Klajda Gjosha Politikania që sjell përvojën evropiane nga zyrat e Doris Packut

0
189

klajdaKlajda Gjosha është zv.ministre në Ministrinë e Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, po aderon dhe në politikë, në krahun e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ajo është e njohur tashmë në karrierën intensive qoftë në politikë, ashtu dhe në administratë. Po ta pyesnim për çështjet e barazisë gjinore apo të gjendjes në Shqipëri mbi komunitetet si ajo e romëve, sigurisht që perceptimi i saj do t’i largohej qasjes politike. Por me zv.ministren Gjosha biseda e mëposhtme kalon qasjen e përditshmërisë shqiptare, duke parë nga lart se si një lider politik krijon karrierën, qoftë dhe ky i ri në moshë, si në rastin e saj. Sjellja e një përvoje të re në mënyrë si shihet politika në Shqipëri është ndoshta një nga hapësirat e pakonsumuara për debat, ku Gjoshën jo pa qëllim i kujtojmë eksperiencën që ajo ka pasur si praktikë studimi në zyrat e Doris Pack, eurodeputetja gjermane.

“Është një internship të cilin unë e kam kryer pas mbarimit të studimeve master për Studime Evropiane. Duke qenë se dega e përzgjedhur kishte të bënte pikërisht me institucionet e Bashkimit Evropian unë aplikova për të kryer një stazh pune pranë Parlamentit Evropian. Eksperienca ka qenë e jashtëzakonshme dhe bën pjesë në kujtimet e mia më të bukura. Ishte kjo eksperiencë që më dhuroi kulturën e parë të punës”. Megjithatë pas altarit administrativ, politika për Klajdën është një lloj busulle që inkurajon më tepër të pashpresët se si mund të jetohet e bëhet ky vend.

 

 

Kur morëm CV-në tuaj, shkruani në krye “Formati evropian curriculum vitae”, duke vendosur edhe simbolikën. Kjo na shtyn t’ju pyesim direkt, ç’do të thotë kjo prezencë “evropiane”?

 

Formati Evropian i Curriculum Vitae në radhë të parë është formati standard dhe më i përdorur nga të gjitha institucionet në Shqipëri. Përveç kësaj, fakti që Shqipëria dhe të gjithë ne si qytetarë aspirojmë të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, kjo në vetvete do të thotë se duhet te adaptojmë disa rregulla të Evropës, pra me pak fjalë duhet të fillojmë të integrohemi në shoqërinë evropiane. Dhe integrimi fillon që nga komponent tepër të vegjël si CV e përbashkët e deri te funksionimi i një shteti me rregulla të përbashkëta. Me këtë CV unë nuk kam bërë gjë tjetër veçse u jam shtuar radhëve të atyre qytetarëve që dëshirojnë shumë të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

 

Që prej mesit të dhjetorit ju punoni në Ministrinë e Punës dhe çështjeve sociale, me përgjegjësi si zëvendësministre. Mosha juaj mjaft e re për një post administrativ. Pse zgjodhët të ishit në administratë, ka një “gjykim” izolues dhe për njerëz burokratë për të?

 

Unë kam qenë pjesë e administratës që në moshë fare të re duke mbartur dhe pozicione drejtuese. Posti i zëvendësministres për mua është hapi i radhës pasi i kam kaluar të gjitha etapat për të ardhur deri këtu. Është përgjegjësi shumë e madhe por kjo në të njëjtën kohë është një sfidë për të cilën nuk kam frikë. Të jesh pjesë e administratës për mua do të thotë të punosh me njerëzit dhe për njerëzit. Kjo më bën ti dedikohem shumë punës time.

 

Tërheq gjithmonë fakti kur një femër merr post me përgjegjësi si në rastin tuaj, zëvendësministre.

Nga ana tjetër “zona juaj e veprimit” lidhet me çështjet gjinore, komunitetin e romëve si dhe njerëzve me aftësi të kufizuar. A nuk duket pak komplekse të qënit në një post politik dhe njëkohësisht të keni sensibilitet mbi plagë që i vijnë shoqërisë me zhvillimin?

 

Nuk është aspak komplekse pasi të kesh një post politik do të thotë të jesh shumë afër njerëzve dhe komunitetit. Është ky post me të cilin ti prek realitetin nga afër dhe rrjedhimisht të ndihmon në vendimmarrje administrative ku nëpërmjet shumë nismave konkrete mund t’i japësh zgjidhje shumë çështjeve që shqetësojnë qytetarët. Në rastin tim fusha e barazisë gjinore është ajo që unë drejtoj dhe politikisht dhe e lehtëson punën time pasi më ndihmon në renditjen e prioriteteve dhe të problematikave me të cilat ndeshen përditë gratë dhe vajzat shqiptare.

 

Ju drejtuam pyetjen më lart për t’ju marrë vëmendjen në një çështje delikate që ndeshim sot; politika dhe shoqëria civile. Ju si e shikoni këtë marrëdhënie këtu, sidomos pozicionin e kësaj të fundit?

 

Politika dhe Shoqëria Civile janë dy komponent të rëndësishëm të cilët nuk e kryejnë dot funksionin e tyre pa njëri tjetrin. Politika ka nevojë për shoqërinë civile në mënyrë që të zbatoj dhe të implementojë prioritet e saj ne fusha të caktuara në linjë të drejtpërdrejtë me komunitetin dhe individët. Ndërsa shoqëria civile nuk mund të funksionojë pa drejtimin politik. Kanë një marrëdhënie ndërvepruese por është e rëndësishme që shoqëria civile të jetë aktive në të gjitha problematikat sociale dhe cdo nisëm e tyre duhet të jetë ne favor të shoqërisë.

 

Keni kryer studimet jashtë vendit, kualifikuar po ashtu. Pati një periudhë fushate mbi thithjen e “trurit” në Shqipëri, fjala për studentë e ekspertë të cilëve iu ndez shpresa se mund të gjenin veten këtu. A mendoni se kjo është e drejtë, dhe funksionon njëkohësisht? Me ju si ndodhi, ishte kjo arsyeja e kthimit në Shqipëri?

 

Unë jam kthyer nga Anglia në 2006 kur përfundova edhe studimet master. Në fillim kam qenë shumë skeptike dhe ndjenjat ishin të dyfishta. Shpesh herë isha e lumtur që do të vija pranë familjarëve dhe shoqërisë time dhe nga ana tjetër nuk e dija nëse do mundesha të përshtatesha sërish me mënyrën e jetesës dhe në përgjithësi me mentalitetin shqiptar. Por pas pak kohësh kuptova se Shqipëria është vendi im dhe jo vetëm që e kuptoj mjaft mirë situatën në të cilën ndodhet vendi dhe mënyrën e funksionimit të jetës por u mundova ta alternoja atë me gjithë kulturën strikte Britanike të cilën e mbarta nga ai vend. Fakti që unë e kisha ruajtur me shumë fanatizëm shoqërinë e shkollës së mesme më ndihmoi shumë të bëhesha menjëherë pjesë e rrjedhës së përditshme në Tiranë.

 

Përvoja juaj prej mbarimit të studimeve duket se ka qenë mjaft intensive duke mos iu larguar zonave të nxehta sociale apo imazhit dhe që shpesh mbeten pa vëmendje nga qeveritë apo politika. Shpesh “zhgënjimi” shtyn për rrugë më të lehta për t’i ikur realiteteve të zymta, juve çfarë ju motivon për të gjitha këto?

 

Të qëndrosh afër realitetit nuk do të thotë domosdoshmërisht të zhgënjehesh. Për mua të gjitha eksperiencat e marra që prej mbarimit të studimeve kanë qenë një shtysë e madhe dhe një zgjim dëshire për të punuar akoma më shumë. Motivimi im kryesor janë njerëzit, jam munduar të mësoj prej tyre por edhe ti mbështes brenda kompetencave që unë kam disponuar.

 

Keni kaluar eksperienca të tilla që prekin dhe tregun mediatik. Si e shikoni relacionet e medias me shoqërinë, politikën, individin?

 

Media luan një rol kryesor në informimin e publikut dhe në sensibilizimin e shoqërisë ndaj çështjeve të rëndësishme që prekin atë. Rëndësi të veçantë ka gjuha e përdorur dhe imazhet e shfaqura. Këto janë dy komponentë që kane impakt të drejtpërdrejtë te publiku. Duhet theksuar fakti se mediat në Shqipëri, sipas mendimit tim, janë deri diku të politizuara që do të thotë se për të njëjtin informacion mund te ketë disa këndvështrime në media të ndryshme. Kjo krijon një çorientim të publikut dhe individëve dhe kalon deri ne humbjen e besimit ndaj informacionit mediatik. Unë besoj se depolitizimi i medias jo vetëm do ta çlirojë atë ne dhënien e informacionit por njëkohësisht do të ndihmoj në lidhjen e ngushtë me shoqërinë dhe individët. Është detyrë e medias të pasqyrojë realitetin duke dhënë mesazhe të rëndësishme ne shoqëri.

 

Në CV-në tuaj pamë se keni kaluar edhe përmes zyrës së Doris Pack, ç’ishte kjo përvojë pune?

 

Është një internship të cilin unë e kam kryer pas mbarimit të studimeve master për Studime Evropiane. Duke qenë se dega e përzgjedhur kishte të bënte pikërisht me institucionet e Bashkimit Evropian unë aplikova për të kryer një stazh pune pranë Parlamentit Evropian. Eksperienca ka qenë e jashtëzakonshme dhe bën pjesë në kujtimet e mia më të bukura. Ishte kjo eksperiencë që më dhuroi kulturën e parë të punës.

 

Diversiteti kulturor është një nga përballjet që po bëhet sfidë për vende të vogla si ne, në fakt ju keni një përvojë të tillë të mjaftueshme sa për t’ju pyetur se në të vërtetë në vizionin e një shoqërie të sotme çfarë konsiderohet lehtësisht e integrueshme?

 

Nuk mund të veçoj komponentë të caktuar të cilët mund të jenë lehtësisht të integrueshëm nga shoqëria krahasuar me disa të tjerë. Integrimi i një shoqërie është një proces në vazhdimësi, i cili nuk ka limit dhe për një vend të vogël si Shqipëria duke analizuar me kujdes dhe pjesën historike të saj ka shumë aspekte të reja me të cilën shoqëria jonë prezantohet çdo ditë. E rëndësishme është që ne sot mund të quhemi një shoqëri e hapur e cila e pranon konceptin e diversitetit kulturor dhe jemi pozitiv ndaj idesë së një shoqërie evropiane.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency