Skënderbeu Fshihet në një libër fotoja më e vjetër, viti 1450

0
77

Violeta Murati

skenderbeuHistori/ Në një libër që shitet në Kalanë e Krujës, një foto që do të ngjallte debat ndër historianë

 

Fotografia që shihni më lart, që mban shënimin “Gjon Kastriotit me katër djemtë” e gjetëm në rrugë, pasi kalon portën e madhe në Kalanë e Krujës. Një burrë, rreth 75 vjetëve, me një libër në dorë është gati t’u rrëmbejë vizitorëve vëmendjen: librin e mban hapur mbi një faqe me foto, e pikërisht ndal të na tregojë këtë foto mjaft të vjetër të Skënderbeut të vogël, me babain e tij.

“Është origjinale, e vitit 1450. E kam siguruar nga arkivat turke”, thotë Baki Dollma. Kështu quhet burri që të lë në dorë librin “Vende dhe ngjarje historike të Krujës e Kurbinit”, botim 2010. Ai është krutan dhe si duket jetën e kalon në këto themele të vjetra të Krujës, ku edhe ka vendin e origjinës. Në fakt, mësojmë se Bakiu është ndër mësuesit e vjetër të historisë në zonë, i cili ka nxjerrë disa punë studimore e shkencore, duke bërë studime e botime për fjalën e rrallë dhe onomastikën, zhvillimin e arsimit shqip në Krujë, toponiminë dhe mikrotoponiminë e rrethit Krujë e Kurbin etj. Ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, për shumë vite ka kryer ekspedita leksikografike e historike në disa rrethe të Shqipërisë.

I thamë gjithë këtë lëndë biografike të Dollmës për të kuptuar prurjen e lëndës në librin e tij, po ashtu dhe të fotos së rrallë, që u ka shpëtuar syrit të historianëve në kryeqytet.

Fotoja duket se është e tipit gravurë, që mban hijen e errët të ngjyrës së vjetër, por që është një rast tjetër dëshmie, mjaft i rëndësishëm sikur të ishte në arkivat apo muzetë shqiptare. Sidomos atë të Krujës. Më poshtë botojmë, një fragment nga libri, ku shpjegohet prej Dollmës kështjella e Krujës, strategjia ndërtuese:

 

Kalaja e Krujës

Madhështore ngrihet në këtë qytet kalaja vigane, e cila në shekujt i ka rezistuar pushtuesve barbarë. Në sheshine saj të gurtë janë gjetur varre ilire të datuara nga shek IV e më pas, brenda të cilëve janë parë fibula, varëse bronzi, enë argjile etj.

Ndonëse e banuar në shek. IV-V për rrethimin me mure të kështjellës ka mendime të ndryshme. Sipas studimit të arkeologëve, është vërtetuar se fragmente muri të kështjellës kanë periudha të ndryshme kohore në ndërtim.

Mendoj që ndërtimet rrethuese i përkasin shekujve XII-XIII, në periudhën e sundimit të bijve të Progonit, Gjinit e Dhimitrit, por që janë përforcuar në periudhën e sundimit të Topiasve e Kastriotëve. Muret origjinale rrethuese, që ndodhen në oborrin e teqesë së Dollmës kanë trashësinë mbi 1.5 m dhe me llaç gëlqereje të stazhionuar. Sipërfaqja e kalasë është 2.25 ha, ndërsa muret rrethuese kanë një perimetër prej 804 m, me 11 kulla të rrumbullakëta e katërkëndore. Këtu luftoi Gjon Kastrioti, babai I Skënderbeut, por pa arritur lavdi (Histori e Skënderbeut, Fan Noli, fq. 21)

Shkrimtari turk Ibn Kemal ka shkruar: “Këta tigra të luftëtarëve malorë, nuk vunë kurrë përpara armikut të tyre mburojën e dobësisë e të përuljes”. Një dijetar gjerman i shekullit XVI shkruan: “Kalanë e fortë e të pamposhtur turqit mundën ta marrin më 16.06.1478 domethënë vetëm 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut”. Muret origjinalë të kalasë, disa pak të ruajtura, kanë një trashësi nga 0.8 m gjer 1.5 m. Ka mure me llaç të periudhës turke, por dhe fragmente që janë të epokës paraosmane si te oborri i teqesë së Dollmës.

Në mbrojtje të portës kryesore ndodheshin dy kulla, në dy krahët e hyrjes. Skaji jugperëndimor i kalasë, që përbën pjesën më të ulët, është i pajisur me sistem mbrojtjeje prej 3 kullash, dy të rrumbullakëta dhe një të segmentit katërkëndor. Më 1855 kryeministri turk Hurshid Pasha urdhëroi shembjen e mureve të vjetra të kalasë dhe zëvendësimin me të reja të sistemit turk me frëngji.

Në hyrje të kalasë ka pasur katër porta. Porta e parë ka qenë njëfletëshe e ulej e ngrihej vertikalisht. Dhe sot ekziston nga ana lindore e portave një fragment qemeri me tulla të hershme, i hapur si kanal ku porta ngrihej e ulej vertikalisht.

Porta e dytë ishte afro l m larg të parës, por me hapje nga jashtë. Sot ekziston një gur qemeri i gdhendur ku mbështetej kanati i anës lindore. Porta e tretë është afersisht te e sotmja, faktikisht tani duket porta e parë. Porta e katërt mendohet të ketë qenë afërsisht ku është e sotmja, pikërisht në fund të korridorit 22 m të gjatë, që të nxirrte menjëherë në oborrin e kalasë.

Sipër portës së tretë, sot e para, ka pasur të vendosur një pllakatë që në kohën e Zogut, shkruar për Skënderbeun, por ky objekt me vlerë historike është grabitur dhe nuk dihet se ku mund të ndodhet.

Në të djathtë të korridorit të portave ekziston dhe sot një mjedis që me sa duket ka qënë depo baroti. Ky ambient ka dy dritare, një nga ana lindore brenda kthinës së dytë harkore, kurse tjetra nga perëndimi. Thuhet se ka qenë dhe hapsane(burg) për të pabindurit. Te korridori hyrjes në dy anët, lindore e perëndimore ka nga dy dhomëza harkore, që kanë shërbyer si vendroje, por dhe si kuzhina për përgatitjen c ushqimeve të ushtarëve turq.

Në ndërtesat dhe muret rrethuese të kalasë sipas ekspertëve ka pasur pesë duar të dallueshme ndërtimore. Më i hershëm është një fragment muri në hyrje të kalasë ku ka qenë porta e parë e hyrjes me lartësi 3.7 m, që i përkiste shekujve VII-VIII.

Dora e dytë ndërtimore tregon një mur të harkuar me tulla e gurë, i cili është mbetje e një kulle të shtuar në anën e përparme të krahut të majtë të portës fillestare, që i përket shek. IX e.s. Në këtë kohë Kruja përgatitej të mbrohej nga ekspansioni frëng nga veriu, sulmi arab nga perëndimi e bullgar nga lindja.

Dorën e tretë ndërtimore e përbëjnë dy kullat që formojnë galerinë e parë që datojnë në shek. XI-XII. Periudha e katërt ndërtimore përbën korridorin e hyrjes. Këtë periudhë e përbëjnë ndërtimet e shumta nga Topiasit në shek XIV. Etapën e pestë e përbëjnë ndërtimet 34 vjeçare (1444-1478) të Kastriotëve për t’i rezistuar ushtrisë osmane. Hyn këtu në këtë etapë dhe ambienti i qëndrimit të rojeve me katër dhomëza me mbulesë harkore brenda korridorit e kulla cilindrike si dhe stera e ujit. Sipas Fallmerayerit, mbreti Alfons i Napolit dërgoi muratorët mjeshtër për meremetimin e kalasë së Krujës. Dhe në shekullin XVIII Toptanasit kanë bërë rindërtime fortifikuese në muret e kalasë në kohën e rrethimit të Krujës nga Bushatllinjtë.

Kalaja e Krujës qe dëmtuar nga tërmeti i vitit 1617 dhe nga pushtuesit turq më 1832.

Kullat që ekzistojnë sot në kala janë pesë të rrumbullakëta me lartësi cilindrike dhe 6 me bazë katërkëndore sipas ndarjes.

 

Kulla të rrumbullakëta:

2 në jugperëndim të teqesë së Dollmës, 1 te tabja e Sanxhakut afër shtëpisë së Muharrem Kalasë, kulla te shtëpia e Kupajve në hyrje të kalasë dhe një afër shtëpisë së Tomorr Merlikës, në lindje.

 

Kulla katërkëndore:

Një kullë pas teqesë së Dollmës, afër shtëpisë së Hysen Varoshit, bazamenti i kullës tjetër është te oborri i Besnik Kaçiut, dy kulla janë në lindje të kalasë, njëra është kulla e sahatit, tjetra 15m larg kësaj, bazamenti i së cilës ekziston. Thuhet se afër tyre në kohën e Skënderbeut ka qenë një mulli me erë. Dy kulla të tjera të larta janë afër kroit të Taslloit, jashtë murit të parë rrethues, njëra në gjendje të mirë, tjetra e dëmtuar. Këta dy kulla kanë qenë pika vrojtimi në ruajtje të kështjellës.

Në jug perëndim të kalasë ekziston dhe sot tuneli që të shpie të kroi i Taslloit. Është i gjatë 13.4 m, i gjerë mesatarisht 1.25 cm dhe i lartë 2.10 m.

Afër daljes, nga sipër, është një si oxhak ajrimi, pasi porta mbyllej hermetikisht nga një derë e hekurt kulla mbështetëse e së cilës ekziston dhe sot dhe ky tunel është i datuar i shek XIV. Nga populli ky tunel quhet porta e vogël ose porta sekrete.

Dy kullat poshtë, në perëndim të kroit ishin të lidhura me njëra tjetrën me mur, u cili zgjatej deri te kulla katërkëndore afër shtëpisë së Hysen Varoshit dhe ky mur përbënte murin e dytë fortifikues të kalasë, i cili shërbente dhe për të ruajtur ujin e Taslloit. Vonë, pasi u prish muri, që bashkonte dy kullat, turqit te Taslloi ndërtuan një vendroje për ujin me një mur të lartë 2m e të gjerë 0.8 m me mbulesë lart, ku qëndronte roja, që u prish më 1958.