Zbardhet raporti Ministria e Jashtme: Ja 8 vendet e ndaluara për shqiptarët, rrezik nga terrorizmi

0
228

Florenc Drizari

ministria e jashtmeMPJ: Shqiptarët të bëjnë kujdes në udhëtime, kërcënimi global i sulmeve terroriste dhe rrëmbimet vazhdojnë

 

Ministria e Punëve të Jashtme publikoi dje një raport të detajuar për tetë vende që paraqesin rrezikshmëri të lartë udhëtimi për qytetarët shqiptarë. Lista e vendeve më të rrezikshme për t’u vizituar, sipas MPJ-së, janë: Jemeni, Republika e Kongos, Afganistani, Libia, Nigeria, Mali, Somalia, Algjeria.

MPJ rekomandon se qytetarët duhet të informohen me kujdes më përpara për kushtet e destinacionit. Informacioni i MPJ-së përmban: këshilla udhëtimi, informacion mjekësor etj. Ministria e Jashtme këshillon qytetarët shqiptarë që të marrin në konsideratë informacionet, paralajmërimet rekomandimet, që gjenden në faqen e ministrisë. Gjithashtu, ministria sjell në vëmendje se vendimi përfundimtar për fillimin e një udhëtimi është përgjegjësi e vetë udhëtarit.

Duke argumentuar se niveli i kërcënimit terrorist në këto vende është i ndryshëm, ku organizatat terroriste janë aktive dhe terroristët kanë mbështetjen e popullatës lokale, ose për shkak të mungesës së masave të sigurisë efektive, aktet terroriste apo rrëmbimet, mund të kryhet relativisht lehtë, Ministria e Punëve të Jashtme paralajmëron qytetarët shqiptarë që para se të vizitojnë këto shtete njihen mirë me situatën aktuale në secilin prej 8 vendeve të lartpërmendura.

“Shpeshherë harrojmë se udhëtimet mund kthehen në ankth dhe disa herë rrezikojnë edhe jetët tona. Kërcënimi global i sulmeve terroriste dhe rrëmbimet vazhdojnë. Këto kërcënime mund të ndodhin në ndërtesa qeveritare dhe administrative, qendra tregtare, avionë, trena, anije, hotele, vende fetare etj. E parë nga ky këndvështrim, Ministria e Punëve të Jashtme do të dëshironte që qytetarët e Republikës së Shqipërisë, në udhëtimet që ata të zhvillojnë të jenë të sigurt”, – thuhet një deklaratën e MPJ-së.

Në faqen zyrtare të këtij institucioni, qytetarët shqiptarë do të gjejnë informacionin e nevojshëm për disa vende që, për shkak të situatës së brendshme paraqesin rrezikshmëri për jetën e tyre. Zyra e Ministrisë së Jashtme këshillon që qytetarët të marrin informacion në disa mënyra dhe për këtë publikon adresën e e-mail-it, numra telefoni dhe faks. “Ne dëshirojmë që qytetarët, informacionin për vendet e rrezikshme ta marrin jo vetëm nëpërmjet internetit apo burimeve të tjera informuese, por edhe nëpërmjet informacionit zyrtar të ofruar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Kjo faqe ju ofron informacionin e nevojshëm dhe ju sugjeron se në cilat vende nuk mund të udhëtoni në mënyrë të sigurt, për shkak të situatës së brendshme. Tel: 003552/2233293/ Tel: 003552/2362090 ext. 79159, e-mail: marredheniet.publikun@mfa.gov.al”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ministria e Punëve të Jashtme informon vizitorët se nga çfarë duhet të kujdesen më shumë: Rrezik i madh nga konflikti i brendshëm; terrorizëm; rreziku i minave; informacion për infrastrukturën; luftë midis forcave qeveritare dhe grupeve të ndryshme rebele; shënime mjekësore; rrezik i akteve terroriste apo kriminale të dhunës; rrezikshmëri e lartë për qytetarët që qëndrojnë për një kohë të gjatë; mundësi e lartë për transmetim sëmundjesh ngjitëse dhe epidemi; rregullat specifike doganore etj.

 

Jemen, MPJ: Rrezik i madh nga konflikti i brendshëm

Ministria e Punëve të Jashtme paralajmëron qytetarët e saj që të mos udhëtojnë në Jemen. Situata në vend mbetet e paqartë. Ka rreziqe të mëdha nga konflikti i brendshëm, përplasjet mes fiseve, demonstratat masive dhe sulmet terroriste që ndodhin në pjesë të ndryshme të vendit, por edhe në kryeqytet, Sanaa. “Në Jemen, sulmet terroriste janë degë rajonale e rrjetit terrorist Al Kaeda. Kërcënimet e përsëritura vijnë edhe nëpërmjet internetit. Rrëmbimet e personave jomyslimanë, të të huajve shpeshherë përfundojnë në tragjizëm. Nuk është i rekomanduar të udhëtoni në jug të vendit, për shkak të zonave të minuara edhe pse në vitet e fundit shumica e zonave pretendohet se është pastruar. Mbetet veçanërisht zonë e rrezikshme rruga në Aden në Sana’a të Al-anad, bregdeti i Adenit dhe Mukalla për shkak të konfliktit në rajonet e Abyan dhe Sa’ada. Fluturimet në Jemen nga Evropa aktualisht janë të arritshme vetëm nga disa linja ajrore kryesisht joevropiane. Udhëtimi i pasagjerëve me anije nuk ekziston. Kufiri tokësor nuk është i rekomandueshëm.

 

Republika e Kongos, MPJ: Luftë midis forcave qeveritare dhe grupeve të ndryshme rebele

Para se të udhëtoni për në pjesën lindore dhe verilindore të Republikës Demokratike të Kongos ju paralajmërojmë të keni kujdes veçanërisht për krahinat orientale, Veriut dhe Jugut Kivu, ku vazhdojnë luftimet midis forcave qeveritare dhe grupeve të ndryshme rebele. Në provincën Orientale në rrethin e Haut-Uele, grupi rebel “Ushtria, Rezistenca e Zotit” është aktive. Situata në Goma, kryeqyteti i provincës Kivu e Veriut, është jashtëzakonisht e tensionuar. Malaria është një nga sëmundjet epidemike më të përhapura në Republikën e Kongos. Transmetimi i kësaj epidemie ndodh nëpërmjet kafshimit të mushkonjave. Për shkak të rreziqeve të infeksionit të gjithë udhëtarët janë të rekomanduar të bëjnë vaksinën. HIV/AIDS është në nivele shumë të larta për shkak të transfuzionit të gjakut. Duhet të përdorni një higjienë të madhe të ushqimit dhe të ujit, për të parandaluar shumicën e rasteve të diarresë dhe të kolerës, informon Ministria e Punëve të Jashtme. Por, sipas saj, vendimi përfundimtar për fillimin e një udhëtimi është përgjegjësi e vetë udhëtarit.

 

 

 

 

Afganistan, MPJ: Vend i rrezikshmërisë së lartë, duhet të zgjidhet veshje e përshtatshme

Me gjithë përmirësimin e forcave të sigurisë afgane dhe pranisë së Ndihmës së Forcave Ndërkombëtare për Sigurinë, në Afganistan, përfshirë edhe kryeqytetin e Kabulit, sulmet ndodhin. Në Afganistan, rreziku për t’u bërë viktimë e një rrëmbimi apo e një krimi të dhunshëm ekziston. Madje, në disa zona apo rajone të ndryshme rreziku është shumë i madh. Mjetet e udhëtimit dhe të transportimit janë gjithmonë objekt sulmi për terroristët. Të gjithë qytetarët shqiptarë janë këshilluar për kujdes maksimal. Kjo është e vlefshme veçanërisht për ata qytetarë, të cilët do të qëndrojnë për një kohë të gjatë, madje edhe në pjesët relativisht të qeta të vendit, bastisjet apo plaçkitjet janë të pranishme në çdo kohë. Afganistani është një nga vendet e pakta në botë, ku sëmundjet ngjitëse dhe poliviruset, janë ende të raportuara rregullisht. Transmetimi i tyre bëhet nëpërmjet ujit të pijshëm, i cili është i ndotur, apo ushqimit të pakontrolluar. Rekomandohet vaksinimi. Një vaksinim i nevojshëm do të ishte edhe për ethen e verdhë, hepatitin A, tifon, hepatitin B. Edhe në Kabul, kujdesi shëndetësor jo gjithmonë korrespondon me standardet evropiane. Duke qenë se insektet ndodhen kudo, rekomandohen veshje të gjata, të lehta për të eliminuar sa më shumë të jetë e mundur pickimin nga insektet.

 

Libi, MPJ: Rrezik i rrëmbimeve apo akteve kriminale të dhunës

Libia është një vend, ku rreziku i rrëmbimeve dhe sulmeve në vende specifike është shumë i përhapur. Qeveria Federale përballet me kërcënime të menjëhershme dhe konkrete ndaj shtetasve të huaj, veçanërisht në Bengazi. Llojet e krimit si vjedhje banesash apo grabitje e armatosur, janë të pranishme, veçanërisht në qytetet e mëdha, ku janë përqendruar edhe të huajt. Prandaj, Ministria e Punëve të Jashtme u sugjeron të gjithë qytetarëve shqiptarë, që të jenë të mirinformuar përpara se të udhëtojnë në Libi. Rajoni më i rrezikshëm është rajoni i Bengazit. Situata në vend mbetet e paqartë. Të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët mund të zhvillojnë, apo bashkëpunojnë me vendasit për çështje biznesi këshillohen për kujdes maksimal. Të huajt, të cilët kanë detyra apo kontakte biznesit, për shkak të rrethanave të veçanta, sugjerohen të marrin kontakte me ambasadën shqiptare në Egjipt. Tradhtia bashkëshortore, imoraliteti i gruas, homoseksualiteti janë të paligjshme në Libi. Kritikat ndaj sistemit politik, qeverisë janë konsideruar krim. Është ndaluar të fotografosh ndërtesat publike, portet, aeroportet, instalimet ushtarake dhe automjetet, urat, ambasadat, uniformat dhe pamjet e brendshme të xhamive dhe varrezave.

 

Nigeri, MPJ: Rrezik i lartë i piraterisë, veshja e përshtatshme 

Rreziku i rrëmbimit është në tërësi problematikë e Nigerisë. Për shkak të sulmeve të vazhdueshme terroriste, ka një rrezik në rritje të sigurisë në pjesën veriore të Nigerisë. Para se të udhëtoni për në Borno, Yobe, Bauchi, në pjesën veriore të Plateau (Jos dhe zona përreth), si dhe Kano, Kaduna, Katsina dhe Sokoto, dhe në pjesën veriore të Adamaëa, ju sjellim në vëmendje se ka sulme të përsëritura me bomba nga grupet militante, veçanërisht në tregje, kisha dhe xhami. Në këto zona është vendosur gjendja e jashtëzakonshme. Në veri të Gjirit të Guinesë ka një rrezikshmëri të lartë të piraterisë, sidomos janë të prekura Abia, Imo, Anambra, Ebonyi, Enugu dhe Bayelsa. Zonat jashtë kryeqytetit janë të prekura gjithashtu, prandaj duhet të merret në konsideratë informacioni i ofruar nga MPJ. Kohët e fundit janë konstatuar rritje të udhëtimeve të qytetarëve në Nigeri, për shkak të ofertave mashtruese për biznes, të cilat ne i dekurajojmë fuqimisht. MPJ, ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të saj, që të mos bien pre e mashtrimit, apo parapagimit në faqe të ndryshme të internetit, e-mail-eve në postën tuaj elektronike. Në 12 shtete veriore myslimane ku zbatohet Sheriati, vrasja, përdhunimi, seksi jashtëmartesor, aktet homoseksuale janë të dënueshme me vdekje. AIDS është një problem i madh në vend.

 

 

Mali, MPJ: Gjendje lufte, rrezik i rrëmbimeve dhe sulmeve

Të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët qëndrimin në Mali nuk e kanë domosdoshmërisht të nevojshëm, duhet të largohen nga vendi me fluturimet ekzistuese. Guvernatorët e krahinave u udhëzuan për të bllokuar autostradat për trafikun civil, që të mbahen të lira për lëvizjen e trupave nga vendet fqinje dhe për rrugët e furnizimit. Ky urdhër është bërë me një njoftim shumë të shkurtër dhe pa paralajmërim. Kufijtë tokësorë me vendet fqinje janë të mbyllura. Në të gjithë vendin është shpallur situata e jashtëzakonshme dhe që nga 1 janari 2013, është njoftuar mobilizimi i përgjithshëm nga ana e Presidentit. Aeroporti në Bamako ka shumë pengesa. Të gjitha automjetet, dhe bagazhet janë të sigurta dhe ka vonesa të mëdha të fluturimeve. Gjysma e pjesës verilindore të vendit është jashtë kontrollit të qeverisë. Terroristët janë më të pranishëm se ndonjëherë. Në këtë rajon, për të huajt, ekziston një rrezik veçanërisht e lartë për t’u bërë viktima të rrëmbimit, të një krimi të dhunshëm, apo të rrëmbehen për t’i marrë në luftime. Bandat kriminale të Al Kaedës kërkojnë në mënyrë specifike shtetasit e huaj me qëllim rrëmbimi.

 

Somali, MPJ: Shtetasit shqiptarë janë këshilluar të largohen nga vendi

Në Somali shtetasit e huaj përballen me një rrezik shumë të lartë të rrëmbimit. Brigjet e Somalisë dhe vendeve të saj fqinje, ujërat e afërta, mbeten një rrezik shumë i lartë të sulmeve pirate dhe rrëmbimeve. Ndërkohë, thellë në Oqeanin Indian janë sulmuar anijet (Seychelles dhe Madagaskarit) dhe janë rrëmbyer. Pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për të frenuar piraterinë, numri i sulmeve pirate mbetet i lartë, dhe mbrojtja efektive nuk mund të garantohet. Pavarësisht misionit të BE-së, të luftanijeve Atalanta, nuk ka asnjë garanci se anijet nuk do të sulmohen nga piratët. Mungojnë agjencitë qeveritare, të cilat mund të ofrojnë ndihmë. Për shkak të situatës tepër të pasigurt, shumë shtete i kanë mbyllur ambasadat e tyre. Numri i sulmeve vrasjeve është rritur në vitet e fundit. Kritike është situata në Somalinë qendrore dhe jugore, duke përfshirë edhe kryeqytetin, Mogadisho. Për shkak të konflikteve të armatosura midis fraksioneve somaleze, kanë vdekur edhe një numër i madh kalimtarësh të pafajshëm. Por, sjellim në vëmendje se vendimi përfundimtar mbi fillimin e një udhëtimi është përgjegjësi e vet udhëtarit, sqaron Ministria e Jashtme.

 

 

 

Algjeri, MPJ: Informohuni për traditat e vendit, situatë destabilizuese dhe terrorizëm

Kohët e fundit, kryeqyteti Algjer dhe pjesë të tjera të vendit janë përfshirë nga demonstrata dhe protesta të dhunshme. Gjatë këtyre trazirave nuk ka pasur turistë të prekur. Por gjithsesi, udhëtarët këshillohen me forcë që të shmangin turmat dhe demonstratat. Për qëndrime në Algjeri, Ministria e Jashtme këshillon kujdes të veçantë, veçanërisht në veri dhe verilindje të vendit (sidomos Kabylia), ku janë të shpeshta sulmet terroriste. Në rajonet jugore të Algjerisë në Sahara, vazhdon ende rreziku i rrëmbimit, ku vepron Al Kaeda. Në mënyrë eksplicite këshillohet që të shmangen udhëtimet në kufirin juglindor me Libinë. Pavarësisht nga një shumëllojshmëri e ndikimeve perëndimore dhe përdorimit të gjerë të gjuhës angleze si gjuhë e përbashkët, vizitorët duhet të tregojnë kujdes sjelljen e tyre, sepse Algjeria është pjesë e botës radikale arabo-islame. Në hotel çiftet, të cilat nuk kanë të njëjtin mbiemër, mund të kenë probleme. Kartat e kreditit përveçse në hotelet luksoze nuk pranohen. Nuk pranohen eurot, ndaj është e këshillueshme që të përdorni dollarin amerikan. Importi i armëve dhe drogës e çdo lloji është i ndaluar rreptësisht. Pajisjet elektronike të vlefshme duhet të deklarohet në kufi.

 

 

1. Jemeni

2. Republika e Kongos

3. Afganistan

4. Libi

5. Nigeri

6. MALI

7. Somali

8. Algjeri

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency