Rama mbledh Asamblenë e PS-së, u kërkon qytetarëve të mbrojnë votën

0
220

Florenc Drizari

rama“Hapja e një lufte frontale me krimin dhe rivendosja e autoritetit të shtetit në të gjithë territorin do të jetë primare në 300 ditët e para të qeverisjes sonë”

 

Kur mbeten më pak se pesë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit, procesi paraelektoral rikthehet në fokus të diskutimeve në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Kreu i PS-së, Edi Rama, e evidentoi si shqetësuese përdorimin e mundshëm të teknikave manipuluese në zgjedhje dhe për këtë kërkoi nga qytetarët që ta ndalojnë vetë këtë fenomen. Sipas kryesocialistit, rritja e numrit të pjesëmarrësve në zgjedhje do të ishte një mënyrë e mirë për të përballur çdo manipulim të mundshëm. Nga foltorja e një prej forumeve më të larta drejtuese të PS-së, lideri i së majtës bëri thirrje për pjesëmarrje të lartë në zgjedhje. “Shqiptarët duhet ta ndryshojnë gjendjen e tyre dhe ndryshimi fillon nga një votë. Mjetet e manipulimit duhet të ndalohen nga vetë njerëzit. Gjithkush duhet ta kuptojë që duke mos votuar lë mundësi të manipulohet me votën e tij”, – theksoi Rama më tej. Sipas kreut të PS-së, Rama: “Duhet ta mundim makinën e manipulimit të zgjedhjeve. Mënyra më e mirë është pjesëmarrja në zgjedhje”. Ndërkaq, Asambleja Kombëtare u parapri nga mbledhja se kryesisë së PS dhe takimi që Edi Rama zhvilloi me aleatët tre ditë më parë. Gramoz Ruci, Bashkim Fino dhe Sajmir Tahiri raportuan pozicionin e socialistëve, bazuara në të dhënat e censusit. Ashtu siç u shpreh dhe Rama, koalicioni opozitar i socialistëve është përpara në pjesën dërrmuese të qarqeve.

Premtimi për rendin

Mbledhja e Asamblesë Socialiste nisi me një minutë heshtje në nderim të komisarit të Matit të rënë në krye të detyrës, Musa Skura, i cili u plagos gjatë një operacioni për kapjen e trafikantëve të municioneve dhe humbi jetën një javë më vonë në spitalin e Foxhas në Itali. Kryesocialisti Edi Rama e nisi fjalën e tij në Asamble me situatën e rendit dhe kriminalitetit në vend, duke premtuar njëkohësisht se me ardhjen e të majtës në pushtet, ky fenomen do të përballet me qëndresën e fortë të ligjit. Rama premtoi gjithashtu rikthimin e rendit, që sipas tij, shteti e ka humbur me krimin. “Hapja e një lufte frontale me krimin dhe rivendosja e autoritetit të shtetit në të gjithë territorin do të jetë primare në 300 ditët e parë të qeverisjes sonë. Policia e Shtetit është e tradhtuar në misionin e saj. Kur Partia Demokratike erdhi në qeveri evidentoheshin 8 250 krime në atë vit. Në 2012 u evidentuan 20 688 krime, pra 12 438 krime më shumë. Që do të thotë se vit pas viti kemi një mesatare rritjeje 1 500 krime. Vetëm viti 2012 në raport me 2011 evidentoi 3 029 vepra penale më shumë. Kemi koeficientin e vrasjes për 100 mijë banorë më të lartin në Evropë”, – tha Rama

Mandatet

Gjatë fjalës së tij në Asamble, kryesocialisti Rama komentoi edhe vendimin e fundit të marrë në Komisionin e Ligjeve lidhur me ndarjen e mandateve nga Kuvendi i Shqipërisë. Rama tha se me miratimin e kësaj formule ndarjeje, Kuvendi po shkel çdo kriter ligjor, ashtu si në rastin e zgjedhjes së një personi politik në krye të ILDKP-së, me qëllim mbulimin e vjedhjeve të pushtetarëve dhe kundërvënien ndaj opozitës. E vetmja rrugë, sipas Ramës, për t’i dhënë një tjetër fytyrë gjendjes dhe imazhit të vendit, është riorganizimi në çdo detaj i çdo strukture dhe individi të Partisë Socialiste.
Një shqetësim tjetër i ngritur gjatë fjalës së kryesocialistit Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së ishte edhe situata ekonomike në vend. Sipas Ramës rrotacioni politik është një domosdoshmëri edhe për faktin sistemit ekonomik që ndiqet nga qeverisja aktuale.

 

Rama ndërron mendim për Rrugën e Kombit

Gjatë mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, vlerësoi Rrugën e Kombit si vepër të arrirë nga qeveria shqiptare. Edhe pse lidershipi i majtë ka hedhur akuza të rënda për korrupsion ndaj anëtarëve të qeverisë lidhur me ndërtimin e kësaj vepre, kryesocialisti Rama vlerësoi këtë rrugë duke e quajtur si “e vetmja gjë e hajrit” e realizuar nga qeveria. “Ne duam të punojmë pas 23 qershorit me qeverinë e Kosovës për çështjen e sigurimit, për sistemin e përbashkët në dy shtete, sovranitetin ushqimor, ofertën e përbashkët turistike. Ndërsa Kryeministri ç’bëri në 8 vite? Anuloi interkonieksionin, bëri një abetare me gabime, luftë me pataten dhe u krenua me turistët e ardhur nga Kosova. Rruga e Kombit mbetet e vetmja gjë e hajrit”, – deklaroi Rama. Gjithashtu kreu i PS-së i bëri thirrje Kryeministrit të ndërpresë deklaratat nacionaliste që, sipas tij, nuk janë në të mirë të shqiptarëve në rajon

 

 

Debatet e Asamblesë së PS-së, asnjë vendim për mandatet dhe koalicionet

Kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini dhe ai i Korçës Niko Peleshi u bashkohen radhëve të anëtarëve të kryesisë së PS-së

 

Dy nga çështjet më të debatuara ditët e fundit mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste, ndarja e mandateve dhe bashkëpunimi para dhe pas zgjedhor me forca të tjera politike në vend, mbeten ende pa një vendimmarrje, edhe pse një ditë më parë PS mblodhi Asamblesë Kombëtare.

Sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, bëri të ditur disa nga pikat më të nxehta që u diskutuan në një nga forumet më të larta vendimmarrëse të PS-së, duke vënë theksin tek situata paraelektorale në të cilën ndodhet opozita shqiptare. Mbledhja e asamblesë u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa deputeti Klosi sqaroi pas saj se situata paraelektorale, problematika për KQZ-në, koalicionet, si dhe çështja e mandateve, ishin disa nga pikat e diskutuara.
Edhe pse çështja e koalicioneve në zgjedhje zuri një pjesë të rëndësishme të debatit të brendshëm mes anëtarëve të asamblesë së PS-së, sekretari organizativ tha se nuk pati asnjë vendimmarrje nga forumi socialist. Gjithashtu Klosi shtoi se, më 9 shkurt do të thirret një aktivitet i rëndësishëm për PS, “ku do të shpaloset përgatitja e deritanishme në kuadër të programit elektoral për një rilindje shqiptare si dhe përcaktimi konkret i tezave dhe objektivave të partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Një vendim i marrë nga asambleja e PS-së sipas Blendi Klosit ishte edhe shtimi i anëtarëve të kryesisë së Partisë Socialiste me dy anëtar të rij, të cilët drejtojnë dy bashki kryesore të vendit, Qazim Sejdini, kryebashkiak i Elbasanit dhe ai i Korçës Niko Peleshi.

Mandatet

Edhe pse anëtarët e Asamblesë Kombëtare diskutuan gjatë për çështjen e ndarjes së mandateve, sipas sekretarit organizativ të Partisë Socialiste, ende nuk u mor një vendim konkret se çfarë qëndrimi do të mbahet. Klosi theksoi se Asambleja Kombëtare ngarkoi me punë sekretarin për çështjet zgjedhore në parti, deputetin Damian Gjiknuri që të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje në brendësi dhe vendimmarrja do ti përkasë një faze të dytë.

“Diskutuam problematikën e gjithë sistemit elektoral, e cila po agravohet edhe me keqtrajtimin që po i bën kësaj çështje KQZ, krejtësisht i politizuar tashme dhe më pas problematikën që ka kjo çështja në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme”, – tha Klosi. Sipas tij është diskutuar dhe do ndiqet në vazhdimësi edhe çështja e ndarjes së mandateve edhe pse nuk ka asnjë vendim për qëndrimet që PS do mbajë. “Nuk ka asnjë vendim për këtë çështje. Asambleja Kombëtare ngarkoi sekretariatin e çështjeve të zgjedhjeve që të ndjekë me përgjegjësi këtë problem. Pati një raportim nga sekretariati, çështja do vazhdojë të ndiqet me intensitet”. Ndërkaq, gjatë javës së shkuar Komisioni i Ligjeve me kërkesë të anëtarëve të Partisë Socialiste thirrën për raportim dy krerët e KQZ-së, Lefterie Lleshin dhe Denar Bibën. Pas një seance maratonë pyetje-përgjigjesh mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, dhe kryetares dhe nënkryetarit të KQZ-së, përfaqësuesit e mazhorancës në komision votuan projektvendimin e ndarjes së mandateve të propozuar nga relatori Edi Paloka. Propozimi i deputetit demokrat përmbante në thelbin e tij ndarjen e mandateve sipas zgjedhjeve të shkuara parlamentare të 2009-ës. Këtë propozim Edi Paloka e argumentoi me mungesën e një vendimi të marrë nga KQZ për ndarjen e re të mandateve dhe se, sipas tij, Kuvendi nuk mund të marrë rolin e komisionit më të lartë të administrimit zgjedhore duke llogaritur ndarjen e mandateve sipas formulës matematikore të propozuar nga administrata. Ndërkaq, përplasjet mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës vijuan edhe pas marrjes së vendimit nga Komisioni i Ligjeve me anë të deklaratave publike të bëra në distancë, ndërsa nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba rikërkoi që komisioni të mblidhet sërish dhe të bëjë ndarjen përfundimtare të mandateve sipas projektit të propozuar nga administrata e komisionit.

 

 

Nishani merr mesazh urimi nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mori një mesazh urimi nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Rodham Clinton, në të cilin vlerësohen marrëdhëniet mes dy vendeve. Data e dërgimit të letrës mban datën 4 janar të 2013-ës, ndërkohë që në të thuhet: “I dashur Zoti President! Takimi me ju në Pallatin e Brigadave ishte kënaqësi. Gjithashtu ishte privilegj për mua të vizitoja Tiranën gjatë këtij viti historik për Shqipërinë dhe të uroja vendin tuaj për 100-vjetorin e pavarësisë. Personalisht, pranimi i Urdhrit të Flamurit Kombëtar përbënte një nder të madh për mua. Ky Urdhër do të shërbejë si një përkujtesë e rëndësishme e marrëdhënieve jetike mes dy popujve tanë. Pres me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin produktiv mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”, – shkruhet në publikimin e faqes zyrtare të Presidencës në Internet.

 

“Premtimet e mbajtura”, Bogdani: Argumenti për një tjetër mandat

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gert Bogdani, njëkohësisht edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë, u bëri thirrje të rinjve kuksianë të dalin derë më derë për të kërkuar votat e çdo shqiptari për një mandat të tretë të mazhorancës. Bogdani ka shtuar se Partia Demokratike shkon përpara elektoratit me premtime të mbajtura ku veçoi ndërtimin e Rrugës së Kombit, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave. “Sikurse keni bërë ndër vite, edhe këtë fushatë zgjedhore do trokisni derë më derë, do trokisni në çdo zemër, do trokisni në çdo mendje të bashkëmoshatarëve tuaj për të kërkuar mbështetje për PD. Mund të shkojmë ballë hapur tek bashkëmoshatarët tanë, mund të shkojmë ballëhapur për të kërkuar mbështetje se në këto vite PD ka treguar që atë që premton, atë e realizon”, – tha Bogdani. Deputeti Bogdani ishte i pranishëm në kuvendin e gjashtë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Kukës. Kreu i Forumit Rinor përfundoi duke shprehur besimin se në bashkëpunim me të rinjtë kuksianë do t’i japin qeverisë aktuale mandatin e tretë qeverisës.

 

“Tryezë për zgjedhjet”, Starova: Koalicion i gjerë i së djathtës

Bashkimi Liberal Demokrat i bën thirrje Partisë Demokratike të mbledhë një tryezë politike për organizimin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Arjan Starova tha se e djathta duhet të hyjë në këtë proces elektoral me një koalicion të gjerë të forcave të këtij spektri pa paragjykime. “Në rrethana të cilat po flasim gjykojmë dhe shohim të domosdoshme madje disi të vonuar organizimin e një partive të koalicionit të qendrës së djathtë. Do dëshiroja t’u bëja thirrje kolegëve dhe miqve tanë të Partisë Demokratike si partia kryesore e këtij koalicioni që sa më parë të jetë e mundur të zhvillohet një takim i tillë i të gjithave forcave të koalicionit tonë. Bashkimi Liberal Demokrat mbështet si gjithnjë politikën e koalicionit fitimtar sa më të gjerë në përputhje të idealeve dhe vizioneve të forcave politike të djathta dhe pa asnjë lloj paragjykimi, pa paragjykime të çfarë do lloj dhe të frymëzuara vetëm nga nevojat e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e shndërrimit të vendit në ekonomi të zhvilluar me qytetarë të pasur”, – deklaroi Starova.

 

 

Kryeministri Berisha priti botuesin e njohur franko-zviceran Pierre-Marcel Favre

Kryeministri Berisha priti në takim një ditë më parë botuesin e njohur franko-zviceran Pierre-Marcel Favre. Botuesi franko-zviceran tha se kishte mundur të vizitonte Shqipërinë edhe përpara 1990-ës, porse Shqipëria që po shihte tani ishte krejt tjetër gjë. Ai tha se kishte mbetur i befasuar nga zhvillimi i vendit, ndërsa përshëndeti Kryeministrin Berisha për qeverisjen e suksesshme në kohën kur kriza ekonomike ka gjunjëzuar shumë vende të zhvilluara evropiane.
“Kryeministri Berisha i tha botuesit të njohur Pierre-Marcel Favre se qeveria shqiptare po i bënte ballë krizës, duke këmbëngulur në mbajtjen e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme përmes një politike liberale taksash të ulëta që nxisin prodhimin dhe investimet vendase dhe të huaja. Kryeministri Berisha tha se në vitet e kësaj qeverisjeje, shqiptarët ia dolën të ndërtojnë më shumë banesa se në çdo periudhë tjetër të jetës së tyre, ndërsa e renditën vendin të katërtin në botë për kthimin e rritjes ekonomike në mirëqenie. Shqipëria njohu një bum të paimagjinueshëm turistik, zhvillim të jashtëzakonshëm të internetit e shtrirjen me përparësi të rrjetit rrugor në gjithë vendin. Në ekspozenë e tij për pasuritë e mëdha të vendit, Kryeministri Berisha tha se qeveria po synonte t’i kthente ato në përmirësimin e cilësisë së jetës së çdo qytetari dhe arritjen e synimit që Shqipëria në vitin 2017 të renditej në vendet e zhvilluara. Në fund të takimit, Kryeministri Sali Berisha e përgëzoi Pierre-Marcel Favre për ndihmën e deritanishme të tij në përhapjen e kulturës shqiptare në Perëndim, ndërsa i tha se ishte i mirëpritur kurdo që do dëshironte të vizitonte Shqipërinë. Botuesi i njohur Pierre-Marcel Favre tha se po merrte me vete imazhin e një Shqipërie të suksesshme dhe se do të ndihmonte akoma më shumë në përhapjen e tij në Perëndim”, – thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency