Të vegjlit e djathtë, të bindur: Me PD-në në 23 qershor

0
141

Ina Jano

 

partite e voglaPR, PDK, PAD, LZHK: Ja negociatat me PD-në

Flasin për “Standard” Neritan Alibali, Nard Ndoka, Dashamir Shehi, Genci Anastasi

 

Partitë e vogla të djathta duket se nuk kanë ndonjë mëdyshje në lidhje me koalicionet që do të formohen për zgjedhjet e 23 qershorit. Kështu, në një prononcim për gazetën “Standard”, përfaqësuesit e partive kryesore të qendrës së djathtë, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me Partinë Demokratike, konfirmojnë edhe faktin se do të jenë përkrah saj në koalicion parazgjedhor. Kështu, kreu dy i republikanëve, Neritan Alibali, deklaroi për gazetën se bashkëpunimi me demokratët është i natyrshëm dhe tashmë të dyja forcat politike respektojnë hapësirat dhe vendimet e njëra-tjetrës. Megjithatë, ai shprehet se ende nuk ka një vendim të organeve të Partisë Republikane në lidhje me këtë çështje sepse ka ende kohë deri në momentin kur do të merret vendimi përfundimtar dhe që do të formalizohet. “Natyrisht PR do të jetë në koalicion me PD. Deri tani nuk ka pasur asnjë lloj bisedimi mes dy partive për zgjedhjet dhe mënyrën e bashkëpunimit, por gjithsesi mendoj se ka akoma kohë në dispozicion. Ne kemi filluar punën me strukturat tona për fushatën dhe jemi të përqendruar totalisht. Ndërsa për sa i përket bashkëpunimit me PD-në, si aleate natyrale që kemi, secila parti di si të veprojë në raport me njëra-tjetrën”, – u shpreh për standard numri dy i republikanëve. Ndërkohë, kjo forcë politike ka pasur të njëjtin qëndrim edhe në zgjedhjet paraprake, ku kreu i PR-së mban postin e ministrit të Mjedisit. Nga ana tjetër të njëjtin qëndrim do të ketë edhe PDK-ja e Nard Ndokës. Ky i fundit, pas disa kohësh në opozitë, i është bashkangjitur mazhorancës aktuale, duke mbajtur edhe postin e zëvendësministrit të Brendshëm. Zoti Ndoka deklaroi se me PD-në ka një marrëveshje në parim për koalicion me PD-në, e cila akoma nuk është formalizuar zyrtarisht por sigurisht që ka një marrëdhënie politike, si pjesë e mazhorancës aktuale. “Po, ka bisedime për koalicionin e ardhshëm dhe do të formalizohen në momentin e duhur. Kur të jetë kërkesa zyrtare për koalicion do të ketë një vendim të Partisë Demokristiane dhe do të mblidhet asambleja për të vendosur”, – tha Ndoka.

Një nga aleatët e vjetër të PD-së, PAD e Neritan Cekës, shprehet se do të ketë një bashkëpunim tjetër me demokratët. Pas dekretimit nga ana e Presidentit Nishani të Neritan Cekës në postin e ambasadorit shqiptar në Romë, nënkryetari i PAD-së, Genci Anastasi, thotë se duke qenë se nuk ka ardhur koha për të deklaruar pozicionet partiake të ndara në kampe, edhe kjo forcë politike nuk i ka mbledhur ende organet e saj drejtuese për të marrë një vendim në lidhje me këtë çështje. Zoti Anastasi pohoi për gazetën se që nga hera ë fundit kur është mbledhur asambleja e PAD-së kanë kaluar vetëm disa javë, kështu që mbledhja e radhës pritet që të bëhet në fund të muajit shkurt ose në fillim të marsit. Numri dy i Aleancës Demokratike nënvizoi se qëndrimi për koalicionin nuk ka ndryshuar dhe nuk mendohet se do të ketë ndryshime të mëtejshme. “Mbledhja e fundit e asamblesë së partisë është bërë në fund të dhjetorit, dhe normalisht nuk ka ndryshuar gjë në raportin me koalicionin që jemi sepse çdo gjë ka qenë normale. Besoj në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit do ketë një përgjigje për këtë çështje, por nuk besoj se do të ketë ndryshim qëndrim”, – tha Anastasi, numri dy i Aleancës Demokratike. Megjithatë, mendimit të PAD-së se Kodi Zgjedhor nuk lë opsione që partitë e vogla të dalin më vete i bashkohet edhe LZHK. Kështu, kryetari i kësaj partie, Dashamir Shehi, u shpreh se LZHK do të jetë në koalicion parazgjedhor me demokratët, si një parti e qendrës së djathtë, por edhe sepse nuk ka asnjë mundësi që partitë e vogla të fitojnë diçka nëse dalin më vete. Ai shprehet se në fakt nëse forcat e vogla dalin më vetë atëherë nuk ka një garë të barabartë mes të gjitha forcave që konkurrojnë në zgjedhje. Ndërsa duke u ndalur në bisedimet aktuale, zoti Shehi shprehet se në fakt nuk ka ende diçka të formalizuar, por nga ana e saj kjo parti do të mbledhë forumet deri në fund të janarit për të diskutuar situatën. Udhëheqësi i LZHK-së nënvizoi se të vegjlit duan që të njihen me formën dhe mënyrën se si do të bashkëpunojnë, por ende është herët që diçka e tillë të ndodhë. “Siç është bërë ligji, puna do të shkojë drejt një koalicioni, sepse është e pamundur që të kandidosh dhe të hysh në zgjedhje vetë. Gjithsesi, ne do të mbetemi në koalicionin e djathtë, sepse i përkasim qendrës së djathtë dhe do të kemi një koalicion parazgjedhor. Formula nuk është ende e qartë”, – shtoi Shehi. Sa i përket qëndrimit nga ana e LSI-së, disa ditë më parë nga kjo parti erdhi konfirmimi se vendimi për koalicionin do të merret në konventën e LSI-së në prill dhe do të votohet me votë të fshehtë.

 

LSI: Për koalicionin vendos konventa

Në prill pritet të mblidhet edhe forumi i lartë dhe sipas nënkryetarit Petrit Vasili, gjithçka do të vendoset me votë të fshehtë. Vasili tha se do të bëhet një bilanc 4-vjeçar i koalicionit aktual dhe më pas çdo anëtar do të vendosë me votë të fshehtë për të ardhmen.

 

Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së

“Bisedime nuk kemi bërë zyrtare. Deri tani ka vetëm muhabete “alla shqiptarçe”, siç hyjnë dhe dalin propozime. Ne deri në fund të muajit do t’i mbledhim organet tona dhe do të marrim një vendim se ç’do të bëhet për zgjedhjet e 23 qershorit. Sigurisht që duam edhe në një platformë, duam të dimë mënyrën si se do të bashkëpunohet dhe duam një formulë të saktë. Deri më tani jemi në nivelin e hipotezave. Siç është bërë ligji, puna do të shkojë drejt një koalicioni, sepse është e pamundur që të kandidosh dhe të hysh në zgjedhje vetë. Gjithsesi, ne do të mbetemi në koalicionin e djathtë, sepse i përkasim qendrës së djathtë dhe do të kemi një koalicion parazgjedhor. Formula nuk është ende e qartë. Kjo është zgjidhja për partitë e vogla, sepse ligji e bën të pamundur një luftë të barabartë edhe me partitë e mëdha”.

 

Neritan Alibali, nënkryetar i PR-së

“Natyrisht PR do të jetë në koalicion me PD-në. Deri tani nuk ka pasur asnjë lloj bisedimi mes dy partive për zgjedhjet dhe mënyrën e bashkëpunimit, por gjithsesi mendoj se ka akoma kohë në dispozicion. Ne kemi filluar punën me strukturat tona për fushatën dhe jemi të përqendruar totalisht. Ndërsa për sa i përket bashkëpunimit me PD, si aleatë natyralë që jemi secila parti di si të veprojë në raport me njëra-tjetrën”.

 

Genci Anastasi, nënkryetar i PAD-së

“Ne jemi në koalicion aktualisht me PD-në deri tani dhe normalisht koalicionet nuk janë konfirmuar akoma. Ne po punojmë për fushatën dhe besojmë se mënyra e kandidimit këtë herë në bazë të ndryshimeve kushtetuese në 2009 nuk lë shumë sfond për të lënë jashtë koalicioneve partitë e vogla. Por nuk ka ende asnjë vendim të organeve drejtuese të partisë për koalicionet e ardhshme, kështu që nuk mund te deklarohemi më përpara sesa duhet, sepse duhen plotësuar edhe afatet zyrtare. Ne kemi kontakte me PD-në, po deri më tani nuk është shtruar si problem kjo çështje. Për formën e koalicionit dhe për mënyrën e bashkëpunimit, formën dhe të gjitha se si do dilet në zgjedhje. Mbledhja e fundit e asamblesë së partisë është bërë në fund të dhjetorit, dhe normalisht nuk ka ndryshuar gjë në raportin me koalicionin që jemi sepse çdo gjë ka qenë normale. Besoj në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit do ketë një përgjigje për këtë çështje, por nuk besoj se do të ketë ndryshim qëndrimi”.

 

Nard Ndoka, kryetar i PDK-së

“Ka një marrëveshje në parim për koalicion me PD-në, e cila akoma nuk është formalizuar zyrtarisht por sigurisht që ka një marrëdhënie politike, si pjesë e mazhorancës aktuale. Po, ka bisedime për koalicionin e ardhshëm dhe do të formalizohen në momentin e duhur. Kur të jetë kërkesa zyrtare për koalicion do të ketë një vendim të Partisë Demokristiane dhe do të mblidhet asambleja për të vendosur”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency