Kuvendi ndan sot mandatet për 23 qershorin, PS kundër

0
37

Florenc Drizari

kuvensiKuvendi i Shqipërisë pritet të votojë ndarjen e mandateve sipas skemës së 2009-ës

 

Kuvendi i Shqipërisë pritet të marrë në shqyrtim në seancën e sotme parlamentare ndarjen e mandateve sipas zgjedhjeve të shkuara të vitit 2009-të. Projektvendimi për ndarjen e mandateve mund të merret edhe me 71 vota në Kuvend dhe për këtë priten debate të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës, për faktin se të dyja palët vijojnë të mbajnë qëndrime të kundërta.

Pas ngërçit të krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më 23 nëntor të vitit të shkuar ku anëtarët e komisionit nuk arritën të merrnin një vendim me shumicë të cilësuar votash për ndarjen e mandateve, rreth një muaj më pas, administrata e KQZ-së ia dorëzoj Kuvendit çështjen në fjalë duke rekomanduar projektvendimin e 2009-ës. Kalimi i çështjes për ndarjen e mandateve në parlament, pa marrë më parë një vendimmarrje në KQZ u kundërshtua nga opozita e cila kërkoi që më parë ndarja e mandateve duhet të bëhej në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Përpos kësaj, Komisioni i Ligjeve disa ditë më parë zhvilloi edhe një seancë dëgjimore me dy krerët e KQZ-së, kryetaren Lefterie Lleshi dhe nënkryetarin Denar Biba, të cilët nga ana e tyre shpjeguan ngërçin e krijuar në komision mbi ndarjen e mandateve. Kryetarja e KQZ-së Lleshi, deklaroi se çështja është ezauruar në komision dhe vendimmarrja përfundimtare i përket Kuvendit, ndërsa nënkryetari Biba u shpreh për rikthimin e çështjes në KQZ. Sipas ndarja e mandateve mund të bëhej edhe sipas propozimit të administratës; propozim të cilin ai kishte refuzuar ta votonte më parë me argumentin se duheshin hetuar dyshimet që ngriti përfaqësuesi i PS në KQZ, për shtimin e popullsisë në katër komuna të Qarkut të Kukësit.
Por Komisioni i Ligjeve miratoi propozimin e relatorit Edi Paloka, propozim i cili ngarkon Kuvendin të miratojë ndarjen e mandateve. Në propozimin e tij, deputeti demokrati Edi Paloka propozoi ndarjen e mandateve sipas skemës së 2009-ës, ashtu siç kishte ardhur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, duke argumentuar se KQZ nuk arriti të miratonte projektvendimin për ndarjen e re të mandateve dhe se Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të marrë kompetenca që nuk i përkasin.

Por vendimi i Komisionit të Ligjeve për të bërë ndarjen e mandateve sipas skemës së zgjedhjeve të kaluara parlamentare, u kundërshtua nga përfaqësuesit e PS-s të cilët kërkuan rikthimin e çështjes edhe njëherë në KQZ. Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Denar Biba pak ditë më parë e riktheu edhe njëherë këtë çështje për diskutim, por kryetarja e komisionit Lefterie Lleshi nuk pranoi ta përfshinte në rendin e ditë, edhe pse lidhur me këtë temë anëtarët e KQZ-së zhvilluan një debat të gjatë mes tyre.

Ekspertët

Por shqyrtimi i ndarjes së mandateve nga Kuvendi i Shqipërisë sipas skemës së zgjedhjeve të shkuara parlamentare dhe në mungesë të një vendimi në KQZ, nuk ka qenë vetëm çështje debatesh mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të deputetëve mazhorancë-opozitë. Pjesë e diskutimeve janë bërë edhe ekspertët e zgjedhjeve, ku edhe mes tyre ka pasur përplasje qëndrimesh për këtë çështje. “Nëse a duhet të bëjë ndarjen e 2009-ës Kuvendi, a duhet të bëjë një ndarje të re, apo atë ndarje që po bënte KQZ-ja po që s’arriti të kishte 5 vota, Kuvendi është i detyruar të zbatojë procedurën e nenit 75, që është formula përkatëse, atë është i detyruar ta bëjë Kuvendi. E bëri KQZ-ja s’arriti të merrte votat, këtë gjë do ta bëjë Kuvendi…kaq është historia”, – ka thënë dy ditë më parë ish-kreu i KQZ-së, Rustem Gjata. Ndërsa juristi i njohur Kristaq Kume ka deklaruar: “Kuvendi nuk mund të hyjë dot në procese llogaritëse, nuk është në tagrin të punëve të Kuvendit. Kuvendi më e shumta që mund të bëjë do të ishte një amendim i asaj çka ai ka marrë vendim përpara, pra amendim dhe lënia në fuqi të vendimit që ai ka marrë në kuadër të ndarjes së mandateve për zgjedhjet e 2009, më tepër nuk mund t’i kërkohet Kuvendit që të bëjë një gjë të tillë”.

 

 

 

Heqja e tatim-fitimit, Topalli: Përfitojnë më shumë se 200 mijë punonjës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka mbështetur qëndrimet e Kryeministrit Berisha të bëra publike pak ditë më parë për heqjen e tatimit mbi të ardhurat prej 10 për qind për rrogat nën 30 mijë lekë, dukë thënë se me këtë vendim që pritet të kthehet në ligj, përfitojnë mijëra punonjës në sektorin privat dhe publik. “Me vendimin e ardhshëm të heqjes se tatimit mbi të ardhurat personale prej 10% (për rrogat nen 300 000 lekë )dhe për rrjedhojë të rritjes se rrogës me 10% ose më shumë se një rrogë shtesë në vit, përfitojnë 200 mijë punonjës vetëm nga sektori privat .Po ashtu dhe se paku 15 mijë nga i gjithë sektori publik. Ne jemi ndryshimi Përpara”, – ka shkruar në profilin e saj në Facebook Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

 

Analiza e KLSH-së, Nishani: Të jeni agresivë përballë shkeljes së ligjit

Gjatë analizës vjetore të KLSH-së, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, inkurajoi Kontrollin e Lartë të Shtetit për luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe përmbushje me përgjegjshmëri të misionit të tij të rëndësishëm. Kreu i shtetit theksoi rëndësinë nga ky institucion në ruajtjen e forcimin e pavarësisë së tij, nga interesat që mund të preken, për shkak të zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës. Nishani vlerësoi rezultatet e arritura nga KLSH gjatë muajve të fundit, të cilat, sipas tij, janë inkurajuese. “Numri i auditimeve të kryera nga KLSH ka një rritje të madhe dhe kjo është tregues i punës dinamike dhe angazhimit në kryerjen me përgjegjësi të detyrës”, – tha Nishani. Presidenti i Republikës nënvizoi rëndësinë e përgjegjshmërisë në kryerjen e misionit nga KLSH, ndërsa theksoi rëndësinë për të mos u tërhequr para presioneve nga shkelësit e ligjit. “Ju inkurajoj të jeni agresivë në përmbushjen e detyrimit tuaj ligjor. Në punën tuaj keni sfida të ndryshme dhe përplasje, për sa kohë detyra ju adreson në interesa që sjellin përfitime të paligjshme, ndaj dua t’u inkurajoj të mos stepeni dhe dorëzoheni para çdo lloj presioni apo ndërhyrje, ngado që mund t’u vijë”, – iu drejtua Presidenti Nishani punonjësve të KLSH-së, të pranishëm në analizën vjetore.

 

MPJ: Ndjekim me shqetësim kthimin e shqiptarëve në pikat kufitare greke

Ministria e Jashtme reagoi dje me anë të një njoftimi për shtyp në lidhje me kthimin e qytetarëve shqiptarë nga autoritete greke për toponimiket që përdorin në dokumentet e tyre të identitetit. “Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, priti sot përfaqësues prej shtetasve shqiptarë të ndaluar mëngjesin e sotshëm në aeroportin ndërkombëtar të Athinës “Elefterios Venizelos”. Ministri Panariti dëgjoi me vëmendje shqetësimet e ngritura nga qytetarët shqiptarë të kthyer nga autoritetet greke dhe garantoi se Ministria e Jashtme po ndjek me shumë prioritet situatën e krijuar. Ministria e Jashtme sqaron se ka paraqitur propozimet përkatëse te pala greke për zgjidhjen e problemit të toponimeve, bazuar në praktikat e njohura ndërkombëtare për këtë çështje”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.