Oficeri i heroinës humb gjyqin për dhënien e gradës “Kryekomisar”

0
111

Elton Qyno

anorilGjykata e Tiranës i mbyll dosjen ish-oficerit të Përgjimeve Anoril Cani. U arrestua me 27 kg heroinë

Shkak i pushimit është bërë mungesa e avokatit mbrojtës. Kishte dijeni dhe nuk u paraqit në gjykatë

 

Anoril Cani, ish-oficeri i Përgjimeve, i arrestuar pak muaj më parë nga njësia task-forcë, me 27 kg heroinë, ka humbur betejën e para me Policinë e Shtetit. Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë e tij, të depozituar në sekretarinë e gjykatës ku kërkonte nga togat e zeza, gradën e kryekomisarit, e cila është refuzuar me një urdhër të posaçëm nga ana e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ka qenë gjyqtarja Rilinda Selimi ajo që në datën 10 dhjetor të vitit të kaluar, ka bërë pushimin e padisë civile të bërë nga ana e oficerit Anoril Cani, i cili që prej muajit qershor të vitit të kaluar ka kërkuar gradën e kryekomisarit dhe rikthimin sërish në sektorin e Përgjimeve, pasi kohët e fundit e kishin emëruar në sektorin e Antidrogës në Policinë e Shtetit. Mësohet se shkak i pushimit të padisë është bërë mungesa e avokates së tij mbrojtëse, e cila edhe pse kishte dijeni për seancën e gjyqit, nuk ishte paraqitur duke mos lënë asnjë shkak për mungesën e saj në sallën e gjykimit. Nisur nga kjo situatë, avokatja e Policisë së Shtetit ka kërkuar menjëherë pushimin e gjykimit, kërkesë kjo që është miratuar nga gjyqtarja e çështjes. Mbyllja e padisë, vjen në një kohë kur ish-oficeri i Përgjimeve është izoluar në burg së bashku me katër persona të tjerë, si anëtarë të një grupi kriminal që trafikonte nga Turqia heroinë dhe kokainë në sasi të mëdha.

Vendimi i pushimit

Gjykata në përfundim të seancës gjyqësore, në prani të përfaqësues së palës së paditur, juristes Sonila Hoxhaj, pasi verifikoi shkaqet e mosparaqitjes së palës paditëse, verën se më datën 25 qershor 2012 pranë kësaj gjykate është regjistruar për gjykim padia e paditësit Anoril Cani kundër palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Në seancën gjyqësore të datës 10 dhjetor 2012 u paraqit vetëm përfaqësuesja e palës së paditur juristja Sonila Hoxhaj, e cila kërkoi pushimin e gjykimit të çështjes. Gjykata, pasi verifikoi dijeninë e paditësit si dhe përfaqësueses së tij avokates Donata Lepenica nëpërmjet fletëthirrjes të datës 26 nëntor 2012 si dhe konstatoi se nga paditësi apo ndonjë përfaqësues ligjor i tij, nuk ishte njoftuar paraprakisht mospjesëmarrja në gjykim (dhe shkaku) çmon se jemi përpara zbatimit të nenit 179/1 të K. Pr. Civile dhe se duhet vendosur pushimi i gjykimit të çështjes. Padia me nr. 13990 është regjistruar në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës në muajin qershor të këtij viti dhe se paditësi në këtë rast është agjenti i antidrogës, shtetasi me origjinë nga Pogradeci Anoril Cani. Objekti i kësaj padie civile ka zi bazë “Ndryshimin e pjesshëm të urdhrit nr. 1025, dt. 28 korrik 2008 të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke u vendosur detyrimi i palës së paditur ti njohë paditësit gradën policore “Kryekomisar” me efekt nga momenti që ka fituar testin dhe është shpallur fitues i konkursit Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm”. Veç kësaj, në argumentet që ka shtruar gjatë katër seancave të gjykimit, Anoril Cani kërkon rikthimin e tij në zyrën e Përgjimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe rritjen e pagesës, sipas detyrimit ligjor që parashikon dhe ligji për funksionimin dhe organizimin e Policisë së Shtetit.

Bisedat e koduara të grupit

Për shkak se mes radhëve të këtij grupi kriminal ishte dhe një agjent Antidroge dhe ish-oficer Përgjimesh, banda e drogës që drejtohej nga biznesmeni Ilir Shehaj, kishte zgjedhur disa biseda të koduara, duke i përdorur ato për të transportuar heroinën. Fjalët si: …Shko mer tollonat e naftës në karburant… apo …dile se i morra tollonat…, nuk tregonin gjë tjetër veçse transportimin e heroinës. “…Erdhi mielli për furrën e bukës…” ishte një tjetër fjali e koduar, që anëtarët e këtij rrjeti përdornin. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Anoril Cani, duke qenë se ishte vartës ndaj kokainës, ka pranuar ti japë informacione dhe të vihet në shërbim të këtij grupi, kundrejt parave që merrte nga Ilir Shehaj dhe drogës gratis. Hetimet kanë treguar se të gjithë lekët që merrte, ai i linte duke luajtur Kazino, gjatë gjithë natës. Mes të arrestuarve, janë shtetasit Anoril Cani, biznesmeni Ilir Shehaj, Gentian Gjoka, Madrit Dule dhe një person tjetër .

 

Dy gratë akuzohen për “Ndërprerje të shtatzënisë”

Bebja në kazanin e plehrave, zbulohet

nëna dhe mjekja që bënë abortimin

Policia e Tiranës ka vënë nën hetim një shtetase me inicialet S. D. si dhe mjeken me inicialet E. Th., pasi kanë bërë abortimin e një foshnjë 6-muajshe, të cilën më pas e kanë hedhur në kazanin e plehrave që ndodhet afër Spitalit Ushtarak. Foshnja 23-javëshe u nxor nga kazani nga një mace, e cila më pas u pa edhe nga kalimtarë të rastit, skenë kjo horror që më pas bëri që kalimtarët të njoftonin menjëherë forcat e komisariatit nr. 3 në Tiranë. Pas dhjetë ditësh hetime, policia mundësoi zbardhjen e identitetit të nënës, e cila kishte abortuar si dhe të mjekes gjinekologjike që kishte bërë të mundur abortimin e fëmijës në një klinikë private, që ndodhet në kryqëzimin e Laprakës. Në deklaratën e firmosur para strukturave të hetimit shtetasja me inicialet S. D., nënë e dy fëmijëve të tjerë, ka pranuar se ndërprerjen e shtatzënisë së foshnjës 6-muajshe e ka bërë për arsye të kushteve jo të mira financiare. Ajo ka pohuar se është detyruar të sigurojë rreth 40 mijë lekë të reja borxh, në mënyrë që të paguante mjeken e klinikës private në Laprakë, shtetasen me inicialet E. Th., e cila ka kryer edhe ndërprerjen e shtatzënisë. Pas kryerjes së abortit në klinikën pranë kryqëzimit të Laprakës, nëna e foshnjës e ka hedhur më pas në kazanin e mbeturinave pranë Spitalit Ushtarak. Lidhur me këtë ngjarje tashmë policia ka referuar në prokurori dosjen për akuzën e “Ndërprerjes së shtatzënisë”.

 

Plagosi mjekun

Gjykata mbyll në psikiatri autorin e krimit

Arben Strazimiri, 35-vjeçari që qëlloi me thikë mjekun Ali Refatllari, është urdhëruar të mbyllet në psikiatri, për shkak të problemeve mendore që ka shfaqur gjatë vuajtjes së dënimit. Vendimi për mbylljen në psikiatri të Strazimirit është marrë nga Gjykata e Tiranës, e cila ka urdhëruar mjekimin e detyruar në një institucion mjekësor ndaj shtetasit Arben Strazimiri, për shkak të shfaqjes së çrregullimeve mendore. Strazimiri është dënuar për akuzën e “Vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë”, ndaj mjekut Ali Refatllari, të cilin e ka qëlluar dy herë më thikë. Ngjarja është shënuar në vitin 2008 dhe se në këtë kohë mjeku Refatllari kishte marrë përsipër t’i mjekonte dajën Strazimirit, i cili gjatë operacionit ka vdekur. Nisur nga kjo situatë Strazimiri është hakmarrë ndaj mjekut.

 

Ngjarja në Durrës

Sherri për pronën, vëllezërit goditen me gurrë

Një 49-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi ka plagosur lehtë vëllain e tij. Sipas burimeve zyrtare, Dilaver Vena nga fshati Borizanë i Krujës, pas një debati me vëllain e tij, D. Vena, 63 vjeç, e ka qëlluar me gurë në kokë. Ky i fundit është dërguar në spitalin rajonal ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. “Arrestimi i tij u bë pasi rreth orës 10:30, pas një konflikti për motive pronësie, ka goditur me gurë në kokë vëllain e tij, shtetasin D. V., 63 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime që paraprakisht janë kategorizuar si plagosje e lehtë”, – thuhet në njoftimin e policisë së Durrësit. Aktualisht, materialet hetimore të kësaj çështje, i kanë kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë Durrës.

 

Në Fushë-Krujë

Aksidenti, një i vdekur tre të plagosur

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e 3 të tjerëve ka ndodhur në aksin Fushë-Krujë – Tiranë. Dy mjete të tipit “Mercedes-Benz” janë përplasur me njëri-tjetrin rreth orës 13:45 minuta e për pasojë kanë marrë plagë të gjithë personat që udhëtonin në to. Ata janë dërguar me urgjencë drejt spitalit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti. Viktima quhet Lorenc Neli, ndërsa të plagosur janë Roland Bisha, 27 vjeç, dhe Alban Neli, 32 vjec nga Burreli dhe A. Baku, 17 vjeç. Dyshohet se Alban Neli është njëri nga ish-anëtarët e bandës së Durrësit.