Mario Baloteli është i sigurt se tek Milani do të hedhë një hap më shumë në karrierën e tij dhe se do të ngjitet në nivelin e pritshmërive që të gjithë milanistët shpresojnë që ai të arrijë.
Në një deklaratë përpara prezantimit zyrtar, në Milano, ai tha: “Prej kohësh kam dashur që të luaj me Milanin dhe e dija që kjo do të realizohej që në fillim të merkatos. Kur u shfaq mundësia, e kapa në ajër. Kam bërë një zgjedhje të rëndësishme dhe jam shumë i lumtur për këtë. Nuk ka qenë një sezon shumë i mirë për mua deri tani tek Mançester Siti, por tek Milani do të rikthehem në nivelin tim më të mirë”. Për sulmuesin, i cili do të prezantohet në orët në vazhdim me fanellën numër 45, një numër i madh tifozësh dhe gazetarësh në pritje, të cilët e pritën me brohorima dhe kore.
Galiani
I përfshirë nga entuziazmi u deklarua në shtypin italian edhe administratori i deleguar i klubit, Adriano Galiani. “Nuk ka nevojë të prezantosh Marion. Është një ëndërr që bëhet realitet. Ai gjithmonë ka qenë në zemrën e klubit dhe të Berluskonit. Me mbërritjen e tij përforcohemi së tepërmi. Jemi shumë të lumtur që ia dolëm mbanë, pasi ai ka qenë gjithmonë një përparësi për ne”, – tha Galiani.
Marrëveshja
Milani dhe Mançesteri gjetën marrëveshjen për 23-vjeçarin ditën e martë, kur u ra dakord që transferimi i tij të realizohej mbi bazën e 20 milionë eurove, të pagueshëm në pesë këste dhe tre milionë euro shpërblim mbi performancën. Sulmuesi italian ka pranuar të ulë rrogën e tij vetëm e vetëm që të kthehet të luajë në Itali. Do të përfitojë 4 milionë euro në sezon, ndërsa tek Siti paguhej 5 milionë euro.
Morati: Balo nuk na duhej
Tifozëve të Interit nuk u ka pëlqyer shumë deklarata që ka bërë dje presidenti i kësaj skuadre, Masimo Morati, i cili ka folur rreth Mario Balotelit dhe transferimit të këtij të fundit te Milani. “Për Milanin, blerja e Balotelit është një pazar i mirë, por ne nuk kemi asnjë problem. Ai nuk na nevojitej. Ka qenë më përpara këtu te Interi, ndërsa ne tani duhet thjesht të mbulojmë ato boshllëqe për të cilat kemi nevojë. Baloteli mund t’i nevojitet Berluskonit për shumë arsye të ndryshme”, – ishte batuta e presidentit zikaltër.
Por menjëherë kjo frazë e tij është kthyer ndër më të tallurat në internet. Në rrjetet sociale kanë filluar një seri e gjatë batutash rreth fjalëve të Moratit dhe dështimeve të tij të jashtëzakonshme në merkato në të kaluarën, sidomos kur bëhej fjalë për kalimin e futbollistëve te Milani.
“Qatargate”
Platini akuzon “France Football”
Mishel Platini ka reaguar kundër publikimit nga revista franceze “France Football” të skandalit të quajtur “Qatargate” ku pretendohet se pikërisht presidenti i UEFA-s ka qenë një prej organizatorëve të shitjes së votave, në mënyrë që Katari të fitonte të drejtën e zhvillimit të Botërorit 2022. Sipas Platinisë, gjithçka është e bazuar në shpifje dhe gënjeshtra. “Të mendosh se vota ime për Katar 2022 erdhi nëpërmjet marrëveshjeve mes shtetit francez dhe atij të Katarit është spekulim dhe kompromenton ata që shkruajnë gënjeshtra të tilla”, – tha Platini në një deklaratë për “AFP”. “Nuk përjashtoj mundësinë që t’i hedh në gjyq të gjithë personat që vënë në dyshim integritetin tim për këtë votim”, – vazhdoi numri një i UEFA-s. Sipas revistës së famshme franceze, gjithçka është organizuar në një takim sekret në Pallatin Elize, rreth 1 javë para votimit në FIFA, takim ku ishte i pranishëm Presidenti francez Nikola Sarkozi, Princi i Katarit, Tamin bin Hamad al-Tani, Mishel Platini, si dhe Sebastien Bazin, përfaqësuesi i “Colony Capital”, kompania që më parë kishte në pronësi klubin e Paris Sent Zhërmen, i cili kishte vështirësi të mëdha financiare. Gjatë këtij takimi u vendos për shitjen e PSZH të sheikët e Katarit, rritja e aksioneve të tyre në grupin “Lagardere”, krijimi i një rrjeti të ri sportiv (atij që tashmë është “BeIn Sport”) për të rivalizuar “Canal+”, gjithçka në këmbim të votës së Platini për Katarin dhe jo për SHBA. “Siç e kam thënë edhe më parë, presidenti Sarkozi nuk më ka kërkuar asnjëherë që të votoja për Katar 2022, pasi ai e di që unë jam një njeri i lirë”, ishte reagimi i Platini. “Vendimin e kam marrë në pavarësi të plotë, duke ndjekur një logjikë të thjeshtë për të qenë sa më të hapur ndaj vendeve që nuk kanë organizuar ende aktivitete madhore sportive”, – tha ai.
Akuzat
Shangai Shenhua “bllokon” Drogbanë
Shangai Shenhua ka bërë të ditur se është gati të ndjekë në çdo instancë çështjen e transferimit të Didier Drogbasë, duke pretenduar se lojtari ka ende një kontratë me ta dhe nuk mund të kalojë te Gallatasaraji.
Të hënën, klubi turk deklaroi se kishte një akord me lojtarin për transferimin te kjo skuadër menjëherë pas përfundimit të Kupës së Kombeve të Afrikës që po zhvillohet aktualisht në Afrikën e Jugut.
Por klubi kinez, të cilit Drogba iu bashkua pas largimit nga Çelsi në verë, ka publikuar një deklaratë ku e përshkruan si “shumë tronditës” këtë lajmërim, duke insistuar se futbollisti ka një kontratë që e mban në Kinë. “Ne e kuptojmë se Drogba dëshiron të luajë në Ligën e Kampioneve. Klubi i futbollit Shangai Shenhua dhe Didier Drogba kanë nënshkruar me 1 korrik zyrtarisht një kontratë formale për një periudhë prej dy vitesh e gjysmë. Klubi ka vepruar sipas kësaj kontrate dhe ka përmbushur në mënyrë efektive përgjegjësitë dhe detyrimet e tij. Aktualisht, Drogba është ende një lojtar i Shangai Shenhua, pasi kontrata mes palëve është brenda periudhës së vlefshmërisë. Shangai Shenhua është i përgatitur të mbledhë të gjitha provat dhe informacionet dhe t’ia dërgojë FIFA-s në mënyrë që të mbrojë interesin e vet”, shkruhej në deklaratën e klubit kinez. Kjo situatë ka bërë që tashmë të hidhen dyshime të forta se Drogba do të kalojë në radhët e Gallatasarajit, të paktën pa paguar një dëmshpërblim të ndjeshëm ndaj skuadrës kineze ku mbijetoi vetëm për 6 muaj.
Kupa e Afrikës
Togo siguron kualifikim për në çerekfinale
Kombëtarja e Togos ka siguruar kualifikimin për në çerekfinalet e Kupës së Afrikës, pasi barazoi ndaj Tunizisë me rezultatin 1-1. Por afrikano-veriorët humbën një shans të artë për të vazhduar garën, ndërsa Khaled Mouelhi gaboi nga pika e bardhë e 11-metërshit, 12 minuta para përfundimit të takimit. I njëjti lojtar realizoi penalltinë në minutën e 30-të dhe barazoi rezultatin ndaj rivalëve. Emanuel Adebajor i dha një pasim të saktë Serge Gakpesë, në minutën e 13-të, në shënimin e golit të avantazhit, edhe pse lojtari i Togos duket në pozicion jashtë loje. Në 25 minutat e para janë togolezët që dominojnë. Më pas është radha e “Shqiponjave të Kartagjenës” që të sulmojnë. Kjo gjendje do të vazhdojë edhe në pjesën e dytë, deri në minutën e 70-të, kur Togo ndërron strategji dhe Adebajor ka raste për të shënuar. Sfida ka pasur kontestime për gjykimit të arbitrit Daniel Benet, por në fund Togo për herë të parë kalon në çerekfinale të Kupës së Afrikës. Përballja e radhës do të jetë të dielën, ndaj Burkina Fasos në stadiumin e Nelspruitit. Didier Drogba dhe grupi kanë pasur një ndeshje të vështirë ndaj Algjerisë, ku barazojnë, ndërsa ishin dy gola në disavatnazh. Kombëtarja nga Afrika e Veriut ishte e eliminuar nga turne, por iku nga ky kompeticion me kokën lart. Të katër golat u shënuan në 16 minuta në pjesën e dytë. Ishte Sofiane Feghouli që në të 64-ën kaloi ekipin në avantazh dy minuta pasi hyri në lojë, ndërsa zëvendësoi Riad Boudebouzin, që gaboi në pjesën e parë një penallti. Në të 70’ vjen goli i dytë për Algjerinë, me anë të Hilal Soudanit, që realizoi me kokë pas një krosimi perfekt nga Feghouli nga e djathta. Bregu i Fildishtë e kishte siguruar kualifikimin për në çerekfinale, por sërish nuk e pranoi disavantazhin. Ata shkurtuan rezultatin në të 77-ën, me anë të Drogbasë që realizoi me kokë. E tri minuta më pas vjen goli i barazimit me anë të një gjuajtje të fuqishme të Uilfried Bonit.
Legjenda
Netzer: Gjermania është favorite e Brazil 2014
Një nga lojtarët më të mirë të “Die Mannschaft” të viteve ;70, Gynter Netzer, konsideron kombëtaren gjermane si favorite për titullin në Botërorin e vitit të ardhshëm. “Absolutisht që kemi të gjithë cilësinë e nevojshme për të fituar Botërorin. Spanja mbase është ende favorite, por herët apo vonë do të humbasin dhe ne duhet të jemi aty që të përfitojmë. Besoj se kjo do të ndodhë që në Brazil 2014”, – deklaroi dy herë futbollisti më i mirë i Bundesligës, në vitet 1972-73, në të përditshmen “Bild”. Netzer, i cili luajti dhjetë vjet me Borusian e Mynshengladbahut, përpara se të transferohej tek Reali i Madridit në vitin 1973, u tregua i pakursyer në lëvdatat e tij për trajnerin Hoakim Lëv. “Kam vetëm komplimente për punën e tij. Ai ka zhvilluar në kombëtare një stil loje që të bën për vete dhe jashtëzakonisht të suksesshme. Tashmë mbetet vetëm hapi i fundit për t’u hedhur, një titull i madh. Gjermanët që po shohin këtë përfaqësuese sot, nuk kanë parë kurrë në të shkuarën një stil të njëjtë loje”, – shtoi Netzer.





