17 28
6 Iliria 18 26
7 Dinamo 18 24
8 Burreli 18 23
9 Butrinti 18 23
10 Gramshi 18 23
11 Elbasani 17 19
12 Besëlidhja 18 18
13 Himara 18 17
14 Ada 18 16
15 Kamza 17 16
16 Naftëtari 18 11