Mandatet përfundimisht në Kuvend, përfaqësuesi i PS-së: U kërkojmë të falur shqiptarëve

0
145

Florenc Drizari

kqzLleshi: Procedura, sipas Kodit Zgjedhor, i ka kaluar Parlamentit

 

Ndarja e mandateve do të bëhet përfundimisht nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën e radhës plenare, ndërkohë që diskutimi i kësaj çështjeje një ditë më parë në KQZ shkaktoi përplasje të ashpra qëndrimesh mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës. Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, kërkoi rikthimin e çështjes së ndarjes së mandateve sërish në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për këtë kërkoi nga kryetarja e KQZ-së se përse shkresa e tij nuk ishte pranuar në rendin e ditës, ndërsa nga ana e saj, zonja Lleshi tha se kërkesa nuk përbënte objekt shqyrtimi. Sipas kryetares Lleshi KQZ i ka ezauruar të gjitha mundësitë për ta përmbyllur këtë çështje në komision dhe tashmë ndarja e mandateve është detyrim i Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkaq, pas ngërçit të krijuar në mbledhjen e datës 23 nëntor në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku palët nuk arritën të merrnin një vendim me shumicë votash për ndarjen e mandateve, administrata e KQZ ia kaloi çështjen rreth një muaj më pas Kuvendit të Shqipërisë.

Lleshi

Kërkesa e numrit dy të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rikthimin e shqyrtimit të çështjes së ndarjes së mandateve në KQZ solli edhe reagimin e kundër të kryetares së komisionit Lefterie Lleshi, por edhe të anëtarëve të tjerë të propozuar nga mazhoranca në komision, të cilët e quajtën antikushtetuese propozimin e bërë nga tre përfaqësuesit e opozitës. “Ne e kemi ezauruar si procedurë. Procedura sipas Kodit Zgjedhor, i ka kaluar Parlamentit. KQZ-ja nuk ka më tagrin për t’u rikthyer dhe për të marrë edhe njëherë në diskutim mandatet. Nëse ju do të kishit probleme në lidhje me vendimin e KQZ-së, Kolegji Zgjedhor ishte aty. Ju duhet të ishit drejtuar aty”, – u shpreh kryetarja Lefterie Lleshi. Debatet mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës vazhduan deri në akuza personale mes njëri-tjetrit. Pasi palët shprehën qartë qëndrimet e tyre të kundërta lidhur me çështjen e ndarjes së mandateve, anëtarët e mazhorancës u çuan nga mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke lënë në komision tre anëtarët opozitës, të cilët më pas mbajtën edhe një deklaratë për mediat.

Biba

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, e quajti antiligjor qëndrimin e kryetares Lleshi për mospërfshirjen në rendin e ditës të kërkesës së tij për ndarjen e mandateve, ndërsa tha se komisioni është ende në kohë për ta marrë një vendim të tillë. “Ne kemi sot përballë një vendimmarrje të Kuvendit, e cila po hyn në ujëra antikushtetuese. Ishte absolutisht, e theksojmë me bindje këtë, në kompetencën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, t’i zbardhte faqet Kuvendit duke marrë një vendim sot”, – tha Biba. Në mbyllje të seancës nënkryetari i komisionit mbajti një deklaratë për mediat në të cilën shpjegoi qëndrimin e tij të mëparshëm lidhur me ndarjen e mandateve dhe se çfarë mbetet për ty bërë ende për këtë çështje. Pyetjes së gazetarëve se çfarë masash do të merren më tej dhe a ka më hapësira ligjore për ta çuar më tej çështjen e ndarjes së mandateve, nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, iu përgjigj se nuk mund të bëjë më përtej shqetësimeve të ngritura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Mund t’u kërkojmë të falur shqiptarëve, kaq ishte fuqia jonë. Nuk mund të bëjmë më diçka tjetër si anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

 

 

Trajnimi në zgjedhje, 280 komisionerë drejt Tiranës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme miratoi më konsensus strategjinë e trajnimit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit. Në strategjinë e miratuar parashikohet kualifikimi i komisionerëve të niveleve të dyta dhe të treta për administrimin e procesit zgjedhor. Në ndryshim nga vitet e mëparshme këtë vit të gjithë trajnerët që do të angazhohen për trajnimin e komisionerëve të KZAZ-ve, KQV-ve, GNV-ve do të përqendrohet në Tiranë. “Do të jetë 52 numri i trajnerëve sipas kësaj strategjie, të cilët do të trajnojnë rreth 280 komisionerë të niveleve të dyta dhe të treta. Modelet përkatëse lidhur me vendimet që do të marrin Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe dokumentacionin zgjedhor që KZAZ-ja do të përdorë në zgjedhjet e 23 qershorit. Modelet e vendimeve që merr KZAZ-ja dhe dokumentacioni zgjedhor do të ndihmojnë komisionerët në mirëadministrimin e procesit zgjedhor”, – thuhet një njoftimin e publikuar nga KQZ-ja.

 

 

KQZ: Kërkesa e PS-së është antikushtetuese

Pas refuzimit që iu bë kërkesës së tre anëtarëve të propozuar nga opozita për rikthimin e shqyrtimit të çështjes së ndarjes së mandateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, zyra e shtypit e komisionit më të lartë të administrimit zgjedhor në vend shpjegoi se ndarja e mandateve nuk është më kompetencë e KQZ-së. “Kërkesa e paraqitur nga anëtarët nuk u përfshi në rendin ditës sepse: Objekti i kërkesës në zbatim të neneve 75 dhe 76 të Kodit Zgjedhor është ezauruar nga KQZ. KQZ me vendimin nr. 15 date 23,11, 2012 ka marrë vendim “Moscaktimin e ndarjes së mandateve “me votat kundër të anëtarëve, firmëtarë të kërkesës së paraqitur në mbledhjen e sotme. Gjithashtu kërkesa është antikushtetuese pasi referuar nenit 76/2 të Kodit Zgjedhor, Kuvendi i Shqipërisë ka filluar procedurën parlamentare të shqyrtimit të projekt-vendimit me objekt, “Caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë”. Pjesë e procedurës parlamentare u bënë edhe Kryetarja dhe N/Kryetari i KQZ-së, të cilët në datën 23 janar u thirrën në Komisionin Parlamentar të Ligjeve në seancë dëgjimore në lidhje me këtë çështje”, – thuhet në njoftimin për shtyp të KQZ-së.

 

Kreu i shtetit, me botim periodik, numri i parë i “Presidencës shqiptare”

Institucioni më i lartë i vendit, Presidenca, tashmë do të ketë një botim të saj të posaçëm. Titulli i botimit periodik do të quhet “Presidenca shqiptare” dhe do të pasqyrojë veprimtaritë e kreut të shtetit. Sipas njoftimit për shtyp të këtij institucioni, numri i parë i saj vjen në kuadër të 6-mujorit të parë të Bujar Nishanit si President dhe është një reflektim i punës së tij gjatë kësaj periudhe kohore, ku ka pasur aktivitete diplomatike, dhe festimet e 100-vjetorit. Në numrin e parë të saj paraqiten dhe përparësitë kryesor të shpallura nga Nishani gjatë mandatit të tij presidencial. Versioni i këtij periodiku do të jetë elektronik dhe do të botohet në faqen zyrtare, president.al. Me zgjedhjen e kreut të ri të shtetit Bujar Nishani ndryshoi edhe faqja zyrtare online e Presidencës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency