Përgjegjësia politike e 21 Janarit

0
173

Nga Nebil Çika

 

21 janariPërvjetori i ngjarjes së 21 janarit 2011, kur pas një sulmi të dhunshëm të opozitës ndaj selisë kryesore të qeverisë, mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën disa të tjerë, ka rihapur debatin për këtë çështje, përgjegjësia juridike e së cilës është duke u zbardhur në gjykatë. Por me shume se një çështje juridike, “21 janari” ka qenë dhe mbetet një çështje politike, e cila duhet të ketë përgjegjësit e saj. Viktimat janë, pa dyshim, pjesa më e dhimbshme e kësaj ngjarjeje, por përdorimi politik i kësaj dhimbjeje edhe dy vjet më vonë e thekson edhe më shumë këtë dhimbje sidomos për të afërmit që sigurisht presin drejtësi. Kur them drejtësi nuk e kam fjalën te përgjegjësia juridike, e cila tashmë është në duart e institucioneve eksperte, por tek përgjegjësit politikë të kësaj ngjarje tragjike që i kane të gjitha gjasat dhe mundësitë t’i shpëtojnë ndëshkimit ligjor.

Është i njohur tashmë fakti që 21 Janari ishte një përpjekje politike që i kaloi dukshëm caqet ligjore e demokratike të një proteste që synonte të rrezonte me mjete jopolitike qeverinë legjitime. Si e tillë ajo duhet trajtuar si një çështje politike, pasojat e rrjedhojat e së cilës janë tashmë të qartësuara e të konkretizuara edhe në zhvillimet politike në vend. Por le të kthehemi tek thelbi e të mundohemi ta trajtojmë edhe një herë politikisht atë që ndodhi në 21 janar 2011. Protesta e dhunshme e 21 Janarit ishte pa dyshim një produkt tragjik i një politike agresive qe opozita e z. Rama kishte manifestuar në mënyrë të vazhdueshme që nga zgjedhjet 2009 e këtej, ndaj qeverisë së koalicionit të drejtuar nga z. Berisha, në thelb të së cilës ishte mospranimi i rezultatit te zgjedhjeve politike të 2009. Ishin provuar të gjitha format ekstreme të protestës demokratike nga bojkoti i Parlamentit, bllokimi i rrugëve nacionale e deri tek greva e urisë e deputetëve dhe drejtuesve të lartë të PS-së (përveç Edi Ramës ) me çadra në bulevardin përpara Kryeministrisë, një pjese e të cilave e kishte kaluar ndjeshëm kufirin ligjor të protestës. Protestat synonin, përveç të tjerash, edhe bllokimin e liberalizimit të vizave për shqiptaret në zonën Shegen, gjë që u deklarua hapur nga lidershipi i opozitës me sloganin kryesor të protestës: “Hap kutitë. Çliro vizat”, duke kushtëzuar kështu lëvizjen e lirë me vendimin për të mos njohur nga z. Rama humbjen elektorale të 2009-ës. Sigurisht që, pas mospranimit të rezultatit, fshiheshin skenarë që synonin ndryshimin e qeverisjes me vendim apo marrëveshje politike, që z. Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në koalicionin opozitar synonin të realizonin nëpërmjet presionit të politikës së rrugës. Qeveria nuk mund ta pranonte një situatë të tillë, megjithëse kishte toleruar shpeshherë kapërcimin e të drejtës demokratike të protestave me mosndërhyrje si në rastin e bllokimit për afro një muaj të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga grevistët socialistë të urisë që solli bllokim të trafikut rrugor një telash të madh për qytetaret që u ndalonte qarkullimin në rrugën kryesore të vendit edhe pasi kishin pagur taksat për këtë qëllim. Para kësaj protestuesit e opozitës kishin bllokuar për orë të tëra me barrikada dhe goma të ndezura rrugët nacionale në të gjithë territorin e vendit. Mendoj se tolerimi i vazhdueshëm i tejkalimit të së drejtës së protestës nga opozita është përgjegjësia më e madhe e qeverisë dhe e krejt institucioneve përgjegjëse shtetërore për 21 Janarin. Sikur institucionet e sigurisë publike të kishin vepruar që në shkeljet e mëparshme të ligjit, ndoshta puna nuk do të kishte arritur deri tek sulmi i dhunshëm ndaj kryeministrisë dhe pasojave tragjike të tij.

Por le të kthemi sërish tek 21 Janari.

Protesta ishte një nga lëvizjet politike më të organizuara e më të paralajmëruara të opozitës. Publikimi në media i një përgjimi që ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti kishte bërë një bisedë me kreun e LSI-së, Ilir Meta, ku aludohej për afera korrupsioni, u përdor nga opozita si motiv për të karikuar protestën e rrugës, e cila pas dështimit të grevës se urisë në bulevard ishte zbythur tërësisht. Elektorati socialist, i lodhur por edhe zhgënjyer nga përpjekja e lidershipit për bllokimin e vizave, kishte filluar të tërhiqej, gjë që çoi në një zbehje deri ne shuarje të politikës së rrugës të aplikuar nga Edi Rama. Publikimi, por edhe manipulimi i video përgjimit, nga media nen kontrollin e opozitës, i dha z. Rama një mundësi tjetër për të tentuar ndryshimin, pa nevojën e votave, të raporteve politike e elektorale në vend. Pas disa protestave sporadike para ministrisë se Ekonomisë dhe deklaratave e debateve të ashpra mediatike, socialistët paralajmëruan dhe organizuan 21 Janarin. Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar të PS-së, kërcënoi publikisht nga foltorja e parlamentit kryeministrin Berisha se në 21 janar do t’i kishte njerëzit te dera e shtëpisë. Edi Rama me parullën “rrezoni bllokun e korrupsionit”, që aludonte një bllok që z. Meta mbante në dorë në video, paralajmëronte fundin e qeverisë legjitime. Aleatët politikë të z. Rama bënin tirrje publike për vërshim të militanteve socialistë nga gjithë Shqipëria me kuaj, karroca, hunj e mjete të tjera në bulevardin para Kryeministrisë, madje u paralajmërua se do kishte edhe viktima. Me pak fjalë, e gjithë ajo që do të ndodhte në 21 ishte bërë publike dite më parë. Natyrisht, që edhe informacionet zyrtare flisnin për një gjë të tillë, por që ndoshta për mungese seriozitetit të tyre apo edhe për arsye politike segmente e institucione të caktuara të shtetit nuk reaguan për ta parandaluar një gjë të tillë.

Dita e 21 janarit 2011 e zbuloi të plotë skenarin kur skalioni i parë i protestuesve, i përzgjedhur kryesisht nga zona rurale larg kryeqytetit, sulmuan me hunj, gurë e bomba molotov policinë dhe Gardën e Republikës te selia e qeverisë, në përpjekje për të hyrë brenda. Pas disa orë, përplasja e dhunshme midis sulmuesve të kryeministrisë dhe mbrojtësve të sajë përfundoi duke me katër të vdekur, dhjetëra të plagosur, dëme të konsiderueshme te selisë së qeverise dhe dhjetëra automjete private të djegura e të thyera nga protestuesit. Skenat e kësaj situate janë të njohura tashmë për opinionin publik. Zhvillimi, në planin politik, pas kësaj ngjarjeje, u karakterizuan nga një rritje e pa parë e debatit akuzave dhe kundër akuzave, prokuroria ende pa asnjë hetim tentoi të arrestonte krerët më të lartë të gardës së republikës, gjë që u konsiderua si e pa ligjshme nga qeveria, ndërkohë që ish presidenti Topi e cilësoi situatën si ngjarje bulevard. Kjo çoi në reagimin e Berishës që aludoi për një grusht institucional shteti duke e etiketuar ish prokuroren e përgjithshme si “lavire bulevardi”. Situata kushedi si do te kishte përfunduar po të mos ndërhynte ambasadori i SHBA-ve, i cili e cilësoi Berishën, “burrë shteti” dhe i përcaktoi sulmuesit e selisë së qeverisë “grupi që kishte një agjendë ndryshe nga ai i protestuesve të tjerë”. Thirrja e tij drejtuar prokurorisë për “hetimin edhe të organizatorëve të protestës” solli ne terzi prokurorinë e cila u tërhoq disi nga tendenca e hapur për të fajësuar qeverinë dhe institucionet e sigurisë pe rate që ndodhi në 21 janar. Duhet thënë se jo vetëm SHBA-të, por krejt opinioni ndërkombëtar, dënoi dhunën duke theksuar faktin se qeveritë ne vendet e demokracive perëndimore ndërrohen vetëm me votë. Nuk mund të thuhet dot që opozita arriti te përfitonte gjë nga kjo përpjekje e dëshpëruar për te ndryshuar me dhune realitetin politik përkundrazi, ne zhvillimet më pas kjo ngjarje do ti kthehej në bumerang pasoja të së cilit pritet të ndjehen edhe ne zgjedhjet e ardhme të 23 qershorit. Opozita vazhdoi abuzimin duke i trajtuar si heronj te vrarët pavarësisht se ishte përgjegjëse kryesore e ngjarjes që u mori atyre jetën.

Ngjarja e 21 Janarit ishte akuza kryesore e opozitës,ndaj qeverisë deri ne momentin kur nga mezi i këtij viti z. Rama u pajtua me Ilir Metën të akuzuarin kryesor, “bllokun e korrupsionit” me të cilin motivoi edhe thirrjen e protestës së 21 Janarit. Takimi miqësor i shume përfolur edhe për “ngjalën” që zonja Kryemadhi i ofroi si pjatë kryesore të darkës në rezidencën familjare në Gjirin e Lalëzit (një tjetër prej akuzave për korrupsion) dhe sidomos oferta për koalicion e bërë nga Rama përbën momentin me diskreditues të protestës së 21 Janarit dhe qëllimit të deklaruar të saj. Ky moment përbën njëherazi edhe dëshminë me te fort e përdorimit si mish për top te militantëve ne mënyrë të veçante 4 viktimave të 21 Janarit. Por ky nuk përbën një fakt të veçuar të qëndrimit hipokrit jo vetëm me viktimat e z. Rama. Para disa ditësh ai ftoi publikisht Ilir Metën për aleance apo koalicion duke treguar se “blloku apo muri i korrupsionit “ janë vetëm një sebep për të çuar njerëzit drejt sakrificës jo për parime apo standarde demokracie, por për interesa te veçanta, për pushtetin e tij politik Sinqerisht nuk shoh ndonjë ndryshim midis z. Rama në rastin 21 Janarit dhe drejtuesve të organizatave terroriste që përdorin kamikazë për qëllimet e tyre politike. Ndryshimi i vetëm është që ata e marrin publikisht përgjegjësinë duke u fshehur ndërkohë që i shet e i zhvleftëson jetë e sakrifikuara të tyre në një pazar të ndyre politik siç ishte aleanca e mbetur në tentativë me Ilir Metën.

Sigurisht që ka edhe dhjetëra fakte e argumente të tjera që provojnë përgjegjësinë politike për 21 Janarin, por vetëm ky raport i Ramës me Metën është i mjaftueshëm për të krijuar një mendim të qartë për të. Si përfundim dua të theksoj se përcaktimi i përgjegjësisë politike në çështjet si kjo e 21 Janarit është ndoshta me i rëndësishëm se përcaktimi i përgjegjësisë juridike tek i cili janë përqendruar jo krejt rastësisht shumica e medieve. Në se përcaktimi i së dytës është detyre e institucioneve dhe eksperteve juridik, përcaktimi i së e parës është detyrë e institucioneve dhe eksperteve të opinionit publik si detyrë ndaj publikut që i duhet ky informacion për orientimin e tyre politik e elektoral e thënë ndryshe për destinacionin e votës së 23 qershorit 2013

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency