Heqja e përmendores në Preshevë, Berisha: Ja pse duhet bashkimi i shqiptarëve

0
118

Florenc Drizari

heqjaKryeministri: Të rënët tanë nuk vdesin kurrë! Autoritetet në Preshevë të ruajnë gjakftohtësinë nga provokimet serbe

 

Heqja e përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës nga autoritet e Beogradit solli reagime të ashpra kundër këtij akti nga klasa politike në Tiranë dhe Prishtinë. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, Ministria e Jashtme, përfaqësues të opozitës, deputetë dhe kryetarë të partive të vogla në Shqipëri kundërshtuan aktin e ndërmarrë nga serbët, ndërsa klasa politike në Kosovë e quajti një vendim të shëmtuar. Autoritetet serbe hoqën një ditë më parë pllakën përkujtimore kushtuar të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, që ishte vendosur para Kuvendit të Komunës në Preshevë, ndërkohë që pothuajse e gjithë zona ishte e rrethuar nga forcat speciale të sigurisë. Largimi i monumentit në Preshevë u bë me ekskavatorë rreth orës shtatë të mëngjesit të ditës së djeshme dhe nën forca të shumta policie, ndërkohë që ditën e hënë është paralajmëruar të mbahet edhe një protestë. Nga ana e tyre, përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës u bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë pas veprimeve të forcave serbe.
Sipas mediave në Serbi, sheshi i Preshevës tashmë është tërësisht i pastruar dhe nuk ka shenja se aty ka ekzistuar ndonjë përmendore. Nga ana tjetër, në njoftimin e qeverisë së Serbisë theksohet se “përmendorja e ngritur në mënyrë ilegale”, sot është larguar nga qendra e Preshevës dhe se aksioni ka kaluar pa incidente.

Kryeministria

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, thuhet se qeveria shqiptare dënon aktin e ndërmarrë nga autoritetet serbe dhe se do të mbështesë shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës. “Qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit, që dëshmon qartë se trashëgimia raciste antishqiptare e Sllobodan Millosheviçit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit. Me këtë akt të rëndë, autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Evropës, si dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Evropës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t’i zbatojë. Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë, pa asnjë lëkundje, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat, nuk mund të kenë, në asnjë rast, standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në deklaratën e Kryeministrisë. Gjithashtu Qeveria shqiptare u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë, që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij.

Berisha në Facebook

Akti i heqjes së monumentit të heronjve të kombit shqiptar të Luginës së Preshevës, është dëshmi tjetër e albanofobisë që sundon politikën zyrtare të Beogradit ndaj shqiptarëve. Kështu e ka quajtur Kryeministri Berisha aktin e heqjes së monumentit të heronjve shqiptar në Preshevë. Duke marrë shkas edhe nga ky incident i ndodhur së fundmi, Kryeministri riktheu tezën e bashkimit të kombit shqiptar dhe siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka për ti dhënë fund terrorit serb. “Ky akt dëshmon dhe një herë se bashkimi i kombit shqiptar është vendimtar për të ardhmen e tij, por dhe për çlirimin e fqinjëve tanë nga albanofobia dhe pasiguria që ndiejnë ata që kanë pushtuar trojet e shqiptarëve dhe shërbehen me praktika raciste dhe fobie ndaj tyre. Duke iu shprehur mbështetjen e plotë qytetarëve dhe udhëheqësve politikë të Preshevës, serish u bëj thirrje të shmangin provokimet, të ruajnë gjakftohtësinë ndaj terrorit policesk të Beogradit dhe i garantoj se Shqipëria do bëjë gjithçka në të gjitha institucionet ndërkombëtare për t’i dhënë fund terrorit policor ndaj shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre etnike në Luginën e Preshevës. Ata që shkulën monumentin e heronjve të Preshevës duhet ta dine se; Të rënët tanë nuk vdesin kurrë!”, – shkruan Berisha në profilin e tij në Internet, në Facebook.

 

 

Incidenti në Preshevë, MPJ: Të reagojë faktori ndërkombëtar

Ministria e Punëve te Jashtme e ka quajtur një tjetër dëshmi të politikës diskriminuese që ndjekin autoritetet serbe kundrejt pakicës shqiptare në Serbinë e Jugut, aktin e heqjes së pllakatës përkujtimore të dëshmorëve shqiptar në Preshevë. “Ministria e Punëve të Jashtme ka ndjekur me shqetësim zhvillimet ne Luginën e Preshevës. Lajmi i sotëm për heqjen e monumentit te dëshmorëve nga xhandarmeria serbe, në mënyrë të njëanshme, dhe duke injoruar dialogun e nisur mes autoriteteve lokale dhe qendrore nen kujdesin e faktorit ndërkombëtar është një tjetër dëshmi e një politike diskriminuese dhe agresive e autoriteteve te Beogradit kundrejt pakicës shqiptare ne Serbinë e Jugut. Ministria e Punëve të Jashtme e dënoi ashpër këtë akt dhe i bën thirrje faktorit ndërkombëtar, të reagojë menjëherë në mbrojtje të të drejtave të pakicës shqiptare në Serbinë e Jugut. “MPJ u bën dhe një herë thirrje autoriteteve lokale në Luginën e Preshevës dhe popullsisë atje të përmbahen kundrejt këtyre provokimeve në vazhdimësi, duke i mbështetur plotësisht ata në kauzën e tyre, se askush nuk do te mund te mohoje a tjetërsoje luftën e drejtë për lirinë dhe të drejtat njerëzore që u bë ndaj regjimit antishqiptar serb”, – thuhet në njoftimin e MPJ-së.

 

Topalli për heqjen e monumentit: Burracakëri primitive

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dënoi heqjen e përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës, duke e quajtur këtë një skenë që nuk ndodh në asnjë vend tjetër në Evropë dhe që rikujton kohën e Millosheviçit. “Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dënoj me ashpërsinë më të madhe burracakërinë e primitivëve që hoqën me autoblinda, fadroma, ushtarë e policë, monumentin e Preshevës. Skenë që nuk ndodh kund në Evropë, skenë që të sjell në mend kohët e Millosheviçit. Ngjarja e sotme është ogur i keq, që shkon tamam në të kundërtën e parimeve e vlerave evropiane, e që risjell edhe sot në vëmendje fobinë ndaj shqiptarëve. Ata, sot hoqën monumentin, por ngritën më lart shqiptarizmin e frymën e bashkimit të shqiptarëve në të gjitha trojet, e kudo që janë. Qeveria serbe sot dëshmoi të njëjtën urrejtje të shekullit e shekujve të kaluar. Akti racist i sotëm është primitiv, i dënueshëm, armiqësor ndaj shqiptarëve, por edhe provokim ndaj Evropës dhe dëmtim i klimës e vullnetit për dialog. Qeveria serbe gabon nëse mendon se kjo është rruga dhe kështu do bëjnë dialogun”, – thuhet në deklaratën e Kryetares Topalli.

 

 

Opozita dënon heqjen e monumentit në Preshevë: Të vendosen kurora me lule

Incidenti i ndodhur në Preshevë, ku forca të xhandarmërisë serbe hoqën me forcë përmendoren e heronjve të kombit shqiptar është komentuar edhe nga drejtues të lartë të opozitës. Kryesocialisti Rama gjatë takimit që zhvilloi me gazetarët, dënoi aktin dhe bëri thirrje që në vend të monumentit të vendosen kurora me lule. “Heqja nga xhandarmëria serbe e lapidarit në kujtim të të rënëve për një çështje të drejtë. Sigurisht, që kjo është një shprehje e qartë e faktit se në Beograd vazhdon të vërtitet hija e një të shkuare, nga e cila fatkeqësisht Serbia nuk po arrin dot të ndahet, ashtu sikundër nga ana tjetër vendi i zbrazur forcërisht nuk mund të lihet bosh. Thirrja ime do të ishte që çdo qytetar, çdo familje në Preshevë ta mbushë atë vend me lule në kujtim të të rënëve. Ata janë të rënët e të gjithë kombit shqiptar, jo vetëm të Luginës së Preshevës dhe në respekt të tyre ne të gjithë përulemi. Në emër të të gjithëve, ato lule do të flisnin edhe më fort sesa përmendorja e hequr forcërisht”. Nga ana e tij, edhe ish-kryeministri socialist Pandeli Majko dënoi rëndë aktin e ndërmarrë nga autoritetet serbe.“Ky akt kërkon t’i rivrasë ata që u vranë nga regjimi i Millosheviçit. Vërteton se në Beograd qeverisin po ata që zhytën Ballkanin në gjakderdhjen e ndarjes së ish-Jugosllavisë. Hoqën një “copë gur” por ringritën historinë që shkruan ata djem që dhanë jetën për popullin e tyre. Kush mund të vendosë një tufë me lule tek vendi i lapidarit të hequr do t’i isha mirënjohës.Lavdi dëshmorëve të kombit! Ata ishin edhe dëshmorët e mi!”, – shkroi Pandeli Majko në profilin e tij në Facebook.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency