Pas dy muajsh, nis transferimi i të dënuarve shqiptarë nga Anglia drejt Shqipërisë

0
185

Sonja Caka

transferimiHalimi – Wright, firmoset marrëveshja për transferimin e të dënuarve mes dy shteteve

 

Pas dy muajsh do të fillojë transferimi i të dënuarve nga Anglia drejt Shqipërisë. Këtë e mundëson marrëveshja e nënshkruar paraditen e djeshme në Londër nga ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi, dhe homologu i tij britanik, z. Jeremy Wright, ministër për Burgjet e Britanisë. Bëhet fjalë për marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut “Mbi transferimin e personave dënuar”. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, transferimi i të dënuarve do të fillojë pas 2 muajsh. Marrëveshja e transferimit të detyrueshëm të të burgosurve do të lejojë që qeveria britanike të transferojë shtetasit legjitimë shqiptarë nga burgjet e Mbretërisë se Bashkuar për në vendin e tyre, për të kryer pjesën tjetër të dënimit. Gjithashtu, të burgosurit britanik në Shqipëri do të transferohen në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar. Në të dy rastet, i burgosuri do të kryejë dënimin e vendosur nga gjykata. Por, transferimi në një burg në vendin e tyre synon që të rrisë mirëqenien e të burgosurve dhe riintegrimin eventual në shoqëri, si për shembull duke lejuar një kontakt më të madh me familjen e tyre. Kjo është marrëveshja e parë dypalëshe e Mbretërisë së Bashkuar për transferimin e të burgosurve, e cila ofron një transferim të detyrueshëm jashtë Bashkimit Evropian, si dhe një zhvillim shumë pozitiv në marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë. Gjatë takimit, Jeremy Wright u shpreh: “Unë jam i kënaqur që sot, së bashku me homologun tim shqiptar, mundëm të nënshkruajmë këtë marrëveshje për transferimin e të burgosurve. Bashkëpunimi i autoriteteve shqiptare ka qenë vendimtar për t’u siguruar që këto negociata të rezultonin të frytshme. Qeveria Britanike dëshiron që më shumë të burgosur të shteteve te huaj të vuajnë dënimet në vendin e tyre”.

Vizita

Në takimin që ministri pati me homologun e tij mori mbështetjen e qeverisë britanike për aplikimin e mbikëqyrjen elektronike të të dënuarve si dhe në drejtim të ndërtimit të burgjeve private në Shqipëri. Mes të tjerash, ministri u shpreh se Shqipëria është e para në rajon për aplikimin e mbikëqyrjes elektronike tek të dënuarit ndërsa ka ambicie që të jetë e para në implementimin e reformës së burgjeve private te sigurisë së ulët. Këto reforma sipas ministrit kanë impakt pozitiv në buxhet. Nga ana e tij, ministri britanik z. Jeremy Wright premtoi se do ta mbështesë Shqipërinë në këto reforma të rëndësishme. Gjatë ditës së parë të vizitës së tij në Londër, ministri Halimi pati disa takime me zyrtare te burgjeve, shërbimin e provës dhe monitorimin elektronik të të dënuarve, në të cilat shpreh interes i lartë për reformën në drejtësinë penale gjatë vitit 2013. Kjo reformë, siç deklaroi ministri Halimi në këto takime, do të ketë një qasje të dyfishtë këtë vit, pasi nga njëra anë do të ashpërsohet politika penale në drejtim të disa figura krimesh dhe nga ana tjetër do të reformohet dhe ekzekutimi i dënimeve për krimet e lehta për të mos shkaktuar mbipopullim dhe efekte të rënda financiare për buxhetin. Kjo e fundit, duke implementuar përdorimin masiv te monitorimit elektronik (byzylykut elektronik) dhe ndërtimin e disa burgjeve private sipas modelit britanik. Në vizitën dy ditore në Britani, Ministri pati takime me fondacionin Slynn dhe Ser Henry Brok me të cilët bisedoi për reformën në sistemin gjyqësor dhe reformën në Gjykatën e Lartë.

 

Malltezi: Balla, mashtrues, i pranishëm në gjyq përfaqësuesi im ligjor

Deputeti i PS-së, Taulant Balla, është akuzuar jo vetëm për shpifje në gjykatë, për të cilën kërkohet dëmshpërblim nga dhëndri i Kryeministrit, z. Jamarbër Malltezi, por publikisht akuzohet edhe si mashtrues. Reagimi për mediat vjen menjëherë pas deklaratës së deputetit të PS-së nga ambientet e gjykatës, ku deklaronte se dhëndri i Kryeministrit nuk u paraqit në gjyq. Sipas z. Malltezi, seanca është zhvilluar në prani të të dyja palëve, ndërsa i pranishëm për palën paditëse ka qenë përfaqësuesi i tyre ligjor. “Të nderuar gazetarë, në vijim të gënjeshtrës së radhës të Taulant Ballës, ju lutemi pasqyroni, sipas dëshirës, edhe reagimin tim ndaj këtij shpifësi me pagesë të shefit të vet. Disa media pasqyruan sot reagimin e deputetit Balla, i cili me paturpësi i tha publikut se pala paditëse nuk kish qenë sot në gjykatë e për pasojë ishte shtyrë seanca. Mashtruesi nuk heq dot dorë nga vesi i tij edhe kur faktet janë publike nëpërmjet faqes se internetit të Gjykatës së Tiranës, nga e cila provohet lehtësisht se përfaqësuesi ligjor i paditësit Jamarbër Malltezi sot ka qenë prezent dhe pjesëmarrës në seancën e procesit kundër Taulant Ballës për shpifje. Seanca është zhvilluar normalisht në prezencë të të dyja palëve ku z. Balla është njohur zyrtarisht me padinë për shpifje. Pjesëmarrja e përfaqësuesit ligjor në proces mund të verifikohet nga kushdo në proces-verbalin e seancës i cili afishohet në faqen e internetit të gjykatës. Deputeti Balla ka qenë prezent së bashku me avokatin e tij dhe është përballur me avokatin e z. Malltezi dhe për rrjedhojë është fare i ndërgjegjshëm për gënjeshtrën që artikulon para shqiptarëve. Por, as kjo gënjeshtër dhe as të tjerat që thotë, nuk i bëjnë përshtypje sepse gënjeshtra është në natyrën e tij dhe të shefit të tij. I bëjmë thirrje zotit Balla të vijojë të vijë në çdo seancë të këtij procesi dhe të mos fshihet pas gënjeshtrave të tij”, – shprehet Malltezi ne reagimin e tij për shtyp, duke hedhur poshtë me fakte mashtrimet mediatike të Taulant Ballës, para gazetarëve në oborrin e gjykatës.

 

Shkodër

Viktima Paloka, para vrasjes, u betua në kishë se nuk kishin vjedhur pulat e kryeplakut

Lazër Paloka, i ekzekutuar tri ditë më parë nga kryeplaku i fshatit Bërdicë, Hilë Gjoni, ishte betuar para krimit në kishë se nuk kishte gisht ai dhe i biri në vjedhjen e pulave. Megjithatë, pavarësisht këtij betimi të shenjtë, mes dy familjeve tashmë ka nisur hasmëria, pasi ka në mes një viktimë. Pasditen e të shtunës, Paloka është ndeshur në rrugë me kryeplakun dhe kanë rinisur debatin për këto pula të humbura dhe faktin që i kishte rrahur të birin. Debati ka degjeneruar në sherr mes palëve dhe kryeplaku ka nxjerrë pistoletën, duke vrarë në vend 50-vjeçarin Paloka. Gjykata e Shkodrës caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg”. Para trupit gjykues, kryeplaku i akuzuar ka pranuar autorësinë e vrasjes, ndërsa ka pretenduar se vrasja ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Ai pretendoi se ishte qëlluar nga i biri i viktimës para se të shkrepte armën dhe sapo vrau Palokën, u vetëdorëzua në polici. “Isha duke u kthyer në shtëpi pasi ka kam përcjellë bagëtinë, kur në krye të rrugicës sime më ka dalë para Lazër Paloka së bashku me të birin, i cili më ka qëlluar tri herë në kokë me një mjet të fortë (kmesë). Të tretën herë kur më ka qëlluar në kokë, kam nxjerrë pistoletën dhe e kam qëlluar vetëm një herë në gjoks”, – tha i arrestuari. Ndërkohë që, prokurori i çështjes Ermir Lelçaj ka kërkuar nga gjykata shpalljen e ligjshmërisë së arrestimit në flagrancë, si dhe akuzën e ngritur ndaj tij të “Vrasjes me dashje”, çka është kundërshtuar nga avokati mbrojtës i të dyshuarit. Ndërsa avokati Ilir Golemi ka kërkuar caktimin e një masë tjetër sigurie, ndërsa ka kërkuar shpalljen të pa ligjshëm akuzën, pasi sipas avokatit mbrojtës, vrasja është kryer në “kushtet e kapërcimit të kufirit të vetëmbrojtjes”. Sipas prokurorisë, konflikti mes dy familjeve ka nisur kur djali i viktimës është akuzuar nga Hilë Gjoni se i ka vjedhur 12 pula, për çka i ka dërguar Lazër Palokës 2 persona, sipas së drejtës zakonore për t’u betuar në Kishë për këtë akuzë. Kjo është pranuar nga Lazër Paloka, por ky i fundit me 12 Janar i ka dalë para në rrugën e fshatit ku edhe është konfliktuar me autorin.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency