Sonja Caka
Hakrama dëshmon tri sulmet e grabitësit-serial ndaj arkës 12: Më drejtoi pistoletën në sportel dhe qëlloi 2 herë, rashë në gjendje shoku. Nuk dua të shoh në sallë se kush është
Tre herë e sulmuar godina ku punonte si arkëtare e UKT-së nga grabitësi serial Viktor Gushi, në njërën prej të cilave pati edhe goditje me pistoletë, dy të shtënat e të cilit për fat nuk e kapën. Pësoi gjendje shoku dhe ende 2 vjet më pas ndodhej në gjendje shoku, aq sa kur iu kërkua nga prokurorja të identifikonte në sallë nëse ndodhej personi që e sulmoi, dëshmitarja Vjollca Hakrama, me zërin që i dridhej iu përgjigj me fjalët: “Ende nuk e kam kaluar gjendjen e shokut që pësova ato ditë. Nuk dua të shoh fare në sallë kush ndodhet, Erdha vetëm për respekt të trupit gjykues, nuk dua të shoh në sallë”. I pandehuri Gushi shkoi tri herë në barakën ku paguheshin faturat e KESH dhe UKT-së. Fillimisht shkoi në korrik të vitit 2010, më pas në dhjetor të po këtij viti dhe më pas në nëntor të vitit 2011. Dy herët e para i qëlluan me fat, por herën e tretë, e vëmendshme për shkak dy sulmeve ndaj arkave të kësaj barake, arkëtarja Hakrama deklaroi se “e pashë nga pasqyrimi i xhamave të dyqanit përballë dhe menjëherë bërtita: Hajduti, hajduti.” Pas saj, erdhën dëshmuan edhe dy personave që nuk kanë qenë drejtëpërdrejt në kontakt me grabitësin Gushi, Brunilda Dyrmishi dhe Naim Ohri. Sipas dëshmisë së Dyrmishit, ajo thjesht ka parë skenën nga zyra, ndërsa lajëmroi policinë duke shtypur sinjalin, ndërsa Ohri deklaroi se nuk kishte parë grabitësin, por u dha ndihmë arkëtarëve, njëra prej të cilave e plagosur rëndë.
Vjollca Hakrama, arkëtare në arkën 12 të UKT-së, 2010-2011
E para dëshmoi një ndër arkëtaret që i ka qëlluar dy herë të përballet vetëm me grabitësin dhe njëherë kolegia e saj e zyrës ku punonin në pagimin e faturave. “Ishte ora 1 apo 1 e 45 minuta e datës 19 korrik 2010. Mbaj mend që ishte mesditë dhe ishte vapë e madhe. Në atë kohë punoja arkëtare në arkën 12 te një barakë dhe në atë moment ishim duke llogaritur sa para ishin grumbulluar gjatë ditës. Atë punë bënim gjithmonë kur ishte mesditë. Përballë barakës ishte një dyqan me xham. Hodha sytë përballë dhe m’u pasqyrua një person që po rrinte aty i vetëm, i mbështetur. Në të 100-ën e sekondës, ai person më erdhi në arkë. Kishte veshur një bluzë jeshile me vija të zeza. Në dorë mbante një qese, ndërsa në kokë kishte vendosur një kapele, të cilën e kishte ngjeshur pas koke. Nuk kishte maskë në fytyrë. Erdhi te banaku dhe në dorë mbante një pistoletë të vogël, duke më drejtuar armën më kërkoi t’i jepja paratë. I thashë jemi UKT dhe nuk kemi lekë. Në momentin kur erdhi ai unë isha duke numëruar lekët. Më kërcënoi me pistoletë dhe unë i dhashë disa lekë dhe ai shtiu dy herë më pistoletë drejt meje dhe më pas iku. Nuk mbaj mend më shumë. Kam kaluar në gjendje shoku. Ka ardhur punonjësja e arkës së CEZ-it dhe më ka gjetur përmbysë, ka lajmëruar ambulancën dhe kam përfunduar në spital. Di që pasi është bërë inventari, ka rezultuar se janë marrë vetëm 240 mijë lekë të vjetra. Dua të theksoj se grabitësi ka qëlluar nga një distancë mjaft e afërt, as 2 metra, por që për fat mua nuk më kapën plumbat. Më pas, në dhjetor të vitit 2010 është grabitur arka e CEZ po në barakën tonë. Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Arkëtares së CEZ i ka ardhur me pistoletë, i ka kërkuar paratë, ajo ia ka dhënë dhe më pas grabitësi është larguar. Në ato momente aty ka pasur edhe qytetarë që paguanin dritat. Nuk e kuptova çfarë ndodhi për momentin derisa ajo tregoi çfarë kishte ndodhur dhe erdhi policia. Sërish ka qenë orar dreke. Ndërkohë që, në nëntor të vitit 2011 u sulmuam prapë. Kësaj radhe isha vetëm pasi CEZ e kishte larguar pikën e pagesave nga aty. Ishte drekë. Sërish e pashë në pasqyrim te xhami i dyqanit përballë këtë person dhe dola e thirra: Hajduti, hajduti. Ai u largua me vrap. Më ishte bërë fiksim nga hera e parë ndaj e ruaja veten” përfundoi dëshminë e saj para gjykatës dëshmitarja Hakrama. E pyetur nga prokurorja nëse e shihte në sallë personin që e sulmoi, Hakrama deklaroi se “nuk dua të shoh asgjë, pasi kam kaluar gjendje shoku. Kam ardhur këtu në gjykatë vetëm për respekt të trupit gjykues, nuk dua të shoh asgjë në këtë sallë”.
Brunilda Dyrmishi, drejtoreshë e degës së Raiffaisen Bank, pranë ish-restorant Durrësi, prill 2009
“Punoja drejtoreshë dege të Raiffaisen Bank pranë ish-restorant Durrësit, rruga “Ferit Xhajko”. Isha ora 2 pa 20. Hyri një person te arka. Ishte i maskuar, me shall me lara rreth fytyrës dhe një kapele në kokë. Mbante 1 pistoletë në dorë dhe një qese. Dëgjova zhurmë dhe u ngrita. Pashë personin e armatosur dhe u ula prapë. Ndeza sinjalin e alarmit, pasi dëgjova që personi i armatosur kërkonte para. Ishte para arkëtares Anita Metani. Dëgjova t’i bërtiste arkëtares: Mbushe qese, mbushe se të qëllova. I përsëriste shpesh të njëjtat fjalë. Kjo situatë zgjati shumë pak. Vetëm 1 minutë. Pasi mori paratë iku me vrap, dera ishte e hapur. Hyri dhe doli në pak kokë. Nuk qëlloi me armë” mbylli dëshminë Dyrmishi.
Naim Ohri, qytetar
“Ishte korrik i vitit 2010. Ishte ora 2 dhe po shkoja me biçikletë të paguaja dritat te kioska pranë shkollës së baletit në Rrugën e Elbasanit. Dëgjova një grua që po thërriste për ndihmë. U thashë të hyja brenda t’i ndihmoja. Hapën derën dhe hyra. Pashë një grua që ishte e plagosur në gjoks. I shpërtheva sutjenat dhe i vura gishtin te plaga në gjoks që t’i ndaloja gjakun. Aty mësova se një person kishte ardhur për t’i grabitur dhe kishte kërkuar t’u merrte lekët. Ato nuk e hapën derën dhe ai kishte qëlluar. Njëra prej tyre ishte plagosur. Unë nuk e pashë autorin pasi kur mbërrita unë kishte ikur” përfundoi dëshminë Ohri, i cili ishte një qytetar që kishte shkuar për të paguar dritat dhe dha ndihmën e parë pas ngjarjes për arkëtaret.
Vendimi
Kundërshton transferimin, gjykata rrëzon kërkesën e prokurorit Saliaj
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar pretendimet e prokurorit Xhemal Saliaj, i cili kundërshtonte dekretin e Presidentit të Republikës, që e shkarkonte atë nga funksioni drejtues i prokurorit të Rrethit dhe e kalonte prokuror të thjeshtë. Më 10 dhjetor, prokurori Saliaj iu drejtua Gjykatës së Tiranës, për të kundërshtuar aktin administrativ të shkarkimit dhe dekretin e presidentit të atëhershëm, Bamir Topi. Në padinë e tij kërkonte shpallje e kundraligjshme të Dekretit të presidentit të Republikës nr. 7404, datë 17 04 2012 për transferim prokurori. Gjatë shqyrtimit të kësaj padie, paditësi Saliaj paraqiti argumentet e tij lidhur me arsyet pse e kundërshton këtë vendim të prillit të vitit të kaluar, ndërkohë që edhe pala e paditur, përkatësisht ajo e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Presidencës paraqitën pretendimet e tyre pse duhej rrëzuar kjo kërkesë. Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtarja Enkelejda Metaliaj (Softa) e ka rrëzuar padinë e prokurorit të Beratit, Xhemal Saliaj.
Krimet e Rënda
Mungesa e gjyqtarëve në Apel, shtyhet gjyqi i Indrit Dokles
Mungesa e gjyqtarëve në Apelin e Krimeve të Rënda ka bërë që gjyqi ndaj Endrit Dokles dhe Izet Krasniqit të shtyhet. Sipas burimeve nga kjo gjykatë, gjyqtarët e Apelit janë konsumuar për shkak të çështjes së mëparshme me bandën e Durrësit apo dhe masat e sigurisë dhe për këtë arsye nuk mund të gjykohet nga këta gjyqtarë. Si zgjidhje pritet mbledhja e radhës e KLD-së, të cilës do t’i kërkohet delegimi i gjyqtarëve për gjykimin e kësaj çështjeje. Dokle dhe Krasniqi u dënuan me nga 16 vite burg secili për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të drogës”, trafik i cili drejtohej nga Dokle që nga burgu. Më parë, nga gjykata janë dënuar pjesa tjetër e grupit, të cilët ishin kryesisht korrierë të trafikut të heroinës drejt Italisë. Dokle dhe Krasniqi janë dënuar për të paktën dy episode.
Gjykatë
Shtyhet Dajti, avokati i Ministrisë së Drejtësisë nuk e merr përsipër
Dosja Dajti vazhdon të mbetet peng në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi u bënë të paktën 200 seanca dhe asnjë nga avokatët e caktuar nga shteti nuk e marrin përsipër. Dhe, kur u mendua se u gjet një zgjidhje përmes Ministrisë së Drejtësisë, edhe avokati i caktuar nga ky institucion për mbrojtjen e interesave ligjore të të pandehurit Dritan Dajti, nuk pranoi të marrë në mbrojtje këtë të fundit. Mbi të pandehurin Dajti rëndon akuza e vrasjes së katër punonjësve të policisë dhe shokut të tij në vitin 2009. Pak ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, duke i kërkuar zgjidhjen e ngërçit, pasi prej gati 2 viteve është bllokuar procesit gjyqësor ndaj Dajtit. Ky bllokim, ka ardhur për shkak se asnjë avokat I caktuar nga togat e zeza nuk merr përsipër mbrojtjen e tij.