Thjeshtimi i procedurave në gjykatë, dëshmia e trashëgimive të kalojë te noterët

0
152

Sonja Caka

gjykaatPropozimet për ndryshime në Kodin Civil/ Urdhrat e ekzekutimeve jo më me proces më vete, njoftimi për seancat me e-mail, dhe dixhitalizim të gjithë sistemit gjyqësor dhe gjykime në Gjykatë të Lartë edhe me trupa gjyqësore me 3 anëtarë

 

Në ndihmë të qytetarëve për t’u ofruar sa më tepër lehtësira në procedurat e disa proceseve që kanë lidhje me gjykatën, dy prej të cilave janë dëshmitë e trashëgimive dhe procesi i urdhrave të ekzekutimeve të lëshuara nga gjykatat. Këto dy momente është menduar të zgjidhen në procedura më të shkurtuara, njëra me ndihmë të noterëve, duke u kaluar atyre procesi i lëshimit të dëshmisë së trashëgimisë dhe tjetra duke mos vijuar më me hapjen e një procesi për urdhra ekzekutimi në gjykata, por duke ia lënë mundësinë kësaj të fundit që pas dhënies së një vendimi të vijojë edhe me procedurën e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit. Por, këto dhe të tjera ndryshime të propozuara nuk mund të bëhen pa ndryshime në Kodin Civil dhe atë të Procedurës Civile, si dhe pa e diskutuar më parë me grupet e interesit. Për këtë arsye, dje në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua një takim ku nga ana e këtij institucioni u lançua një paketë nismash për një sistem drejtësie sa më eficent. Ishte vetë ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, i cili bëri me dije të gjitha nismat e përfshira në këtë paketë, duke i mëshuar faktit se synimi kryesor është funksionimi i një sistemi të drejtësisë sa i pavarur, aq dhe eficent. “Vijmë me një paketë që ka në fokus jo vetëm eficencën, por dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët. Vijmë me një paketë ligjesh që shkon në favor të qytetarëve dhe sistemit bankar. Ndryshimet kanë të bëjnë me lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë nga gjykatat dhe kalimi i tyre tek noterët”, – vuri në dukje Halimi. Sipas tij, përmes këtij propozimi do të eliminohet jo vetëm kostoja financiare, por dhe do të shkurtohet dhe koha fizike. Gjithashtu, nisur nga fakti se në sistemin gjyqësor është aplikuar portali dixhital, kjo paketë vjen me një tjetër nismë atë të njoftimit me sms për zhvillimin e seancave, për atë që ka kaluar dhe atë që do të vijë. Njëkohësisht, do të kalohet dhe kalendar elektronik i çështjeve gjyqësore, me qëllim që të mos ketë më shtyrje apo mos zhvillim seancash për shkak se një gjyqtar mund të ketë në njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë seancë në dy vende të ndryshme. Në vazhdën e lançimit të kësaj pakete, ministri Halimi bëri me dije se përmes këtyre ndryshimeve do të bëhet e mundur që gjykimi në Gjykatën e Lartë të bëhet nga tre gjyqtarë dhe jo më nga 5 të tillë, duke sjellë në këtë mënyrë edhe krijimin e trupave të reja gjyqësore. Në prezantimin e kësaj reforme në drejtësinë civile, ministri i Drejtësisë mori mbështetje edhe nga grupet e interesit si nga bankierët, gjyqtarët e juristët, konkretisht nga znj. Shpresa Beçaj, Drejtuese e Konferencës Gjyqësore Kombëtare (TBC), z. Ervin Metalla, Unioni Gjyqtarëve të Shqipërisë, znj. Mimoza Sadushi, kryetare e Dhomës së Noterisë ,z. Altin Shegani, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

Prezantimi

Duke prezantuar paketën e re ligjore, ministri Halimi u shpreh se kjo është një paketë, e cila ka në fokus eficencën e sistemit gjyqësor dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët. “Sot prezantojmë paketën e ligjeve që shkojnë në favor të interesit të qytetarëve dhe sistemit bankar, sistem që është jetik në kohët që jetojmë, në kushtet kur kërkohen imunitete ndaj krizës ekonomike dhe një rritje e qëndrueshme ekonomike dhe nuk ka kohë për të humbur për shkak të procedurave të tejzgjatura që zhvillohen në sistemin gjyqësor”, – tha Halimi. Duke dhënë detaje të reformës, ministri Halimi tha se kemi një paktë ligjore, e cila ka të bëjë me heqjen e trajtimit të trashëgimisë nga gjykatat dhe kalimin e procesit tek noterët, duke eliminuar procedurat gjyqësore për çështjet e  trashëgimisë, si dhe ulur kostot për qytetarët. Ndërkohë, reforma parashikon dhe lehtësimin e procedurave për urdhrat e ekzekutimit, krijimin e një portali unik për aksesin online në hipotekë, regjistrin e përmbaruesve etj. Por, sipas ministrit Halimi, një pjesë e rëndësishme e reformës në drejtësi janë dhe nismat për dixhitalizimin e sistemit gjyqësor, reforma në Gjykatën e Lartë, që parashikon gjykime të çështjeve me një trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, duke përshpejtuar proceset, etj. “Reformat tona kanë në qendër qytetarin. Ato janë konkrete dhe të prekshme”, – theksoi ministri Halimi.

Apeli

Ministri Halimi, pasi mori mbështetje nga grupet e interesit në ndërmarrjen e reformës në Kodin Civil dhe në Kodin e Procedurës Civile, apeloi që kjo reformë te mos jetë peng i opozitës në parlament, duke u bërë thirrje atyre që t’i votojnë këto ndryshime. “I ftoj deputetët të ngrihen ne përgjegjësinë e tyre politike, për t’i votuar këto ndryshime  në respekt të qytetarëve që i kanë votuar”. Drafti i projektligjeve të propozuara do të jetë në faqen e ministrisë së Drejtësisë, në mënyrë që të konsultohet nga të tëra palët pjesë të procesit. Lidhur me ndryshimet që synojnë mbrojtjen e sistemit bankar për ta bërë më akselerues procesin e ekzekutimit të kolateralit, z. Seyhan Pencapligil, kryetar i Shoqatës së Bankave, pas falënderimeve, i cilësoi këto ndryshime si “hapat e duhur, në kohën e duhur dhe në drejtimin e duhur”. Në fjalën e tij ai theksoi faktin se këto ndryshime ligjore nuk duhet të shihen si një çështje politike, por si nisma që synojnë të zgjidhin çështjet ekonomike dhe i vijnë në ndihmë qytetarëve dhe biznesit.

Ku konsistojnë ndryshimet

* Heqjen e trajtimit të trashëgimisë nga gjykatat dhe kalimin e procesit tek noterët, eliminon procedurat gjyqësore dhe ul kostot për qytetarët

* Lehtësimin e procedurave për urdhrat e ekzekutimit

* Krijimin e një portali unik për aksesin online në hipotekë dhe regjistrin e përmbaruesve

* Nismë për dixhitalizimin e sistemit gjyqësor

* Reforma në Gjykatën e Lartë, që parashikon gjykime të çështjeve me një trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, duke përshpejtuar proceset

 

Ndryshimet në kodet civile, disa propozime të kreut të Gjykatës së Lartë

Kryetarja e Gjykatës së Lartë u paraqit në tryezën e diskutimeve të organizuar nga Ministria e Drejtësisë me disa propozime të rëndësishme për mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, të cilat mund të përfshihen në draftin e përgatitur për ndryshimet në dy kodet, konkretisht në Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës Civile. Sipas kryegjyqtares Beçaj, në nenin 6 të projektligjit (i cili ndryshon nenin 141), sugjerohet që njoftimi për personat juridikë jo shtetërorë mund të bëhet edhe nëpërmjet e-mailit, pra duke e parashikuar si një mundësi dhe jo domosdoshmëri duhet, siç është parashikuar në projektligj. “Në nenin 7 të projektligjit (i cili ndryshon nenin 154) sugjerojmë që njoftimi me mesazh në aparat celular (nëse ka), të shihet si një mundësi, përveç formës së zakonshme, dhe jo si domosdoshmëri” vijoi më tej në sugjerimet e saj znj. Beçaj. Një tjetër aspekt ku kreu i Gjykatës së Lartë mendon se duhet t’i kushtohet vëmendja është dhe gjykimin në apel, sidomos lidhur me faktin e paraqitjes se kërkimeve dhe provave të reja. “Tashmë në legjislacionin e disa shteteve, si dhe në rekomandimet e organizmave ndërkombëtare është kristalizuar parimi se në apel palët nuk mund të paraqitin kërkime e prova të reja të cilat nuk janë kërkuar apo debatuar në gjykimin e shkallës së parë, përveç rasteve kur provohet pamundësia e marrjes së tyre. Aktualisht, sipas K.P.C. palët mund të paraqesin në gjykimin në apel prova të reja në mbështetje të pretendimeve të tyre (një parashikim të tillë e gjejmë dhe te neni 563 i K.P.C. franceze). Ne sugjerojmë që kjo praktikë të ndryshojë, në sensin që në parim palët të mos kenë të drejtë të paraqesin në apel prova të reja. Duke qenë se pala ka iniciuar një procedim gjyqësor prezumohet se i ka mbledhur provat që ajo i gjykon të nevojshme për të mbrojtur të drejtën që supozon se është i shkelur, dhe gjyqtari i shkallës së parë vendos, sipas bindjes së tij të brendshme, mbi atë ç’ka i është paraqitur atij në gjykim” vijoi propozimet dhe sugjerimet e saj kryegjyqtarja e vendit, ndërsa shtoi edhe një sërë mendimesh për pika të tjera të draftit të paraqitur.



Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency