Raportimi para sigurisë, Noka: Zbulueshmëria e krimit, në nivele historike, Rama të korrigjojë shifrat

0
119

Florenc Drizari

nokaMinistri i Brendshëm: Nuk ka asnjë lidhje mes Agimit të Artë dhe qytetarëve të territorit të Republikës së Shqipërisë

 

Shqipëria është një vend i sigurt dhe zbulueshmëria e krimit ka shënuar shifrat më të larta vitet e fundit. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga ministri i Brendshëm Flamur Noka një ditë më parë në Komisionin Kuvendor për Sigurinë Kombëtare, gjatë raportimit për situatën e rendit dhe veprimtarinë e Policisë së Shtetit. Sipas tij, situata e krimeve të rënda ka realizuar sukses në parandalimin e tyre nga forcat e rendit. “Evidentimi dhe ndjekja e krimeve të rënda ka shënuar arritje pozitive, si në drejtim të uljes ashtu dhe parandalimit. Në vitin 2012 u evidentuan 513 krime kundër personit dhe u zbuluan 474 ose 92% e tyre. Krahasuar me një vit më parë, krimet kundër personit kanë një ulje me 16 raste, si dhe rritje t forcës zbuluese me, duke qenë në nivelet më të larta të viteve të fundit”, – deklaroi ministri Noka. Duke folur për forcën parandaluese të uniformave blu, ministri i Brendshëm publikoi disa shifra që sipas tij tregojnë uljen e krimeve kundër jetës. “Sikundër tregojnë dhe shifrat ka një ulje të numrit të krimeve kundër jetës, në raport me një vit më pare me 16 krime më pak dhe, paralelisht, zbulueshmëria është rritur ndjeshëm, me rreth 5% më shumë se një vit më parë. Vlen të nënvizohet se është rritur ndjeshëm forca parandaluese. Janë parandaluar 220 vrasje të mbetura në tentativë dhe zbuluar 207 ose 95% e tyre, pra 4.2% me shumë se në vitin 2011, ku u evidentuan 211 vrasje të mbetura në tentative dhe u zbulua 190 ose 90% e tyre”.

Për Ramën

Ministri i Brendshëm Flamur Noka, duke raportuar para deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare përgënjeshtroi edhe disa nga shifrat që kryesocialisti Edi Rama ka publikuar lidhur me situatën e kriminalitetet në vend dhe kualifikimin e forcave të policisë. “Kam dëgjuar edhe kryetarin tuaj që thotë për policë me mesatare 5 apo për policë pa shkollë. Mund t’ju them që pas vitit 2005 në Policinë e Shtetit 95 për qind e personave të rekrutuar janë me arsim të lartë. Prandaj, i thoni kryetarit që ose të mësojë shifrat nga ata që ia japin, ose të korrigjojë shifrat, sepse nuk bëhet një politikë e tillë për policinë”, – deklaroi ministri Noka.

Për Agimin e Artë
Shqetësimit të ngritur nga nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjonit, lidhur me disa shkrime të bëra në media për ngritjen e strukturave nga partia neonaziste greke Agimi i Artë në jug të vendit, ministri Noka tha se pretendimet janë të paqena. “Nuk ka asnjë lidhje mes Agimit të Artë dhe qytetarëve të territorit të Republikës së Shqipërisë. Nuk është e vlefshme të merremi me një çështje të paqenë. Nuk kam bërë hetim se kush e ka sajuar, por mund t’ju them se është e pabazuar. Nuk ka asgjë të vërtetë me ngritjen e strukturave të Agimit të Artë këtu në Shqipëri. Është e gjitha sajesë, është një përrallë”, – deklaroi Noka.
Ndërkaq, seanca dëgjimore me ministrin Noka u shoqërua me debate lidhur me shifrat e publikuara nga ky i fundit dhe situatën e kriminalitetit në vend të perceptuar nga deputetët e opozitës. Raportimi i ministrit të Brendshëm para Komisionit të Sigurisë Kombëtare u shty për shkak të axhendës së tij të ngjeshur për t;u zhvilluar sërish ditën e martë.

 


 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency