Gjeopolitika e shekullit XXI në optikën e Carlo Jean

0
127

Prof. dr. Pajtim Ribaj

gjeopolitikaArena e MN është një fushë loje ku morali dhe e drejta kanë pak vend. Secili shtet është i pavarur dhe sillet si i tillë duke ndërmarrë çdo veprim që garanton jetësinë, jetëgjatësinë dhe prosperitetin në rritje të tij. Ky realitet justifikon çdo ndërmarrje. Pikërisht, gjeopolitika që nënkupton “marrëdhëniet e pashmangshme të gjeografisë me politikën”, ndërkohë që është dhe një “metodë për të analizuar marrëdhëniet ndërkombëtare”, me dimensionet e saj të shumta projekton rrugën drejt objektivave madhor, shpjegon arsyet dhe tregon alternativat që shtetet e tjera ndjekin. Në këtë kah ndihmesa e gjeopolitikanëve të shumtë, mes të cilëve italiani K. Jean, bëhet imperative. K. Jean, një nga stukuesit më të mirë të gjeopolitikës, sot gjeneral i FA, ka shërbyer si këshilltar i disa presidentëve italianë, ka kryer për një kohë detyrën e drejtorit të Qendrës Ushtarake të Studimeve Strategjike dhe atë të presidentit të Qendrës së Studimeve të Larta të Mbrojtjes së Italisë, docent i Studimeve Strategjike të Luis-it, President i Qendrës Studimore të Gjeopolitikës Ekonomike dhe Anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Enciklopedisë Italiane. Krahas publikimeve për përdorimin e forcave (1996), luftën, strategjinë dhe sigurinë (2001), ai është autor i preferuar dhe i vlerësuar nga fusha e gjeopolitikës. Ky personalitet me kohë është bërë i njohur që pas botimit në shqip nga SHBU të punimit të tij Gjeopolitika (1998). Studentë të shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare, etj janë ndeshur me punime të tij gjatë trajtesave të lëndës së gjeopolitikës, etj, ndërsa në auditorët e Akademisë së Forcave të Armatosura e deri në ato të Institutit të Studimeve Strategjike në Romë kemi pasur fatin të ndjekim direkt leksionet e tij. Krahas artikujve të shumtë studimor mes të cilëve dhe trajtesa për gjeopolitikën e Ballkanit, K. Jean është autor i punimeve prestigjioze si: Manuale di Geopolitica; Geopolitica, Sicurezza e Strategia; Geopolitica del ventunesimo secolo, Reti Infrastrutturali nei Balcani etj. UNESCO i ka akorduar atij me daljen e artë “Ganthi” për punën e kryer për parandalimin e konflikteve në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme. Punimi i tij Gjeopolitika e Shekullit XXI, pos të tjerash, veçon se midis viktimave të 11 shtatorit duhet të jenë vjetruar teoritë gjeopolitike që kanë dominuar pas Luftës së Ftohtë: nga “rendi i ri botëror” në fundin e historisë”, nga gjeopolitika te gjeoekonomia; nga vdekja e Shtetit në Shtetin post-modern; nga “përplasja e civilizimeve” tek “Mesjeta e re”. Të gjitha këto thjeshtëzime, optimizma ose pesimizma që janë, kanë lëshuar hapësirë në një refleksion më modern. Janë të shumtë aktorët dhe faktorët në lojë. Në mjedisin e ri strategjik të ndryshimeve të shpejta, Jean analizon të gjithë faktorët gjeografikë dhe resurset natyrore, zgjedhjet, politike dhe faktorët kulturor, aspektet ekonomike dhe teknologjike të panoramës bashkëkohore si dhe ekuilibrat në lojë. Trajtesa vijuese përcjell një analizë duke u mbështetur kryesisht te K. Jean.

Perceptime për gjeopolitikën e shekullit XXI

Çdo moment historik karakterizohet nga të vërtetat e tij gjeopolitike. Sipas Jean, gjeopolitika në fakt, nuk i referohet hapësirave dhe faktorëve natyralë, por sidomos flukseve, njerëzve dhe perceptimeve të tyre. Qendrore në analizën gjeopolitike janë përfytyrimet që këta njerëz kanë për veten e tyre dhe për botën, si dhe zotësia e politikë bërësve për të vënë në akt konsensusin dhe resurset e nevojshme për të arritur interesa të caktuara. Kështu njihet se, Lufta e Ftohte kishte polarizuar boten rreth konfliktit Lindje-Perëndim, duke kondicionuar ndërkohë dhe raportet Veri-Jug. Meqë “loja” bipolare kishte si shumë zeron- pra përfitimet e njërit ishin ekuivalent me humbjet e tjetrit- dy fuqitë e mëdha tentonin te ndërhynin automatikisht në të gjithë tensionet apo konfliktet, për të përfituar avantazhe direkt ose për te ndaluar bllokun kundërshtar të kishte përfitime. Aktoret kryesore ndërkombëtare ishin Shtetet, numri i te cilëve ishte ne rritje, por iniciativat e tyre ne kampin ndërkombëtare ishin te paparashikueshme, pasi sovraniteti i këtyre shteteve ishte i kufizuar-si dhe i ndare në mënyra te ndryshme-nga ana e Uashingtonit apo e Moskës. Gjeopolitika botërore mund te ishte konsideruar pjese e një territori homogjen, thelbësisht i ndare njeri nga tjetri dhe përcaktues- siç kishte sugjeruar Saul Cohen – në bazë të rolit të tyre strategjik. Dominonin dimensionet teknologjike dhe ishin lënë pas dore ato historike, sociale dhe kulturore. Marrëdhëniet ndërkombëtare ishin përgjithësisht të thjeshta. Po kështu, sipas Jean etj., deri në 11 shtator 2001 gjeopolitika e flukseve ishte dominante mbi atë të identiteteve dhe ideologjive. Mbas atentateve dhe shpalljes së luftës kundër terrorizmit, shumë menduan se gjërat kishin ndryshuar. U zhduk vizioni optimist i gjeopolitikës i lidhur me globalizimin ekonomik. Falimentimi i Samitit të Kankunit të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) e konfirmoi këtë ndjesi. Reaksionet amerikane dhe kriza e Irakut, megjithëqë nuk influencuan në raportet e forcës dhe as mbi tendencat e botës, provokuan një ri-rreshtim gjeopolitik të përgjithshëm. Ky ri-rreshtim, megjithëse i dha fund fazës së tranzicionit që derivoi nga fundi i Luftës së Ftohtës,sipas Jean, mundet të jetë i përkohshëm. Një sulm maksi-terrorist në Evropë ose në SHBA, evoluimi i krizës ndërmjet Amerikës dhe Iranit ose Koresë së Veriut, ose edhe suksesi në stabilizimin e Irakut, mund ta përmbysnin situatën. Në çdo rast, mbas 11 shtatorit evolucioni gjeopolitik botëror u trajnua, mbi të gjitha nga ai i politikës amerikane. Doli kështu në pah, në gjithë evidencën dhe agresivitetin e vet, realiteti i botës unipolare, i bazuar mbi hiper-fuqinë e SHBA-së. Por, është një gabim, thekson Jean, të ngatërrohet unipolarizmi me të pashmangshmin unilateralizëm amerikan. I pari, është një e dhënë e faktuar, sot i pakundërshtueshëm nga asnjë nga fuqitë e tjera dhe as nga ndonjë koalicion antihegjemonik, pra antiamerikan. Gjithashtu nuk duhet ngatërruar mungesa e multilareralizmit institucional-i garantuar nga institucione dhe norma stabël-me fundin e çdo multilateralizmi. Ky i fundit mund të jetë i përshtatshëm dhe mund t’i mbijetojë asaj çfarë është shkruar në kartë, sepse paraqet oportunitete, si për Amerikën, si për aleatët e saj. Kujtojmë se, që më 2003, në diskutimet e politikës së jashtme evropiane, Javier Solana, si bazë për Strategjinë e Sigurisë Evropiane, shpalosi idenë e “multilateralizmit efektiv”. Kompleksiteti dhe shpejtësia e evolucionit e bëjnë të paparashikueshme të ardhmen dhe na imponojnë një fleksibilitet të lartë, që nuk mund të arrihet me anë të institucioneve, aleancave, kundër-pozicionimeve, dhe normave stabël, si ato që patën epërsinë mbas Luftës së Dytë Botërore. Do të ketë epërsinë nga ana tjetër; e mundshmja dhe e përkohshmja; koalicionet ad hoc mbi aleancat e përhershme. Evolucioni gjeopolitik botëror do të vendoset nga kombinimi midis unilateralizmit dhe multilateralizmit dhe midis hard dhe soft power, të praktikuara nga fuqitë më të mëdha dhe nga Shtetet e Bashkuara. Këto janë analizuar deri në detaje nga studiuesit amerikanë të marrëdhënieve ndërkombëtare që i përkasin shkollës së realistëve, në të gjitha artikulimet e saj: nga realizmi “difensiv” i Walt-it, tek ai “ofensiv” i Mearsheimer-it; nga ai “liberal” i Nye-it si dhe për disa aspekte i Brzezinskit, tek ai më tradicionali i Kissingerit. Kuptimi i analizave të tyre dhe, akoma më parë, i vlerave metapolitike të cilave iu referohen këta mendimtarë, është tipike e “gjeopolitikës kritike”. Ajo vë në diskutim përmbajtjet e marra në bazë të zgjedhjeve dhe, pranë forcës ushtarake dhe ekonomike, vë në plan të parë rëndësinë për vendimet politike të mundshme. Mbas 11 shtatorit, ekonomisë, që dukej se do të dominonte raportet ndërmjet shteteve “postmoderne” ju ri-zëvendësua ideologjia, që është tipike e power politics, së bashku me një rikthim tek feja në politikë; jo vetëm tek Islam, por dhe tek Christian Right, tek neokonservatorët ose liberal-imperialistët, që duan ta transformojnë botën sipas vlerave etiko-politike amerikane. Ajo shprehet dhe në të ashtuquajturën “partia e paqes”, e antiamerikanizmit, e no-global-eve, ose e multipolarizmit. Edhe ata kërkojnë të ndryshojnë botën, për ta bërë me të drejtë, natyrisht sipas idesë së tyre të së drejtës. Shekulli XXI do të jetë sigurisht i karakterizuar dhe nga ballafaqimi ndërmjet racionales shekullore dhe radikalizmave të ndryshëm që po shfaqen.

Në periudhën e mesme dhe të gjatë, do të dominojnë gjithsesi arsyet e realizmit, pra të përhershmet arsye të pushtetit dhe të interesit. Ato kanë provokuar që tani nga njëra anë rirreshtimin e gjeopolitikës së Rusisë dhe të Kinës dhe, nga ana tjetër, mënjanimin e Evropës dhe dobësimin e raporteve transatlantike. Në përgjithësi sjellja e të gjitha qeverive i është bindur kësaj paradigme. E ka ndjekur patjetër këtë sjellje qeveria e Parisit, e cila kërkoi të përdorte konsekuencat e 11 shtatorit dhe reaksionet amerikane në botë për të rritur prestigjin dhe peshën politike të Francës, duke kalëruar “partinë e paqes”.11 shtatori i forcoi Shtetet. Ata kanë lindur si “makina lufte” për t’i garantuar sigurinë qytetarëve të tyre, por u bënë si rregullues dhe mbështetës të ekonomive të tyre dhe rishpërndarjes së pasurisë. Atentatet provokuan një kërkesë jetësore për siguri dhe ndërhyrje ekonomike të shteteve për të mbështetur sektorët në krizë. Kërkesa për “Shtet” u rrit në të tërë Perëndimin. Fuqia ushtarake, që po tentohet të përshtatet me llojet e tjera të rreziqeve asimetrike, ribëhet qendrore në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kërcënimet nuk vijnë me nga shtetet e forta, por nga ato të dobëta. Peacebuilding-u që më parë konsiderohej pjesë e të drejtës-detyrë të asistencës humanitare, bëhet pjesë përbërëse e sigurisë kombëtare. Luftërat kundër terrorizmit dhe proliferacioneve të ndryshme bëhen paradigmat e marrëdhënieve ndërkombëtare në të ardhmen. Distanca e fuqisë në favor të Shteteve të Bashkuara i detyron të jenë strategjikisht dhe politikisht unilaterale, ose më mirë, multilateraliste a la carte. Një balancë fuqish (balance of power) e bazuar mbi ekuilibrin e poleve të fuqisë është e pa-praktikueshme në fushën strategjiko- ushtarake. Por gjeopolitika është shumëdimensionale, ekonomia e globalizuar dhe vetë nevoja e SHBA-së për të ndërkombëtarizuar borxhin e saj, të brendshëm dhe të jashtëm, e bëjnë për të multilateralizmin një nevojë, dhe pse të një intensiteti me gjeometri variabël sipas sektorëve. Forma e organizimit ndërkombëtar qe imponohet kur nuk ka ekuilibër është imperi (perandoria). Kuptohet se imperi amerikan është ndryshe nga imperet e tjerë paraardhës. Imperi “ngurrues” u transformua në atë “ triumfues” të neokonservativëve. E rëndësishme, si për Shtetet e Bashkuara, si për pjesën tjetër të botës, është që imperi të mos zbulohet si “ineficient”. Ju kujtojmë se është folur shumë për Lëvizjen Neokonservative, për rolin e veçantë të saj në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Komentet mbi këtë lëvizje nuk kanë qenë përherë pozitive dhe mirë-informuese por prej ngjarjeve të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara te Amerikës ky vizion politik pati një impakt te paimagjinueshëm në politikën e jashtme të këtij vendi. Veçanërisht, ndikimi Neoconservator u vu re mbi politikën e ndjekur drejt botës myslimane, por aspak duke përjashtuar këtë ndikimin edhe në një pjesë më të gjerë të politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjithë botën. Neoconservativet, përndryshe të quajtur “neocons”, janë të njohur për ndikimin e tyre ne politikën e jashtme të Shteteve te Bashkuara të Amerikës veçanërisht ne administratat Reagan ‘81 – ‘89 dhe Bush ‘01 – ‘09. Mbështetësit e kësaj lëvizjeje patën një rëndësi të veçantë duke u kthyer automatikisht në iniciatorë të një pjese të mirë të aksioneve te politikes se jashtme USA, por të mbështetur gjithashtu edhe nga politika e djathtë republikane. Si qëllim kryesor Neokonservativët kane pasur përherë luftën ndaj armiqve te vërtetë por edhe potencial ndaj USA dhe ne historinë e tyre janë parë si armiq Bashkimi Sovjetik, shtete te tjera te botes arabe apo aziatike, Al Kaeda në kohët e sotme, por me të drejtë mund të mendojmë se do të jetë Kina apo India në ditët e nesërme.

Gjithsesi, linjat e reja gjeopolitike mund të evoluojnë sipas dy modeleve. Modeli i sugjeruar nga Brzezinski, i një lidershipi të vendosur por mirëdashës, ku unipolarizmi amerikan thith dhe stabilizon në mënyrë progresive pjesën tjetër të botës, duke e transformuar piramidën në rrjete, ndërkohë që të gjitha shtetet do të integrohen në globalizimin dhe modernizimin.( Kujtojmë botimin e 2004: The Choice: Domination or Global Leadership, përkthyer dhe në shqip). Modeli i dytë është ai i përpunuar nga Kissingeri, i bazuar mbi një përçapje më tradicionale, ai i politikës së fuqisë, megjithëse autori nuk dorëzohet përpara dëshirës për ta ndryshuar botën dhe për ta bërë më të mirë. Në nivel global bota duhet të mbetet unipolare, e bazuar mbi unitetin e Perëndimit, pra mbi forcën e lidhjeve transatlantike. Në nivele të ndryshme rajonale do të vendosen ekuilibra të ndryshëm, të garantuar nga ndërhyrja e jashtme e Shteteve të Bashkuara, për të mbrojtur fuqitë më të dobëta kundër hegjemonit, ose aspirant-hegjemonit, rajonal. Ndërmjet viktimave të 11 shtatorit duhet të rreshtohen teoritë gjeopolitike që patën dominuar në dhjetëvjeçarin e parë pas Luftës së Ftohtë: nga “ rendi i ri botëror” në “ fundin e historisë”; nga zëvendësimi i gjeopolitikës me gjeoekonominë; nga vdekja e shtetit dhe e territoreve, tek shteti “postmodern”; nga “ përplasja e qytetërimeve” tek “ Mesjeta e re”, pra tek fragmentizimi i botës, tek epërsia e dhunës private dhe tek regresi i sistemit westfalian në kushte pre moderne. Sipas kësaj teorie të fundit, kolapsi i shtetit westfalian nuk do të çonte në një qeverisje botërore, por në një kaos të gjeneralizuar. Të tëra këto thjeshtëzime, optimiste dhe pesimiste, – që dominonin në vitet ‘90 – i kanë lënë vendin një reflektimi me të moderuar dhe të pjekur mbi të ardhmen e botës që, kuptohet, është e paparashikueshme. Të shumtë janë aktorët dhe faktorët në lojë. Shumë e lartë është shpejtësia e ndryshimit. Shumë të dendura janë ndërlidhjet dhe ndërvarësitë midis faktorëve të ndryshëm. Mundet vetëm të propozohen skenarë alternative ndër të cilët duhet të radhitet dhe realiteti. Jean në Gjeopolitikën e shekullit të XXI, propozon një kuadër të gjeopolitikës botërore mbas 11 shtatorit dhe analizon politikën e fuqive kryesore që e përcaktojnë si dhe evoluimin e saj. Mbasi përshkruan efektet gjeopolitike të menjëhershme të 11 shtatorit, analiza spostohet tek shqyrtimi i situatës dhe perspektivat e evolucionit në Shtetet e Bashkuara, në Evropë, Rusi dhe në pjesën tjetër të botës, për ta mbyllur me disa përmbledhje mbi konstelacionet qendrore gjeopolitike dhe mbi skenarët botërore që mund të karakterizonin të ardhmen.

Debati për natyrën e efekteve gjeopolitike të 11 Shtatorit

Sipas disa studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare, atentatet e 11 shatorit 2001 do të transformonin në mënyrë radikale gjeopolitikën e botës, duke shënuar edhe fundin e një epoke. Sipas disa të tjerëve, atentatet do të kishin ndryshuar vetëm njërin nga aspektet kryesore: politikën e SHBA-së dhe perceptimet e interesave të tyre dhe të rolit të tyre në botë. Në dhjetëvjeçarët e ardhshëm nuk parashikohet që të lindë një fuqi e aftë që t’i kundërvihet SHBA-së, dhe as së do të formohet një koalicion antihegjemonist, të paktën sipas modelit të njohur në historinë evropiane. Janë të mundshme ama, vetëm retorika dhe aksione ngacmuese, si ato franceze gjatë krizës irakiane. Ato do të kenë një efekt negativ; do të vënë në dukje në fakt unilateralizmin dhe arrogancën e burokracive ushtarake dhe diplomatike të Amerikës – të cilat janë imperiale. Këto aksione do të bëjnë që të mbizotërojë në SHBA linja “e fortë”, duke aktivizuar patriotizmin dhe besimin fetar amerikan, dhe në mënyrë të veçantë, zhgënjimin karshi mosmirënjohjes “ të aleatëve të pabesë” si dhe sensin e izolimit ndaj botës. Debati gjeopolitik aktual ka të bëjë, në radhë të parë, me çështjen nëse kriza e krijuar në raportet ndërmjet SHBA-së dhe Evropës do të jetë e përkohshme dhe e rregullueshme, apo do të jetë e qëndrueshme dhe strukturale. Nga përgjigja që i jepet kësaj pyetjeje, pra mbi unitetin ose ndarjen e Perëndimit, varet çdo parashikim për rregullat e ardhshme botërore. Siç u tha më parë, parashikohet se në dhjetëvjeçarët e ardhshëm bota do të mbetet unipolare, me një fuqi të vetme globale: SHBA-në. Ky parashikim ekzistonte dhe para 11 Shtatorit, sepse rridhte nga jo-vazhdueshmëria gjeopolitike e provokuar nga fundi i Luftës së Ftohtë. Atentatet e 11 Shtatorit forcuan ama, perceptimet e këtij realiteti, sidomos në opinionin publik të SHBA-së. Pa konsensusin e tij asnjë president nuk mund të mendojë të ndërmarrë një politike të jashtme ndërhyrëse dhe aktive, dhe sidomos të atyre ndërhyrjeve që sjellin përdorimin e forcës. Me 11 Shtatorin SHBA-ja u transformua nga “sherifi ngurrues” në “xhandar”. “Lidershipi mirëdashës amerikan” u bë akoma me unilateralist dhe hegjemon. Zbulimi dramatik i dobësisë së tyre, së bashku me vetëdijen e forcës së tyre, i mobilizoi amerikanët në hakmarrje dhe në tentativën për të eliminuar kërcënimet për të cilat tashmë janë koshiente, që derivuan nga kombinimi i terrorizmit transnacional, i armëve të shkatërrimit në masë dhe i “Shteteve kopuke” (mbështetës të terrorizmit).Influenca në rritje e neokonservativëve dhe debatet mbi imperin (perandorinë) amerikane kanë vlerësuar ideologjinë “imperialiste demokratike”ose “uillsoniane të fortë”, me qëllim ndryshimin e botës për ta bërë jo vetëm më të sigurt, por edhe më të mirë për SHBA-në në një periudhë të gjatë. Ideologëve neokons i janë bashkuar nacionalistët, midis tyre Cheney dhe Rumsfeld, të cilët mbështesin një realizëm më pragmatik dhe më pak misionar. Disa flasin për vullnetin për të krijuar “ imperin amerikan”. Në fakt termi nuk është korrekt: do të ishte sidoqoftë një imper tërësisht i veçantë. Debati mbi natyrën do të jetë padyshim një tjetër temë qendrore mbi të ardhmen e debatit gjeopolitik, që në pjesën tjetër të botës do të jetë një refleks i atij të brendshëm të SHBA-së. Fakti se bota është unipolare është një realitet, jo një opsion; problemi i vërtetë është të kuptohet deri në ç’pikë politika e SHBA-së mund të jetë unilaterale. Nuk është e vërtetë, siç ka pohuar Robert Kagan, që unilateralizmi është i lidhur me fuqinë dhe multilateralizmi me dobësinë. SHBA-ja ka qenë multilaterale në momentet e superioritetit të saj maksimal, për shembull në fundin e konfliktit të dytë botëror, dhe opinioni publik amerikan mbeti multilateralist, siç e provojnë të gjitha sondazhet. Multilateralizmi zvogëlon kostot e hegjemonisë dhe e legjitimon atë. Mbi të gjitha për aleatët evropiane të SHBA-së problemi qendror nuk është në këtë rast ai i të sfiduarit me fjalë, por ajo e të influencuarit të vendimeve të Shtëpisë së Bardhë, në mënyrë që të jenë sa më të pajtueshme edhe me interesat e tyre.

Soft power përballë atyre të hard power

Bota mund të jetë multilaterale edhe nëpërmjet përshtatjes së organizatave ndërkombëtare më të rëndësishme, të dobësuara si konsekuencë e tensioneve të krijuara në rastin irakian. OKB-ja dhe G8 në nivel global; NATO-ja dhe BE-ja në nivel rajonal evropian; OBT-së në Kankun. Pra, pozita dominante e SHBA-së nuk përjashton mundësinë e një multilateralizmi, bazuar mbi ndarjen e detyrave ( funksionale ose gjeografike), mbi një ndarje të detyrimeve dhe mbi struktura vendimmarrëse transatlantike mjaftueshmërisht të ekuilibruara – por fleksibël, në mënyrë që të reagojnë përballë të papriturave – si shprehje jo vetëm e vlerave por edhe e interesave bazë të përbashkëta. Kjo është çfarë vazhdojnë të mbështetin realistët konservatorë amerikanë, në mënyrë të veçantë H. Kissinger, ithtar i nevojës së një kontrate të re transatlantike. Të njëjtën tezë e mbështesin ndërkombëtaristët e moderuar, ose neorealistët sipas Joseph Nye, që pranojnë rëndësinë e soft power përballë atyre të hard power dhe nënvizojnë pashmangshmërinë e SHBA-së për të administruar e para në mënyrë unilaterale. Për ta zgjeruar pak konceptin e soft poker (fuqisë së butë), veçoj se Fuqia e butë, nga ana tjetër, është aftësia për të marrë rezultatet e dëshiruara, sepse të tjerët duan atë që ju dëshironi. Kjo është aftësia për të arritur qëllimet përmes tërheqjes se sa detyrimit. Ajo punon duke i bindur të tjerët të ndjekin ose t’i bindesh ata të bien dakord me normat dhe institucionet që prodhojnë sjellje të dëshiruar. Fuqia e bute mund të pushoje në apelin e ideve të dikujt ose kulturë ose aftësi për të vendosur rendin e ditës me standarde dhe institucione që i japin formë preferencave të të tjerëve. Kjo varet shumë nga informacioni i lirë bindes që një aktor kërkon të përcjellë. Në qoftë se një shtet mund të bëjë pushtetin e tij legjitim në sytë e të tjerëve dhe krijimin e institucioneve ndërkombëtare që nxisin të tjerët për të përcaktuar interesat e tyre në mënyra të pajtueshme, ai nuk mund të ketë nevojë të shpenzoje sa më shumë burime ekonomike apo ushtarake të kushtueshme tradicionale. Fuqia e butë dhe fuqia e fortë (hard power) janë të lidhura, por ata nuk janë të njëjta. Samuel P. Huntington është i saktë kur thotë se suksesi material e bën një kulturë dhe ideologji tërheqëse, dhe që dështimi ekonomik dhe ushtarake të çojnë për vetë dyshimin-dhe krizën e identitetit. Ai është i gabuar shkruan Joseph Nye, megjithatë, kur ai argumenton se fuqia e butë mbështet vetëm një bazë të fuqisë se forte. Fuqia e butë e Vatikanit nuk është shuar për shkak të madhësisë së shteteve fetare te zvogëluara. Kanadaja, Suedia, dhe Holanda kanë më shumë ndikim se disa shtete te tjera me aftësi ekuivalente ekonomike apo ushtarake. Bashkimi Sovjetik kishte fuqi të butë të konsiderueshme në Evropë pas Luftës II Botërore, por e prishi atë nga pushtimi i Hungarisë dhe Çekosllovakisë edhe kur fuqia ekonomike dhe ushtarake sovjetike vazhdoi të rritet. Fuqia e butë ndryshon me kalimin e kohës dhe ne fusha të ndryshme. Kultura popullore e Amerikës, me rrymat e saj liberale dhe besimtare dominon filmin, televizionin, dhe elektroniken e komunikimit. Jo të gjitha aspektet e kulturës janë tërheqëse për të gjithë, për shembull Myslimanët konservatore. Megjithatë, përhapja e informacionit dhe kulturës popullore amerikane në përgjithësi ka rritur ndërgjegjësimin global të dhe hapjen ndaj ideve dhe vlerave amerikane. Në një farë mase kjo pasqyron politikat e qëllimshme, por më shpesh fuqia e butë është një efekt anësor i hutuar. Gjithsesi, opinion i soft power kundërshtohet nga neokonservatorët (Wolfowitz, Perle, Kagan), “ndërkombëtaristët imperialistë” ose “xheksonianistët”, që duan të përfitojnë nga superioriteti aktual i SHBA-së për të modifikuar dhe rimodeluar botën. Ata dëshirojnë ta arrijnë këtë nëpërmjet një “ kryqëzate” për demokracinë dhe liberalizmin ekonomik. Është një projekt që mbështetet gjerësisht dhe nga nacionalistët, megjithëse në mënyrë më pak ideologjike dhe unilaterale, si Cheney, Rumsfeld, Rice, dhe Haass. Si për neokons-ët, si për nacionalistët e çara ndërmjet “Evropës së vjetër” dhe SHBA-së është shumë e fortë, dhe do ta bënte të pashmangshme prishjen e unitetit të Perëndimit, si dhe fundin e NATO-s. Ka më në fund të tjerë të cilët pohojnë, si ameriko-golisti Charles Kupchan, se do të verifikohet një kompeticion për dominimin e botës midis një Europe imagjinare dhe SHBA-së. Si neokonsët, nacionalistët mendojnë se Evropa është jo-luftuese, e pabesë dhe egoiste dhe që ka ambicien që të kufizojë lirinë dhe shpejtësinë e aksionit të SHBA-së. Më shumë se gjeopolitike, e çara do të ishte kulturore: SHBA-ja ndjehet në luftë dhe do ta fitojë, Evropa sheh se ç’bën Amerika dhe kufizohet nga njëra anë duke përfituar, dhe nga ana tjetër, duke e kritikuar. Doktrina e re Monroe amerikane do të ishte frymëzuar nga Marsi; ajo evropiane nga Venusi; prandaj është e vështirë që të mbivendoset mbi të dyja urtësia e Minervës. Gjykuar më realisht, situata është ndërlikuar edhe më tepër nga fakti se lista e anëtarësisë së NATO-s dhe BE-së, në pamje të parë, duken kaq të ngjashme ku 78% e anëtarëve të BE-së bëjnë pjesë gjithashtu në NATO, ndërsa 75% e anëtarëve të NATO-s bëjnë pjesë edhe në BE. Problemi është se, ndonëse kjo tingëllon inkurajuese dhe inkurajon pikëpamjen e një institucionale të qëndrueshme dhe të përbashkët, realiteti është disi i paqartë “për sa kohë që ndryshimet ndërmjet listave të anëtarësisë të të dyja organizatave mbeten më të rëndësishme sesa ngjashmëritë” (Chris Smith). NATO dhe BE “nuk janë miq. Megjithëse anëtarësimi në të dy institucionet është pothuajse identik, ato mezi flasin me njëri tjetrin” (Valesk, 2007:1) Për mbështetësit e tezës se mos vazhdimësisë ndërmjet asaj që ishte para dhe asaj që do të vinte mbrapa 11 shtatorit, globalizmi do të ndalonte; organizatat dhe e drejta ndërkombëtare do të hynin në një krizë të pakthyeshme; rendit botëror do t’ia zinte vendin Pax Amerika; unilateralizmi do të kishte kapërcyer multilateralizmin dhe luftërat e udhëhequra nga SBHA-ja me koalicione të rastit do t’i zinin vendin atyre të luftuara me prokura ose me aleanca rajonale të përhershme. Në fushën ekonomike, liberalizmi dhe derregullimi do të zëvendësohej një interventizëm shtetëror, proteksionist dhe kenesian. “Dora e padukshme e Tregut” nuk do të ishte me e mjaftueshme (në të vërtetë s’ka qenë kurrë) për të krijuar një rend të ri të globalizuar. Tregu që i lihet vetvetes nuk prodhon konkurrencë të lirë, por monopole. Siç e ka vënë në dukje J. Stiglitz, liria e tregut është e garantuar nga rregulla të vendosura nga politika. Mbështetësit me radikalë të kësaj teze pohojnë se me 11 shtatorin, u rishfaq vetëdija se gjeopolitika është më e rëndësishme se gjeoekonomia. Askush nuk mbështet më faktin- siç ka bërë Edward Luttwak në fillim të viteve ’90 dhe siç ka përsëritur shpesh presidenti amerikan Klinton – që gjeoekonomia ja ka zënë vendin gjeopolitikës. Si përherë – dhe siç kanë provuar gjithmonë Paolo Savona dhe vetë autori (Jean)-gjeoekonomia është një instrument i thjeshtë i gjeopolitikës, njëlloj me gjeostrategjinë, gjeokulturën dhe gjeokomunikacionin. Në fakt gjeopolitika nuk ishte zhdukur, siç e vërtetojnë disa teori gjeopolitike – nga “fundi i historisë” tek “ përplasja e qytetërimeve” – të diskutuara në vitet ‘90. Ishte thjesht e modës të mendoje se gjeopolitika ishte zhdukur, edhe sepse përdorimi i forcës ushtarake kushton gjithnjë e më shumë dhe jep rezultate gjithmonë më të pakta. Kolonitë nuk kërkohen më si 100 vjet më parë. Përkundrazi, ato refuzohen. Okupimi i territoreve përbën një peshë. E vërteton Iraku.

Jo kundërthënie e gjeopolitikës

As në vitet ‘90 nuk ekzistonte një kundër-pozicionim ndërmjet globalizimit dhe gjeopolitikës. Megjithëse u shtuan ndërvarësitë, poroziteti në rritje i kufijve, ulja e vlerës ekonomike të territoreve, dalja e forcave transnacionale – nga kishat tek multinacionalet dhe nga organizatat joqeveritare tek krimi i organizuar dhe terrorizmi transnacional – shtetet, pra gjeopolitika, kanë qenë dhe mbeten qendrore. Fundi i shteteve nuk do të çonte në një qeverisje botërore, por në një çrregullim kaotik dhe konfliktual të një “Mesjete të re”, pa pasur ama forcën rregulluese të Kishës dhe të perandorive. Derisa do të ekzistojnë shtetet, sistemi ndërkombëtar do të mbetet anarkik dhe potencialisht Hobbesian, pra i përcaktuar nga lufta për pushtet dhe pasuri ndërmjet entiteteve të ndryshme sovrane, të cilat nuk njohin një autoritet superior përveç tyre. Do të mbeten të pandryshueshme edhe dy format që sigurojnë mbajtjen e stabilitetit: ekuilibri dhe imperi. Vetë lindja e një ekonomie globale u bë e mundur – siç e ka provuar Robert Gilpin – nga ekzistenca e shteteve të pavarura. Në qoftë se nuk do të kishin ekzistuar shtetet, në fakt, rregulli i domosdoshëm për ekonominë do të duhej të garantohej nga një perandori. Por kostot e perandorisë do të kishin qenë tepër të larta dhe do të kishin shkatërruar ekonominë, dhe para se gjithash ekonominë e qendrës së perandorisë. Këtë e provon kolapsi shkatërrues i Bashkimit Sovjetik. Një nga temat e diskutuara nga gjeopolitika aktuale është nëse dhe kur SHBA do të vuaj efektet e overstreching-ut (PR: këtu ka kuptimin rraskapitje nga tejshtrirja) perandorak të përshkruar nga Paul Kenedi. Si përfundim, politologët dhe strategët, pos të tjerash, duhet të kuptojnë mirë natyrën e mjedisit në të cilin do të zbatohet politika dhe strategjia e formuluar prej tyre-të kuptojnë natyrën e botës ku jetojnë dhe asaj që do të zhvillohet në të ardhmen. Siç është analizuar nga studiues të spikatur në trajtesa lidhur me analogjitë e teorive të kaosit dhe kompleksitetit, mjedisi strategjik nuk është krejtësisht i rastësishëm, i parregullt, i paparashikueshëm, apo i dhe i pakontrollueshëm. Përkundrazi, mjedisi në një fare shkalle paraqet karakteristika si të rastësisë ashtu dhe të rregullit. Ndryshimi i mjedisit mund të kryhet në baze të planeve e qëllimeve të caktuara ose sipas rastësisë, por çdo ndryshim, për shkak të kompleksitetit të tij, mund të japë rezultate krejtësisht në disproporcion me ndryshimin e ndërmarrë-pra ndryshimet mund të jenë ose me të mëdha ose me të vogla nga parashikimi i bërë-kështu që një shkalle e caktuar pasigurie dhe parashikueshmërie është e qenësishme në natyrën e ndryshimit. Ndryshimet e mjedisit strategjik janë rezultat i veprimeve të aktoreve, rrethanave ndërvepruese, dhe rastësisë. Aktorët e ndryshëm mund të sjellin ndryshime racionale dhe joracionale, nëpërmjet veprimit apo mosveprimit, ose thjesht nga indiferenca apo mosdija e tyre. Megjithatë, mjaft stratege e reduktojnë strategjinë në një natyre tepër lineare dhe në direktiva mjaft të detajuara që nuk mundësojnë fleksibilitet dhe përshtatshmëri për t’u përshtatur ndaj rasteve të tilla të paparashikueshme. Nga ana tjetër, në një mase të madhe mjedisi strategjik është deterministik (i përcaktueshëm) dhe u përmbahet rregullave të caktuara; vazhdimësitë drejtojnë sjelljen e përgjithshme të mjedisit në ecurinë e kohës dhe në shkallë të ndryshme përfshihen në periudhat e përmbysjeve të mëdha dhe ekuilibrave të reja. Vazhdimësitë mund të shprehen në formë kodi ligjor dhe në këtë mënyrë ato pranohen formalisht, ose mund të jenë thjesht si praktika të pranuara. Vazhdimësitë gjithnjë kërkojnë dhe riafirmojnë veten e tyre, por vlefshmëria e bazueshmëria e tyre nuk mund të merret si e vërtetë. Vazhdimësitë, mund të përforcohen kështu që strategjia ndihmohet nga prirjet e natyrshme të mjedisit, duke ecur në këtë mënyrë me rrjedhën e historisë. Siguria kolektive, mund të thuhet se është një vazhdimësi që lindi në shekullin e 20-të dhe mund të përforcohet e rritët me tej në shekullin e 21-të. Në se mjedisi i sotëm i sigurisë është anomali ose fakt, forma e zhvillimeve të ardhshme është e paqartë. Megjithatë, përpjekjet për të kuptuar dhe në qoftë se është e mundur për të parashikuar sfidat e ardhshme janë thelbësore për planifikimin efektiv në fushën e sigurisë. Sidomos për Shqipërinë, territori dhe popullsia e vogël e së cilës kërkojnë një përgjegjësi të lartë për planëzimin e forcës, vlerësimet e sakta për sigurinë janë domosdoshmëri. Në mungesë të këtyre vlerësimeve jo vetëm përcaktimi realist i karakterit dhe nivelit të resurseve të nevojshme për të përballuar sfidat e ardhshme është i pamundur, por edhe rreziqet që rrjedhin nga kërcënimet që mund të lindin mund të rriten.