Lufta për kromin në zonën “D” pranga njeriut që vrau në 2011-ën

0
159

Elton Qyno

arrestimiIlirjan Jambelli kërkohej dy vite jashtë shtetit, GOS e arreston në qendër të kryeqytetit

33-vjeçari, pjesë e bandave të kromit në Bulqizë. Në 2010-ën, vodhi me armë sasinë prej 700 tonë kromi

 

Prangoset në qendër të Tiranës 33-vjeçari Ilirjan Jambelli, i cili njihet në zonën e Bulqizës si një nga të fortit e klanit të mineralit të kromit në minierën e qytetit. Ilirjan Jambelli prej rreth dy vitesh ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit, pasi Gjykata e Dibrës kishte vendosur masën e sigurisë të “Arrestit me burg”, për shkak se në janar 2011, Jambelli ka ekzekutuar me armë zjarri shtetasin Fehmi Kurçani, ndërkohë që ka tentuar të vrasë dhe dy shtetasit e tjerë, Shpëtim Reka dhe Eleonard Ndreun. Veç kësaj ngjarjeje kriminale, Jambelli akuzohet edhe për një ngjarje tjetër të ndodhur në Bulqizë në vitin 2010, ku nën presionin e armës ai ka grabitur nga një firmë që nxirrte mineralin e kromit, sasinë prej 700 tonë kromi, duke e shitur më pas atë te disa subjekte private. Pas dy vjetësh kërkime në disa vende të Evropës, strukturat e policisë së Tiranës dhe specialistët e Grupit të Operacioneve Speciale, kishin marrë informacione se Jambelli fshihej në Tiranë. Pas disa verifikimeve, është vendosur arrestimi i Jambellit ditën e djeshme, ku strukturat e policisë kanë bërë të mundur kapjen e tij në sheshin “Skënderbej”. Pas ndalimit, Jambelli iu dorëzua Drejtorisë së Policisë Dibër, pasi gjykata e këtij rrethi është duke vijuar procesin gjyqësor ndaj këtij shtetasi.

Lufta për kromin në zonën D

Nga materiali hetimor rezulton se më datë 5.1.2011, rreth orës 10:00, është njoftuar salla operative e Drejtorisë së Policisë Qarkut Dibër se në qendër të qytetit Bulqizë nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i vrarë shtetasi Fehmi Kurçani, si dhe janë plagosur shtetasit Shpëtim Reka dhe Eleonard Ndreu. Me marrjen e këtij informacioni nga Policia Gjyqësore janë kryer veprimet e para hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e jashtme e kufomës, këqyrja e automjeteve të ndodhura në vendin e ngjarjes, këqyrja e brendshme e lokalit të noteres Fatbardha Murra, këqyrja dhe marrja me cilësinë e provës materiale të gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, pyetja me cilësinë e dëshmitarit të personave që tregojnë rrethana të dobishme për qëllimin e hetimit. Nga shqyrtimi i fakteve të mbledhura nga policia gjyqësore rezulton se ngjarja ka ndodhur në këto rrethana: Personi nën hetim, i arrestuari për këtë ngjarje shtetasi Ilia Duriçi, përpara disa ditësh është konfliktuar me shtetasin Destan Gjeta për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur për shfrytëzimin e një galerie kromi në zonën D të qytetit Bulqizë. Duke qenë se mosmarrëveshjet ndërmjet palëve nuk ishin zgjidhur dhe raportet ndërmjet tyre ishin të acaruara, më datë 5.1.2011, rreth orës 10 të paradites në qendër të qytetit Bulqizë janë vënë përballë njëri tjetrit të armatosur me armë automatike dhe pistoleta brezi shtetasit Ilirjan Jangulli, Destan Gjeta, Shpëtim Reka, Eleonard Ndreu, Vladimir Crroj, Ilia Duriçi, Adrian Duriçi, Ndriçim Duriçi, të cilët kanë nisur të qëllojnë me armë zjarri kundër njëri-tjetrit. Shkëmbimi i zjarrit ndërmjet dy palëve ka vazhduar për disa minuta. Përballja me armë zjarri nga të dyja palët ka qenë e menjëhershme duke qëlluar reciprokisht përballë njëri tjetrit, duke vënë në rrezik jetën e shumë personave që ndodheshin në qendër të qytetit në një orë të populluar.

Vrasja para noteres

Si rezultat i shkëmbimit të zjarrit ndërmjet palëve ka mbetur i vrarë gabimisht shtetasi Fehmi Kurçani, i cili në momentin e përplasjes së këtyre shtetasve me armë zjarri ndodhej brenda lokalit të noteres Fatbardha Murra. Gjithashtu nga shkëmbimi i zjarrit ndërmjet palëve kanë mbetur të plagosur shtetasit nën hetim Shpëtim Reka dhe Eleonard Ndreu, si dhe janë dëmtuar disa automjete të cilat ishin të parkuara në sheshin në qendër të qytetit. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër ka filluar procedimin penal ndaj të dyshuarit Ardian Duriçi, Ilirjan Jangulli dhe personave të sipërcituar të cilët hapën zjar në drejtim të njëri-tjetrit. Pas verifikimeve të kryera dhe gjurmëve të gishtave është konstatuar se arma që vrau shtetasin Fehmi Kurçani, është përdorur nga i arrestuari Ilirjan Jambelli.

 

Ngjarja në Shijak

Sharronte drutë, vdes 65-vjeçari

motosharra i kapi në djegore granate

Një 65-vjeçar ka humbur jetën në Shijak, teksa ishte duke sharruar drutë me motosharrë. Viktima, Skënder Xhafa, ka qenë duke punuar kur papritur zinxhiri i motosharrës ka prekur një ndezës granate në tokë, gjë e cila ka sjellë shpërthimin e fuqishëm, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme 65-vjeçarit, të cilit i kanë hyrë disa copa metalike në tru. Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 10:15, në fshatin Karreç, ku pas shpërthimit menjëherë kanë reaguar familjarët e viktimës por edhe banorë të tjerë të fshatit të cilët janë tronditur nga ajo që kanë parë. Xhafa ka qenë pranë kasolles së tij që ndodhet rreth 15 metra poshtë shtëpisë së tij. Ai ka qenë duke prerë dru me një motosharrë dhe në çastin që mjeti prerës ka rënë në kontakt me djegoren e granatës që ndodhej poshtë trungut të pemës ka ndodhur shpërthimi i fortë që i ka marrë dhe jetën. Fillimisht objekti plasës ka qenë i papërcaktuar dhe në fshat është diskutuar se 65-vjeçari mund të jetë një tjetër viktimë e Gërdecit, pasi nga shpërthimi i ndodhur atje u përhapën në një rreze të gjerë predha luftarake. Po drejtuesit e policisë së Shijakut dhe drejtorisë së qarkut Durrës e përjashtojnë këtë mundësi, pasi verifikimet e bëra nga ekspertët në vendin e ngjarjes kanë çuar në përfundimin paraprak se shpërthimi është shkaktuar nga djegorja e granatës që ndodhej pranë një trungu.

 

Berat, shpërthen bombola plagosen tre persona

Shpërthimi i një bombole gazi ka shkaktuar tre të plagosur në qytetin e Beratit ku një çift ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Feim dhe Zenepe Ostrovica, ngelën të plagosur kur po mbushnin një bombol gazi në dyqanin e tyre në lagjen “Kushtrimi”. Të plagosurit u dërguan me urgjencë në spitalin e qytetit për të marrë ndihmë mjekësore. Vala e shpërthimit ka shkaktuar dhe dëmtime në pallatet e zonës duke shkatërruar xhamat e pallatit dhe një kabinë elektrike. Tregtimi i bombolave të gazit prej kohësh është kthyer në shqetësim jo vetëm në qytetin e Beratit. Nga hetimet paraprake mësohet se shpërthimi i bombolës së gazit është provokuar nga ndonjë rrjedhje e gazit në ambient, që më pas ndonjë nga të dëmtuarit e ka provokuar me ndezjen e cigares apo çakmakut.

 

Vdekja e 11-vjeçarit në spital, pyeten sërish mjekët

Mjekët e turnit në QSUT, të cilët asistuan në operacionin e 11-vjeçarit, Denis Almadhi, i cili humbi jetën në nëntor të vitit të kaluar gjatë një operacioni në kapakët e syrit, janë pyetur në polici mbi ndërhyrjen kirurgjikale. Pas rikthimit të dosjes në polici nga ana e organit të akuzës, deklarata kanë dhënë dhe grupi i mjekëve irlandezë. Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se mjekët kanë dhënë shpjegime mbi procedurën e ndërhyrjes kirurgjikale por edhe mbi kartelën e parë të Denis Almadhit, operacion i kryer në vitin 2007. Vetëm pak ditë më parë Prokuroria e Tiranës riktheu dosjen e 11-vjeçarit në Komisariatin numër 4, pasi kërkohej edhe kartela e operacionit të parë. Dëshmitë e marra nga policia pritet të hedhin dritë mbi procedurat e ndjekura. Më herët, në konkluzionet e akt-ekspertimit mjeko-ligjor tek trupi i pajetë i Denis Almadhit, ishin konstatuar shenja të ndërhyrjes mjekësore, ku u vërejtën sëmundje akute në tru, zemër, mushkëri dhe veshka.

 

Elbasan, gjendet i vdekur 45-vjeçari, s’ka shenja dhune

Një 45-vjeçar është gjetur i pajetë në një kanal në fshatin Shushicë, të Elbasanit. Policia bën të ditur se Zenel Tashushi, baba i dy fëmijëve, ka qenë për darkë tek e motra në fshatin Shushicë dhe është larguar prej andej pas mesnate. Duke parë vonesën e tij në shtëpi familjarët kanë nisur ta kërkojnë në të gjithë rrugët e fshatit dhe vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm e kanë gjetur atë të vdekur në një kanal shumë pranë banesës së tij. Menjëherë 45-vjeçari u dërgua në spitalin e qytetit, ku sipas mjekëve në trupin e tij nuk është konstatuar asnjë shenjë dhune, dhe se vdekja është shkaktuar si pasojë e një ataku kardiak.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency