Burri, pritë gruas në hyrje të pallatit, e vret në sy të djalit

0
256

Elton Qyno

thikaRolanda Doku ishte me urdhër mbrojtjeje nga gjykata. U masakrua me pesë thika. Mbyllen hetimet për Edmond Dokun

 

Pesë goditje me thikë i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme shtetases Rolanda Doku, e cila nuk kishte shumë kohë që kishte marrë një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Tiranës. Vrasja e 36-vjeçares është bërë në prani të djalit të saj, nga bashkëshorti, shtetasi Edmond Doku, i cili në gjendje të dehur ka masakruar gruan e tij, duke e qëlluar pesë herë me thikë në hyrje të pallatit ku banonte familja Doku. Megjithëse djali i vogël i ka folur të atit që të mos i vriste nënën, sërish 44-vjeçari ka vijuar ta qëllojë gruan me thikë, duke e mbytur atë në gjak. Aktualisht, hetimet rreth kësaj vrasjeje janë mbyllur dhe sipas kërkesës për gjykim të Prokurorisë së Tiranës, Edmond Doku ka pritur poshtë hyrjes së pallatit gruan e tij, Rolanda Doku, pasi kishte mësuar se kjo e fundit kishte vendosur të largohej në banesën e prindërve të saj, që jetonin jo shumë larg nga banesa e çiftit. Ka qenë ora 18:30, kur Rolanda së bashku me djalin e saj 10-vjeçar, po kthehej në banesë për të marrë librat dhe veshmbathjet e të birit e për të shkuar më pas në banesën e prindërve të saj. Por pikërisht sapo ka hyrë në pallat, aty është ndeshur me bashkëshortin e saj, të pandehurin Edmond Doku, të cilit megjithëse i ishte ndaluar nga gjykata t’i afrohej gruas, sërish, në gjendje të dehur, i është afruar gruas së tij dhe ka filluar ta qëllojë atë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Kanë qenë pesë goditje që i kanë marrë jetën nënës së një fëmijë, ndërkohë që sipas Prokurorisë së Tiranës, krimi është kryer me dashje dhe në sy të fëmijës së mitur.

“Lëreni t’i dalë shpirti”

Pas goditjes me pesë thika në bark dhe gjoks, autori i krimit nuk ka lejuar asnjë nga dëshmitarët në vendngjarje që të afrohen dhe t’i japin ndihmën e parë gruas 35-vjeçare. Personat që tentuan të afroheshin tek trupi që po jepte shpirt i Rolandës, kanë hasur në kundërshtim, madje edhe në kërcënimin me thikë nga i pandehuri Edmond Doku. “Lëreni t’i dalë shpirti, mos t’ju shikoj të afroheni, pasi kam për t’ju goditur ju”, – mësohet t’u ketë thënë dëshmitarëve i pandehuri. Nisur nga kjo situatë, Rolanda Doku ka mundur të transportohet në Spitalin Ushtarak, vetëm në momentin kur në vendngjarje kanë shkuar forcat e komisariatit nr. 3, të cilat bënë të mundur arrestimin në flagrancë të 44-vjeçarit Edmond Doku. Gjatë fazës hetimore, ky i fundit ka pranuar autorësinë e krimit, duke treguar se vrasjen e bashkëshortes e kishte bërë në kushtet e gjaknxehtësisë dhe dehjes nga alkooli.

Dhjetë dëshmitarë

Rreth dhjetë persona pritet të paraqiten në sallën e gjyqit për të dëshmuar atë që kanë parë ditën e ekzekutimit me thikë të Rolanda Dokut. Mësohet se në listën e dëshmitarëve, përfshihet dhe fëmija 10-vjeçar i çiftit, i cili në prani të një psikologeje, ka treguar atë që i kanë parë sytë në hyrje të pallatit, kur babai i tij 44-vjeçar ka qëlluar me pesë thika nënën e tij. Veç kësaj dëshmie, në gjykatë pritet të paraqiten edhe dëshmitarë të tjerë të cilët janë banorë të pallatit që kanë parë ngjarjen. Ndërkohë që nuk dihet me saktësi, por ka shumë mundësi që Edmond Doku, t’i kërkojë Gjykatës së Tiranës gjykim të shkurtuar duke pranuar krimin edhe në sallën e gjykimit. Vrasja e Rolanda Dokut, ka ndodhur në muajin tetor të vitit të kaluar në një nga pallatet në zonën e Laprakës, në kryeqytet.

 

Ngjarja në Vlorë

Shkarjet e dheut, 22 familje në rrezik banesat

Situata për familjet në lagjen “10 Korriku ” në Vlorë sa vjen dhe bëhet më kritike nga shkarjet e dheut. Banorët të pashpresë dhe në mungesë të ndihmës nga institucionet vendore ruajnë zonën nga frika e rrëshqitjeve të tokës. Këta banorë kanë vendosur një projektor për të parë kodrën nga lart. Nëse ajo nis e dridhet, atëherë ata duhet të braktisin banesat. Të marrin ç’të mundin dhe të shpëtojnë kokën. Gjendja për 22 familjet e lagjes “10 Korriku” në Vlorë është kritike. Asnjë plan konkret nuk është materializuar. Asnjë masë për parandalimin e shkarjes së mëtejshme të dheut. Banorët e kësaj zone prej disa ditësh janë në ankth e vëzhgojnë pa ndërprerje situatën. Në mungesë të ndonjë ndihme, tentojnë të pastrojnë ç’të mundin.

 

Rrahu kryeplakun

Lirohet biznesmeni, pas 10 orëve i shoqëruar

Policia e Vlorës ka arrestuar dhe më pas liruar biznesmenin Florian Beli, i cili keqtrajtoi me grushte kryeplakun e fshatit gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit të Bashkisë Himarë. Sipas drejtorit të policisë së Vlorës, Beli ka qëndruar i shoqëruar për rreth dhjetë në polici, por më pas është lënë i lirë, pasi kaq e parashikon ligji për mbajtjen në izolim të personave që keqtrajtojnë qytetarët. Lidhur me këtë ngjarje, ndaj biznesmenit Florian Beli janë referuar materialet hetimore në prokurori dhe se ndaj tij është ngritur akuza e fyerjes dhe rrahjes. Nga të dhënat e para rezultoi se kryeplaku i fshatit Palasë, Odisea Dhimolea, është dhunuar nga një prej biznesmenëve dhe anëtarëve të këshillit bashkiak të Himarës, sepse ka kundërshtuar ndërtimin e një guroreje në një prej pikave më tërheqëse të fshatit Palasë. Sipas denoncimit të bërë në polici, thuhet se është goditur me grushte nga Florentin Beli, i cili në fakt është personi që ka bërë kërkesën për guroren.

 

Vrasja e Sakos, pamjet e marra

nga disa kamera dalin të pastra

Zbehen shpresat për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të vrasjes së 40-vjeçarit Admirim Sako

Të gjitha pamjet filmike që janë administruar në dosjen e atentatit të Admirim Sakos, kanë dalë të pastra, duke mos treguar asnjë person të dyshimtë që mund të ketë qenë ekzekutori i babait të dy fëmijëve. Konkluzioni ka ardhur pas verifikimit me imtësi të të gjitha pamjeve filmike dhe se në fund të tyre asnjë person nuk është shfaqur si individi që mendohet se ka vrarë 40-vjeçarin Sako. Burime pranë policisë dhe prokurorisë së Tiranës thanë se janë verifikuar me imtësi shumë persona, por që gjatë kësaj pune nuk është parë asnjë karakteristike apo ndonjë shenjë, që mund të dallohet me vrasësin. “Ne kemi bërë verifikimit në bazë të të dhënave karakteristike që na ka dhënë gruaja dhe kamerieri i një lokali, të cilët kanë parë autorin, por që asnjë person me këto karakteristike s’na është shfaqur në pamjet filmike të sekuestrua në kamerat e zonës, ku ndodhu krimi”, – shprehen burimet pranë policisë dhe prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, çështja tashmë është tepër e ngatërruar, për shkak edhe të konflikteve të vazhdueshme që ka pasur viktima me të afërmit e Elton Deliut, lidhur me ndarjen e pasurisë. Burime tregojnë se dyshimet flasin se përplasje viktima ka pasur edhe me shtetasen Ada Musaraj, ish-e dashura e Elton Deliut, e cila një ditë më parë është pyetur në policinë e Tiranës, duke treguar rreth miqësisë që kishte pasur me Admirim Sakon dhe “fërkimet” e kohëve të fundit. Veç çështjes së pronave, policia e Tiranës është duke u hetuar edhe për çështjen e tregtisë së drogës, por që në fakt kjo pistë pritet të përjashtohet, duke përqendruar hetimin vetëm tek konfliktet me pasurinë.

Shitja e pasurisë

Nga informacionet operative të mbledhura nga agjentët e policisë së Tiranës rezulton se mes Elton Deliut dhe Admirim Sakos është bërë shitja e dhjetëra pronave, duke kaluar nga emri i Deliut në emrin e shoferit të tij personal Admirim Sako. Këto kalime janë bërë me akt-marrëveshje dhe me deklarime shitje, veprime këto që kanë qenë të falsifikuara, pasi edhe pse ndodheshin në emër të Admirim Sakos, sërish pronat administroheshin nga Elton Deliu dhe nëna e tij, shtetasja Flutura Deliu, të vrarë me armë zjarri në muajin dhjetor 2008 në apartamentin e tyre. Mirëpo pas vdekjes së tyre, pronat mbetën në emër të Admirim Sakos dhe ky i fundit i ka menaxhuar që prej vitit 2008. Megjithëse të afërmit e Elton Deliut i kanë kërkuar disa herë me radhë Admirim Sakos që të hiqte dorë prej tyre, duke ia kaluar me të njëjtën formë pronat të afërmit të Deliut, siç ky i fundit ia kishte kaluar me akte-shitje formale, Admirim Sako s’ka pranuar, duke bërë që kushërinjtë e Deliut të hynin në konflikt disavjeçar me Sakon. Mirëpo teksa Sako konfliktohej me të afërmit e Deliut, Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar sekuestrimin e të gjitha pasurive, duke bërë që ato tashmë të mos jenë në gjendje të shiten dhe të tjetërsohen. Pritet që në ditët në vijim, prokuroria do t’i drejtohet me një kërkesë gjykatës për konfiskimin e pasurisë 3 milionë euro dhe kalimit të saj në administrim nga shteti.

Autori me pagesë

Nga hetimet e kryera policia e Tiranës ka forcuar akoma dhe më tepër bindjen e saj se vrasja e Admirim Sakos, është bërë nga njerëz të paguar dhe profesionistë. Ky përfundim vjen për shkak se autori ka qëlluar shumë shpejt dhe se brenda 5 sekondave ai është larguar mes pallateve duke mos arritur të lërë shumë gjurmë për identifikimin e tij. Vrasësi ka qenë guximtar, pasi ka shtyrë bashkëshorten e Sakos dhe më pas ka qëlluar tri herë mbi 40-vjeçarin. Megjithëse gruaja ka reaguar duke e qëlluar me çadër, autori i krimit nuk ka bërë asnjë veprim apo të ketë qëlluar mbi të, edhe pse ishte vetëm 2 metra larg saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency