Jo vetëm Gallata, sporti është “kabina” e lokomotivës Turqi

0
164

Përgatiti Altin Vorpsi

didi drogba prane presidentit te Gallates duke pershendetur tifozetPas mbërritjes se Shnajderit dhe Drogbasë buzë Bosforit, skuadra stambolliane ka si synim të mbërrijë mes 8 të parave të Evropës. Ambicie kjo që është pasqyrë e një vendi, GDP-ja e të cilit rritet me 5% në vit

 

Kufijtë e sportit modern janë shtyrë shumë në lindje të Evropës. Më saktë, në një vend që nuk kërkon të “pasurojë” pleq që nuk kanë më asgjë për të dhënë. Shembulli më i mirë vjen nga vendi që kërkon t’i “imponohet” Evropës (edhe) nëpërmjet sportit.

 

Gati për sfidën

Në Turqi gjithçka është gati për sfidën evropiane të Gallatasarajit. Pas zyrtarizimit të blerjes së Drogbasë, të gjithë presin me padurim që të maten me Shalke 04 në duelin e vlefshëm për një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë që la Shangain për qendrën e madhe turke, nuk është i vetmi i llojit të tij në listën e lojtarëve të regjistruar nga ana e Gallatës në Champions. Mes tyre gjendet edhe emri i Uesli Shnajderit. Pas Anelkasë që shkoi tek Juventusi, kalimi i Dorgbasë në Turqi tregoi edhe një herë se një e ardhme e artë i pret brigjet e Bosforit. Përballë tyre projekti kinez nuk është më asgjë…

 

Jo vetëm futboll

Gallata me shumësportëshin e vet u bën zili edhe skuadrave të mëdha, si Reali i Madridit, Barcelona apo Bajerni i Mynihut. Në futboll 11-shja udhëhiqet nga perandori Fatih Terim. Mes lojtarëve që stërvit ish-tekniku i famshëm i Milanit dhe Fiorentinës janë edhe Uesli Shnajder, Felipe Melo, Rieira dhe Barriosh. Por Gallata nuk mburret vetëm me futbollin. Janë plot 11 disiplina të tjera që mbajnë lart këtë “markë” të madhe turke. Në volejboll për femra ata kanë arritur që të ecin shumë para falë eksperiencës së Barbolinit (është edhe teknik i përfaqësues turke në volejboll për femra). Në basketboll, Gallata ka marrë shërbimet e lojtarit të Cantù-së, Manuchar Markoishvili, që la Lombardinë për Turqinë. Tek aventura e re atë e kanë bindur më së shumti paratë pasi paguhet plot 1 milionë euro në vit.

 

Jo vetëm Gallatasaraji

Sa i përket futbollit, Gallatasaraji nuk është i vetëm. Edhe Fenerbaçe e Beshiktash kanë bërë hapa para, edhe pse kanë pasur shumë telashe me drejtësinë. Ndërkohë që në shumësportësh të dy këto “marka” kanë joshur figura të mëdha. Kështu tekniku i skuadrës së basketbollit të Fenerbaçes quhet Pianixhiani që ishte më parë tekniku i kombëtares italiane. Ndërsa formacioni i volejbollit të Eczacibasit drejtohet po nga një italian, Miçelit. Ndërsa Guideti është italiani i radhës që drejton VakıfBank.

 

Mbi të gjitha

Por mbi të gjithë ndrit fort ylli i “Gallatës”. Që nga 2011 ky klub drejtohet nga Unal Aysal që si të gjithë drejtuesit e tjerë ka studiuar në liceun e Gallatasarajit ku edhe ky ekip u krijuar shekullin e kaluar. Sipas prestigjiozes amerikane “Forbes”, Aysal ka një pasuri që shkon tek 800 milionë euro. Galatasaraji sapo ka hyrë në listën e 30 shoqërive më të pasura të botës sipas raportit të fundit të Deloitte dhe luan në të magjishmen Turk Telekom Arena, i riu Ali Sami Yen, i konsideruar një ndër më të mirët e Evropës. Edhe në ranking UEFA Turqia është në ngjitje konstante dhe sot mban vendin e 10-të. Ndërkohë që super liga turke, të drejtat televizive të së cilës vlejnë 400 milionë euro, i bën tashmë shoqëri simotrave në Francë, Spanjë e Gjermani (600-650 milionë, duke u lënë pas vetëm nga Italia dhe Anglia) para grupit të skuadrave ndjekëse si Holanda, Portugalia, Norvegjia, Belgjika (me një vlerë prej 60 milionësh).

 

Rritje

Në një vend ku GDP rritet me 5% në vit, popullsia me 1,35 % dhe ku 75 milion banorët e tij janë gati dyfishi i atyre të regjistruar në vitet ‘80, kur ish-kryeministri Ozal hapi tregun duke privatizuar ndërmarrjet e mëdha shtetërore , sporti është qershiza mbi tortë e rritjes ekonomike. Stambolli është shumë e favorizuar për të organizuar Lojrat Olimpike 2020 para Tokios dhe Madridit, kur në 7 shtatorin e ardhshëm KON do të shpallë fituesin. Gjithmonë në 2020 Turqia do të duhet të mikpriste fazën finale të Kampionatit Evropian të Futbollit, por pas thërrmimit të vendosur nga Platini, mbetet gjithsesi favoritja për të organizuar gjysmëfinalet dhe finalen e këtij eventi. Vlen për t´u theksuar se Turqia nuk është varreza sportive e radhës e elefantëve, siç janë ekonomitë e fuqishme të Gjirit Persik dhe mbase edhe Kina, por një vend me një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, që nuk e shfrytëzon sportin si vitrinë, por investon për të si timon për të transmetuar rritjen e vendit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency