PPE: PS bllokoi integrimin, nëse nuk njeh zgjedhjet, problem për Shqipërinë

0
113

Ina Jano

PPEAnëtarësimi në BE nuk është një rendje drejt fundit, por një fillim që duhet të jetë i suksesshëm

Bojkoti i opozitës në çfarëdolloj forme nuk e ndihmon vendin

 

Partia Socialiste bllokoi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky është mesazhi i drejtpërdrejtë për opozitën shqiptare i ardhur nga kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Riccardo Migliori, i cili bën përgjegjëse selinë rozë për bllokimin e rrugës evropiane të shqiptarëve. Ai shkon edhe më tej, kur shprehet se në fakt nëse Partia Socialiste nuk do të njohë zgjedhjet që do të mbahen në 23 qershor, ky do të jetë një problem i madh për Shqipërinë. “Dua të ndalem tek zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Partia socialiste shqiptare bojkoton rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Duhet ti themi gjërat hapur. Se nëse partia socialiste nuk do njohë sërish rezultatin e zgjedhjeve të 2013, atëherë ne do kemi një problem me Shqipërinë. Por problemi ynë do të jetë partia që bojkoton zgjedhjet dhe jo qeveria apo shumica e popullit shqiptar. Duhet të jetë e qartë kjo, sepse përndryshe do të krijojmë sërish mosmarrëveshje. Ne duhet të mbrojmë një proces zgjedhor demokratik dhe transparent që Shqipëria ka ndërtuar gjatë këtyre viteve”, – u shpreh kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Riccardo Migliori, në konferencën e organizuar nga e djathta evropiane, në të cilën mori pjesë edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Megjithatë duket se është shprehur një farë pakënaqësie përsa i përket mosavancimit në rrugën e integrimit në vend. Keqardhjes së artikuluar nga komisioneri Stefan Füle i bashkëngjitet edhe ajo e eurodeputetëve: Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm, por avancimi në garën e integrimit është peng i tre ligjeve. Sipas eurodeputetëve, bojkoti i opozitës në çfarëdolloj forme nuk e ndihmon vendin.

“Në Shqipëri kam përshtypjen se janë bërë shumë arritje, por ka mosmarrëveshje midis qeverisë dhe opozitës. Nëse lexoni shtypin e përditshëm, ju do të habiteni, sepse nuk ka politikanë që e trajtojnë njëri tjetrin në këtë mënyrë. Tensioni midis forcave politike reflekton një imazh negativ për Shqipërinë, që vendi nuk e meriton. Më duhet të them, se është bërë shumë progrese nga qeveria, por fatkeqësisht opozita ka luajtur një lojë shumë të keqe. Opozita nuk ka mbështetur vullnetin e popullit shqiptar për të marrë sinjalin e duhur nga Brukseli, që shqiptarët janë në rrugë të mbarë. Ajo që mund të bëjmë ne, është që të themi që i duam shqiptarët në Bashkimin Evropian. Për të arritur këtë, ka ende disa hapa për të hedhur, por handikapin më të madh e shoh në radhët e opozitës”, – nënvizoi eurodeputetja, Doris Pack. “Mos prisni të realizoni reformat. Anëtarësimi në BE nuk është një rendje drejt fundit, por një fillim që duhet të jetë i suksesshëm”. Ky është konkluzioni i konferencës të Partive Popullore Evropiane për Ballkanin. Por në Shqipëri është pikërisht zvarritja e tre reformave që mban peng statusin e kandidatit. Eurodeputetët dhe përfaqësues të organizatave të tjera nuk kanë hezituar të fajësojnë hapur opozitën shqiptare për bllokimin e procesit të integrimit. Për Ministren e Integrimit të Shqipërisë, qartësia e mesazhit të Brukselit këtë radhë është edhe më e madhe. Tetorin e kaluar, komisioni i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil. Opozita e kushtëzoi një kompromis të mundshëm me zgjidhjen e çështjes së Qarkut të Fierit ku ajo pretendon se shumica ka uzurpuar drejtimin e tij. Sipas opozitës një seri vendimesh të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar i kanë dhënë të drejtë asaj. Por e djathta në pushtet pretendon të kundërtën duke shpjeguar se çështjet gjyqësore nuk kanë përfunduar ende. Ndonëse i gjendur nën presionin e kritikave për përdorimin e një kauze me interes më të vogël përballë atij për integrimit evropian, kryetari socialist i ka mëshuar faktit se në këtë rast bëhet fjalë për një çështje parimore, ku nuk ka kuptim të kërkohet miratimi i reformave në drejtësi kur vendimet e gjykatave sipas tij shkelen dhe nuk njihen nga qeveria. Për shkak të kësaj përplasjeje në dhjetor vendet anëtare të BE nuk morën dot një vendim për Shqipërinë duke lënë të hapur mundësinë që të shqyrtojnë kërkesën e saj për anëtarësim sapo të ketë përmbushur detyrimet e përcaktuara nga komisioni.

 

Füle të hënën në Tiranë, takim me liderët e politikës për votimin e tri ligjeve

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Füle, pritet të vizitojë Tiranën në fillim të javës së ardhshme në një përpjekje të fundit për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në parlament të tri reformave të përcaktuara nga Brukseli si kusht që vendi të marrë statusin kandidat. Komisioneri Stefan Füle do të bëjë një përpjekje personale për të çuar drejt kompromisit shumicën dhe opozitën në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë një shans për të marrë statusin kandidat qershorin e ardhshëm. Ai ka vendosur të vijë në Tiranë për t’u takuar me Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin socialist Edi Rama, të hënën e ardhshme. Vizita e tij këtë herë ka vetëm një objektiv, të mund të zgjidhë ngërçin që ka mbajtur të bllokuar avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. Duke folur në një konferencë për Ballkanin të organizuar nga e djathta evropiane, komisioneri Fule u shpreh se do të ishte mëkat nëse kjo çështje nuk do të tejkalohej. Sipas tij, Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tri reformat në mënyrë që komisioni t’i paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare.

 

Berisha-Niksiç: Bashkëpunim në energji, turizëm dhe agroturizëm

Në kuadër të vizitës së tij dyditore në vendin tonë, Kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Nermin Niksiç, e ka nisur vizitën e tij me takimin me homologun shqiptar, Kryeministrin Berisha. Në përfundim të bisedimeve dypalëshe, Berisha dhe Kryeministri Niksiç në një konferencë për mediat vlerësuan impaktin pozitiv të kësaj vizite, në kuadër të forcimit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. Kreu i qeverisë shqiptare ndërsa garantoi mbështetjen ndaj Bosnjë-Hercegovinës në përpjekjet e saj për anëtarësim në NATO, u shpreh se Shqipëria mbështet po ashtu integritetin territorial të saj, si një faktor madhor për paqen dhe stabilitetin në rajon. “Dy vendet tona kanë një potencial të madh bashkëpunimi në të gjitha fushat. Shqipëria mbështet përpjekjet dhe aspiratat e Bosnje Hercegovinës për bashkëpunimin dhe anëtarësimin e saj në Aleancën e Atlantikut. Të dyja vendet ndajnë përpjekjet e përbashkëta për anëtarësim në BE. Shqipëria mbështet integritetin territorial të Bosnjës-Hercegovinës, si një faktor madhor për paqen dhe stabilitetin, vlerëson rolin e saj në bashkëpunimin rajonal”, – tha ai. Më tej Berisha ka specifikuar edhe fushat në të cilat është parë e arsyeshme mes dy homologëve për bashkëpunim. “Turizmi, agrobiznesi, energjia paraqesin realisht mundësi shumë të mëdha bashkëpunimi mes dy vendeve. Prej shekujsh në B e H ka një prani shqiptare që është e respektuar, në Shqipëri ekziston një pakicë boshnjake e vendosur në Shqipërinë e mesme dhe që gëzon të gjitha të drejtat. Diskutuam mbi vlerësimin më të madh të dy vendeve tona për bashkëpunim dhe plotësimin e kuadrit ligjor” theksoi Berisha. Nga ana tjetër Kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Nermin Niksiç falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen shtetërore ndaj tij, ndërsa shtoi se kjo klimë miqësore dhe bashkëpunimi mes dy vendeve nxit më tepër zgjerimin e marrëdhënieve në fusha specifike.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency