Fier, vrasja për 600 mijë lekë viktima njihte autorët e krimit

Elton Qyno

andi priftiStudenti i Juridikut u vra me disa thika në trup. Andi Prifti u morr peng, u grabit dhe më pas u vra

Dhjetëra të shoqëruar, asnjë i arrestuar. Verifikim thirrjeve telefonike e rrethit shoqëror

 

Shuma prej 600 mijë lekësh të vjetra është bërë shkak i grabitjes dhe më pas vrasjes së 21-vjeçarit Andi Prifti, djalit të një biznesmeni në qytetin e Fierit. Studenti i Juridikut në Tiranë, sipas policisë, është rrëmbyer dhe më pas është qëlluar disa herë me thikë dhe jo me pistoletë, siç bëri me dije në fillim të ngjarjes policia e Fierit. Nga hetimet e kryera është arritur në përfundimin se 21-vjeçari ka rënë preh e grabitësve, të cilët kanë qenë më shumë se dy persona, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë bërë ekzekutimin e Andi Priftit. Pasi e kanë vrarë,autorët e kanë çuar trupin në afërsi të fshatit Seman, duke e hedhur atë në vendin e quajtur Kulla e Ujit, pranë një kanali. Gjatë ditës së djeshme, policia e Fierit ka bërë shoqërimin e dhjetërave personave që janë të njohur me viktimën si dhe shokë të tij, të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë sërish të lirë, për shkak të mos pasjes së provave materiale që do të çonin në arrestimin e ndonjërit prej të shoqëruarve. Në pyetje janë marrë edhe të afërmit e viktimës të cilët kanë shpjeguar se vrasja e 21-vjeçarit është bërë nga persona që mund të kenë pasur njohje me Andi Priftin.

Njohja me autorët

Forcimi i bindjes së policisë së viktima dhe autorët e krimit njiheshin mes tyre ka ardhur akoma dhe më tepër pas ndërtimit të dinamikës së krimit. Policia bën me dije se vrasësit e kanë ndjekur viktimën që nga momenti i tërheqjes së shumës prej 600 mijë lekë të vjetra nga pika e basteve sportive dhe deri në momentin kur ata e kanë marrë peng, duke e grabitur dhe vrarë më pas. Sipas burimeve policore, vrasja është bërë me qëllim mbylljen e gojës, pasi 21-vjeçari ka shumë gjasa që gjatë grabitjes t’i ketë kundërshtuar dhe t’i ketë kërcënuar autorët se do t’i denonconte në polici për veprimet që ata po kryenin. Tashmë pritet që zbardhja e tabulateve telefonike të numrit të viktimës të zbardhë të dhëna mbi identitetin e vrasësve. Kjo, pasi dyshohet se personat që e kanë marrë peng 21-vjeçarin ta kenë njohur atë dhe mund ta kenë telefonuar. Sipas policisë, dyshohet se autorët e kanë ftuar atë në makinën e tyre e më pas i kanë marrë paratë. Gjatë kësaj kohe autorët kanë hasur në kundërshtimin e të riut dhe për pasojë i kanë marrë me forcë celularin duke e kërcënuar me thikë me të cilën e kanë ekzekutuar më pas me qëllim që mos të denoncoheshin prej tij nëse e linin të lirë. Pas kësaj situate, 21-vjeçari është qëlluar disa herë me thikë në gjoks dhe qafë, gjë e cila i ka kushtuar hemorragji të madhe të gjakut dhe për pasojë ka sjellë dhe vdekjen e 21-vjeçarit. Menjëherë pas vrasjes së tij, autorët e kanë transportuar Andi Priftin, që banonte në lagjen Sheq i Vogël të Fierit, në fshatin Seman, duke e hedhur trupin e pajetë në një kanal. Ndërkohë që mungesa e gjatë në shtëpi ka bërë që prindërit e viktimës të kryejnë disa kontrolle private dhe më pas të denoncojnë zhdukjen në policinë e Fierit.

Pyetja e të njohurve

Shumë persona janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Fierit, për t’u marrë në pyetje lidhur me vrasjen e 21-vjeçarit Andi Prifti. Sipas deklarimeve të tyre, studenti i Juridikut, nuk ka pasur konflikt me ndonjë nga personat e lagjes ku banonte. Disa prej tyre, kanë treguar se janë marrë në telefon nga 21-vjeçari i cili u ka treguar se kishte fituar një loto sportive prej 600 mijë lekë të vjetra, dhe se u ka pohuar dhe ndeshjet që kishte arritur të kapte. Nisur nga kjo situatë, disa prej shokëve të tij, Prifti i ka ftuar që të pinin kafe së bashku, duke u premtuar se do paguante ai meqenëse i kishte trokitur fati në derë. Mirëpo pasi ka mbërritur mbrëmja, disa prej tyre e kanë telefonuar por në fakt s’kanë mundur të lidhen për shkak se telefoni i 21-vjeçarit ishte i mbyllur. Ndërkohë që veç dëshmisë së shokëve, policia ka bërë kontroll banesash të disa prej personave të dyshuar si autorë të vrasjes por fatkeqësisht nuk kanë gjetur asnjë gjë të dyshimtë që mund të ndihmonte hetimin për zbardhjen e autorëve të vrasjes së studentit të juridikut Andi Prifti. Ky i fundit njihet në Fier, si djali i një tregtari që disponon dy njësi tregtare në qytetin e Fierit.

 

Durrës, plagosja e efektivit të policisë

Goditja me tullë e shefit të Krimeve

shoqërohen tre persona, priten arrestime

Tre persona janë shoqëruar në ambientet e policisë së Durrësit, si të dyshuar për goditjen me sende të forta të shefit të krimeve Kujtim Vreka. Sipas burime pranë policisë, të tre të shoqëruarit njihet si persona me precedentë penalë dhe se duke marrë shkas nga ngjarja e ndodhur tre ditë më parë, është urdhëruar shoqërimi i tyre si persona të dyshuar që mund të kenë gisht në vjedhjen e lokalit dhe më pas plagosjen e shefit të krimeve me tullë në kokë. Pritet që pas përmirësimit të shëndetit të shefit të krimeve, i cili është shtruar në spitalin Ushtarak, tre personat të ballafaqohen me të, në mënyrë që hetuesit e çështjes të marrin konfirmimin nëse ata janë vërtet personat që e qëlluan me mjete të forta ose jo. Burimet treguar për gazetën “Standard” se janë shumë afër zbardhjes së ngjarjes dhe se tashmë presin vetëm përmirësimin e shëndetit të kolegut të tyre Kujtim Vreka, me qëllim paraqitjen e tij për njohje të autorëve. Vreka është përplasur fizikisht me dy prej tyre, pasi ka konstatuar se ata ishin duke i grabitur lokalin e vëllait, që ndodhet poshtë pallatit ku banon efektivi i policisë. Vreka ka qenë duke u kthyer në banesë, pas përfundimi të shërbimit, kur rreth orës 04:00 të mëngjesit ka konstatuar dy persona në lokalin e vëllait të tyre. Ai u ka kërkuar atyre të ndalonin në mënyrë që ti kontrollonte, por gjatë përleshjes me ta, njëri nga autorët e ka goditur me tullë në kokë, duke i shkaktuar thyerjen e hundës. Pas këtij veprimi, dy autorët janë larguar me shpejtësi, duke mos u arrestuar në kohë nga forcat e policisë.

 

Ngjarja në Fier

Humbet 25-vjeçari me aftësi të kufizuara, dorëzohet në polici

Policia e Fierit bën thirrje për identifikimin e një personi rreth 25-vjec, i cili aktualisht ndodhet në komisariat. Sipas policisë i riu dyshohet se ka humbur, mirëpo nuk mban me vete asnjë dokument identifikues. Policia e ka të vështirë të zbulojë identitetin e tij pasi nuk komunikon. Bëhet me dije se ai është rreth 1,6 m i gjatë dhe ka flokë të zeza, ka veshur një palë pantallona kafe dhe një bluzë blu. Policia e Fierit i bën thirrje qytetarëve të paraqiten pranë komisariatit të policisë për të identifikuar personin e humbur. Sipas burimeve policore, individi që mendohet se i përket moshës 25-vjeçare, nuk arrin të komunikojë dhe dëgjojë. Ai është paraqitur vetë në ambientet e policisë së Fierit, duke u bërë shenjë efektivë të komisariatit, se kërkonte ndihmë për gjetjen e familjes së tij. Nuk dihet nëse personi me aftësi të kufizuara është banor në qytetin e Fierit, apo ka mbërritur në qytet nga fshatrat për rreth. Nisur nga kjo situatë, policia e Fierit e ka strehuar 25-vjeçarin në një nga dhomat e saj të shoqërimit, duke i ofruar dhe shërbim social si ushqim dhe kryerjen e nevojave personale.

 

Ngjarja në Elbasan

Vetëvaret në degën e ullirit 57-vjeçari, vuante nga depresioni

Një 57-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në një pemë ulliri. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Elbasanit, viktima është gjetur në vendin e quajtur “Ullishte” i varur me një tel elektrik. Pas këqyrjes së kufomës u konstatua se nuk kishte shenja dhune në trup, dhe se ka kryer vetëvrasje. Ai u identifikua si Bashkim Arifi, banues në lagjen “Partizani” në Elbasan. Nga veprimet hetimore të kryera është mësuar se 57-vjeçari vuante prej disa kohësh nga depresioni dhe për pasojë, në gjendje të rëndë psikike ka vendosur ti japë fund jetës, duke u vetëvarur. Për të kryer aktin e tmerrshëm, viktima ishte larguar nga banesa e tij, duke shkuar në drejtim të kodrës së ullinjve që ndodhet mbi qytetin e Elbasanit. Pas kësaj ai ka varur një tel në degën e ullirit dhe më pas është vetëvarur në të, duke u gjetur pas disa orësh më pas nga disa persona, kalimtarë të rastit. Kanë qenë ata që kanë njoftuar policinë e Elbasanit për konstatimin e trupit të pajetë, ndërkohë që në vendngjarje kanë shkuar me shpejtësi efektivët e sektorit të vrasjes. Pas verifikimeve të kryera specialistët kanë dalë në konkluzionin se Bashkim Arifi është vetëvarur.

Share it :