Bode: Opozita, aleancë bllokuese, dështon në zgjedhjet e qershorit

0
43

Ina Jano

pdMinistrat, të shpërndarë në bazë për festimin e 22-vjetorit të degëve të PD-së

Olldashi, Bode, Noka: Shqipëria në BE, falë reformave

 

Ministrat e kabinetit qeveritar “Berisha” janë të bindur që opozita do të dështojë në zgjedhjet e 23 qershorit. Kështu, numri një i financave, nga Pogradeci, deklaroi se opozita deri më tani është duke formuar një aleancë bllokuese dhe kjo është arsyeja se pse mazhoranca do t’i fitojë zgjedhjet. Ai u shpreh se në fakt Rama është i vetmi që po bllokon integrimin. “Ne jemi ndryshimi, sepse kemi plotësuar standardet sot për të marrë statusin e vendit kandidat. Ata që na rrethuan me tela me gjemba sot në aleancën më të pashpresë historike të së majtës shqiptare, kanë mbetur minoranca e minorancës përballë një koalicioni që gjithnjë vjen e zgjerohet”, – tha ai. Më tej nënkryetari i PD-së radhiti disa nga arritjet që kanë ndodhur nën drejtimin e kësaj force politike në vend. Duke nënvizuar se qeveria i ka plotësuar të gjitha detyrimet për të qenë pjesë e BE-së, tha se përballë qëndron opozita e cila vetëm bllokon integrimin e Shqipërisë. Partia Demokratike, sipas Bodes, e gjeti Shqipërinë të fundit në Evropë në renditjen ekonomike dhe arriti ta çojë vendin lart me reformat e realizuara. Duke u mbështetur në arritjet e qeverisë Bode shprehu bindjen në fitoren e mandatit të tretë qeverisës për ta çuar vendin drejt BE-së. “Ne jemi ndryshimi, se e ndryshuam Shqipërinë. Ne jemi ndryshimi, se e gjetëm vendin të fundit në Evropë, por me reforma e çuam lart. Jemi vendi i vetëm që kemi rritje të trendit të punësimit në kohë krize. Ne i hapëm rrugën vendit për në BE, përballe nesh janë ata qe dikur ishin izolimi dhe sot janë bllokimi. Ju ftoj të përballemi me fushatën elektorale, për të çuar vendin në BE. Ne jemi ndryshimi, përpara”, – tha ai. Ndër të tjera ministri Bode tha se kjo është një ditë e shënuar, dhe që do të mbetet mend gjatë pasi është dita e themelimit të pluralizmit politik për të qenë pjesë e BE-së. Ai tha se shqiptarët kanë zgjedhur PD-në për të qenë së bashku në Evropë. “Përballë nesh janë ata të një aleance të pashpresë që dje na izoluan. Ata janë bllokimi, janë izolimi ndaj ne do të fitojmë. Shqiptarët presin që ne të thyejmë murin e fundit të bllokimit”, – tha Bode. Në përfundim të aktivitetit u ndanë dhe 42 certifikata mirënjohjeje për themeluesit e PD-së në këtë qytet.

Ministri i Punëve Publike e Transportit, Sokol Olldashi, festoi me qytetarët e Lushnjës 22-vjetorin e degës së PD-së, ku gjithashtu shprehu siguri për fitoren e mandatit të tretë qeverisës. “Partia Demokratike ka një vizion të qartë për zhvillimin e vendit dhe të objektivave të saj. Bilanci i kësaj qeverisjeje është bilanc i sukseseve, ndaj PD-ja do të votohet edhe në këto zgjedhje”, – deklaroi Olldashi. Ndërsa sekretari organizativ i PD-së, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ishte në Has, nga ku deklaroi se qytetarët do të zgjedhin Shqipërinë evropiane më 23 qershor. Noka tha se as socialistët nuk e meritojnë një lider si Rama, i cili, sipas tij, ka si prioritet bllokimin e integrimit të Shqipërisë. Në 22-vjetorin e krijimit të degës së Hasit, ai premtoi vijimin e investimeve në këtë zonë, një prej të cilave është ndërtimi i rrugës Kukës – Krumë brenda muajit maj.

 

 

Heqja e mandatit të Fidel Yllit, deputetët e PD-së çojnë kërkesën në Kuvend

Edi Paloka, Sherefedin Shehu, Fatbardh Kadilli, Paulina Hoti, Rajmonda Bulku, disa nga nismëtarët e kërkesës për heqjen e mandatit

 

Deputetët e Partisë Demokratike depozituan në Kuvend kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste Fidel Ylli, për shkak se ata pretendojnë se ai ka shkelur nenin 70 të Kushtetutës. Ligjvënësit kërkojnë që Kuvendi ta çojë çështjen e papajtueshmërisë me detyrën në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa mësohet se kërkesa është nënshkruar nga një e dhjeta e tyre. Në kërkesën e tyre thuhet se deputeti socialist ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti. Siç përcakton ligji, frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike. “Kushtetuta thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Pas katër muajve, në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, zoti Ylli rezulton të ketë bërë një shitje fiktive të radios, duke e kaluar atë në pronësi të së motrës, në fund të dhjetorit 2009”, – thuhet në kërkesën e deputetëve demokratë. Sipas deputetëve të PD-së, rasti i deputetit Fidel Ylli është i ngjashëm me atë të ish-kolegut të tij, Ilir Beqja. “Grupi i deputetëve nismëtarë për këtë çështje vlerëson se roli i deputetëve dhe i Kuvendit, në tërësi është thjesht konstatues i fakteve, të cilat prima facie tregojnë se një deputet ka papajtueshmëri në ushtrimin e detyrës së tij. Në këtë rast faktet janë evidente dhe të provuara me dokumente shtetërorë. Sikundër konstatohet lehtë në kohën kur zoti Fidel Ylli kishte filluar mandatin e deputetit ka pasur licencë për radio private vendore, shoqëria në të cilën ai ishte ortak i vetëm. Frekuencat radio dhe ato televizive, sipas ligjit përkatës, përbëjnë pasuri të shtetit dhe për pasojë kjo përbën një rast të dukshëm dhe të mbështetur në prova që tregon papajtueshmëri në ushtrimin e detyrës së deputetit”, – shkruhet në kërkesën e deputetëve demokratë. Ndër emrat që kanë firmosur kërkesën të depozituar tashmë në zyrat e Kuvendit, janë Selami Xhepa, Fatbardh Kadilli, Paulina Hoti, Sherefedin Shehu, Raimonda Bulku, Igli Cara, Edi Paloka, Vath Tabaku, Ndriçim Babasi, Luan Skuqi, Florian Mima etj.

 

 

Berisha, takim me investitorët e Katarit, diskutim për hapësirat ajrore

Kryeministri Berisha u takua me një delegacion të kompanive nga Katari, të shoqëruar nga ambasadori i Katarit në Shqipëri, zoti Yossef Bin Hassan Bin Yousef Al Saai. Ambasadori i Katarit rikonfirmoi interesin që shteti që ai përfaqëson ka për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike përmes sipërmarrjeve të investimeve nga kompanitë katareze në Shqipëri. Kryeministri Berisha shprehu potencialin që Shqipëria ofron për investitorët katarezë në shumë fusha ekonomike me interes reciprok, sikurse në fushën e investimeve në pasuritë e paluajtshme, në fushën e energjisë për ndërtimin e hidrocentraleve, në fushën e bujqësisë në prodhimin e produkteve bujqësore e mbarështimin e gjedhëve. Potenciale zhvillimi paraqiten edhe në fushën e aviacionit, ku Kryeministri shprehu gatishmërinë për dhënien e lirisë së pestë të ajrit në bazë të marrëveshjes shtetërore mes Shqipërisë e Katarit. Kështu do të mundësohet fillimi i operimeve të Qatar Airways në Shqipëri. Së fundmi, Kryeministri konfirmoi edhe njëherë angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të mundësuar iniciativa të suksesshme të investitorëve katarezë, në një mjedis ekonomik dhe rregullator liberal e tërheqës që Shqipëria ofron. Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të kompanisë shtetërore për investimet Qatar Diar dhe nga kompani në fushën e energjisë dhe ujit, aviacionit, bujqësisë e minierave.

 

 

PD: Rama beson se nëpërmjet krimit mbledh vota

Partia Demokratike ka reaguar dje lidhur me deklaratat e kryesocialistit Edi Rama në rastin e rënies në krye të detyrës të komisarit Musa Skura. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Laura Vorpsi tha se kryetari i Partisë Socialiste është i vetmi politikan që beson se nëpërmjet krimit dhe veprave të tij të zeza mund të mbledhë vota. “Pasi deklaroi me zëdhënësin e tij se komisar Skura nuk ra në krye të detyrës, më pas në dy deklarata, politizoi rënien e tij në krye të detyrës duke besuar verbërisht se kjo i sjellë vota”, – tha në deklaratën për mediat zëdhënësja Vorpsi. Sipas saj, Rama kërkon me pahir të bëhet avokat i Policisë së Shtetit kur në panelin nga i cili loton ka në krahë njerëz të cilët kanë vrarë e masakruar të pafajshëm deri në vitet ‘90 e që fëmijët e tyre kanë ekzekutuar me plumb në kokë dhe kanë plagosur të rinj të pafajshëm në Tiranë”. Zëdhënësja e selisë blu tha se Rama nuk mundet të bëhet avokat i Policisë së Shtetit dhe Shtetit Ligjor, një njeri që më shumë se kushdo tjetër e ka shpërblyer krimin e organizuar me leje ndërtimi e pallate, kryebashkiaku të cilin kriminelët e dërgonin për t’u blerë cigare. “A mundet të jetë avokat i Policisë, njeriu që edhe për Sekretar të Partisë Socialiste për Rendin ka zgjedhur individë që me drejtësinë i kanë dosjet e hapura? Kur Edi Rama flet për policinë e drejtësinë nuk qeshin vetëm kriminelët, por qeshin të gjithë shqiptarët”, – përfundoi Vorpsi nga selia e blu.