Nga bulevardi, te trami dhe stacioni multimodal, projektet madhore të Tiranës

0
206

Blerta Mrishaj

bulevardiSë fundmi, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mësohet se vetëm një ditë më parë është kthyer nga Abu Dabi, ku zhvilloi një takim më krerët më të lartë të këtij vendi, duke prezantuar projektin për zgjatimin e bulevardit “Zogu i Parë” dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Takimi, me sa duket, ka rezultuar i frytshëm dhe pritet që ky vend të financojë deri në 50 milionë euro për këtë projekt

 

Projekte madhore pritet të marrin jetë në kryeqytet. Zgjatimi i bulevardit “Zogu i Parë”, stacioni i ri multimodal, trami dhe qendra e kontrollit të trafikut, jo vetëm që do të ndryshojnë jetën në Tiranë, por do të sjellin përmirësim të qarkullimit dhe lehtësim të trafikut. Pas hartimit të projekteve, duket se Bashkia e Tiranës është e përqendruar në gjetjen e financuesve për zbatimin sa më të shpejtë të tyre. Së fundmi, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mësohet se vetëm një ditë më parë është kthyer nga Abu Dabi, ku zhvilloi një takim më krerët më të lartë të këtij vendi, duke prezantuar projektin për zgjatimin e bulevardit “Zogu i Parë” dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Takimi me sa duket ka rezultuar i frytshëm dhe pritet që ky vend të financojë deri në 50 milionë euro për këtë projekt.

Terminali i autobusëve dhe i trenit

Stacioni i ri i trenit i autobusëve interurbanë do të ndërtohet në një sipërfaqe prej rreth 85.000 m2, e cila do të jetë qendër shumëfunksionale me të gjitha shërbimet tregtare, operacionale dhe administrative. Ky terminal do të mbulojë gjithë trafikun interurban të Shqipërisë veriore, perëndimore dhe jugperëndimore, e cila zë mbi 75% të fluksit të udhëtarëve. Ky investim do të jetë financim i një prej bankave ndërkombëtare. Kohëzgjatja e zbatimit është parashikuar për 36 muaj.

Bulevardi

Ndërkohë, zgjatimi i aksit bulevardi “Zogu i Parë” do të jetë rreth 2 km, duke filluar nga ish-stacioni i trenit deri në lumin e Tiranës. Ky aks do të lidhë gjithë zonën veriore të qytetit të Tiranës dhe do të jetë pikënisja për zhvillimin e kësaj pjese të kryeqytetit me një financim nga investime të huaja me grante apo kredi të buta. Kohëzgjatja e projektit do të jetë 30 muaj.

Trami

Ndërsa linja e tramvajit Kinostudio – Kombinat do të lidhë lindjen me perëndimin e qytetit të Tiranës, e cila aktualisht është zona me fluksin më të madh të udhëtarëve. Për këtë do të përdoret Sistemi i Lehtë Hekurudhor (LRT), prej rreth 10 km gjatësi. Ky do të jetë financim bankar me kredi të butë dhe me bazë operimi PPP (Partneritet Publik dhe Privat), si dhe me koncesion, nga ku rreth 45% e investimit do të jenë punime civile, ndërsa pjesa tjetër do të jetë për Trena dhe Sistemin e Operimit, depot e riparimit dhe parkingun. Kohëzgjatja e projektit do të jetë 36 muaj. Teksa linja e tramvajit sheshi “Nënë Tereza” do të lidhë veriun me jugun e qytetit të Tiranës. Për këtë do të përdoret sistemi i lehtë hekurudhor (LRT) prej rreth 7 km gjatësi. Ky do të jetë financim bankar me kredi të butë dhe me bazë operimi PPP (Partneritet Publik dhe Privat), si dhe me koncesion, nga ku rreth 45% e investimit do të jenë punime civile dhe pjesa tjetër për Trenat dhe Sistemin e Operimit, depot e riparimit dhe parkingun. Kohëzgjatja e projektit do të jetë 36 muaj.

Trafiku

Kontrolli i Trafikut Urban (UTC) konsiston në unifikimin e të gjithë sinjalistikës së qytetit, koordinimin e semaforëve, sistemin e monitorimit të trafikut me kamera, integrimin në rrjetin GPS etj. Ky do të jetë një financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD). Kohëzgjatja e projektit do të jetë 18 muaj.

Parku

Parku Industrial dhe Kërkimi-Zhvillimor (Tirana Techno – Park) do të ndërtohet në një sipërfaqe prej rreth 30 000 m2. Ky do të jetë i pari në llojin e tij, i cili synon të mbledh të gjitha firmat kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me projekte zhvillimore dhe kërkimore për rritjen e mirëqenies kombëtare, ku do të përfshihet e gjithë infrastruktura përkatëse, do të nxitet zhvillimi i ndërmarrjeve, do të gjenerohet punësimi dhe krijimi i të ardhurave për qytetarët, do të përmirësohen lidhjet midis Akademisë dhe Industrisë. Ky do të jetë financim nga një prej bankave ndërkombëtare dhe do të operohet me modelin PPP (Partneritet Publik dhe Privat) dhe me koncesion. Kohëzgjatja e zbatimit është parashikuar për 32 muaj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency