Krijohet Universiteti Mjekësor Berisha: Reforma në shëndetësi, jo radhë për të takuar mjekët

0
163

 

berishaTë bashkëpunojnë spitalet private dhe publike

 

Ishte premtuar nga Kryeministri Berisha pak kohë më parë dhe tashmë do të jetë realitet. Shqipëria do të ketë Universitetin e saj Mjekësor, një institucion i cili pritet t’u japë më shumë rëndësi fushave të mjekësisë si dhe kërkimit shkencor. Universiteti Mjekësor i Shqipërisë do të jetë i pari në rajon si dhe pritet të sjellë risi në gjithë sistemin shëndetësor. Kryeministri Berisha gjatë takimit me mjekët, ku prezantoi edhe rektoren e re të universitetit, Jera Kruja, ka vlerësuar rolin e mjekëve në vend, të cilët kanë kontribuar në fusha si, ulja e vdekshmërisë si dhe uljen e vdekshmërisë foshnjore. “Ju ftoj që krijimin e këtij universiteti, i pari në rajon, ta shndërrojmë në një qendër të fuqishme rajonale, ju ftoj të bëjmë çdo gjë që shërbimet më të avancuara t’jua ofrojmë të sëmurëve shqiptarë nga i gjithë rajoni, por edhe të tjerëve. Është një rast i artë për ju, për t’i dhënë klinikave tuaja dimensione dhe peshë që nuk e kanë pasur më parë”, – ishte mesazhi i Kryeministrit drejtuar mjekëve të pranishëm.

Reforma

Kryeministri Berisha ka theksuar se reforma në shëndetësi do të jetë sfida e radhës. Sipas tij, Shqipëria ka një avantazh dhe ky avantazh është se ne mund ta bëjmë këtë reformë pa pasur presionet, ndikimet lobiste të faktorëve jashtëmjekësorë. “Vendeve, të cilat janë njohur për sistemin më të mirë, sot reforma u vështirësohet në shkallën më ekstreme nga kompanitë e sigurimeve, të cilat po bëhen gjithnjë e më të fuqishme në rolin dhe funksionin e tyre. Është në detyrën tuaj të mbikëqyrni e të mos lejoni asnjëherë që ky akses të vështirësohet, të luftoni ndaj çdo faktori që, së paku, të dimë se qytetari nuk ka një radhë të gjatë pritjeje, të dimë se qytetari nuk ka një seri barrierash për t’u takuar me mjekun që duhet të takojë”, – theksoi Berisha gjatë fjalës së tij. Kryeministri kërkoi që të hartohet një kod etike, i cili do të bëjë të mundur ecjen paralele të spitaleve publike dhe private. “Ju do të bëni presion të madh mbi qeverinë për të rivendosur standardet që janë të domosdoshme. Nga viti 2005 deri në vitin 2012 është rritur me 15 herë numri i të sëmurëve që përfitojnë nga dializa, po nuk mund të injoroj se është humbur një kohë për transplantet dhe e vërteta është se kostoja është shumë e lartë. Këtë vit ne vendosëm fondin. Thirrja dhe kërkesa ime për ju është të bëni gjithçka për një kod etik, për standarde të cilat bëjnë të mundur plotësisht ecjen paralel të këtyre sistemeve, po pa dëmtuar njëri-tjetrin”, – përmendi kreu i ekzekutivit.

Bashkëpunimi

Spitalet private dhe publike, sipas Kryeministrit, mund të bashkëpunojnë në mënyrën më të mirë pa cenuar njëri-tjetrin. “Ju ftoj të konsolidoni gjithnjë e më shumë rregulla të qarta midis funksionimit të sektorit privat dhe funksionimit të sektorit publik. Këto rregulla janë përcaktuese dhe të një rëndësie shumë të madhe për sektorin publik. Këto rregulla nuk duhet të jenë rrënuese për këtë sektor. Ju e dini mirë se çdo qeveri e çdo forme e ka për detyrë të parë sigurimin e shërbimit shëndetësor ndaj qytetarit, por një qeveri e një vendi të lirë nuk pengon kurrë veprimtarinë private të individit”, – ishin fjalët e Berishës drejtuar mjekëve. Universiteti Mjekësor do të përfshijë 5 fakultete, Fakultetin e Mjekësisë, Mjekësisë Dentare, Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, atë të Shëndetit Publik dhe Fakulteti i Farmacisë.

 

 

 

Basha: Investimet në Tiranë rritin nivelin e jetesës dhe zhvillojnë ekonominë

Gjatë inspektimeve të rrugës “Xhemal Tafaj” në njësinë bashkiake nr. 8, kryetari i bashkisë ka vlerësuar edhe një herë rolin e bashkisë për të rritur nivelin e jetesës si dhe për t’i dhënë më shumë vrull zhvillimit ekonomik. “Në këtë rrugë të lagjes nr. 8, Bashkia e Tiranës po investon sipas kërkesës direkte të shumë banorëve dhe siç e shikoni gjendja e rrugës jo vetëm lë për të dëshiruar, por tregon se Bashkia e Tiranës nuk ka qenë e pranishme në këtë lagje për më shumë se 10 apo 15 vjet. Për këtë arsye, investimet janë pritur me një kënaqësi të madhe nga banorët, ndërkohë që kontraktori dhe supervizori janë të angazhuar që punimet t’i kryejnë me cilësi të lartë brenda një kohe shumë të shkurtër. Rëndësia e këtyre investimeve është jashtëzakonisht e madhe dhe konkretisht ky i sotmi u vjen në ndihmë mbi 3000 banorëve të kësaj zone. Bashkia e Tiranës ka hapur mbi 60 fronte të tilla anembanë kryeqytetit, ndërkohë që brenda muajve të ardhshëm do të hapet edhe njëherë kaq punë. Kjo është shenjë e qartë e rikthimit në investim, të besimit që qytetarët e kryeqytetit po investojnë tashmë tek Bashkia e Tiranës”, – u shpreh Basha gjatë inspektimit të punimeve.

Rruga me gjatësi 444 m dhe gjerësi 4 deri në 7 metra e trotuare në dy anët ndodhet në njësinë bashkiake nr. 8, në Tiranë. Kjo rrugë, ashtu si çdo rrugë tjetër që po ndërtohet dhe rindërtohet në kryeqytet do të ketë kanalizime të ujërave të zeza e të bardha, ndriçim dhe gjelbërim. Ndërsa ka kërkuar mirëkuptimin e banorëve apo subjekteve tregtare në zonat ku po kryhen punimet në kryeqytet, kreu i bashkisë tha se këto investime, përveç se janë një kontribut i drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve ndikojnë edhe në ekonominë e qytetit.

“Këto fronte pune që ndikojnë në cilësinë e jetës në Tiranë, në cilësinë e jetës së banorëve të kryeqytetit janë njëkohësisht edhe një ndihmë e drejtpërdrejtë në ekonominë e qytetit, pasi shifra e investimeve dhe numri i të punësuarve në këto fronte pune janë pa dyshim një lajm i mirë për dhjetëra, qindra familje, të afërmit e të cilëve janë të punësuar drejtpërdrejt në këto punime civile, në këto punë publike të Bashkisë së Tiranës apo në zinxhirin furnitor dhe bashkëveprues, me punimet që Bashkia po kryen anembanë qytetit. Qëllimi i këtyre punëve publike është ndihmë e drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së jetës në këto zona të harruara, ku cilësia e jetës në mënyrë të përditshme, orë pas ore dëmtohet pikërisht nga mungesa bazike e infrastrukturës, krejtësisht e padenjë për çdo cep të Evropës apo edhe kontinenteve të tjera. Efekti i drejtpërdrejtë është pa dyshim që paratë e qytetarëve të Tiranës po kthehen tashmë në infrastrukturë moderne, në cilësi të rritur jete, në vende të hapura pune, pra edhe në më shumë fuqi blerëse brenda në qytetin e Tiranës”, – theksoi Basha.

Në ditën e Shën Valentinit, kryebashkiaku ka përcjellë një mesazh edhe për të gjithë qytetarët e Tiranës. “Gjej rastin në këtë ditë, që për shumë është një ditë e veçantë feste, të theksoj se ne do të vazhdojmë me përkushtim e dashuri për qytetin që të bëjmë detyrën tonë, sikundër uroj që kjo ditë dhe çdo ditë e vitit të na kujtojë se qyteti është “shtëpia” jonë e përbashkët, ndaj gjithsecili duhet të japë sipas mundësisë kontributin e tij”, – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency