Hiqen tenderët e spitaleve, i kalojnë Ministrisë së Shëndetësisë

0
155

 Blerta Mrishaj

tenderatMinistria këtej e tutje do të zhvillojë procedurat për prokurimin e përqendruar të medikamenteve dhe materialeve mjekësore për nevojat spitalore, përfshirë procedurat e prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit

 

 

Spitalet nuk do të kryejnë më tender ilaçesh dhe as materialesh mjekësore, çdo gjë do t’i kalojë në dorë të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili do të jetë organi prokurues. Me një vendim të posaçëm, Këshilli i Ministrave ka vendosur që këtë kompetencë ta ketë vetëm ministria e shëndetësisë. Në vendim të këshillit të ministrave përcaktohet lejimi i ministrisë së shëndetësisë, si organ qendror blerës, për kryerjen e procedurave të prokurimit, në emër dhe për llogari të spitaleve publike në varësi të saj, për blerjen e medikamenteve dhe materialeve mjekësore.

Vendimi

Sipas vendimit brenda autoritetet kontraktore, brenda muajit shkurt, dërgojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, si organi qendror blerës, të dhënat, teknike e sasiore, dhe fondin përkatës, për çdo artikull që prokurohet. Saktësisht përcaktohet se “zhvillohen procedurat për prokurimin e përqendruar të medikamenteve dhe materialeve mjekësore, për nevojat spitalore, përfshirë procedurat e prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit. Të bashkërendojë punën me autoritetet kontraktore për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për prokurimet publike, që do të zhvillojë si organ qendror blerës. Të verifikojë përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet kontraktore me ligjin dhe standardet në fuqi. Nëse gjykohet se specifikimet teknike nuk janë përgatitur në përputhje me ligjin për prokurimet publike ose mund të shkaktojnë dështim të procedurës së prokurimit, organi qendror blerës kryen rishikimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me specialistët e fushave, të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra. Të unifikojë specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave, të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra. Të bashkërendojë punën për testimin e tregut për përllogaritjet e të dhënave sasiore për mallrat, që do të prokurohen, para publikimit të tenderit. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra”.

Ministria

Kështu ministria këtej e tutje do të zhvillojë procedurat për prokurimin e përqendruar të medikamenteve dhe materialeve mjekësore, për nevojat spitalore, përfshirë procedurat e prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit.

 

Siguria në rrugë

Bashkia vendos semafor te “Ferluti”

Një prej rrugëve më problematike në kryeqytet, burim aksidentesh për qytetarët e Tiranës, është pajisur prej ditës së djeshme me një semafor, i cili mund të komandohet prej kalimtarëve. Vendosja e semaforit u bë nga Bashkia e Tiranës në rrugën “Dritan Hoxha”. Prej vitesh, ky aks rrugor ishte kthyer në një problem shqetësues për banorët dhe burim i shumë aksidenteve, me pasojë humbje jetë njerëzish. Drejtorja e Transportit dhe Lëvizshmërisë, Nereida Hoxha, ka bërë të ditur dje se ky është vetëm një prej 9 semaforëve të rinj që do të vendosen në Tiranë, në kuadër të projektit për Qendrën e Kontrollit të Trafikut. “Në rrugën “Dritan Hoxha”, një ndër akset më të ngarkuar e problematikë sa i përket trafikut është montuar semafori i ri. Ky semafor në këtë nyjë është pjesë e 9 semaforëve të rinj që do të vendosen në Tiranë, në kuadër të projektit të Qendrës së Kontrollit të Trafikut. Ashtu siç vihet re, ky semafor i ri është i pajisur me të gjithë karakteristikat teknike të nevojshme të një nyje semaforike, ku nënkuptohet është me buton gjë që i mundëson kalimtarit kohën e tij. Jo vetëm kaq! Butoni është i pajisur edhe me pajisje për të verbrit. Pra, në këtë mënyrë ne kemi adresuar edhe grupe të tilla të shoqërisë që mund të kalojnë rrugën në mënyrë të sigurt. Përveç këtij semafori, në këtë aks është menduar që tek Pallati i Sportit, po në kuadër të këtij projekti do vendoset një tabelë elektronike me mesazhe të ndryshueshme. Kjo tabelë elektronike gjatë gjithë kohës do të shfaqë mesazhe: “Kujdes këmbësorët!” Të dy këto kalime do të pajisen me sinjalistikë vertikale dhe horizontale dhe mund të themi se ky segment rrugor prej 1.6 km, pothuajse në çdo 400 metra është i pajisur me kalim të sigurt për këmbësorët, gjë e cila është edhe një standard teknik. Përveç këtij aksi, në Tiranë ka edhe akse të tjera problematike, siç është ai i Unazës së Re, ku aktualisht sot e në vijim do të punohet për të montuar nyje të reja semaforike. Njëra është në Unazën e Madhe, njëra tek fabrika e bukës, tek ish-“Misto Mame” e kështu me radhë në të nëntë nyjat semaforike, të cilat janë të parashikuara në projektin e Qendrës së Kontrollit të Trafikut”, – sqaroi znj. Hoxha. Drejtorja e Transportit dhe Lëvizshmërisë, znj. Hoxha bëri të ditur se semafori është i pajisur me kamera që do të lidhen me Qendrën e Kontrollit të Trafikut, për të monitoruar 24 orë trafikun në këtë segment. Bashkia e Tiranës ka përgatitur dhe masa të tjera, me qëllim disiplinimin e kalimit të qytetarëve duke nisur që me pajisjen me kangjella.

 

Mjedisi

Butrinti shpallet “Park Kombëtar”, Tirana me zona të gjelbra

Përmes dy vendimeve të rëndësishme qeveria jep mbrojtje të veçantë mjedisit, duke dhënë lagunave një status të veçantë, d.m.th. do të merren në mbrojtjen më të madhe, duke lejuar shfrytëzimin e tyre në mënyrë racionale dhe shmangur përdorimin jashtë kritereve, strikte dhe rigoroze që do të caktojë ministria e mjedisit. Sakaq përmes një vendimi të veçantë do të japë mbrojtje dhe zhvillim të zonës së gjelbër të kryeqytetit, me rëndësi jetike për qytetarët e Tiranës. Te dy këto vendime lidhen me mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, vendimin “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin “Për shpalljen e kompleksit ligatinor të Butrintit “Park Kombëtar”, si dhe vendimin “Për caktimin e zonave të brezit të gjelbër të qytetit të Tiranës dhe të rrethinave të tij”. Sa i takon vendimit të mbrojtjes së lagunave do të adaptohet në të gjithë territorin e vendit, pasi ato janë jo vetëm komplekse natyrore jashtëzakonisht të bukura, por edhe me një vlerë të madhe mjedisore dhe ekonomike. Ndërsa lidhur me përcaktimin e zonës së gjelbër të Tiranës, kryeministri tha se është e një rëndësie jetike mbrojtja e zonës së gjelbër të kryeqytetit, e cila shquhet për një bukuri të veçantë natyrore. Kryeministri tha se veçanërisht, ky është një lajm i gëzueshëm për të gjithë mjedisorët, të cilët bëjnë një punë të çmuar, duke qenë janë avokatë të mbrojtjes së mjedisit në këtë vend, ku tradita për mbrojtjen ka qenë jashtëzakonisht e dëmtuar. Një zhvillim tjetër të rëndësishëm konsideroj, Ministria e Mjedisit ka propozuar caktimin e zonave të brezit të gjelbër, qytetit të Tiranës dhe rrethinave të tij. Tirana ka një kurorë mahnitëse të gjelbër. Në qoftë se vështron rreth e rrotull saj ka vetëm gjelbërim. Në qoftë se vështron kodrat, të cilat kanë frymëzuar Eduard Lir, me atë valëzimin tyre mahnitës, të veshura me bimësi. Ka malet, po kështu të gjelbëruara, Dajtin, një nga malet më të gjelbëruara të vendit, që edhe në majë të shkoni ju, do të gjeni lisa dhe pisha. Nuk e di a keni shkuar ju apo jo, por unë ngjitem aty. Ka malin e Kërrabës, edhe ky i gjelbëruar. Pra është e rrethuar nga male shumë të bukura, ndaj dhe ministria ka vepruar shumë drejt që do të mbrojë zonën e gjelbër të kryeqytetit në mënyrë të veçantë. Dhe ky është një lajm i gëzueshëm për të gjithë mjedisorët që bëjnë një punë të çmuar, janë avokatë të mbrojtjes së mjedisit në këtë vend, ku tradita për mbrojtjen ka qenë jashtëzakonisht e dëmtuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency