Topalli: Shqipëria është vetëm 3 sekonda larg statusit, opozita të mos bllokojë integrimin

0
108

Florenc Drizari

joizefinaKryetarja e Kuvendit: Miratimi i këtyre 3 ligjeve janë detyra të cilat Komisioni i Zgjerimit Evropian u ka dhënë ligjvënësve shqiptarë për integrimin e vendit tonë

 

Kuvendi i Shqipërisë hapi sesionin e 8-të të legjislaturës VII të nisur në 2009-ën, duke rikthyer në qendër të axhendës votimin e tri ligjeve të integrimit. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjata fjalës së hapjes u bëri sërish thirrje deputetëve të opozitës të votojnë tri ligjet e mbetura pa votuar që pas rekomandimit të statusit nga Komisioni Evropian më 12 tetor të vitit të shkuar. Znj. Topalli tha se kanë kaluar 100 ditë dhe ende këto ligje nuk janë miratuar, duke sjellë sipas saj edhe mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Sipas Kryeparlamentares miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar ka qenë dhe do të mbetet një ndër pikat kryesore në axhendën e reformave edhe gjatë këtij sesioni të ri. Së bashku tha Topalli, duhet ta çojmë vendin tonë drejt Bashkimit Evropian për të realizuar ëndrrën e martirëve të demokracisë të cilët sakrifikuan jetën e tyre, kundër një nga regjimeve më të egra në botë. “Ne i detyrohemi shqiptarëve 3 sekonda! 3 sekonda për të miratuar 3 ligje të rëndësishëm për shqiptarët! 3 sekonda për të ngritur kartonin jeshil! 3 sekonda për te hequr bllokimin e statusit! 3 sekonda… për ta bërë ëndrrën realitet! Ne i detyrohemi kolegëve tanë të Parlamentit Evropian, që për 3 sekonda miratuan në unanimitet rekomandimin për dhënien e Statusit të vendit Kandidat, 3 sekonda. Sot, Shqipëria është vetëm 3 sekonda larg statusit. 3 sekonda nevojiten për t’i hapur, de jure dhe de facto, rrugën shqiptarëve drejt statusit”, deklaroi kryeparlamentarja Topalli. Duke thënë se miratimi i tri ligjeve është i vetmi kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat, kryetarja e Kuvendit tha se nga votimi palët nuk duhet të drejtohen nga interesat e ngushta partiake sepse sipas saj, e vetmja palë që fiton janë shqiptarët.

“Miratimi i këtyre 3 ligjeve janë detyra të cilat Komisioni i Zgjerimit Evropian i ka dhënë ligjvënësve shqiptarë për integrimin e vendit tonë. Unë s’do të rresht, në asnjë ditë të këtij sesioni të ri parlamentar, së bëri thirrje çdo deputeti që t’i votojmë sa më herët këto 3 ligje. Këto 3 ligje do të jenë në rendin e ditës të çdo seance parlamentare ashtu si dhe kanë qenë gjatë gjithë kësaj kohe. Unë jam e bindur se ato do të votohen. Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë të përfitojnë sa më shpejt marrjen e statusit si vend kandidat i Bashkimit Evropian”, – deklaroi kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

Ndërkaq, pas deklaratës së kryetares së Kuvendit, palët vijuan me votimin e dekretet të presidentit për kreun e ILDKP-së, duke shmangur debatet për tri ligjet e integrimin. Më herët lidershipi i majtë ka kërkuar që ligjet t’i nënshtrohen sërish fazës së diskutimeve në komisionet parlamentare dhe më pas të shkojnë në Kuvend për tu votuar. Sipas drejtuesve të opozitës, draftet ligjore nuk janë ende gati dhe krerët e mazhorancës abuzojnë duke kërkuar vazhdimisht votën pro miratimit të tyre. Debati për votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar votash vazhdon të shkaktojë debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, që pas rekomandimit të statusit nga Komisioni Evropian në muajin tetor të vitit 2012-të dhe me futjen e tyre sërish në axhendën e këtij sesioni parlamentar, duket se do të jetë një nga pikat kryesore ku dy partitë e mëdha politike do të vazhdojnë të përplasjen politike deri në zgjedhjet e 23 qershorit.

 

Votimi në Kuvend – 137 deputetë të pranishëm

Dekret i Presidentit nr. 7928, datë 16.1.2013 “Për propozimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”. Mazhoranca hedh në votim vetëm kandidaturën e zv.ministres së Mbrojtjes Zana Xhuka.

70 vota pro – Vangjel Dule

67 kundër, PS – LSI

0 abstenime

Mbeten për tu miratuar:

1. Projektligji për Gjykatën e Lartë

2. Projektligji për Nëpunësit civil

3. Rregulloren e parlamentit

 

Privatizimet, Berisha: I gatshëm të përballem me opozitën në çdo kohë

Seanca e djeshme parlamentare riktheu debatet mes Kryeministrit Berisha dhe deputetëve të opozitës, lidhur me privatizimet e kryera nga qeveria në sektorët strategjik të vendit. Fillimisht ishte deputeti Partisë Socialiste Erion Braçe i cili jashtë duke folur për çështje jashtë rendit të ditës, kërkoi mbajtjen e një interpelance mes tij dhe kreut të ekzekutivit Sali Berisha lidhur me privatizimet. Deputeti Braçe tha se për këtë interpelancë kishte që në muajin nëntor që priste miratimin e Kryeministrit Berisha. “Që nga 30 nëntori i vitit 2012, kam kërkuar një interpelancë me Kryeministrin për procesin e privatizimit të sektorëve strategjik”, – tha Erion Braçe. Por kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i zhvendosi debatet pas miratimit të ligjeve që ishin në axhendën e djeshme të Kuvendit të Shqipërisë. në reagimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm për interpelanca me të gjithë deputetët e opozitës. Duke iu drejtuar deputetit Braçe, por edhe përfaqësuesve të tjerë të majtë në sallën e parlamentit, Kryeministri tha se: zhduket tre muaj edhe kujtohet pas tre muajve. Ja ku jam zotërinj edhe secilit prej jush. Po të doni gjeri në mëngjes interpelanca me ju. Nga ana e saj kryetarja Topalli tha se deputetët e opozitës nuk e duan tani mbajtjen e interpelancës duke mbyllur kështu edhe mbledhjen e parë të seancës plenare për vitin 2013. Debatet për privatizimet në sektorët kyç të vendit kane qenë pjesë e përballjeve me deklarata politike mes krerëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës edhe në seancat e kaluara përgjatë vitit që lamë pas, ndërkohë që debate të ashpra mes palëve priten edhe në këtë sesion që filloi një ditë më parë.

 

 

Teknologjia në zgjedhje, Marku: Rezultati në Fier, brenda 3 orësh

Ekspertët e teknologjisë në zgjedhje, që pritet të implementohet në Qarkun e Fierit dhe Tiranës, thonë se rezultatet mund të dalin në një kohë shumë më të shpejtë se në zgjedhjet e kaluara. Mjaftojnë 20 skanera për numërimin elektronik të votave, që rezultati i zgjedhjeve për qarkun e Fierit të shpallet për 3 orë. Eksperti i elektronikës, Pjerin Marku, thotë se gjithsesi, në këtë llogaritje kohore nuk përfshihen vonesat që mund të shkaktojnë qëllimisht komisionerët. “Vonesa më e madhe është vonesa e përgatitjes, pra e nxjerrjes së votave dhe futja e tyre në skaner sepse vetë skaneri procedon automatikisht shumë shpejtë. Duke pasur parasysh këto, mendojë që brenda 2-3 orësh mund të përfundojnë. Për një qark si Fieri, nëse janë 10 qendra numërimi, atëherë do të duhen midis 1 ose 2 makina për çdo vend numërimi dhe mund të duhen 10-20 skanera”, – deklaron Marku. Ish-këshilltari për teknologjinë pranë Kryeministrit Berisha, thekson se hapësirat e manipulimit reduktohen ndjeshëm me përdorimin e teknologjisë. Kjo, edhe për faktin se kompanitë e huaja, do ta menaxhojnë procesin me punonjësit e tyre.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency