Berisha: Rama e ka zgjedhur sloganin: Mbrapa! Me taksën e Kolekës shkohet në ‘45

0
126

Ina Jano

bero Shqipëria, rritje ekonomike në kohë krize, 2.7% për tremujorin e tretë të 2012-ës

Agjencia e taksave të Ramës është si ajo e kohës së Leninit

 

Kreu i ekzekutivit, Sali Berisha, deklaroi dje se vendi ynë ka arritur të ketë rritje ekonomike në kohë krize, ndërsa theksoi se lideri i opozitës ka zgjedhur një slogan të qartë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas numrit një të qeverisë, me programin e Partisë Socialiste mund të shkohet vetëm mbrapa dhe në fakt për Berishën ky është slogani që selia rozë ka përzgjedhur. Në mbledhjen e përjavshme të kabinetit qeveritar, kryetari i mazhorancës u shpreh se Rama është konfuz në deklaratat e tij, duke qenë se një herë bëhet pro Spiro Kolekës dhe një herë tjetër ndryshon këtë qëndrim. Në gjykimit e Kryeministrit, programi që paraqet opozita mund të përkthehet vetëm me një fjalë, mbrapa. “Zoti Rama është unik në doktrinën e tij. Por më duhet t’i them, meqenëse ka maninë ose të imitojë pikë për pikë, ose të bëjë të kundërtën, se tani ke përzgjedhur për slogan: Mbrapa! Ne përpara, ai mbrapa, sepse me këto që premton, mbrapa shkohet. Me taksën e Kolekës shkohet në ‘45-ën, po ashtu me agjencinë speciale të taksave me paramilitarë, në kohën e pasluftës. Këtë i premtoi biznesit zoti Rama. Por me këto shkohet mbrapa, jo përpara”, – tha Berisha. Ndërkaq, lideri i mazhorancës u ndal edhe në propozimin më të fundit të lançuar nga Rama në 21-vjetorin e themelimit të FRESSH-it duke e quajtur agjencinë speciale për taksat si një filozofi të kohës së Leninit. “Unë e dëgjoj zotin Rama një ditë të thotë ‘poshtë Koleka’, ditën tjetër thotë ‘rroftë Koleka!’ Ishte ai që deklaroi se nuk e ka dajë, – në fakt e ka, por kjo nuk ka rëndësi, pasi e drejta e ndryshimit është e drejtë e çdo njeriu, – por u kthye sërish tek Koleka, tek taksa progresive. Ja, kjo është politika e tij, si të shkatërrojë vendet e punës. Po ta ndiqni këtë filozofi, është shumë interesante. Zoti Rama foli për agjenci speciale për taksat. Askush prej jush këtu nuk ka lexuar siç kemi qenë ne të detyruar të lexonim për NEP-in, për politikën e taksave të veçanta të Leninit, pas Revolucionit të Tetorit, për të zhveshur të pasurit, për agjencinë speciale të Leninit për politikën e NEP-it. Dhe NEP nuk ishte gjë tjetër veçse politika e rrjepjes së bizneseve dhe shkatërrimit të tyre. Çfarë është agjencia speciale? Asgjë tjetër, veçse disa militantë specialë, forca speciale”, – vijoi kreu i qeverisë.

Ekonomia

Kryeministri Berisha, në mbledhjen e qeverisë, bëri një analizë të ecurisë ekonomike të vendit, u shpreh se ajo është e qëndrueshme dhe bazohet në një model të suksesshëm, ndërsa theksoi se ekonomia do të vazhdojë të jetë çështje e parë e qeverisë. Ai informoi se në tremujorin e tretë të vitit 2012 rritja ekonomike është 2.7 për qind. Sipas ekspozesë së shefit të kabinetit, kjo rritje është shndërruar në rritje të pagave, pensioneve, të fuqisë blerëse, investimeve publike dhe në mirëqenie për qytetarët. Kryeministri duke ju referuar edhe përfundimeve të raporteve ndërkombëtare, tha se ato e rendisin Shqipërinë në vendin e 4-t në botë për sa i përket shndërrimit të rritjes në mirëqenie për qytetarët. “Një prej grupeve më serioze në botë të konsulencës, grupi i Bostonit, pasi kalkulon koeficientet e vlerësimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, njëri prej të cilëve konsiston në shndërrimin e pasurisë në mirëqenie dhe tjetri konsiston në shndërrimin e rritjes në mirëqenie, bazuar kjo analizë për të parin në 36 tregues dhe për të dytin në 51 treguesit më kryesorë, e vendos Shqipërinë në vendin e 4-t në botë për sa i përket shndërrimit të rritjes në mirëqenie për qytetarët”, – tha Berisha. Ai theksoi se shndërrimi i rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët është çelësi i suksesit të gjithçkaje.

 

Kryeministri hap kanal në Youtube

Duket se komunikimi online do të jetë në qendër të fushatës elektorale që pritet të zhvillohet në muajt në vijim. Së fundi, kreu i qeverisë, Berisha, ka hapur edhe një kanal në Youtube, për të publikuar të gjitha materialet që ai dëshiron. Sigurisht që deri më tani mund të kenë ekzistuar edhe kanale të tjera me të njëjtin emër, por kësaj here, adresa është zyrtare dhe nëpërmjet opsioneve është lidhur automatikisht edhe me faqen në Facebook të zotit Berisha.

 

Qeveria miraton marrëveshjen e përkohshme për TAP-in

Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen e përkohshme me kompaninë Trans Adriatic Pipeline në lidhje me projektin e gazsjellësit. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 6, të ligjit nr. 8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e zëvendëskryeministrit e ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin në parim”, – thuhet në vendimin e qeverisë. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të transportojë gazin nga fusha e Shah Deniz-it në Azerbajxhan nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë dhe përmes Detit Adriatik në Italinë Jugore dhe më tej në Evropën Perëndimore. Projekti ka si qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit dhe larminë e furnizimit me gaz për tregjet evropiane. TAP-i do të hapë të ashtuquajturin Korridorin Jugor të Gazit për në Evropë dhe do të krijojë një treg të ri për gazin natyror nga Deti Kaspik. Projekti është hartuar për të zgjeruar kapacitetin e transportimit nga 10 në 20 miliardë metër kub normal në vit.

 

Greosruck: Interes për restaurimin e teatrit të Shkodrës

Kryeministri Berisha u takua me zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zotin Ëolfang Grossruck. Z Grossruck informoi Kryeministrin se qëllimi i kësaj vizite është shqyrtimi i mundësive për restaurimin e Teatrit të Shkodrës, si një vepër e rëndësishme për jetën artistike te këtij qyteti me tradita artdashëse. Lideri i ekzekutivit e falënderoi përzemërsisht për këtë kontribut dhe duke vlerësuar publikun shkodran si një ndër më artdashësit ne vend, e vlerësoi këtë projekt si një shprehje tjetër e marrëdhënieve dhe a bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy vendeve e popujve. Ai shfrytëzoi rastin për të shprehur edhe një herë falënderimet më të përzemërta ndaj qeverisë e kombit mik austriak për mundësinë e ekspozimit në Tiranë të armëve të heroit tonë kombëtar, gjatë periudhës së festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. “Ekspozita e armëve të heroit tonë kombëtar, si figura më e lavdishme e qendrore e historisë së kombit shqiptar, ka tërhequr një interes të jashtëzakonshëm të miliona shqiptarëve te cilët patin rastin te vizitojnë pavijonin me armët e heroit kombëtar e te njihen nga afër edhe me artifakte te tjera, pjese e trashëgimisë sonë te pasur kombëtare”, – tha kreu i mazhorancës. Kryeministri i dhuroi z, Grussruck ne mënyrë simbolike për kontributin e tij të vazhdueshëm e të jashtëzakonshëm, si një mik i madh i Shqipërisë e shqiptarëve, monedhën e prodhuar enkas nga Banka e Shqipërisë për kremtimet e 100 vjetorit te pavarësisë se Shqipërisë, në të cilën ndodhet e gdhendur me gjithë madhështinë e saj një kopje e aktit madhor të shpalljes së pavarësisë së bashku me nënshkrimet e firmëtarëve të saj.

 

 

 

Dhoma e Avokatisë: Shpërblimi i juristit s’ka kufizim shprehje e vullnetit të palëve

Dhoma e Avokatisë deklaroi dje se shpërblimi i juristit për një çështje të caktuar nuk ka një kufizim shpërblimi, pasi kjo shihet si shprehje e vullnetit të lirë mes palëve. Përmes një deklarate për mediat, kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë, Maksim Haxhia, nënvizon se në bazë të ligjit shpërblimi i avokatit për punën mund të bëhet në disa mënyra. Sipas Haxhisë, shpërblimi për avokatin, në rast se bazohet në një marrëveshje mes palëve, nuk ka kufizime, por është vetëm shprehje e vullnetit. Madje, duke iu referuar ligjit, Haxhia sqaron se shpërblimi në përqindje për suksesin e çështjes mund të bëhet në rast se një gjë e tillë parashikohet në marrëveshje mes avokatit dhe klientit. “Ligji nr 9109 date 23.07.2007, “Për ushtrimin e profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, ne nenin 11 te tij, pika 1, “germa a” ku bën fjalë për mënyrën e shpërblimit të avokatit, përcakton se shpërblimi i avokatit për punën e kryer përcaktohet me disa mënyra, ndër të cilat më e praktikuara është ajo me marrëveshje ndërmjet tij dhe klientit. Gjithashtu në nenin 12 të po këtij ligji, pika 2 përcaktohet se shpërblimi në përqindje, i parallogaritur ose jo, mund të paguhet vetëm kur është parashikuar në marrëveshje ndërmjet avokatit dhe klientit të tij, për rastin e përfaqësimit të suksesshëm të çështjes… Në të gjitha marrëdhëniet e shpërblimit lidhur me shpërblimin e ndihmës ligjore të dhënë nga avokati, në çdo rast dhe kurdoherë prevalon marrëveshja e bërë midis klientit dhe avokatit, marrëveshje e cila nuk njeh kufizime në lidhje me tarifat e shërbimit dhe është vetëm shprehje vullneti midis palëve, klient-avokat. Vetëm nëse, kur midis klientit dhe avokatit mungon një marrëveshje paraprake në lidhje me sasinë, formën dhe mënyrën e shpërblimit, ligji parashikon aplikimin e tarifave minimale të përcaktuara me vendim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.”- theksohet në deklaratë”, – thekson deklarata.

 

Argita Malltezi: Asnjë qindarkë nga Ansari; Rama, transparencë për milionat e padeklaruar

Pas vijimit të akuzave nga ana e Partisë Socialiste, ditën e djeshme ka reaguar vajza e Kryeministrit, Argita Berisha Malltezi, e cila ndër të tjera shprehet se Rama ndodhet vetëm nën panik për të fshehur milionat e tij të padeklaruar. Ajo shprehet se biznesmeni nuk ka paguar asnjë qindarkë për veprimet e studios ligjore, pavarësisht se është njohur më parë me tarifat për shërbimet. Sipas saj, tashmë kanë kaluar disa ditë që nga momenti kur Rama tha se do të tregonte të vërtetën për 100 milionët e bashkëshortes, por kjo gjë ende nuk ka ndodhur. Gjithsesi, vajza e kreut të qeverisë, duke kërkuar transparencë për veprimet e numrit një të selisë rozë, shprehet se ajo vetë sqaron publikun për akuzat që vijnë nga PS-së në lidhje me biznesmenin Ansar. “Biznesmeni në fjalë gjashtë vjet më parë më ka kontaktuar mua, dhe jo anasjelltas, dhe më ka kërkuar përshkrim ligjor dhe ndihmë në fazën fillestare të hartimit të projektit dhe studimeve të tjera që duheshin për këtë fazë. Çdo veprim i zyrës sime të avokatisë ka qenë tërësisht privat dhe nuk ka pasur të bëjë me ndërtim pallati prej 5 katesh në lulishten e sheshit të pallateve, me leje të firmosura nga ju në konflikt të hapur interesi për bashkëshorten tuaj”, – deklaron zonja Malltezi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency