Thirrja e Füles, Rama: Shqipërisë nuk i mungojnë tri ligjet për t’u bërë evropiane

0
36

Gëzim Saliu

ramaTryeza për rendin, kreu i PS-së: Rrënim i policisë, do të rrisim pagat e ndryshojmë gjendjen

 

Pas thirrjes së komisionerit të Zgjerimit në KE, Stefan Füle, drejtuar klasës politike për të votuar tri ligjet, kreu socialist Edi Rama deklaron se vendit nuk i mungojnë këto ligje për t’u bërë evropian. Duke folur në një tryezë për rendin, kryesocialisti ripërsëriti dje qëndrimin e shprehur edhe më parë lidhur me mungesën e votës për tri kushtet që përfshihen në kriteret e Brukselit për marrjen e statusit kandidat. “Shqipërisë nuk i mungojnë tre ligjet për t’u bërë evropiane, Shqipërisë i mungojnë tre pushtete. I mungon pushteti legjislativ, i marrë peng nga ekzekutivi. I mungon ekzekutivi i marrë peng nga korrupsioni. I mungon gjyqësori i marrë peng nga ekzekutivi dhe korrupsioni. Kush mendon të kundërtën apo kush bie në batakun e propagandës së tre ligjeve që na ndajnë nga parajsa, ose nuk do të shikojë, ose fatkeqësisht nuk ka sy për të parë”, – tha Rama.

 

Tryeza

Në tryezën e organizuar nga Partia Socialiste për rendin publik, kryesocialisti Rama duke theksuar se situata e sigurisë në vend është alarmante, akuzoi drejtuesit e ministrisë së Brendshme dhe policinë e shtetit për inkriminim dhe korrupsion të lartë. Sipas kreut socialist programi socialist për rimëkëmbjen e Policisë së Shtetit dhe për rivendosjen e dinjitetit të policit do të sjellë një ndryshim rrënjësor për forcat e rendit. “Ne do t’ua kthejmë qytetarëve sigurinë e humbur, duke filluar nga kthimi i sigurisë në jetën e policit, sigurisë në punë, sigurisë në raport me meritën, sigurisë në raport me detyrat. Sot policia është e shitur. Ky është fakt. Sot operacionet shiten, ky është fakt. Sot lidhjet, për të të cilat flet raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, garantojnë dështim operacionesh të njëpasnjëshme, ky është fakt”, tha Rama. Në këtë kontekst, lideri i selisë rozë premtoi se me ardhjen e PS-së në pushtet do të ketë një trajtim të ri financiar për forcat e rendit. “Angazhimi ynë për pagat, inspektori i policisë në vitin 2012 e filloi me 319 mijë lekë, me një mandat do ta çojmë 570 mijë lekë. Kryekomisari e filloi me 737 mijë lekë, me një mandat do ta çojmë 880 mijë lekë. Drejtuesi, 859 mijë lekë është totali me të cilën filloi vitin 2012, do ta çojmë në 1 milionë e 12 mijë lekë”, premtoi Rama. Më tej në fjalën e tij kreu i opozitës theksoi se asnjë polic i kualifikuar nuk do të humbasë vendin e punës me ardhjen e PS-së në pushtet. Rama bëri të ditur se PS do të hapë një luftë frontale me krimin dhe vendosjen e autoritetit të shtetit mbi gjithë territorin përmes policisë së shtetit në 300 ditët e para të qeverisjes socialiste. “Ne kemi në Shqipëri sot një numër të mjaftueshëm punonjësish të kualifikuar policie. Disa prej tyre janë ende në detyrë, disa prej tyre janë në punë të tjera. Disa prej tyre janë në rrugë. Ne kemi në Shqipëri sot një numër të mjaftueshëm punonjësish të kualifikuar policie për t’i mbledhur bashkë dhe për ta rikthyer policinë në krye të detyrës në mbështetje të qytetarit dhe në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të jetës, të punës dhe të pronës së secilit brenda 300 ditësh”, – u shpreh në tryezën e organizuar nga Partia Socialiste për rendin publik, kryetari Rama.

 

Noka: Rama kërkon të vendosë modelin e policisë së tij bashkiake, të mbushur me banditë

 

Pas akuzave të kreut të Partisë Socialiste, Rama, për Policinë e Shtetit, ka reaguar dje Ministria e Brendshme, e cila e ka cilësuar programin e prezantuar nga PS-ja për këtë çështje si një model të ngjashëm me atë që përdorte kreu socialist kur ishte kryebashkiak i kryeqytetit. “Z. Rama, duke pasur në krah Gramoz Ruçin dhe Luiza Xhuvanin, shpalosi modelin e fëmijëve të tyre, si shembull të motivimit të policisë në luftën kundër krimit dhe si fytyrën e re të rilindjes së policisë. Z. Rama mashtroi paturpësisht për nivelin e rrogave të efektivave të policisë, duke fshehur realitetin. Z. Rama të harrojë se shqiptarët do t’i japin mundësinë që të implementojë në Policinë e Shtetit, modelin e policisë së tij bashkiake, të mbushur me banditë dhe elementë të inkriminuar. Këtij modeli, vota e 8 majit i dha një refuzim kategorik. Me këtë politikë përbaltjeje, shpifjeje dhe trillimi, modeli i tij do të marrë sërish përgjigjen që meriton më 23 qershor”, – thuhej në reagimin e ministrisë së Brendshme.

 

Meta: Të votojmë tri ligjet për të marrë statusin para zgjedhjeve

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim e ka cilësuar si një mundësi të artë vizitën e komisionerit për Zgjerim në BE, Stefan Füle, i cili pritet që në fillimin e javës që vjen të vizitojë Tiranën dhe në takimet me krerët e politikës do përpiqet të mundësojë gjetjen e një zgjidhje për votimin e tre ligjeve për integrimin. Në këtë kontekst Meta ka bërë thirrje për konsensus mes palëve politike në vend, me qëllim që vendit t’i hapet drita jeshile për të marrë statusin para zgjedhjeve të 23 qershorit. “Është një lajm i mirë që komisioneri Füle vjen këtu për të nxitur dialogun mes palëve, për të favorizuar dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Kjo mundësi duhet të miradministrohet nga politika shqiptare, pasi gjetja e një konsensusi tani rrit mundësinë për marrjen e statusit para zgjedhjeve të 23 qershorit”, – tha Meta. Sipas kreut të LSI-së është e domosdoshme të gjenden urat e bashkëpunimit mes palëve kryesore të politikës, për të plotësuar tre pikat e kërkuara nga KE-ja. “Për ne ka shumë rëndësi të arrihet konsensus mes dy palëve, që Komisioni të ketë mundësi të bëjë avokatinë e Shqipërisë për marrjen e statusit”, theksoi Meta.


Integrimi, deputeti maqedonas: Cërvenkovski po bllokon si Edi Rama

Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti aktual i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milishoski, ka marrë si shembull liderin e Partisë Socialiste Edi Rama për të akuzuar kreun e opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski si bllokues të procesit të integrimit të vendit. “Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, të cilin përfaqësuesi i OSBE-së këtu e përmendi si një shembull negativ me veprimet e tij në Shqipëri, tani më nuk është vetëm. Atij i është bashkuar edhe një opozitar nga Maqedonia, i cili nuk po mundet t’i durojë rezultatet demokratike nga zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat vetë i kërkonte. Lideri i LSDM-së dëshiron bojkot, për ta kompensuar mungesën e reformave në partinë e tij”, deklaroi Miloshoski në konferencën e djeshme në Bruksel me temë: “Ballkani Perëndimor: Ardhmëria në Evropë”.

 

 

Debati për listat e deputetëve, Braçe: Zgjedhja nga udhëheqja shqetësim, duhet përfshirë baza

Deputeti i PS-së: Baza socialiste në lista përbën një vlerësim real të deputetëve dhe nxit konkurrencën

“Çdo hyrje e re duhet të meritojë qenien në Kuvend prej popullit të partisë, popullit të opozitës e më gjerë, jo thjesht të meritojë vlerësimin e 20 e kusur udhëheqësve”

 

Në Partinë Socialiste është hapur një debat i ri lidhur me listat e deputetëve për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Në kohën kur një pjesë e deputetëve e cilësojnë si të parakohshme dhe të pamundur që kjo listë të ndërtohet mbi përzgjedhjen e anëtarësisë socialiste, deputeti i PS-së, Erion Braçe, i cili ka qenë edhe nismëtari i kësaj ideje, kundërshton hapur kolegët e tij. Në një reagim ndaj deklaratave të fundit të kolegëve Marko Bello dhe më parë Olta Xhaçka, të cilët kanë shprehur skepticizmin e tyre lidhur me idenë e përzgjedhjes së deputetëve nga baza socialiste, anëtari i kryesisë së PS-së deklaroi dje se fakti më shqetësues mbetet ai që shumica e deputetëve të selisë rozë janë dakord që përzgjedhjen e kandidatëve të bëhet nga udhëheqja e partisë. Sipas Braçes propozimi për të zgjedhur deputetët nga anëtarësia e partisë, është në një linjë me zgjerimin e përfaqësimit. Ai nënvizon në reagimin e tij se një përzgjedhje e tillë përbën një vlerësim real të deputetëve dhe nxittë konkurrencën mes tyre. “Mendoj gjithnjë e më shumë se fitorja këtë herë vendoset në anëtarësi, përfshirjen e saj, dëgjimin dhe reflektimin ndaj saj, mobilizimin dhe shtimin në aksion. Askund tjetër!”, – u shpreh Braçe në rrjetin social “Facebook”.

 

Reagimi

“Përsëri ka dalë një koleg imi që thotë: Propozimi për të zgjedhur deputetët nga baza e partisë është i vonuar! Një javë më parë një kolege imja shkruante: Propozimi për të zgjedhur deputetët nga baza e partisë është i parakohshëm!! Para 6 muajsh, kohë kur e thashë këtë publikisht, më e talentuara ndër ta shkroi: Propozimi për të zgjedhur deputetët nga baza e partisë është një vrimë në ujë! Po e tejkaloj faktin që janë të parakorduar. Por shoh me shqetësim një fakt: Janë në një mendje që deputetët të mos i zgjedhë anëtarësia, por udhëheqësia!” Kështu ka reaguar dje anëtari i kryesisë socialiste Erion Braçe ndaj mendimeve të kolegëve të tij lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë nga PS për parlamentaret e 23 qershorit. Në këtë kontekst, Braçe ka nënvizuar se propozimi i bërë publik prej tij ka të bëjë konkretisht me zgjerimin e përfaqësimit të PS-së me njerëz që mbrojnë në kuvend interesat shoqërore. “Ky propozim korrekton edhe sistemin i cili për fat të keq i vizaton 90% të deputetëve si të “emëruar të udhëheqjes”, jo të “zgjedhur të popullit”. Por në anën tjetër bën edhe një vlerësim real të deputetëve, të punës së tyre në një mandat, nxit, rregullon e administron konkurrencën për çdo hyrje të re, e cila, duhet të meritojë qenien në Kuvend prej popullit të partisë, popullit të opozitës e më gjerë, jo thjesht të meritojë vlerësimin e 20 e kusur udhëheqësve!” Në përfundim, deputeti socialist deklaroi se ky propozim i tij nuk ka lidhje me asnjë interes personal. “Bëj pjesë në ato njerëz që beson fort se për të pasur një zë në opinionin publik apo për t’u bërë pjesë e fitores së bindjeve të tua apo organizatës ku bën pjesë jo gjithmonë është kusht të jesh deputet! Jam i çliruar prej vitesh nga ky “hall” dhe më i bindur këtë javën e fundit”. Propozimin e Braçes e kanë mbështetur më parë edhe disa ligjvënës socialistë si edhe anëtari tjetër i kryesisë së PS-së, Arben Malaj. Ky i fundit ka deklaruar se listat e deputetëve socialistë për zgjedhjet e 23 qershorit nuk mund të hartohen bazuar në mendimin e lidershipit të PS, por duke marrë edhe mendimin e anëtarësisë së thjeshtë dhe strukturave të partisë.