Gëzim Saliu
Asambleja pritet të marrë vendimin politik që do të ndjekë forca më e madhe politike në Kuvend lidhur me rishpërndarjen e mandateve për zgjedhjet e 23 qershorit
Partia Socialiste mbledh ditën e sotme në orën 11:00 Asamblenë Kombëtare, forumin më të lartë vendimmarrës, i cili pritet të vendosë lidhur me organizimin e strukturave dhe strategjinë e komunikimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Po ashtu, pjesë e diskutimit do të jetë edhe procesi i hartimit të listave të kandidatëve për deputetë si edhe përçimi tek elektorati i programit politik. Ndërkohë, dy çështje të tjera, të cilat pritet të trajtohen në punimet e Asamblesë, do të jetë koalicioni i ardhshëm zgjedhor i opozitës dhe procesi përgatitor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Mbledhja
Me mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare pritet të nisë zyrtarisht puna organizative e socialistëve për parlamentaret e 23 qershorit. Në bazë të diskutimit të anëtarëve të Asamblesë do të jetë pikërisht shpërndarja e strukturave dhe caktimi i detyrave specifike për secilin prej tyre. Në rang të përgjithshëm, strukturat e PS-së, duke iu referuar strategjisë elektorale të miratuar më parë në mbledhjen e kaluar të Asamblesë, do të fokusohen kryesisht në dy drejtime: identifikimi i listave të zgjedhësve dhe mbrojtja e votës. Në këtë kontekst pritet të përqendrohet edhe fjalimi i kryesocialistit Rama para anëtarëve të Asamblesë, duke vënë theksin tek rëndësia që merr për socialistët ky organizim, zanafillën e së cilës do ta ketë tek baza socialiste dhe komunikimi me qytetarët. Në të njëjtën linjë pritet që në mbledhjen e Asamblesë të shqyrtohet edhe raporti për punën e bërë deri tani lidhur me censusin e brendshëm dhe elementet e tjerë të përgatitjes së zgjedhjeve. Ky raport është përgatitur nga grupi i punës pranë kryesisë së PS-së në përbërjen e të cilit janë katër sekretarët e PS-së, Gramoz Ruçi, Blendi Klosi, Bashkim Fino e Fatmir Xhafa. Ndërkohë një tjetër çështje e rëndësishme e mbledhjes së sotme do të jetë edhe përpilimi në formë të plotë i strategjisë së komunikimit për fushatën zgjedhore. Në këtë pikë anëtarët e Asamblesë do të vendosin për mënyrën se si do të ngrihen shtabet elektorale nga baza në Tiranë, në rreth dhe në çdo qendër votimi. Gjithashtu çështja e shumë debatuar aktualisht në jetën politike për shpërndarjen e mandateve do të jetë në qendër të vëmendjes në punimet e sotme. Për të bërë të ditur detajet e kësaj çështjeje, sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Damian Gjiknuri, do të paraqesë një raport lidhur me debatin me mazhorancën për ndarjen e mandateve. Pritet që Asambleja të marrë në përfundim të diskutimeve një vendim politik për këtë çështje, duke mos anashkaluar qëndrimin kundërshtues të ligjvënësve socialistë ndaj vendimit për të përdorur skemën e ndarjes së mandatave të 2009-ës edhe në zgjedhjet e 23 qershorit. Nga ana tjetër anëtarët e Asamblesë do të diskutojnë edhe lidhur me koalicionin e ardhshëm zgjedhor dhe platformën e miratuar dy ditë më parë në tryezën e liderit socialist Rama me krerët e 26 partive aleate. Mbledhja e sotme e Asamblesë Kombëtare, e cila përbën etapën e shqyrtimit të imtësishëm të të gjithë strategjisë elektorale të socialistëve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, do të shënojë nisjen zyrtare të fushatës elektorale për partinë Socialiste.
Mandatet, të hënën KQZ diskuton kërkesën e anëtarëve të opozitës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të diskutojë ditën e hënë kërkesën e tre anëtarëve të tij, përfaqësues të opozitës, për thirrjen e një mbledhje me rend dite çështjen e “caktimit të mandateve për zonat zgjedhore për zgjedhjet e 2013-s”. “Ka një kërkesë për thirrje të mbledhjes nga tre anëtarët e KQZ-së, zv.kryetari, Denar Biba, anëtarja Albana Shtylla dhe anëtari Jani Jani, me këtë rend dite: “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin 2013″. Kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e së hënës (ora 10:00), bashkë me dy çështje të tjera”, – thuhej në njoftimin zyrtar të zyrës së shtypit të KQZ-së. Dy ditë më parë, zv.kryetari i KQZ-së Denar Biba kërkoi që Komisioni të marrë në shqyrtim projektvendimin për ndarjen e mandateve, sipas variantit të propozuar nga administrata zgjedhore. Ndërkohë, që më parë për këtë çështje, anëtarët e KQZ-së, të propozuar nga opozita parlamentare, nuk dhanë konsensus. Kjo e detyroi KQZ-në që në mungesë të një vendimmarrje t’ia kalojë p/vendimin për shqyrtim Kuvendit. Lidhur me kundërshtinë e PS, e cila e cilëson si antligjore zgjidhjen e çështjeve të ndarjes së mandateve nga kuvendi, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali ka deklaruar se çdo veprim për ta zgjidhur këtë çështje jashtë Kuvendit të Shqipërisë do të ishte e kundërligjshme. Sipas Rusmalit ishin dy anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste në KQZ që bllokuan procesin në kundërshtim me ligjin dhe tashmë i takon Kuvendit për zgjidhjen e kësaj situate. Tre ditë më parë, komisioni i Ligjeve, vetëm me votat e mazhorancës e miratoi projektvendimin që përcakton shpërndarjen e mandateve sipas formulës së zgjedhjeve të 2009-ës dhe tashmë pritet që ai t’i kalojë për miratim seancës plenare të radhës.
Dade: Lista e deputetëve të përfshijë specialistë, koalicioni nuk ka probleme
Anëtarja e kryesisë së PS-së, Arta Dade, deklaron se për përcaktimin e listave të deputetëve socialistë që do të garojnë përballë atyre të mazhorancës në zgjedhjet e e23 qershorit, selia rozë ka një statut të caktuar që duhet respektuar. Në një intervistë për “News 24”, Dade nënvizon nga ana tjetër se është e domosdoshme që në këto lista krahas figurave publike të përfshihen edhe specialistë të ndryshëm. “Këtu nuk kemi të bëjmë më çfarë mendon secili prej nesh, Partia Socialiste është serioze dhe ka statutin e saj dhe rregulla që janë respektuar. Ne e kemi një praktikë të konsoliduar që merret mendimi i partisë, në numrin e kandidatëve që i paraqitet strukturave të tjera, dhe në asnjë rast, kjo përzgjedhje s’mund të anashkalojë strukturat e bazës së partisë. Sepse puna nuk është individuale por e përbashkët dhe e strukturave. Nuk gjykoj se kemi pasur ndonjë problem, sigurisht është evidentuar ndonjë pakënaqësi në të shkuarën, por do i eliminojmë. Përveç asaj duhet të ketë kritere profesionale, duhen specialistë përveç figurave të spikatura publike, përveç figurave që janë të votuara nga elektorati dhe të respektuar përtej elektoratit tone”, – tha Dade. Ndërkohë lidhur me problematikat me koalicionin e majtë, kryesisht me ndasitë e fundit me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule, deputetja socialiste mohoi konfliktet. “Koalicioni opozitar ka funksionuar pavarësisht se ka pasur ndonjë votë ndryshe nga partia socialiste . Vota e Dules për ILDKP-në s’mund të jetë interpretuar si diçka negative sepse s’kemi pasur një diskutim paraprak për mënyrën e votimin . Në nivel lokal koalicionet funksionojnë dhe në veçanti qarku i Gjirokastrës, ku në drejtojmë qarkun edhe me PBDNJ-në, pra nuk ka pse krijohet ideja se ka probleme në koalicion”, – u shpreh anëtarja e kryesisë së PS-së Arta Dade.