Sonja Caka
Arsyetimi: Prokuroria pranon sulmin e dhunshëm dhe përdorimin e bombave Molotov, mungon hetimi për këto momente
Një javë pas vendimit të gjykatës, ku procesi i 21 janarit u mbyll me tri pafajësi, gjykata bën publik vendimin e plotë të zbardhur me 42 faqe, ku sqaron me detaje arsyet pse i dha këto pafajësi. Një sërë argumentash ka përdorur trupi gjykues për të arsyetuar tri pafajësitë, ndërsa i bazon ato në mungesën e hetimeve të organit të akuzës për ngjarjen e rëndë me pasojë 4 viktima. Sipas trupës gjyqësore, nga ana e akuzës ka munguar një hetim për ngjarjen, ndërsa Garda e Republikës është sulmuar dhunshëm nga ana e turmës së egërsuar, e cila nuk ka ngurruar të përdorë deri në bomba Molotov kundër efektivëve që ruanin institucionin e Kryeministrisë. Gjykata përdor në vendim deklarimet e bëra nga vetë prokurorët gjatë procesit gjyqësor, ku përmendet se Garda ka qenë e sulmuar dhunshëm nga turma e egërsuar, ndërsa është shkelur disa herë edhe “zona e kuqe”. Ndërsa lidhur me momentin e hapjes së zjarrit, gjykata arsyeton se “hapja e zjarrit nga i pandehuri Ndrea Prendi nuk ka lidhje me hapjen e zjarrit nga efektivat e Gardës së Republikës për t’u shërbyer atyre si urdhër virtual, pasi efektivat e Gardës së Republikës e kanë filluar hapjen e zjarrit qysh me djegien e vendrojes dhe shpërthimin e portës”.
Sulmi i dhunshëm ndaj Gardës dhe mungesa e hetimeve
Në vendimin e saj të arsyetuar, Gjykata evidenton faktin se ka qenë vetë organi i akuzës që ka pranuar para trupit gjykues sulmet agresive të turmës ndaj gardës dhe përdorimin deri në bomba Molotov ndaj tyre. “Organi i akuzës, megjithëse e pranon dhe e pasqyron vetë këtë situatë fakti dhe veprimet e kundërligjshme dhe agresive të disa prej protestuesve, nuk ka zhvilluar aspak hetime në drejtim të intensitetit dhe rëndësisë së sulmit në raport me veprimet e të pandehurve (në detyrë) dhe akuzave të ngritura në ngarkim të tyre” shprehet gjykata në vendim. Sipas saj, i pandehuri Ndrea Prendi, me cilësinë e Komandantit të Gardës së Republikës, i armatosur me armën e tij personale, pistoletën “Beretta” me numër P52796 Z, ka qenë i pozicionuar afër efektivave të tij, me uniformë dhe skafandër në kokë, së bashku me dëshmitarin Ilir Duraku, i planizuar si “bodyguard” i tij, me të pandehurin Margarit Kume dhe shtetasin Renis Tahiri, te cilet kanë qenë në pjesën e “Sektorit Verior”, ku ishin edhe efektivat e “grupit të zjarrit”. “Nga ana e punonjësve të Gardës së Republikës, të ndodhur nën këtë situatë sulmi intensiv dhe të dhunshëm të turmës ndaj tyre personalisht dhe ndaj ORV –se që kishin në mbrojtje, fillimisht kane filluar hapjen e zjarrit në ajër me fishekë manovre, nga një pjesë e efektivave të njësisë së dytë me komandant Kap. Çelnik Hasa, kurse pjesa tjetër e efektivave të seksionit, qëllonin me fishekë luftarakë në ajër. Në këtë moment, grupi i “Njësisë Speciale”, me drejtues Sokol Sula dhe seksioni i dytë i Njësisë së Dytë me drejtues Rexhep Qira, të paisur me mjetet teknike të posaçme, në zbatim të planit të masave, janë afruar nga mesi i rrugës për tek “Porta Nr.1”, kanë ndërhyrë forcërisht me shkopinj gome e mburoja, duke arritur që të nxjerrin jashtë portës grupin e protestuesve, që kishin mundur të futeshin disa metra brenda rrethimit të objektit Kryeministrisë, por për shkak të dhunës me sende të forta ndaj tyre nuk arritën te mbyllnin “Portën Nr.1”. Për shkak të goditjeve që kishin pësuar nga sulmi i protestuesve me mjete të forta e shishet me lëndë djegëse, “bomba Molotov”, efektivat e seksionit të dytë të Njësisë së Dytë dhe ato të Njësisë Speciale, në këtë kohë nuk kanë qenë të pozicionuara në vendet e tyre të shërbimit sipas planit të masave, duke krijuar në këtë mënyrë një hapësirë boshe (korridor) midis protestuesve që ndodheshin jashtë rrethimit të objektit në afërsi të “Portës Nr.1” dhe efektivave të Njësisë Speciale, pjesë e “grupit të zjarrit”: Agron Malaj, Gazmen Ahmetaj, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe të pandehurit Agim Llupo” vëren gjykata në vendimin e plotë të saj. Më tej vijon arsyetimi bazuar në provat filmike të sjella nga Prokuroria dhe pala mbrojtëse, duke shtuar se “siç rezulton nga provat e paraqitura nga organi i akuzës dhe të administruara në gjykim të CD-ve dhe DVD-ve të ka qenë pikërisht ky moment rreth orës 16 e 10 minuta, dhe momenti kritik i sulmit të Objektit të Kryeministrisë dhe efektivave të Gardës së Republikës të ngarkuar me ligj për të mbrojtur këtë ORV (objekti i rëndësisë se veçantë) dhe Personalitetet Shtetërore që ishin brenda Institucionit. Në këtë moment Porta kryesore Nr. 1 e Kryeministrisë ishte e hapur dhe protestues te ndryshem, duke hedhur sende te forta ne drejtim të gardistëve, kalonin rrethimin e Kryeministrisë duke u futur dhe brenda rrethimit me tendence për të hyrë brenda në objektin e rëndësisë së veçantë. Njëkohësiaht, protestues të tjerë nga një distancë më e largët vazhdonin të hidhnin bomba “Molotov” gurë, pllaka trotuar dhe sende të tjera të forta në drejtim të gardistëve dhe objektit të Kryeministrisë, duke thyer dhe xhamat e dritareve të godinës te këtij Institucioni dhe duke kryer nje grup veprash penale, të cilat nuk janë bërë pjesë e akuzës dhe as e analizës së lidhjes shkakësore midis veprimeve te kryera dhe pasojës se ardhur për akuzën në ngarkim të të pandehurve në gjykim”. Në një nga episodet e konkluzioneve përfundimtare, edhe Prokuroria sqaron me detaje presionin e madh në të cilin u gjend Garda e Republikës pas sulmeve të dhunshme të turmës. “Pikërisht në këtë interval kohe, në situatë kritike, pas një presioni prej rreth dy orësh nën sulme shumë agresive dhe veprime tërësisht të kundërligjshme të një grupi të madh protestuesish të organizuar, kundër Kryeministrisë dhe punonjësve të Gardës së Republikës, të vendosur ne qoshen veri-perëndimore të saj, efektivat e “Grupit të Zjarrit” si: Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli, Sadik Çela, si dhe shtetasit Ilir Duraku e Renis Tahiri; të pyetur si dëshmitarë, por dhe të pandehurit Agim Llupo dhe i pandehuri Ndrea Prendi, të vendosur në një situatë tejet të rrezikshme, reale për jetën e tyre, sigurisë së ORV-së (objekt i rëndësisë së veçantë) dhe Personaliteteve Shtetërore që ndodheshin brenda ORV, kanë përdorur armët e tyre te zjarrit të shërbimit me fishekë luftarakë, pas paralajmërimeve të shumta. Sipas gjykatës, një episod tjetër shumë i rëndësishëm që vërteton pa asnjë dyshim agresivitetin e sulmit real të organizuar nga persona demonstrues është dhe futja me forcë e një automjeti në oborrin e Kryeministrisë, por që u ndalua nga pengesa e sigurisë, e cila ishte e vendosur në brendësi të territorit të ORV-së. “Në nenin 25 i Ligjit Nr.8869 datë 22.05.2003 “Për Gardën e Republikës përcaktohet se “Punonjësi i Gardës përdor armën në rastet e përcaktuara në ligjin nr.8290, datë 24.2.1998 “Për përdorimin e armëve të zjarrit”, si dhe në rastet kur sulmohen personalitetet e larta shtetërore të vendit dhe të huaja; rojet dhe objektet në ruajtje”.
Analogjia me vendimin e Strasburgut për çështjen Xhuliani në Itali
Gjykata vëren në vendimin e saj se gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tyre, dy avokatët mbrojtës të të dy të pandehurve, për të justifikuar veprimet e të mbrojturve prej tyre ju referuan dhe një vendimi të Gjykatës së Strasburgut të dhënë kundër Italisë përsa i përket justifikimit të përdorimit të armëve të zjarrit nga punonjësit e policisë/Gardës në rastet kur ata gjenden nën tensionin e një sulmi nga protestues të dhunshëm kundër tyre. Vendimi mban Nr. 23458/02 Rekursi, date 25.08.2009 me palë Giuliani dhe Gaggio kundër Italisë në Genova, në korrik 2001, ku u mbajt takimi I “ G8 “. Në ngjarje, për shkak të reagimit nga disa grupe pjesëmarrse në demonstratë kundër forcave te zbatimit të ligjit, që vepronin duke marshuar me objektivin për të shkuar drejt “zonës se kuqe“ të sigurisë së lartë, një karabinier në detyrë ( Mario Placanika ), i pushtuar nga paniku për veprime në dukje shumë agresive mbi automjetin ku ndodhej së bashku me dy kolegë të tij, ka qëlluar me armën e tij, ku dhe mbeti i plagosur rëndë një demonstrues që më pas ndërroi jetë”. Nga ana e Prokurorisë italiane është filluar procedimi penal dhe është hetuar mbi ngjarjen pa ndaluar dhe arrestuar asnjë nga personat me detyrë ligjore në ngjarje, me gjykimin se edhe nëse ekziston hipoteza se karabinieri e dinte se nga përdorimi i armës dikush do të vdiste, përdorimi legjitim i armës në ushtrimin e detyrës apo përdorimi për vetëmbrojtje në këtë ngjarje ( pasi karabinieri është në detyrë ligjore në vendngjarje ) e përjashton ligjërisht nga përgjegjësia penale (neni 53 i Kodit Penal). Çështja i kaloi GJ E D NJ ne Strasburg, e cila me vendimin e saj konkludoi se përdorimi i armës nga karabinieri ishte në përputhje me ligjin. Sipas këtij vendimi, “rrethanat në të cilat privimi i jetës mund të justifikohet duhet të interpretohet në mënyre rigoroze. Objekti dhe qëllimi i Konventës si një instrument për mbrojtjen e qënieve njerëzore individuale është të kërkojë gjithashtu se neni 2 të interpretohet dhe të zbatohet në mënyre që të bëjë mbrojtjen e saj praktike dhe efektive (shih Solomu e të Tjere & 63 ). Në veçanti, Gjykata është shprehur se hapja e zjarrit duhet kur është e mundur të paraprihet nga të shtëna paralajmeruese (shih Kallis dhe Androulla Panayi kundër Turqisë, nr 45388/99, &62, date 27.10.2009 ). Shih gjithashtu në veçanti, paragrafi 10 i parimeve te OKB-së, paragrafi 154”. Në lidhje me sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se në rastin konkret përdorimi i forcës vdekjeprurëse ishte absolutisht e domosdoshme “në mbrojtje të çdo personi nga dhuna e paligjshme “, brenda kuptimit të nenit 2 & 2(a) të Konventës ( shih paragrafin 176 ). Gjykata e Strasburgut konkludon se çrregullimeve të papritura dhe të paparashikueshme duhej t’i përgjigjej me forcën e fundit dhe se në mungesë të një hetimi të brendshëm në thellësi mbi çështjen, asnjë hallkë e menjëhershme dhe direkte nuk është vendosur ndërmjet mangësive në ankesën mbi vdekjen e Carlo Giuliani. Së fundi, nuk duhet të neglizhohet se vdekja e Carlo Giuliani ndodhi në rrjedhën e një demonstrate masive. Ndërsa kjo është detyrë e Shtetit për të marrë masa të arsyeshme dhe të përshtatshme në lidhje me demonstratat e ligjshme për të siguruar sjelljen paqësore të demonstruesve dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve, në pamundësi për të garantuar absolutisht këtë sjellje ligjvënësit kanë një lirshmëri të gjerë në zgjedhjen e mjeteve për të përdorur.