Provimi i shtetit, të ngelurit përsëri vijnë nga universitetet private

0
128

 Driçim Çaka

infermierSipas të dhënave, mbetësit me numrin më të lartë janë në degët e Farmacisë, Infermierisë, Fizioterapisë dhe të Stomatologjisë

 

Pas dy fazave të para të testimit në provimin e shtetit edhe faza e tretë ka prodhuar përsëri rezultate negative në fushat e mjekësisë. Kështu, sipas burimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, ka pasur një nivel të lartë të të ngelurve që, edhe pse nuk është në të njëjtat shifra si herët e tjera, përsëri është shqetësues. Sipas të dhënave, mbetësit me numrin më të lartë janë në degët e Farmacisë, Infermierisë, Fizioterapisë dhe të Stomatologjisë. Siç duket, mes të diplomuarve të viteve të fundit ka një brez studentësh të cilët nuk e meritojnë profesionin e tyre dhe kjo duket qartë edhe në rezultatet e provimit të shtetit. Të njëjtat burime përmendin për gazetën “Standard” se përgjithësisht numri më i lartë i të ngelurve vjen nga universitetet private. “Të ngelur përgjithësisht ka nga çdo universitet, por ajo që mbetet shqetësuese është krijimi i një grupi studentësh, të cilët e kanë dhënë për herë të dytë apo të tretë provimin e shtetit, por që nuk kanë arritur ta marrin dot. Këto rezultate tregojnë se profesioni nuk zotërohet mjaftueshëm për ta ushtruar atë”, – theksojnë burime pranë AKP-së. Rezultatet më të dobëta në provimin e shtetit i kanë marrë infermierët e ardhshëm. Kështu, më shumë se 50% e tyre nuk kanë marrë pikët e nevojshme për të kaluar testin e parë. Ata i janë nënshtruar për herë të dytë provimit, por sërish numri i mbetësve ka qenë shumë i lartë.

Privatët

 

Lidhur me këtë shqetësim, “Standard” kontaktoi dje me drejtuesit e disa universiteteve private, të cilët kanë në programin e tyre edhe degët si Infermieri, Fizioterapi apo Farmaci. Në të gjitha kontaktet, asnjë prej tyre nuk pranoi të jepte një mendim lidhur me rezultatet e provimit të shtetit, duke u justifikuar se “ata studentë nuk janë nga universiteti ynë”.

 

Mjekësia

 

Ndryshe nga profesionet e tjera, mjekësia ka treguar se është në një tjetër nivel. Në provimin e shtetit, që u zhvillua nga data 3-7 janar, rezultatet ishin të mira dhe sipas AKP-së, këta kandidatë kanë pasur një nivel mbi profesionet e tjera. Në dhjetor, provimi i shtetit u zhvillua edhe për mësuesit, të cilët përgjithësisht dolën me rezultate mesatare.

 

Provimet e ardhshme

 

Pas përfundimit të provimit të shtetit në janar bëhet e ditur se faza tjetër e testimit do të jetë gjatë periudhës maj-qershor. Midis profesioneve të cilat janë testuar deri tani në fazën tjetër do të testohen edhe disa degë të tjera.

 

Provimi

Çdo kandidat ka të drejtë të japë deri në 5 herë provimin e shtetit. Provimi cilësohet i kryer me sukses, nëse në provim kandidati është vlerësuar së paku me notën 5 (50 pikë). Kandidati i vlerësuar me notën 4 (49 pikë) përsërit provimin.

 

 

 

Elbasan, task-forcë për të luftuar korrupsionin e pedagogëve

 

Duke folur për “Standard”, dekania Kushi u shpreh se për vitin akademik 2012-2013 Fakulteti Ekonomik do të ketë edhe tri mundësi studimi

ARTUR AJAZI

 

Dekania e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan në një prononcim për gazetën “Standard”, bën me dije se është ngritur task-forca, strukturë e cila do të synojë intensifikimin e luftës ndaj fenomenit të korrupsionit që është shfaqur tek pedagogët. Kjo task-forcë do të kontrollojë edhe procesin e korrigjimit dhe vlerësimit të provimeve të studentëve. Duke folur për “Standard” dekania Kushi u shpreh: “Për vitin akademik 2012-2013 Fakulteti Ekonomik do të ketë edhe tri mundësi studimi, të cilat janë dy programe studimi në nivelin “bachelor” dhe një program në nivelin master shkencor. Ne kemi marrë vlerësim pozitiv për nivelin “bachelor” në Ekonomi Turizmi dhe Administrimi Biznesi e Inxhinieri. Kemi pasur kërkesë nga nxënësit sidomos për degën Administrim Biznes dhe Inxhinieri. Ne do të shfrytëzojmë kapacitetet që Elbasani zotëron në këtë fushë”. Sipas zonjës Kushi, “ka kapacitete me një eksperiencë jo vetëm në punë praktike, por edhe në aktivitetin shkencor, besojmë se është një degë që do të ketë interes dhe ne tashmë e kemi mundësinë ta ofrojmë”.

 

Ekonomia në Elbasan

 

Fillimisht, numri i studentëve do të jetë 60 e më pas do të shikohet si do të ecë interesi. Një tjetër program studimi është Ekonomi turizmi. Ky program studimi hapet në kuadër të mbështetjes nga programi Tempus ku Universiteti i Elbasanit është i përfshirë bashkë me disa universitete të tjera të drejtuar nga Universiteti i Siegenit. Edhe këtu janë përcaktuar 60 kuota. Ne kemi punuar shumë që programet e studimit “bachelor” të miratoheshin para plotësimit të formularit A2 nga maturantët që ata të kenë mundësi të përzgjedhin edhe ofertat e reja që ne bëjmë këtë vit të ri akademik. Ndërkohë niveli master i shkencave në Kontabilitet dhe Auditim vjen si një kërkesë e studentëve që përfundojnë degën Financë-Kontabilitet. Duke qenë se studentët më të mirë të fakultetit janë tek ky program studimi u mendua të hapej niveli master shkencor. Për të realizuar këtë kemi punuar shumë. Janë përgatitur dosjet e aplikimit në Ministrinë e Arsimit dhe kemi marrë konfirmimin pozitiv në hapjen e këtij niveli master. Tashmë ky fakultet ofron disa programe master dhe studentët kanë mundësi të zgjedhin. Kemi menduar që në degët Financë-Kontabilitet, Administrim-Biznes, Ekonomia dhe E Drejta dhe Ekonomi Informatike të shtojmë numrin e studentëve që do të pranohen. Kështu për çdo program studimi “bachelor” ekzistues janë vënë në dispozicion 150 kuota. Është menduar një rritje për këto degë pasi është parë që ato preferohen dhe ka kërkesë. Gjithashtu do t’i promovohen edhe programet e reja të studimit, të cilat e konsolidojnë dhe e bëjnë më të plotë Fakultetin Ekonomik të Elbasanit. Duke u pyetur për rastet e korrupsionit dhe arrestimin e 2 pedagogëve nga policia zonja Kushi tha: “Është e vërtetë, kemi pasur raste të denoncimeve apo edhe atyre të bëra publike nga organet kompetente të fenomenit të korrupsionit, në fakultetin tonë është ngritur një grup task-forcë për të kontrolluar procesin e provimeve dhe luftuar korrupsionin. Ky ekip me qëllim luftën kundër korrupsionit po monitoron procesin e marrjes në provim të studentëve”. Procesi i monitorimit fillon nga mënyra e hartimit të tezave, në shpërndarjen e tyre, në sekretimin e fletoreve, komunikimin rezultateve dhe ankimimin. Besoj që kjo punë po ecën shumë mirë dhe parashikojmë të parandalojmë çdo fenomen korruptiv apo problematikë të lidhur me auditorët. Qysh ditën e parë që kam marrë detyrën e dekanes, jam betuar se nuk do të toleroj asnjë, pedagog apo student që nxit me forma dhe metoda të ndyra fenomenin e korrupsionit, që po njollos emrin e pedagogut dhe Fakultetit Ekonomik të UE. Në këtë iniciativë padyshim kam mbështetjen dhe përkrahjen e Rektoratit dhe pjesës më të madhe të stafit tim, nuk do të ndalem derisa ky fenomen të minimizohet, dhe pa dyshim çdo rast të denoncuar do ta bëj publik edhe në shtyp dhe strukturat e tjera të shtetit, – përfundoi dekania Kushi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency