Gafur Zota
Historian
Nesër mbushen 65 vjet nga ekzekutimi i mësuesit nacionalist Edip Tërshana, më 18 janar 1948. Komunizmi sapo kish filluar hakmarrjen. Gjaku i kulluar i shqiptarëve nacionalistë do të skuqte anembanë vendin për të ushqyer e mbajtur gjallë idealin kombëtar e demokratik. Hakmarrjes komuniste nuk do t’i shpëtonin as i vëllai, Rifati, ekzekutuar në Kashar të Tiranës vetë i katërmbëdhjeti, natën e 12 nëntorit 1944 – një Shën Bartelome i vërtetë, as…, as Edipi. Gjitha kjo për të goditur familjet e mëdha në bëma për atdhe, njerëzit e tyre të shquar, për të ndërprerë traditën shekullore, për të tharë brumin, për të rrëzuar kolonat që mbajnë në këmbë një komb, e për të vënë në vend të tyre shtyllat e revolucionit socialist.
Vrasja e Edipit ishte krim i regjimit totalitar të Tiranës. Zhdukej në mënyrën më barbare një intelektual që vinte nga një familje atdhetare, disa herë e përgjakur me armikun, me breza luftëtarësh e të rënësh në luftë kundër pushtuesit: osman, serb, bullgar e nazifashist. Ai ishte vazhdues i Beqirit, njëri ndër organizatorët e thirrjes se kuvendit të Dibrës, 27 shkurt 1999, njëri nga 31 anëtarët e Asamblesë të zgjedhur aty në prani të 1500 burrave, njëri nga 18 anëtarët e Komitetit që kjo Asamble formoi, anëtar i Komisionit Arsimor që ky Komitet me atribute ekzekutivi krijoi në Dibër. Beqir Tërshana bashkë me krerë të tjerë të Dibrës së Madhe e më gjerë ishte ndër iniciuesit dhe firmëtarët e vendimeve që mori Kuvendi, Asambleja e dalë prej tij, Komiteti dhe Komisioni Arsimor.
Po kush ishte martiri Edip Tërshana?
Edipi ishte vazhduesi i Bexhetit, Nazifit, Xheladinit të vrarë nga sllavët. Ishte vazhdues i të atit, Abduramanit, luftëtarë aktiv për hapjen e shkollës shqipe në Dibër gjatë viteve 1908-1912, në rezistencën kundër pushtuesit serb, xhaxhallarëve: Mustafait, Tofikut, Saliut, por edhe bashkudhëtar i më të rinjve, vëllezërve: Zijai, Rifati, kushërinjve: Muniri, oficer i infaterisë në luftën e Lan-Lurës, më pas prefekt në Krujës, Samiu, prefekt në Skrapar, Ibrahimi, Remziu, Shefkiu…, me të cilët në bllok u ndesh me diktaturën komuniste.
Edipi ishte nip i Ballancës, derë e shquar në lëmin kombëtar, me një brezni atdhetarësh që nga Hasani (i vjetri), Hyseni, Hasani i ri (Mirosh Dibrani siç njihet në shtypin e kohës), Qamili, Zenullai e deri te më të rinjtë. Kjo vatër gjithmonë e ndezur prush atdhetarie do të bëhej shtrat i ngrohtë në formimin e mëpasëm të djaloshit të ri.
Edipi lindi më 15 mars 1907. Shkolla e parë shqipe sapo kishte mbushur njëzet vite nga hapja e saj e për koinçidencë edhe Edipi po njëzet vite do bënte karrierë në arsim. Këto ishin vite intensive pune për normalistin e Elbasanit. Në këto njëzet vite, mësuesi i shkollës plotore, Shijak, i shkollës ”Hasan Vogli” Tiranë, Drejtori i shkollës nr. 1 (më pas “Hasan Prishtina”) – Durrës, drejtori didaktik dhe zv.kryeinspektori i arsimit të prefekturës Dibër, kryeinspektori i arsimit (maji -korik1944) Vlorë, kryeinspektori i kulturës dhe drejtori i parë i shkollës unike (1945-1947) Peshkopi, hapi një numër të madh shkollash shqipe dhe përgatiti breza të tërë të aftë t’i ofronin shërbime të çmuara atdheut.
Vitet në arsim mbartin përkushtim ndaj detyrës, afirmim të personalitetit si mësues e drejtues shkolle, si qytetar e prind shembullor. Një sërë vlerësimesh e konsideratash formulohen për punën e tij ndër vite. Është mësues shumë i mirë dhe i zoti, me aftësi pedagogjike të mirë, pëlqen rregullin dhe etikën, merret me studime të karrierës pedagogjike, manifeston ndjenja antifashiste, është tip punëtor, skrupuloz, i arsyeshëm, mësues me vlerë, stazh e shkallë kualifikimi. Si qytetar pa ndonjë ves dhe që mund të na bëjë shërbime të mëdha… Në këto vite, në krye të trupave të ndryshme mësimore, për punë plot pasion e arritje nuk munguan vlerësime nga lart. Trupa mësimore nën drejtimin e tij më se një herë u shpallë “Miss” – një vlerësim ky shumë i lartë i kohës. Në këto vite fitoi jo vetëm vlerësimin e dikasterit më të lartë, Ministrisë së Arsimit, por u skalit edhe në memorien e kolegëve: Dhimitër Gjero, Fadil Repishti, Beqir Haçi, Selim Alliu, Munir Shehu, Remzi Pustina, Dhimitër Fullani, Esat Mezelxhiu, Ibrahim Kuka, Menduh Skikuli,Tasin Jonuzi, për të vazhduar me ish nxënësit e tij: Ramazan Njala, Ismet Bellova, Riza Kukeli, Ismail Erebara, Emin Jashari etj.
Brenda një kohe të shkurtër me kujdesin e tij dhe të Beqir Haçit u hapën në Dibër të Madhe e rrethinë 12 shkolla ku vijonin mësimet 1448 nxënës. Veç këtyre shumë të tjerë vijonin kurset. Falë punës së palodhur të Edipit, Beqir Haçit dhe mësuesve të tjerë inspektoria arsimore e prefekturës Dibër organizoi në vitet 1941-1943 një jetë të gjallë sportive, kulturore e artistike duke u shpallur fituese në gjitha garat me inspektoritë simotra të prefekturave për rreth. E paharruar mbeti vënia në skenë nga trupa mësimore, Prefektura Dibër e dramës së Fuqion Postolit “Lulja e Kujtimit”.
Edhe pse vetëm tre muaj në krye të inspektorisë së arsimit të qarkut Vlorë (maji-korik 1944) falë përkushtimit shënoi suksese të prekshme. Siç shkruante “Bashkimi i kombit”… Zotni Edip Tërshana pa humbur kohë u vu në kontakt me autoritetet e vendit, mblodhi Këshillin Arsimuer me të cilin vendosi çeljen e shkollave, autorizoi Komisjonin Shkolluer për marrje vendimi për meremetimin e shkollave dhe plotësimin e nevojave të tyre… Çelja e shkollave ishte një gëzim i papërshkrueshëm në popullsinë e qytetit; veçanërisht fëmijët, tue pa se shtëpia e tyre paraqiste një grazhd kuajsh dhe se ndër to nuk kishte mbetur,veçse katër muret,vendosën dhe muarën iniciativën tue dalë grupe-grupe në lagjet e qytetit,për me kërkue materialin e humbur të shkollave. Nji gëzim i madh asht për ata, kur ia dalin në krye punës… Kangët që dalin nga shpirti i njomë i fëmijëve, tregonin krenarinë kombëtare dhe dashurinë për arsimin kombëtar… Urojmë, që fillimi i mësimeve të jetë etapa e parë e rivendosjes s’arsimit kombëtarë”.
Përveç kontributit në fushën e arsimit kombëtarë, Edipi ishte edhe një aktivist i shquar në luftën kundër pushtuesit fashist. Si intelektual dhe drejtor didaktik i Prefekturës së Dibrës, që në fillim u vu në lidhje me eksponent të rëndësishëm të luftës antifashiste. Pas takimit që pati në Tiranë me Mustafa Gjinishin e nacionalistë të tjerë, iu vu punës për organizimin e lëvizjes antifashiste dhe të këshillit nacional-çlirimtarë në Dibër të Madhe. Lidhur me këtë Edipi shkruan: “Ne e organizuam luftën në fushën e propagandës, mbasi kishim si parim që të sjellim bindjen në popull se Italia është robëruese dhe ka për qëllim kolonizimin e Shqipërisë”. Me votim të lire Edipi zgjidhet kryetar i këshillit të parë pluralis në Dibër. Lidhur me këtë shkruan: “Këshilli ishte koglemeratë e tri tendencave të ndryshme politike: nacionalizëm, zogizëm dhe komunizëm”. I ashpër ishte veçanërisht ballafaqimi i Edipit me Vukmanoviç Tempon. Në saj të vendosmërisë së tij dhe të këshilltarëve të tjerë Tempo nuk arriti të ngrejë flamurin maqedon aty. Zhvillimet e mëvonëshme, veçanërisht ato pas mbledhjes së Mukjes do të çonin në largimin nga këshilli nacionalçlirimtar i Dibrës (populli këmbëngulte të qëndronte në këshill) dhe Fronti. Pas kësaj Edipi gjithmonë e më shumë ofrohet me rethet nacionaliste. Tash përveçse me Mustafa Gjinishin takohet edhe me Rexhep Mitrovicën, Fiqiri Dinen, Abaz Kupin, Gaqo Gogën… Ka letërkëmbime me Ministrinë e Arsimit, Kryeministrin të cilëve do tu shpaloste hapur gjithë veprimtatrinë dhe bindjen e tijë: “…se komunizmi nuk asht ideologjia për t’u ba brum që të ushqejë mendësinë tonë…”
I zhgënjyer nga zhvillimi i ngjarjeve pas luftës, veçanërisht nga ardhja e komunizmit në pushtet, reformat në fushën ekonomike, politika e jashtme e lidhur me sllavin, largimi nga perëndimi, goditja që po merrnin elementët nacionalistë, vazhdoi veprimtarinë antikomuniste. Fill pas mbarimit të luftë vihet në lidhje me krerë të lëvizjes antikomuniste në Tiranë e gjetkë. Në këtë veprimtari bashkëpunon me Shaban Ballën, Suat Asllanin (avokat), Qenan Dibrën, Gjergj Kokoshin, Musine Kokolatin, Faik Shehun e shumë të tjerë. Veprimtarinë antikomuniste e zhvillon kryesisht në Dibër të Madhe dhe Dibër të Poshtme. Në organizatën antikomuniste në Dibër të Madhe fillimisht bënin pjesë: Xhevat Pustina, Medat Tërshana, Esat Mezelxhiu, Xhevat Kaba. Organizata veç të tjerave kishte në program organizimin e propagandës kundër shovinizmit sllav, bashkimin e Dibrës me Shqipërinë dhe vendosja e rendit demokrati. Veprimtarinë Edipi e shtriu edhe në Dibër të Poshtme-Peshkopi, ku organizon një tjetër organizatë antikomuniste. Fillimisht bashkëpunon me Rasim Fetahun (Bardulla), Shefqet Shehun, Eqerem Kukelin, Ymer Dodën, Islam e Xheladin Ndreun, Munir Shehun, Haxhi Gazideden (Sheh Haxhiu), Ferit Pervizin. Më pas, me kujdesin e Edipit lëvizjes antikomuniste në Dibër të Poshtme iu bashkuan edhe: Hysni Alimerko Jani Konomi, Alqi Nushi, Rexhep Mborja, Kozma Gjergo, Rifat Dibra, Selim Graceni e shumë intelektual të tjerë që me pretekste të ndryshme ishin dërguar nga pushteti të shërbenin në Dibër. Këta shpesh herë shfrytëzonin lëvizjet për në familjet e tyre duke shërbyer edhe për lidhjet që Edipi kishte në Tiranë me krerët e “Bashkimit Demokratik”.
Edipi në krye të lëvizjes antikomuniste në Dibër zhvilloi një aktivitet të gjerë. Por veprimtaria e tij dhe e aktivistëve të tjerë kishte rënë në sy të autoriteteve të Sigurimit. Më 17 maj 1947 lëvizja mori goditjen përfundimtare. U arrestuan Edipi dhe gjithë anëtarët e tjerë të grupit. Plot gjashtë muaj hetim, tortura nga më çnjerëzoret në qelitë e errëta të burgut. Pas gjashtë muajsh, prokuror i çështjes dha pretencën: Edip Tërshana, Jani Konomi, Hysni Alimerko u dënuan me vdekje. Rexhep Mborja dhe Alqi Nushi me dënim të përjetshëm. Të tjerët nga 20 vjet në…. Me modifikimet e bëra më pas nga apeli për Edipin mbeti në fuqi vendimi me vdekje, kurse për të tjerët pati një përshkallëzim dënimesh.
Kështu, më 18 janar 1948, Edip Tërshana u ekzekutua. Kushdo bën pyetjen: Pse një ndëshkim kaq i ashpër për një figure të tillë? Sigurish në këtë vendim ekstrem duhet të kenë ndikuar edhe letrat e shkruara në Burg. Njëra është mbushur me urrejtje e qortim dhe i drejtohet Enver Hoxhës; kurse tjetra ka dhembshuri prindërore, këshilla, mesazhe shprese dhe i drejtohet të bijës, Lirisë. Të dyja janë testament politik, gurrë e çmuar në historinë e rezistencës antikomuniste. Edipi me kurajo të lartë civile e fshikullon regjimin e Enverit duke e cilësuar: Të shitur te Tito, që kishte hequr dorë nga çështja kombëtare, që vret me e pa gjyq njerëz të pafajshëm, që me reformat e ndërmarra po e varfëronte më tej popullin. Urrejtja buron te dhembshuria që ka për atdheun e tradhëtuar, për popullin e vuajtur i cili dita-ditës në regjimin Tito-Enver po rrokullisej drejt humnerës.
Krejt ndryshe ndodh me letrën shkruar për të bijën, Lirinë. Në të nuk ka urrejtje, por dashuri, dashuri prindërore. Nuk ka qortim, por këshillë, mesazh, përkujdesje prindërore. Në të ka dhimbje për familjen që lë pas në kthetrat e diktaturës, por edhe kurajo e forcë, këshillë si ta përballojnë jetën, vështirësitë. Si një prind i mirë që kur jeton çastet e fundit, përpiqet t’ua lërë fëmijëve një amanet, edhe Edipi prapa dyerve të hekurta, me duar të lidhura u jep atyre këshillën e fundit: “Shisni orenditë e shtëpisë, më pëlqen të shkoni në Tiranë mbasi atje kemi të afërmit, atje Nihati ka më afër shkollën… Jetën do ta kaloni mirë, besoj shpirtërisht do të jeni të dashtun e tanë vaji…të jeni kryelartë se vdes si shqiptar. Ëndrra ime që Shqipëria të bëhet si dua unë do të realizohet dhe ju do të gëzoni emrin “bij shqiptarë”.
Vdekja makabre e Edipit ishte pjellë e kohës, e mendjes së ngushtë shpirtërore që tërë idetë i rigjeneronte në një ide, politikat në një politikë, ndjenjat në një ndjenjë, lavdet në një lavdi. Tani, Edipi, prej territ ku e shtiu diktatura, ka dalë në dritë me një aureolë të shndritshme. Vjen mes bashkëkombësve me kujtesën e madhështisë, vjen në radhën e atyre që presin e kërkojnë të jenë në vendin dhe truallin që me aq sakrifica u lanë të parët.





