Kryeministri çek, kritik ndaj vendimit shqiptar për revokimin e licencës për CEZ-in

0
37

Ervin Kaduku

petrDo të ketë pasoja për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian

 

Kryeministri çek, Petr Neças, deklaroi dje në Pragë se vendimi i disa institucioneve të shtetit shqiptar për revokimin e licencës të biznesit të CEZ-it krijon një imazh të dobët lidhur me trajtimin që ky vend u rezervon investitorëve të huaj dhe mund të pengojë shpresat e saj për mbështetjen çeke në një përpjekje eventuale për të hyrë në Bashkimin Evropian.

“Republika Çeke nuk mund të injorojë qasjen shqiptare ndaj një investitori çek, në kuadër të aspiratave të Shqipërisë për t’u integruar në BE”, – tha Kryeministri, i cituar nga agjencitë kryesorë botërore të lajmeve ekonomike.
Të hënën, autoritetet shqiptare revokuar licencën e shpërndarjes së energjisë për CEZ-in, një kompani shumë e suksesshme çeke në vende të tjera evropiane. Muajin e kaluar, Shqipëria pretendoi se kompania çeke i detyrohet vendit 1 miliard dollarë për dështimin në detyrimet për të importuar energji elektrike të mjaftueshme dhe për shkak të mosinvestimit në rrjetin elektrik të vendit. CEZ-i nga ana e vet gjithnjë ka mohuar akuzat, duke thënë se fajtor për marrëdhëniet jonormale ka qenë ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e Shqipërisë.

 

Reagimi
“Revokimi i licencës së CEZ-it, investitor i madh çek në rajon, është një sinjal shumë negativ”, – tha dje Kryeministri Neças.
Ky veprim, i cili i heq CEZ-it të drejtat e saj si pronare e shumicës së kompanisë më të madhe të Shqipërisë për shpërndarjen e energjisë elektrike, hedh dyshime mbi angazhimin e supozuar të Shqipërisë në sundimin e ligjit dhe shpresat e saj që një ditë të bëjë pjesë në BE, ka shtuar dje Neças.

CEZ Group është një kompani, 70% në pronësi të shtetit çek, e cila mori përsipër pronësinë e paketës kontrolluese në kompaninë shqiptare në vitin 2009. Situata u përkeqësua pas angazhimit të Entit Rregullator të Energjisë në prishjen përfundimtare të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me këtë subjekt.

Vetë kryeministri çek është përpjekur pa sukses më parë t’u tërheqë vëmendjen institucioneve shqiptare se heqja e licencës së shpërndarjes për një kompani si CEZ-i nuk do të tolerohej lehtë as nga shteti i saj i origjinës.

Ndërkohë, në Pragë kompania CEZ ka bërë të ditur, nëpërmjet zëdhënëses së saj, Barbora Pulpanova, se humbjet e llogaritura si pasojë e heqjes së licencës nga Enti Rregullator i Energjisë, do të jenë rreth 200 milionë euro. Por, kompania do ta çojë në Arbitrazhin ndërkombëtar shtetin shqiptar, duke kërkuar fillimisht të drejtën e saj mbi 60 milionët e eurove, të lëshuara si garanci nga Banka Botërore, që çekët do t’i marrin në rast se vërtetohet se faji për largimin nga Shqipëria është i institucioneve të vendit tonë. Veç kësaj, kompania çeke do të kërkojë edhe dëmshpërblime të tjera, për investimet e kryera në vend në këto vite, si dhe pagesat e pashlyera nga familjarët, bizneset e vetë institucionet shtetërore debitore.