Një lajm i pasaktë i TV Klan mbi mua

0
166

Artan FUGA

 

 

fugaMbrëmë, në emisionin e lajmeve të orës 19 e 30 të TV Klan u dha një lajm i pasaktë mbi mua.

Po punë e madhe, fundja.

Spikerja e emisionit të lajmeve tha pak a shumë se edhe profesori Artan Fuga i është bashkuar listës së personave që kanë firmosur një peticion drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, ku i kërkojnë atij për të mos u bërë pengesë për integrimin evropian të vendit, dhe të lejojë që deputetët e opozitës të votojnë tri ligjet në Kuvend.

Më vjen keq të përgënjeshtroj një lajm që ka për burim një televizion që e vlerësoj për cilësinë e tij të transmetimeve, për shumë gazetarë dhe drejtues profesionistë që ka, për mjaft emisione artistike dhe kulturore, show etj., që na fal çdo ditë dhe me të cilin kam bashkëpunuar me dëshirë e ku kam gjetur trajtim të lirë të fjalës sime të lirë dhe vlerësim.

Por, e vërteta duhet thënë. Lajmi i gazetarit është i pasaktë.

Unë nuk i jam bashkuar asnjë letre a peticioni drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, nuk i kam kërkuar atij asgjë, dhe aspak që të votojë a të mos votojë tri ligjet e mbetura në Kuvend, as nuk kam firmosur, madje as nuk më ka kërkuar askush që të firmos ndonjë letër dhe ndonjë peticion.

Sigurisht ky përgënjeshtrim nuk do të duhej të ishte i gjatë në përmasat e ndonjë shkrimi, por, nëpërmjet tij, përpiqem të sqaroj, sipas meje, ndonjë çështje që e kalon rastin tim personal.

Por, le t’i marrim gjërat me radhë.

 

            1. Përse kur dëgjova lajmin kisha ndjesi kontradiktore?

 

M’u duk çudi që një televizion kombëtar ta quante lajm nëse një dikush si unë ka firmosur ose nuk ka firmosur një letër ose një peticion për një çështje politike, i është bashkuar ose jo një letre drejtuar kryetarit të opozitës. Vallë kaq rëndësi të ketë kjo gjë? – mendova.

Aq më fort u ndjeva i vlerësuar, sepse gazetari kishte nxjerrë lajmin nga analiza që i kishte bërë faqes sime Facebook, e cila fatmirësisht ndiqet nga mijëra e mijëra të interesuar, miq të saj. Si i dhënë pas mediave qytetare, mendova se kjo është një ngjarje që ndodh për herë të parë në Shqipëri, në historinë e mediave shqiptare, mbase historianët e mediave do ta shënojnë diku. Një gazetar i emisionit të lajmeve të një televizioni shumë të njohur kombëtar citon si burim lajmi një faqe Facebook-u. Kemi hyrë tashmë në epokën e modernizimit të komunikimit masiv – u gëzova.

Ndërkaq më erdhi keq për lapsusin, keqkuptimin, pra pasaktësinë e gazetarit, ndonëse nuk e marr zët, sepse shpesh janë të rinj edhe gabojnë. Kush nuk bën gabime në punë dhe në jetë? Një lajm i pasaktë ! Po, punë e madhe, buzëqesha.

Ndërkaq, spikerja numëronte emra të njohur që kanë firmosur atë letër-peticion dhe në mes, me figurë, tregonte listën me emra dhe firmat përkarshi. Prita mos shihja edhe firmën time, por nuk e pashë.

Ndërkaq, e vërteta është që ajo pak a shumë u shpreh se kësaj liste personash që i drejtohet kryetarit socialist i është bashkuar edhe profesor Fuga. Dhe vazhdoi se ai në faqen e vet Facebook ka bërë një shënim për integrimin evropian të vendit dhe në ekran u paraqit një pjesë e dialogut tim me një lexuese lidhur me këtë çështje.

 

            2. Çfarë ndodhi në Facebook?

 

Përpara disa ditësh, një mike e faqes Facebook, më pyeste pak a shumë se çfarë mendoja rreth peticionit të nënshkruar nga disa dhjetëra persona drejtuar Edi Ramës. Kush dëshiron, mund ta gjejë këtë dialog në arkivin e faqes Facebook të disa ditëve më parë.

Përgjigjja ime e sinqertë ishte pak a shumë si më poshtë, dhe duhet thënë, e cituar saktësisht nga gazetari televizionit kombëtar Klan:

Atje thosha se unë nuk i “fus hundët” në punët e të tjerëve dhe nuk bëhem arbitër i sjelljes qytetare dhe politike të të tjerëve. Jemi një botë e lirë dhe secili merr pjesë në shoqëri me mënyrën e vet dhe kontribuon si e mendon. Nënshkruesit e asaj letre-peticion e kanë menduar ashtu, tani të gjithë jemi të lirë të shprehemi, kjo është puna e tyre dhe jo imja.

Pastaj shtoja pak a shumë se përtej kësaj çështjeje, po të donte qëndrimin tim të hapur, mund t’u drejtohej shkrimeve dhe shënime në Facebook, të bëra shumë kohë më parë dhe në vazhdimësi ku unë kam këtë qëndrim: Integrimi evropian i duhet shumë Shqipërisë, është një proces që unë them se ne jemi të interesuar të bëhet këtu dhe tani, sa më shpejt, dhe se ia vlen të jemi solidarë, të lemë mënjanë çdo ndarje, dhe së bashku ta mbështesim këtë proces, sepse qytetarët shqiptarë dhe Shqipëria e meritojnë. Kemi bërë shumë në këto dekada dhe se vendet fqinje nuk janë aspak më të mirë se ne.

Ja kjo është.

A i bashkohem unë ndonjë letre-peticion? Jo.

A jap vlerësime për nënshkruesit e saj? Jo.

A i drejtohem kryetarit të Partisë Socialiste me ndonjë kërkesë? Jo

A jam unë për integrimin evropian të vendit dhe a mendoj se ai e meriton të përparojë në atë drejtim, sepse nuk është fare më keq se vendet përreth? Po.

Po, me të dy duart, me gjithë fuqinë e zërit, me gjithë forcën e shpirtit e uroj këtë përparim drejt integrimeve shqiptare në Evropë. Prej vitesh kam këtë qëndrim dhe bëj çmos modestisht në punën time, në jetën time, në aktivitetin tim politik dhe shoqëror të kontribuoj për këtë.

Gazetari të më ndjejë, por nuk ka ditur ta ndërtojë lajmin. Nga nxitimi, besoj. Ka bërë një mishmash dhe shkakton pështjellime te lexuesit e mi, sepse jep një lajm të pasaktë, duke manipuluar jo profesionalisht dy lajme të ndryshme, njëri i paqenë dhe tjetri real, por që nuk ka të bëjë fare me të parin, e bashkuar anët e ndryshme në një informacion të pasaktë që nuk është me thënë të drejtën në lartësinë e mendimit që kam për performancën e agjencisë ku ai është i punësuar.

Por, gabimet, thuhet, janë bërë për t’u falur. Nuk ka gjë.

 

            3. Cfarë mendoj unë për tri ligjet dhe për letrën-peticion?

 

Sigurisht kam një mendim, por jo gjithmonë mendimet për të tjerët dhe për të gjitha çështjet shfaqen publikisht. Arsyeja është se nuk duhet abuzuar me mundësitë që ke për të dalë vend e pa vend në media. Unë nuk jam që hapësira publike të uzurpohet pothuajse nga disa njerëz që bëjnë specialistin për gjithçka. Ka një ndotje akustike – thonë ekologjistët. Duhen lënë të tjerët të shprehen. Por, ja, situata erdhi e tillë që më detyron të jap një sqarim dhe kuptimin tim për çështjen.

Do të doja shumë që një tufë gazetarësh, nga ata më të mirët dhe më agresivët për lajmin e freskët, të qëndronin natë e ditë para derës së ambasadorit të delegacionit evropian në Tiranë, zotit Sequi, duke i shtruar një pyetje, pa ikur që andej pa marrë një përgjigje të qartê dhe të prerë për pyetjen:

A është apo jo e vërtetë dhe e saktë që po të miratohen ato ligje që presin në Kuvend hapet dera për atë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian?

Është e vërtetë apo jo? Sepse shumë pështjellim po i shkaktohet opinionit publik shqiptar. Na duhet një përgjigje e prerë, e saktë, e plotë. Delegacioni e ka për detyrë të na informojë ne qytetarëve shqiptarë, pa hezitim, me transparencë dhe në mënyrë të plotë.

Po ta dija këtë, do të isha vërtet i lumtur.

Supozojmë se është e vërtetë se ato tri ligje po të miratohen, gjithçka pastaj zgjidhet.

Atëherë qëndrimi im është edhe më i qartë: Ato tri ligje duhen votuar jo pasnesër që është ditë pune, por sot, në ditë fundjave, në ditë pushimi, sonte natën. Pa pritur të gdhihet.

Por, me një kusht. Një kusht shumë të rëndësishëm: Ato ligje opozita nuk do të duhet t’i votojë symbyllurazi, por vetëm nëse i gjykon në përputhje me standardet demokratike.

Nuk votohen ligje për një arsye politike, thjesht. Një njeri si unë që ka dhënë leksione të filozofisë të së drejtës, mendon se një ligj votohet vetëm për argumente brendajuridike. Pra, duhet që deputetët e opozitës, për mua, të bëjnë detyrën e tyre.

Unë jam që deputetët të vihen në përballje me ligjin dhe jo me kryetarët e partive. Unë jam kundër modelit të shtetit të partive dhe militoj për një fazë më të lartë të tij që është shteti i ligjit dhe i qytetarit. Deputetët duhet të jenë në sallë dhe të shqyrtojnë projektligje sipas një axhende prioritare. Pra, nëse ato tri ligje janë të mira, të votohen sonte natën. Nëse deputetët i gjejnë ende të paplotësuar, të punojnë derisa të gjendet kompromisi, sa më shpejt, dhe pa obstruksione. Po t’i gjejnë jo të mira, le të votojnë edhe kundër. Por? Të votojnë, të marrin pjesë në procesin e ligjbërjes.

Ndërkaq, argumenti që kam dëgjuar nga përfaqësues të opozitës se i votojnë ato ligje vetëm nëse rregullohet një problem anodin andej nga Fieri – më duket i pabazë.

Përse?

Po e thashë pra, unë jam kundër që një ligj të votohet për arsye jashtëligjore thjesht, qoftë edhe sepse na e kërkon Evropa. Do të votohet pasi të gjykohet.

Por, nuk mund të thuhet se unë as nuk e shqyrtoj, sepse në Fier ka ndodhur… Edhe mosaprovimi për shkaqe joligjore, thjesht politiko-administrative, është kundër bindjeve të mia.

Duhet ulur në sallë për të punuar për ato ligje, nëse vërtet janë axhendë urgjente, çka mund të sqarohet. Dhe aty duhet një punë në solidaritet, bashkëpunim, duke lënë mënjanë përçarje dhe mllefe të kaluara. Populli pret ligje. Deputeti e ka për detyrë të punojë për to.

Ja përse mendimet e mia i jap në shkrime dhe hezitoj të drejtohem me letra (askush, e përsëris, nuk më ka kërkuar të firmos a të mos firmos), sepse më duhet një analizë për të trajtuar çështjen.

Por, është e drejta e të gjithëve të shprehen edhe fort dhe prerë. Puna e tyre. Unë nuk kam firmosur dhe nuk mbështes apo kundërshtoj asnjë peticion. Kam zgjedhur t’i shpreh në media mendimet e mia.

Qytetari kushdo qoftë ka të drejtë të kërkojë, ndonjëherë edhe duke tejkaluar një normë. Nuk jam dakord që opozita në asnjë rast nuk mund të kritikohet. Mund të kritikohet që ç’ke me të, njësoj si qeveria, nëse rasti paraqitet.

Ndërkaq, etiketimet që u adresohen firmëtarëve, ndonëse unë nuk kam shprehur asnjë mbështetje ndaj tyre, më duken fare të pagjetura dhe mbi të gjitha të pafrytshme elektoralisht.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency