Bankat e nivelit të dytë nuk japin kredi për bizneset shqiptare

Ervin Kaduku

bankatStandardete kredisë kanë vijuar të shtrëngohen për bizneset dhe kanë mbetur të pandryshuara për kreditë dhënë individëve

 

Banka qendrore ka publikuar dje analizën e nivelit të kreditimit bankar ndaj biznesit dhe individit gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Bazuar në rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues, standardete kredisë kanë vijuar të shtrëngohen për bizneset dhe kanë mbetur të pandryshuara për kreditë dhënë individëve, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2012. Standardet e kredisë u shtrënguan si për kreditë dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ashtu dhe për ato dhënë ndërmarrjeve të mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u shtrënguan për ato me qëllimin financimin e investimeve dhe të kapitalit qarkullues. Standardet për kredi për blerje banese dhe për kredinë konsumatore kanë mbetur të pandryshuara që prej tremujorit të parë të vitit 2012.

Faktorëtme kontributin kryesor në shtrëngimin e standardeve të kredisë për bizneset, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2012 ishin: problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar dhe situata makroekonomike në vend. Për kreditë dhënë individëve, faktorët që kontribuuan në shtrëngimin e standardeve janë: gjendja e kredive me probleme, gjendja financiare e individëve dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.

Kushtetnëpërmjet të cilave bankat kanë zbatuar politikën shtrënguese të standardeve për kreditë dhënë bizneseve janë: rritja e kërkesës për kolateral, në raport me madhësinë e huasë, zgjerimi i marzhit mesatar dhe atij për kreditë me rrezik. Për individët, politika shtrënguese është zbatuar nëpërmjet uljes së madhësisë së kredisë së akorduar dhe rritjes së kërkesës për kolateral.

 

Kërkesa nga biznesi

 

Bankat nuk i janë përgjigjur një risie gjatë periudhës që merret në shqyrtim, sipas BSH. Kërkesapër kredi nga bizneset vlerësohet të jetë rritur ndjeshëm në tremujorin e katërt të vitit 2012, veçanërisht ndikuar nga kërkesa për kredi e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Kërkesa neto e individëve për kredi ka vijuar të jetë negative edhe gjatë këtij tremujori, ndikuar kryesisht nga rënia e kërkesës për kredi për blerje banese.

Por, lajm i keq është se nga bankat standardet e kredisë dhënë bizneseve pritettë shtrëngohen më tej, sipas qëllimit të përdorimit dhe sipas madhësisë së bizneseve në tremujorin e parë të viti 2013. Standardet e kredisë dhënë individëve pritet të lehtësohen, si për blerje banese ashtu edhe për kredinë konsumatore. Kërkesa e bizneseve për kredi pritet të ulet pak, ndërsa kërkesa e individëve për kredi pritet të përmirësohet lehtë gjatë tremujorit të parë të vitit 2013.

 

Kredia për bizneset

 

Standardet e kredisë dhënë bizneseve kanë vijuar prirjen shtrënguese gjatë tremujorit të katërt të vitit 2012. Balanca neto e përgjigjeve të bankave që janë shprehur për shtrëngim të standardeve, shënoi vlerën -7.2%, në rritje me rreth 0.9 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Vlerësimi i standardeve për kredi dhënë bizneseve, në tremujorin e katërt të vitit 2012, nuk është në të njëjtin drejtim me pritjet më optimiste të shprehura nga bankat për këtë periudhë në vrojtimin e mëparshëm.

Në tremujorin e katërt të vitit 2012, vlerësimi i ekspertëve të bankave për kërkesën e bizneseve për kredi është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me tremujorin e tretë. Përqindja neto e bankave që kanë perceptuar rritje të kërkesës për kredi rezultoi 6.3% nga -4.9% që ishte në tremujorin e mëparshëm. Ky zhvillim, megjithëse në një masë më të ulët, është në të njëjtin drejtim me pritjet e ekspertëve bankarë për kërkesën për kredi, të shprehura në vrojtimin e tremujorit të tretë, 2012.

 

Pritjet

 

Për tremujorin e parë të vitit 2013 ekspertët e bankave presin që standardet e kredisë për bizneset të shtrëngohen. Balanca neto e pritjeve shënoi vlerën -11.0%. Standardet e kredidhënies pritet të shtrëngohen si për kreditë dhënë sipas madhësisë së biznesit (NVM dhe të mëdha) ashtu dhe sipas qëllimit të përdorimit të kredisë (kapital qarkullues apo investime fikse). Në total, ekspertët e kredisë presin rënie të kërkesës për kredi gjatë tremujorit të parë të vitit 2013. Bazuar në madhësinë e biznesit,

kërkesa për kredi pritet të jetë e ulët nga ndërmarrjet e mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, kërkesa pritet të jetë e ulët për kreditë me qëllim financimin e investimeve fikse.

 

 

             Bode: BE investon 8 milionë euro për sistemin doganor të Shqipërisë

Ministri i Financave Ridvan Bode theksoi dje se një investim prej 1.3 milionë eurosh nga BE dhe qeveria shqiptare për doganat, do të rrisë sigurinë e shërbimit doganor në rreth 20 degë kryesore doganore në të gjithë vendin. “Janë vendosur 327 kamera në 20 degë e pika doganore të cilat do të monitorojnë 24 orë procedurat doganore. Ky investim do t’i shërbejë komunitetit të biznesit, si dhe do të rrisë ndjeshëm mundësitë për të luftuar trafiqet e paligjshme”, – deklaroi Bode. Sa i takon godinës së re për menaxhimin e akcizës, Bode tha se kalimi i administrimit të kësaj takse tek administrata doganore ka bërë që në një periudhë kohore të shkurtër të rritet me 3 herë niveli i arkëtimit të të ardhurave të akcizës së mallrave në tregun e brendshëm.

Deri tani Delegacioni Evropian përmes programit IPA ka investuar vetëm në përmirësimin e shërbimit në sistemin doganor 2 milionë euro.

Nga ana e tij, shefi i Operacioneve në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Brusa deklaroi me këtë rast se në kuadër të programit IPA do të investohen në Shqipëri vitet që vinë edhe 8 milionë euro për përafrimin e standardeve doganore shqiptare me ato të BE-së.
Në ceremoninë e inaugurimit të sallës së Monitorimit për Sistemin Mbikëqyrës, e financuar nga projekti “Implementimi i Sistemit të Mbikëqyrjes me Video-Kamera të Shërbimit Doganor dhe Policisë Kufitare në Shqipëri” dhe godinës së ristrukturuar të Departamentit të Akcizës ishin të pranishëm shumë zyrtarë e të ftuar.

 

 

 

 

Share it :