Nëntë ditë në gjendje kome, vdes në Itali Skura, shefi i Krimeve

0
58

Elton Qyno

musaBabai i tre fëmijëve ndahet nga jeta pas një jave, në gjendje të rëndë shëndetësore. U qëllua me automatik

Grup pune për organizimin e ceremonisë së varrimit dhe sjelljen e trupit në Atdhe. Pritet statusi i dëshmorit

 

Shuhet në spitalin “Padre Piu“ të Foxhas, shefi i Krimeve Musa Skura. Babai i tre djemve është ndarë rreth orës 22:30 të mbrëmjes së ditës së hënë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, megjithëse bluzat e bardha të Spitalit Ushtarak, por edhe ato të autoriteteve italiane, kanë bërë të pamundurën për shpëtimin e jetës së shefit të Krimeve në Komisariatin e Matit, Musa Skura. Nga përplasja me armë me shtetasin Fitim Alla, 19 vjeç, ky i fundit ka gjuajtur në drejtim të shefit të Krimeve disa herë me automatik, por vetëm njëri nga plumbat e ka përshkuar trupin e punonjësit të policisë, duke i shkaktuar dëmtimin e pesë organeve jetësore dhe më kryesoren njërën nga veshkat. Pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në mbrëmjen e 13 janarit, ditës së përvjetorit të 100-të të krijimit të Policisë së Shtetit, të gjitha strukturat shtetërore kanë bërë të pamundur për shpëtimin e jetës së Musa Skurës, por që në fakt 9 ditë nga ngjarja e rëndë, babai i tre fëmijë ka dhënë shpirt në ambientet e spitalit “Padre Piu” në Foxha të Italisë. Burime pranë policisë thanë se trupi i Skurës nuk ka mundur ti përballojë disa operacioneve të një pas njëshme dhe gjatë kësaj kohe shefi i krimeve ka qenë në gjendje kome, duke u mbajtur në jetë vetëm falë aparaturave spitalore. Lidhur me vdekjen e tij në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është ngritur një grup pune, i cili është duke organizuar sjelljen e trupit nga Italia në Shqipëri dhe organizimin e ceremonisë mortore.

Statusi i dëshmorit

Një grup pune është ngritur për organizimin e një ceremonie zyrtare për nder të rënies në krye të detyrës së shefit të Krimeve, Musa Skura. Grupi i punës drejtohet nga një zv.drejtorët e Policisë së Shtetit, i cili ka marrë kontakte me autoritetet Italiane dhe me oficerët e kontaktit në Ambasadën Shqiptare, me qëllim kryerjen e të gjitha procedurave ligjore për kthimin në atdhe të punonjësit të policisë Musa Skura. Veç kësaj grupi i punës është duke shqyrtuar edhe dhënien e statusit të dëshmorit për oficerin Musa Skura, pasi ky i fundit ra në krye të detyrës duke luftuar për kapjen e disa personave, të etiketuar si grabitës me armë dhe tregtarë të armëve dhe municioneve. Zëdhënësi i Policisë së Shtetit Tefik Sulejmani, i kontaktuar nga gazeta “Standard” është shprehur se pas mbërritjes së trupit në Shqipëri, grupi i punës ka organizuar dhe një ceremoni zyrtare, ku ftohen të marrin pjesë të gjithë efektivët e policisë, zyrtarë të shtetit, por edhe qytetarë të thjeshtë, për nderimin e oficerit Musa Skura të rënë në krye të detyrës. Sulejmani shtoi se ende nuk është caktuar nëse trupi i pajetë do të varroset në varrezat e dëshmorëve ose jo, pasi për një gjë të tillë duhet të merret dhe miratimi i familjarëve të Skurës, të cilët banojnë në zonën e Matit.

Vrasja në 13 janar

Teksa kolegët e tij të Policisë së Shtetit festonin 100-vjetorin e krijimit të forcës së policisë, shefi i Krimeve të Komisariatit të Matit i vënë në dijeni për lëvizjen e disa personave të dyshuar për grabitje me armë, ka vendosur t’u zërë pritë atyre së bashku me disa efektivë të tjerë. Teksa kanë ngritur një postbllok në fshatin Suç të rrethit Mat, efektivët e policisë kanë parë se në drejtim të tyre po vinin dy persona, ku njëri prej tyre ishte i armatosur. Shefi i Krimeve Musa Skura, u ka bërë thirrje personave të ndalonin, por njëri prej tyre shtetasi 19-vjeçar Fitim Alla ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë, dukë sjellë dhe plagosjen e rëndë të njërit prej tyre dhe më pas vdekjen e Musa Skurës. Pas shkëmbimit të zjarrit, kolegët e Skurës kanë arritur të plagosin autorin e krimit dhe më pas ta arrestojnë atë. Ndërkohë, pas kapjes së Fitim Allës në pranga ranë dhe shtetasit Vilson Milkurti, 18 vjeç; Edison Lleshi, 18 vjeç dhe i mituri me inicialet A. Ll., 15 vjeç. Veç këtyre është shpallur në kërkim shtetasi Riza Barçi, pronari i furgonit me të cilin autorët transportonin mbi 6 mijë fishekë luftarakë. Ndaj të pestëve personave Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.

 

Flet vëllai i shefit të Krimeve

Avni Skura: S’i dëgjuam zërin për herë

të fundit, shteti bëri të pamundurën

Familja Skura ka hapur dyert e mortit, duke pritur miq dhe kolegë të Musa Skurës, të cilët kanë mbushur shtëpinë, duke bërë ngushëllime. Ai që priste dhe nderonte mysafirët, ishte vëllai i Musait, Avni Skura, ndërkohë që bashkëshortja dhe tre fëmijët e oficerit të policisë kanë qenë në gjendje të rëndë, pas mësimit të lajmit të vdekjes së njeriut më të dashur të tyre. Avni Skura ka deklaruar se janë bërë të gjitha përpjekjet maksimale për shpëtimin e jetës, qoftë nga familja, por edhe nga organet shtetërore, por ishte e pamundur, pasi plumbi i kishte dëmtuar shumë organe jetësore. “Nuk mundëm t’i dëgjonim një fjalë të fundit vëllait. Ishte shumë rëndë, që në spitalin e Matit ka qenë rëndë dhe nuk mund të fliste. E kemi peng në zemër që s’i dëgjuam zërin për herë të fundit”, – është shprehur Avni Skura. Më tej, ky i fundit ka shtuar se gjendja e Musait ishte përkeqësuar dy ditët e fundit dhe pas ndarjes nga jeta, ai ka qenë njeriu që ka thënë edhe lajmin e kobshëm tek familjarët, por edhe tek drejtori i Policisë, Hysni Burgaj.

 

Rama: Ministri shiti luftën ndaj krimit

Reagon Noka: Kreu i opozitës, kundër

policisë, është bërë palë me krimin

Pas akuzave të rënda të bëra nga kreu i opozitës Edi Rama se Ministria e Brendshme shet luftën me krimin e organizuar si ndeshjet sportive, ka reaguar menjëherë ministri Flamur Noka, i cili ka pohuar se Rama është kundër forcave të policisë dhe pro krimit. “Rama solli sot 2 qëndrime të mbrapshta. Së pari, kundër policisë që mbron jetën e individit dhe së dyti, mbrojti krimin në rrugë. I bëj thirrje Ramës që përpjekje të tilla janë të pafrytshme dhe do të jenë pa rezultat, pasi presioni nuk ndal punën e Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar, qofshin këto dhe në zyrën e z. Rama”, – tha Noka. Ministri i Brendshëm theksoi se Rama është i pashpresë me strategjinë e tij për Policinë e Shtetit. Sipas Nokës, Rama nuk do të shtojë kurrë aksionet politike duke iu kundërvënë policisë. “Është kjo polici që goditi këto vite 220 banda që ishin njëjtësuar me PS-në dhe bënin ligjin në çdo cep të territorit të vendit. Kjo polici i dha fund epokës së skafeve dhe që u garanton shqiptarëve kufij të sigurt dhe lëvizje të lirë në hapësirën “Shengen” dhe meriton vetëm mirënjohje”, – ka sqaruar ministri Noka.

 

Anulimi i analizës

Vdekja e shefit të Krimeve shtyu analizën vjetore

Policia e Tiranës, me urdhër të ministrit të Brendshëm Flamur Noka, për shkak të vdekjes së shefit të Krimeve të Burrelit, Musa Skurës, anuloi analizën vjetore të parashikuar për ditën e djeshme. Sipas njoftimit të uniformave blu të kryeqytetit, “vdekja tragjike e shefit të Krimeve të Policisë së Burrelit, Musa Skura, ka nxitur ministrin e Brendshëm të kërkojë anulimin e analizës vjetore të policisë së Tiranës, të parashikuar për ditën e martë në hotel “Tirana International”, ora 10:00”. Komisari Musa Skura u plagos mbrëmjen e 13 janarit gjatë një operacioni për arrestimin e anëtarëve të një bande kriminale. Në aksion e sipër, disa persona kanë shkëmbyer zjarr me efektivat blu. Për pasojë u plagos rëndë 57-vjeçari Musa Skura.

 

Avokati i Popullit

Totozani, mesazh ngushëllimi familjes Skura

Avokati i Popullit i shprehu dje ngushëllime familjes Skura për humbjen e shefit të Krimeve Musa Skura, i cili ra në krye të detyrës, në rrethin e Matit. “Avokati i Popullit dhe institucioni që ai drejton, në këto momente të dhimbjes, janë me mendje dhe me zemër pranë familjarëve dhe të afërmve të shefit Skura, bashkëshortes zonjës Skura dhe tre djemve të tij”, – shkruan mesazhi. Avokati i Popullit shprehu gjithashtu solidaritetin dhe mbështetjen maksimale ndaj forcave të rendit, të cilat për të mbrojtur jetën e qytetarëve u duhet të përballen çdo ditë me krimin dhe rrezikun. Komisar Skura u plagos në përmbushje të misionit të tij fisnik gjatë një operacioni për arrestimin e disa të kërkuarve pasditen e 13 janarit.